Gllavinica! Fundi i një enigme 100 vjeçare Nga Ilirjan - TopicsExpress



          

Gllavinica! Fundi i një enigme 100 vjeçare Nga Ilirjan Gjika Në historinë e Shqipërisë përmendet si një qytet i rëndësishëm gjatë mesjetës edhe qyteti i Gllavinicës. Interesante janë faktet e së kaluarës që dëshmojnë zhvillimet e disa ngjarjeve me rëndësi edhe për historinë e disa prej popujve fqinj, që e kanë vënë për shumë kohë Gllavinicën në qendër të studimeve të ndryshme, në Shqipëri edhe jashtë saj. Gjatë pushtimit Bullgar në tokat shqiptare në Gllavinicë ka patur qendrën e vet një nga peshkopatat më të rëndësishme, të kryepeshkopatës Bullgare të Ohrit. Po në këtë qytet kanë ushtruar veprimtarinë e tyre fetare-arsimore disa nga figurat kryesore të kishës tek sllavët e jugut si: Shenjtët Klement, Naum, Ëngjëllor dhe Horazd. Me origjinë nga Gllavinica është edhe guri me mbishkrimin Greqisht që dëshmon kristianizmin e popullit Bullgar në vitin 866. Ndërkohë Gllavinica përmendet edhe nga historiania Bizantine Ana Komnena, tek vepra e saj "Aleksiada", ku përshkruhen luftimet Normano-Bizantine të zhvilluara në territoret shqiptare gjatë shekujve XI-XII. Në luftimet midis dy ushtrive në vitin 1107 do të vritet në Gllavinicë nënduka Anglez Robert Monfort, Epitafi i gurit të varrit të të cilit, do të gjendet në vitin 1918 nga arkeologu Austriak Kamilo Prashniker. Po në këtë qytet, në kishën katedrale të tij, në vitin 1373 me porosi të kontit Gjergj Arianiti (i pari) do të qëndiset i famshmi Epitaf i Gllavinicës. Kjo pëlhurë kërpi më e vjetra në Shqipëri e qëndisur me fije të arta i kushtohet vëllezërve Balsha, Epitafi ruhet sot në Muzeun Kombëtar në Tirane për vlerat e mëdha muzeale që ai bart. Problemi i këtij shkrimi është renditja e vlerave dhe ngjarjeve historike të ndodhura në këtë qytet mesjetar, por vërtetimi i hipotezës që ka të bëjë me identifikimin e tij. Për vendodhjen e Gllavinicës ekzistojnë mendime të ndryshme të cilat e vendosin qytetin në territore të caktuara. Historiani Serb Novakoviç mendon se Gllavinica ndodhej në territorin midis dy qyteteve të Durrësit dhe Janinës, diku në jug të Vlorës (Pervi osnivi slovenske Krizhevnosti, Beograd 1893, fq.71-73). Ndërsa historiani Bullgar Zllatarski duke u nisur nga ngjashmëria e emrave Gllavinica-Gjanica hodhi idenë se ky qytet ndodhej praën lumit Gjanica në krahun e Kutmicevicës diku midis Vjosës dhe Semanit (Istoria na Bellgarskata Drzhava, Sofia 1937, fq.231-235). Një tjetër autor Jugosllav Stipçeviç në (Arkeologjia V, 1963, fq 1-5) hedh një ide tjetër mbi vendodhjen e këtij qyteti. Sipas tij Gllavinica ka mundësi të ketë qënë pranë liqenit të Ohrit. Së bashku me Stipçeviçin bashkohet edhe Bullgari Miatev (Arkeologjia IV, 1963), ndërsa Bullgari tjetër, Snegarov mendon se: Gllavinica ndodhej në afërsi të gjirit të Vlorës, gjë që afron atë me hipotezën e Novakoviçit. Pranë territorit të gjirit të Vlorës e vendos Gllavinicën edhe peshkopi i dikurshëm i Beratit, greku Anthim Aleksudhi, i cili thekson se qyteti nuk ndodhej shumë larg nga Kanina ndoshta midis saj dhe Igumenicës. Një tjetër jugosllav Striçeviçi e vendos Gllavinicën në afërsi të Ohrit ku ai gjen një toponim të ngjashëm Zglavenicë. Ndërsa Fransua Pukevili (Voyage de Greece, Paris 1826, fq 221-222) e vendos Gllavinicën në territorin