Gjërat që e prishin agjërimin dhe obligojnë shpagimin! Me - TopicsExpress



          

Gjërat që e prishin agjërimin dhe obligojnë shpagimin! Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit. Bazat e gjërave të cilat e prishin agjërimin janë ato të cilat i ka përmendur Allahu në fjalën e Tij ku thotë: "Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato. Allahu e di mirë se ju e keni mashtruar veten (duke shkuar me gratë para se të zbriste lejimi), por Allahu e ka pranuar pendimin tuaj dhe jua ka falur gabimin. Prandaj, ju lejohet bashkimi me bashkëshortet tuaja dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja”. El-Bekare, 187. 1. Kush ha diçka: Me ngrënie këtu kemi për qëllim futjen e diçkaje në stomak nëpërmjet gojës. Themi futja e diçkaje, sepse kjo shprehje përfshin ato që janë të dobishme dhe të dëmshme. 2. Nëse pi diçka, qoftë kjo e dobishme si uji, apo e dëmshme si alkooli. Ke ngrënia dhe pirja janë të gjitha ato gjëra të cilat kanë gjykimin e tyre si: serumet, gjilpërat ushqyese etj. Të njëjtin gjykim ka dhe futja e ujit apo të ndonjë lëngu tjetër nga hunda, sepse ajo ësjtë rrugë që i çon lënjet në stomak, argument për këtë është fjala e Profetit salallahu alejhi ue selem, drejtuar Lakijt bin Sebure: "Thithe ujin thellë në hundë, përveç nëse je agjërues". Ebu Daudi, Nesai. Gjykimi i gjilpërave Ka prej dijetarëve të cilët thonë se çdo gjilpërë e prish agjërimin, sepse ajo hyn në brendësinë e njeriut dhe se trupi i thith ato me anë të venave të holla dhe në momentin që i thith trupi ka dobi. Porse Shejhul Islam bin Tejmijeka thënë: Gjilpërat e thjeshta nuk e prishin agjërimin sepse ato nuk konsiderohen ushqim as nga aspekti gjuhësor, e as nga aspekti i zakoneve, dhe ne nuk kemi asnjë argument në Kuran dhe sunet që të përcaktojë se realiteti i kësaj dispozite është arritja e diçkaje në brendësi të trupit. Pastaj të ushqyerit i cili e prish agjërimin është ai ushqim që ka dy parametra: Ngrënie dhe kënaqësi. Sa e sa të sëmurë të cilët qëndrojnë në ndikimin e gjilpërave edhe pse ushqejnë trupat, përsëri gjen se njeriu është i përmalluar për të ngrënë e për të pirë. Ndaj themi se gjilpërat nuk e prishin agjërimin, edhe nëse trupi i thith ato nëpërmjet venave të imëta, kështu që mendimi i drejtë është ai i Shejhul Islam bin Tejmijes. Sot ne kemi gjilpëra të cilat bëhen në tul dhe përdoren për të ulur temperaturën; pastaj ne kemi një rregull të bukur: nëse kemi një gjë për të cilën nuk e dimë se e prish agjërimin apo jo, atëherë origjina është që ajo nuk e prish derisa të kemi argument të qartë. Cili është gjykimi i hedhjes së pikave në sy gjatë agjërimit? Shejhu këtë çështje e shpjegon nën një temë "lyerja e syve me kuhël" dhe ka dalë në përfundimin se: nëse dikush hedh pika në sy dhe e ndien shijen e saj në fytin e tij, kjo nuk ia prish agjërimin sepse nuk është ushqim dhe as në gjykimin e tij, por nëse atij i arrin ky lëng në gojë dhe më pas e gëlltit, atëherë agjërimi prishet, sepse ai është sikur e ka pirë nga goja. Mesa kam kuptuar nga komentimi i shejhut në disa nga nëntemat e këtij kapitulli, kam dalë në konkluzionin se shejhu mendon se nëse fut sondë në stomak dhe ajo nuk është e lyer me lëndë që ndihmon hyrjen e saj në stomak, atëherë kjo nuk e prish agjërimin -pra shejhu ka dalë nga medhhebi në këtë çështje si shumë çështje të tjera-, e njëjta gjë mund të thuhet dhe për supostën, apo termometrin nëse futen në anus. 3. Nëse provokon të vjellat dhe vjell. Nëse dikush vjell me dashje duke i provokuar ato atëherë ai e ka prishur agjërimin e asaj dite, por nëse i provokon të vjellat por nuk vjell, atëherë kjo nuk ia prish agjërimin; agjërimi nuk prishet edhe nëse vjell jashtë dëshirës tënde. Argument për këtë është hadithi i Profetit salallahu alejhi ue selem, i cili ka thënë: "Kush vjell si shkak i provokimit të tyre ai duhet ta kompensojë atë, ndërsa atë që e kapin të vjellat (pa dëshirën e tij), nuk e kompenson atë ditë". Ahmedi, Tirmidhiu, Ebu Daudi, Nesai. 