e Konicës. Edhe historografia Shqiptare ka bërë në të kaluarën e afërt shumë punë për identifikimin e këtij qyteti mesjetar. Me këtë problem u mor fillimisht Theofan Popa, i cili e identifikoi Gllavinicën me Ballshin e sotëm të Mallakastrës (Studime Historike 1964, fq 235-241). Kjo tezë u plotësua më vonë diku në fillim të viteve 1980 me tezat e konkluzioneve të gërmimeve arkeologjike të botuara nga Skënder Anamali në shtypin shkencor të kohës. U duk se problemi i evidentimit të Gllavinicës u mbyll përfundimisht duke e stacionuar vendodhjen e këtij qyteti në Ballshin e sotëm. Në vitin 1987 studjuesi Koço Zheku ngriti një tjetër tezë, e cila e lokalizon Gllavinicën mesjetare 6 km më në jug të Ballshit, pikërisht si vazhdim i jetës qytetare të Bylisit antik (Monumentet 2, 1987, fq 95-100). Çuditërisht për shumë vite nuk pati oponencë ndaj argumentave të Koço Zhekut, i cili në analizën e problemit mbështetej tek përshkrimi i ndërtimeve dhe tek shfrytëzimi i burimeve historike të mesjetës. Vetëm në Mars 2005 Dr. Moikom Zeqo një prej studjuesve më autoritarë të historisë hodhi përsëri dyshime mbi lokalizimin e Gllavinicës (Shekulli 5 mars 2005), duke e rivendosur përsëri debatin. Por duke studjuar në mënyrë tepër skeptike dy tezat e historografisë sonë mbi lokalizimin e Gllavinicës, mendoj se ideja që Koço Zheku pohon se Gllavinica nuk është veçse Bylisi antik është e drejtë, e qëndrueshme dhe shumë e argumentuar. Për të krijuar një tablo sa më të plotë dhe të qartë mbi problemin e mësipërm gjatë viteve 2000-2004 me një grup kolegësh zhvilluam vëzhgime sipërfaqësore në qytetin e Ballshit dhe periferinë e tij. Nga studimi i terrenit duke cituar edhe Th. Popën (Studime Historike 2, 1064) konstatuam se në këtë territor nuk gjenden gjurmë masive ndërtimesh antike ose mesjetare, të cilat vërtetojnë se në këtë vend ka ekzistuar një vendbanim qytetar. Të vetmet gjurmë ndërtimesh të vjetra janë rrënojat e kishës së manastirit të Shën Mërisë, që gjenden në këtë qytet pranë rrugës nacionale. Të ndodhur në këto kushte shtruam përpara vetvetes pyetjen se: Ku i ndërtoi Shën Klementi "Monumentet e karakterit fetar" dhe ku gjendeshin "vendet për pushim", që Car Borisi i dhuroi shënjtit (K. Mijatev, Arkeologjia 1962, fq 5). Ndërkohë morëm informacionin se gjatë ndërtimeve të karakterit urban dhe punimeve masive të bëra në vitet 1970 për ndërtimin e Rafinerisë në qytetin e Ballshit, ku u gërmua një sipërfaqe shumë e madhe nuk u gjend asnjë rrënojë ose gjurmë kishe, muri rrethues, kulle dhe banese mesjetare ose antike. Kështu që na u duk më e përshtatshme që pikat më të forta të tezës së Theofan Popës duheshin përshtatur, për të argumentuar se vendodhja e Gllavinicës duhet kërkuar në Bylis. Në rast se këtyre argumentave do ti shtonim ato të Koço Zhekut dhe do ti rendisnim një e nga një atëherë pa dyshim që lexuesi i thjeshtë do ta kuptonte menjëherë se ku ndodhej Gllavinica kaq e përfolur. Kështu Bylisi antik u dëmtua nga dyndjet barbare të shekujve 3-5 dhe u rindërtua nga perandori Bizantin me origjinë Ilire Justiniani. Në librin e tij "Mbi ndërtimet" biografi e perandorit, Prokopi i Çezaresë na njofton se nga 48 fortesat që u rindërtuan në provincën e Epirit të Ri ishte dhe Bylisi. Tre nga mbishkrimet e mureve të tij ruhen edhe sot në Muzeun