4. Masturbimi: Personi që masturbohet gjatë ditës në Ramazan e çdo lloj forme qoftë ajo, me dorë apo diçka tjetër e ka prishur agjërimin e asaj dite dhe ky është mendimi i katër imamëve: Ebu Hanifes, Malikut, Shafiut dhe Ahmedit. Argumenti që mendoj unë se është për këtë çështje, është fjala që transmeton Profeti nga Allahu: "E lë ushqimin, pirjen dhe epshin e tij për Mua". Buhari dhe Muslimi. Masturbimi i njeriut është epsh të cilin ai e kryen, kështu që nuk quhet agjërues. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për atë person i cili ledhaton gruan dhe ejakulohet, qoftë si shkak i fërkimeve apo puthjeve, por nëse ai nuk ejakulohet, atëherë agjërimi është i vlefshëm. 5. Nxjerrja e gjakut me anë të hixhames! Dijetarët Islam në lidhje me daljen e jakut nëpërmjet hixhames kanë dy mendime: Një grup prej tyre janë të mendimit se dalja e gjakut me anë të hixhames nuk e prish agjërimin; këtë mendim e kanë Hanefitë, Malikitë dhe Shafitë, këta janë argumentuar me hadithin e Ibnu Abasit se Profeti salallahu alejhi ue selem, ka bërë hixhame kur ka qenë agjërueshëm dhe me ihram" . Buhariu Ndërsa grupi i dytë i dijetarëve janë të mendimit se hixhamja e prish agjërimin, sepse ajo shkakton dobësimin e agjëruesit, këtë mendim e mbështet imam Ahmedi e Ibën Tejmije dhe janë argumentuar me hadithin: "E ka prish agjërimin ai që i bëhet hixhamja dhe ai që bën". Ahmedi, Tirmidhiu, Ebu Daudi, Nesai. Shejhul Islam ibn Tejmije ka thënë se nëse ai që i bën hixhame të tjerëve, nuk e nxjer gjakun me gojë, atëherë ai nuk e prish agjërimin, dhe agjërimi i tij është i saktë, ndërsa i prishet atij që i nxirret gjaku për faktin se dalja e gjakut me hixhame shkakton dobësimin e trupit dhe ajo e dëmton agjëruesin. Dijetarët kanë folur shumë në lidhje me këtë çështje porse shejh Uthejmini mbështet mendimin e Imam Ahmedit dhe Ibën Tejmijes, për faktin se ata argumentohen në hadithe; madje bashkëngjit në këtë gjykim dhe atë i cili dhuron gjak, sepse ajo është si hixhamja për nga sasia e daljes së gjakut nga trupi dhe dobësimi i tij. Të gjitha këto nëse i bën me qëllim, duke e ditur që është me agjërim dhe jo kur harron. Këtu autori -Allahu e mëshiroftë-, ka përmendur dy kushte të cilat shkaktojnë prishjen e agjërimit: 1. Që një gjë e tillë të jetë e qëllimtë e kundërta e së cilës është vepra e paqëllimtë si: hyrja në trup e pluhurit, tymit, mizës, apo gjatë shpëlarjes së gojës i hyn ujë në bark pa dashje, sepse të gjitha këto nuk e prishin agjërimin. Argument për këtë është fjala e Allahut: El-Ahzabë, 5. Agjërimi po ashtu nuk prishet nëse dikush vepron ndonjë na ato që e prishin atë i imponuar, Allahu thotë: En-Nahl, 106. Kështu që nëse Allahu fal mohimin që bëhet nga njeriu kur është i imponuar (nën dhunë), atëherë të tjerat janë më përparësore. Ndaj nëse dikush e imponon bashkëshorten e tij që gjatë agjërimit të kryej kontakt me të dhe ajo është munduar që ta parandaloj por nuk ka mundur, atëherë agjërimi i saj është i saktë. Profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Allahu e ka falur umetin për veprat që i bën gabimisht, nga harresa apo nën dhunë (të detyruar)". Ibnu Maxha, e ka saktësuar Hakim dhe Ibën Hibani. 2. Ta bëjë këtë duke e ditur se po agjëron dhe jo kur harron, sepse Profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Kush ha, apo pi me harresë duke qenë agjërueshëm, le ta vazhdojë agjërimin sepse atë e ka gostitur Allahu". Buhari dhe Muslimi. Çështje: Nëse ha apo pi me harresë dhe më pas kujtohet se është agjërues, por e ka ende ushqimin në gojë çfarë duhet të bëjë? Përgjigje: Ai duhet ta hedhë atë sepse tashmë është në gjykimin e atij që e din se është agjërues, dhe ngrënia me dije e prish agjërimin. 3. Këtu duhet të shtojmë dhe një kusht të tretë i cili është dija: pra nëse një njeri nuk e din se filan vepër e prish agjërimin dhe e kryen atë, ai duhet ta vazhdojë agjërimin, sepse ka kryer një vepër të cilën e dinte se nuk e prishte agjërimin. Padituria këtu përfshin: a) paditurinë rreth gjykimit të diçkaje se a e prish apo jo; pra nuk e din se një gjë e tillë është haram apo jo. b) padituria për gjendjen (apo kohën) se prishet në të apo jo; nuk e din se është në një kohë në të cilën ngrënia dhe pirja janë të ndaluara. Të dyja këto gjendje janë të justifikueshme, Adij bin Hatim transmeton se ai donte të agjëronte dhe lexoi fjalën e Allahut: El-Bekare, 187. Dhe mori një fije të zi dhe një të bardhë dhe i vendosi poshtë jastëkut; më vonë hëngri e po priste të dallohej peri i bardhë nga i ziu. Ky është gabim në kuptimin e ajetit, sepse ai ka për qëllim me perin e bardhë, bardhësinë e ditës ndërsa me perin e zi errësirën e natës, ndaj dhe kur ky sahab i tregoi Profetit se ç’kishte bërë, ai i tha: "Vërtet jastëku yt paska qenë i gjer shumë aq sa ka ka mjaftuar për perin e bardhë dhe të zi bashkë". Buhari. Ndërsa argumenti për justifikueshmërinë e gjendjes së dytë është hadithi i Esma bintu ebi Bekër e cila ka thënë: "Çelëm iftar në një ditë me re në kohën e Profetit, kur më vonë pamë se dielli nuk kishte perënduar ende". Buhari. Pra ata e çelën iftarin duke menduar se dielli kishte perënduar, ndaj dhe Profeti nuk i urdhëroj që ta përsërisnin agjërimin e asaj dite. Porse ai që e çel iftarin duke menduar se ka perënduar dielli dhe më vonë sheh se dielli nuk ka perënduar, ai duhet që të agjërojë pjesën e mbetur të ditës, sepse ai e çeli si shkak i një faktori të pa qenë në realitet. Çështje: Duhet të përmendim këtu se nëse një person ejakulohet duke qenë në gjumë (si shkak i ëndrrave), kjo nuk ia prish atij agjërimin edhe nëse ndodh në gjumin e ditës sepse ajo ka ndodhur pa vetëdijen e tij. Çështje: Nëse dikujt i thahet goja gjatë ditës si shkak i vapës, a lejohet për të ta shpëlajë gojën me ujë? Po lejohet që ai ta shpëlajë gojën me ujë dhe nëse pa dashje depërton ndonjë pik ujë në bark kjo nuk ia prish atij agjërimin sepse është e paqëllimtë. Çështje: Kush ha duke qenë i pasigurt se ka lindur agimi apo jo, agjërimi i tij është i saktë dhe argumentet e mbështesin diçka të tillë, sepse njeriut në mëngjes i lejohet të hajë e pijë derisa të shohë se ka lindur agimi. Nuk lejohet që dikush ta çelë iftarin duke qenë në dyshim a ka perënduar dielli apo jo, dhe nëse e bën një gjë të tillë e më pas mësohet se dielli ende nuk ka perënduar, atëherë ai duhet ta zëvendësojë këtë ditë sepse Allahu në Kuran thotë: "Dhe ju plotësojeni agjërimin deri në mbrëmje". Kështu që dikush nuk duhet ta çelë iftarin derisa të perëndojë dielli apo të mendojë -si shkak i rrethanave atmosferike-, se dielli ka perënduar. Kitab Es-Sijam (Kapitulli i Agjërimit) “Sherh Mumti’i ala Zad el-Mustekni’I” Muhamed ibn Salih el Uthejmin Përktheu: Bledar Haxhiu ibnuthejmin
Posted on: Mon, 17 Jun 2013 19:57:24 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015