Kombëtar. Të zbuluar nga arkeologu Skënder Anamali (Monumentet 1, 1987, fq 62-63), gurët e mbishkrimeve me përmbajtje ndërtimore, na tregojnë se qyteti i Bylisit u rindërtua në vitet 549-550 nga Viktorinusi i dërguari i Perandorit. "Nuk ankohem më për barbarët....sepse gjeta tek Viktorini një që më ndërtoi me duart e tij", lexojmë në njërin prej tyre. Këto ndërtime u bënë në një kohë kur rreziku i inkursioneve barbaro-sllave ishte akoma kërcënues mbi territoret e provincave ilire. Gjatë periudhës së Justinianit në Bylis u ngritën përveç mureve rrethues edhe pese kisha të tipit Bazilikal (S. Muçaj, Iliria I, 1986), ku njëra prej të cilave Bazilika ishte katedrale dhe shërbente si seli Peshkopale. Me rindërtimin e tij në fillim të mesjetës qyteti u rrudh ne 1/3 e sipërfaqes që kishte patur gjatë periudhës antike, megjithatë ai vazhdoi të ishte një qendër e rëndësishme ekonomike, administrative dhe peshkopale. Me këtë "Urbanizim" të ri Bylisi duhet ti ketë qëndruar valëve të disa dyndjeve slave, të cilat në dallim nga sulmet e mëparshme nuk kishin karakter shkatërrues por ngulitës-kolonizues. Në Epirin e ri ashtu si dhe në provincat e tjera të Ilirisë së jugut, vala e këtyre dyndjeve vinte duke rënë sepse gjatë zbritjes së tyre në jug ato ndeshnin një kompaktësi të madhe të popullsisë autoktone. Ky territor kishte qëndra të fortifikuara, ekonomi të zhvilluar, struktura fetare të konsoliduara, rrjet të dendur të rrugëve të mëdha tregtare, nivel të lartë kulturor, të cilat i bënë ballë presionit sllav. Duke u mbështetur në resurse të tilla edhe qyteti i Bylisit e vazhdoi jetën e tij. Këtë e vërtetojnë edhe rindërtimet e tjera që i janë bërë mureve të tij në kohë të mëvonshme (K.Zheku. Monumentet 2, 1987, fq.98), "me gurë të thyer me çekan, me përmasa të çrregullta që lidhen midis tyre me llaç". Pushtimi Sllav duhet të ketë qënë i përkohshëm dhe administrata Bizantine e ruajti administrimin mbi qytetin siç ndodhi me trevat e bregdetit. Ndërkohë emri Kefalini (kryevend) duhet të jetë marrë pas dyndjeve sllave, gjatë sundimit në Bizant të Perandorit Herakel (610-641), kur në këtë shtet kozmopolit po përfundonte helenizimi dhe kur latinishtja si gjuhë e administratës po zëvendësohej me greqishten. Emrin krye vend (Kefalini) Bylisi e mori për pozicionin e vendodhjes që ai kishte mbi shkëmbin buzë Vjosës në lartësinë 524 m mbi nivelin e detit. Nga lartësia e kodrës së tij që sot quhet nga vendasit "Gradishta" e Hekalit, vështrimi të kap të gjitha anët e horizontit si: pjesën më të madhe të Mallakastrës, luginën e lumit Vjosa, malet e Labërisë, Llogaranë dhe bregdetin. Me këtë të fundit qyteti që ka luajtur gjatë antikitetit të vonë një rol të madh strategjik dhe ekonomik kryente komunikim me anë të lumit Vjosa ku ai kishte edhe skelën e vet. Në të tilla kushte e gjeti qytetin e Bylisit pushtimi i shtetit Bullgar. Të ardhur nga lindja nëpërmjet luginës së Devollit, Bullgarët u vendosën në Pulkeriopolis (Berat) të cilin e kthyen në qendër të nisjes së pushtimeve të mëvonshme. Të nisur prej këtu në vitet 842-860 ata u vendosën në zonën midis Vjosës dhe Semanit, të cilën do ta quanin në gjuhën e tyre Kutmiçevica. Veçoria e pushtimit Bullgar në tokat shqiptare ishte konvertimi i emrave të vendbanimeve nga emrat e tyre të vjetër origjinale në emra sllavo-bullgare. Sot në Shqipëri ruhen një pjesë e madhe toponimesh që i përkasin këtij grupi gjuhësor, sidomos në trevën e Mallakastrës. Bullgarët e shdërruan emrin Kefalini që përdorej zyrtarisht nga administrate Bizantine në Gllavinicë, i cili ishte vetëm përkthimi i të njëjtit term në gjuhën e tyre. (Gllava, Bullg-kokë,krye). I kësaj periudhe është edhe emri që ruan sot kodra mbi të cilin ngrihej qyteti, që në gjuhën bullgare do të thotë qytezë. "Gradishta". Në vitin 886 mbreti bullgar Borisi dërgoi si misionar fetar në krahinat Jug-Perëndim të shtetit të tij (Kutmiçeva), Shën Klementin. Në këtë zonë ku bënte pjesë edhe Gllavinica, Klementi kaloi një pjesë të madhe të kohës, duke predikuar Ungjillin duke u propoganduar besimtarëve shkrimin Cirilik. Në jetë shkrimin e Shën Klementit, Peshkopi i Ohrit Theofilakti (1094-1107) shkruan se: Mbreti Boris i dhuroi "shënjtit" vende për pushim në Ohër dhe Gllavinicë. (Miatev, Arkeologjia 1962, fq 5). Ndërsa në veprën e tij kushtuar të njëjtës figurë dhe të quajtur "Biografi e shkurtër", Peshkopi tjetër i Ohrit Dhimitër Homatiani (1912-1234) ndër të tjera thotë: "Kohën më të madhe Klementi e kalonte në Ohër dhe në Kefalini", të quajtur në gjuhën Bullgare Gllavinica (J.Ivanov, Bellgarski. Starini 12. Makedonija, Sofija 1931, fq. 318-319). Në qytetin për të cilin po flasim Klementi ndërtoi ose rindërtoi me iniciativën e vet disa monumente të tipit fetar, në muret e të cilave u shkruan ngjarjet më të rëndësishme të historisë fetare të Bullgarëve. "Në Kefalini mund të shihni edhe në këtë kohë shtylla guri ku janë gdhendur fjalë që shënojnë afrimin dhe bashkimin e popullit bullgar me Krishtin", shkruan Homatiani në biografinë e shkurtër, gjatë shekullit të XIII-të (1216-1234). Një nga këto shtylla u gjet në gërmimet arkeologjike të bëra në vitin 1918 në rrënojat e katedrales së Ballshit (origjina e ngatërrimit të problemit). Në njërën anë të saj ndodhej mbishkrimi në greqishten bizantine ku thuhej: "Princi i Bullgarisë Borisi kishte marrë emrin Mihal dhe ishte Pagëzuar bashkë me popullin e tij nga zoti në vitin 1374 (866). Kjo shtyllë guri në të cilën më vonë në anën tjetër të saj u gdhend edhe një mbishkrim tjetër humbi gjatë tërheqjes së ushtrive Austro-Hungareze gjatë vitit 1918. Publikimi i saj ngatërroi problemin e identifikimit të Gllavinicës, meqënëse ajo u gjet në Ballsh dhe jo në Bylis. Por Ballshi që sot përbën gjeografikisht një pellg, gjendet në luginën e Gjanicës. I rrethuar nga të gjitha anët nga kodra të larta ai nuk mund të quhet krye ose ball i vendit (Gllavinicë). Ndërkohë duke ju referuar Homatianit shtrojmë pyetjen se: Ku janë ato ndërtime kulti që Klementi ndërtoi në Gllavinicë, që sipas Th. Popës është Ballshi. N.q.se nuk ekzistojnë po rrënojat e tyre ku janë? Po vendet për pushim që Shënjtit ja dhuroi Mbreti Boris a mund të gjenden në Ballsh? Patjetër që jo. Ndërkohë gjithëkush që e kanë vizituar Bylisin mund të thotë duke u nisur nga shumë pikpamje se Klementi, e braktiste një pjesë të kohës në Ohër, për ta kaluar atë në Gllavinicë (Bylis), ku i kushtohej misionit të tij siç ishte mësimi i ungjillit dhe përhapja e ideologjisë së pushtuesit Bullgar. Por le të kthehemi përsëri tek Ballshi themi se: Kisha rrënojë ishte një Bazilikë monumentale me tre anijata. Sipas studimit që i ka bërë asaj Koço Zheku (Monumentet 2, 1987) duke u bazuar tek planimetria dhe teknika e ndërtimit, mendohet se ajo është ndërtuar gjatë mesjetës së mesme, kur u braktis Gllavinica (Bylisi). Mund të themi se për ndërtimin e saj u përdorën materiale të nxjerra nga kishat e qytetit. Disa prej tyre që erdhën nga Gllavinica në Ballsh dhe u përdorën për ndërtimin e kësaj Kishe ishin edhe shtylla me mbishkrimin e Borisit (shek.IX) dhe Robert Monforti (shek.XII), Pllaka e Patianos si dhe katër mbishkrimet e Viktorinit, rindërtuesit e qytetit të Bylisit. Nga dëshmitë e tjera historike thuhet se në Gllavinicë shërbyen si drejtues të Peshkopatës edhe Naumi, Ëngjëllori dhe Horazdi. Këta dy të fundit u varrosën këtu në (Gllavinicë) dhe lipsanat (eshtrat) e tyre u zhvendosën më vonë në Berat. (Th. Popa. (Studime historike 2, 1964). Arsyeja te çon të mendosh se figura të rëndësishme të klerit sllavo-bullgar u emëruan në një qytet të rëndësishëm, si vend i zhvillimit të arsimit dhe kulturës dhe jo drejtues të një manastiri, qoftë dhe i rëndësishëm siç kishte qënë ai i Ballshit (Th. Popa. Monumentet 2, 1964). Me largimin e pushtuesve bullgarë në vitin 1018 qyteti i Gllavinicës ju kthye përsëri për administrim administratës Bizantine. Në vitin 1019 Perandori Bizantin Vasili II, i Dinastisë Maqedonase në Krisobulën (diplomën) e tij të parë përmend edhe Gllavinicën. (Për Peshkopin e Gllavinicës në vetë Gllavinicë, Kaninë e Neaniskë urdhërojmë të ketë 40 klerikë dhe parikë). Nga pushtimi Bizantin Gllavinicën e shkëputi sulmi i normanëve në vitin 1081. Duke përshkruar fillimin e zbarkimit të trupave normane në tokat shqiptare A. Komnena thotë tek (Vëllimi I,Libri III, 12 fq 125-129) i Aleksadës se: "Në një kep të quajtur Gjuhë ra papritmas një furtunë e madhe. Anija ku ndodhej Roberti (Guiskardi) me vështirësi shpëtoi. Së bashku me ata që shpëtuan (ai) qëndroi për shtatë ditë në Gllavinicë me qëllim që të shlodhej duke pritur të vinte pjesa tjetër e ushtrisë nga Brindizi". Duke analizuar pasazhin e mësipërm mund të themi se vetëm Gllavinica (Bylisi) mund të strehonte ushtrinë normane që i shpëtoi përmbytjes. E ndodhur në thellësi të vendit dhe e fortifikuar ajo mund të kryente fare mirë detyrën mbrojtëse. Për në Gllavinicë normanët mund të kenë ndjekur rrjedhën e Vjosës ose trasenë e rrugës mesjetare Vlorë-Berat në mesin e së cilës gjendej qyteti. (J.Adami, Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri, fq 63). Këto dëshmi mendoj se janë argumente të forta që deshmojnë në favor të të qënit të Gllavinicës në Bylis dhe jo në Ballsh të vendosur në luginën e një përroi të vogël si Gjanica. Ndërsa gjatë fushatës së dytë normane të viteve 1107-1108, Gllavinica ruhej nga Bizantinët për pozicinon e saj dominues mbi Vjosë, e përfshirë në operacione ushtarake për rolin e saj strategjik. Në një fragment tjetër të Aleksiadës lidhur me këto ngjarje thuhet: "Ndërsa Aliati që ruante Gllavinicën së bashku me të zgjedhur të tjerë zbriti në fushë" (Aleksiada vëll II lib XII, fq 196-206). Këtu ai do të ndeshet me normanët në një vend moçalor. Ky argument është më i fortë që dëshmon se Gllavinica ndodhet mbi Vjosë ka përpara saj fushë, aq më tepër moçalore, e cila nuk gjendet pranë Ballshit në luginën e Gjanicës. Gjithashtu ushtaraku bizantin Kantakuzeni erdhi në Gllavinicë dhe dërgoi kundër normanëve Beroitin. Ky strateg shkatërroi anijet e normanëve të ankoruara në Vjosë, që sipas A. Komnenës lundrohet deri në Bylis (Aleksiada vell II lib XII, fq 5). Në këto luftime vritet edhe fisniku Norman Robert Monfort, i cili mbante titullin nëndukë. Ky kalorës varroset këtu me shpejtësi sepse nevojat e luftës nuk e lejonin zhvillimin e një ceremoniali të denjë për pozitën që zinte ai në hierarkinë Feudale-ushtarake. Mbi varrin e tij u vendos shtylla e gurit mbi të cilën ishte gdhendur dëshmia mbi kristianizimin e bullgarëve, që e kemi përmendur më sipër. Duke mos njohur greqishten dhe pa ditur dëshminë e këtij mbishkrimi, gurgdhëndësi Norman shkruajti në anën tjetër të shtyllës 14 vargje në latinisht që shërbyen si epitaf i varrit. Koço Zheku (Monumentet 2, 1987) mendon se në betejat e fundit të luftës normane bizantine, Gllavinica është djegur tërësisht për të mos e marrë më veten. Ky mendim mund të jetë i drejtë sepse siç na informon përsëri A. Komnena (Aleksiada vell II lib XII, fq 129-206) kur Kantakuzeni u nis drejt Gllavinicës iu afrua kështjellës së Mylit (N.Ceka mendon se është Cakrani) të cilën e rrethoi dhe e dogji, (Bizantinët me guxim iu afruan mureve dhe disa prej tyre duke hedhur brenda zjarr digjnin portat). Kështu mund të kenë vepruar edhe me Gllavinicën e cila pas disfatës se strategut bizantin Aliat, mund të ketë rënë në duart e ushtrive normane. Kështu qyteti pasi është djegur është bërë i pabanueshëm dhe një pjesë e popullsisë e braktisi atë duke u detyruar të vendoset në rajonin përreth. Kështu ndoshta lindi edhe vendbanimi i ri të cilin ajo nuk e quajti si të huajt pushtues: Kefalini ose Gllavinicë, por e pagëzoi me emrin shqip të ish qytetit të saj Bylis, Balis, Ball (koke), Ballsh. Me gurët e marrë nga qyteti i rrënuar ndërtohet Bazilika e Shën Mërisë së Ballshit, i cili më vonë pasi rrethohet nga konakët kthehet në një manastir të fortifikuar, ndoshta në seli të Peshkopit. Këtë fat patën edhe gurët me mbishkrimet e Viktorinit, Borisit, Robert Monfortit dhe Lipsanat e Shën Horazdit dhe Ëngjëllorit, të cilat u sollën nga Gllavinica në Ballsh. Por vendosja e mundshme e Peshkopit të Gllavinicës në këtë seli (të re) mund të ketë qënë një tjetër mundësi për ngatërrimin e Gllavinicës me Ballshin për shkak të titullit që vazhdoi të mbante ai. Të dhëna interesante që mund ti shfrytëzojmë në dobi të kësaj tezë janë dhe ato arkeologjike të cilat kanë gjetur në Bazilikat e qytetit gjurmë djegiesh. (S. Muçaj Iliria 1, 1987). Në këtë mënyrë mund të themi se pas shpërbërjes së Gllavinicës në vitet 1107-1108 Peshkopata e saj u zhvendos ne Ballsh. Si seli për Peshkopin shërbeiu Kisha e Shën Mërisë e cila ose u ndërtua në këtë vit. Por nuk përjashtojmë edhe variantin tjetër sipas të cilit kjo Kishë ishte ndërtuar dy shekuj më parë ndoshta në shek X (K.Zheku Monumentet 2, 1987) dhe kishte shërbyer si seli dimërore e Peshkopit të Gllavinicës (N.Ceka, Ilirët). Në braktisjen e Gllavinicës ajo ju nënshtrua restaurimit dhe zgjerimit duke ju përshtatur nevojave të reja të saj. Mbi këtë bazë fillon jetën e tij dhe vendbanimi i ri, Ballshi, i cili bëhet vazhdim i jetës së qytetit mëmë Gllavinicës. E kështu me Ballshin lidhet Epitafi i porositur nga Gjergj Arianiti në vitin 1373, i cili mori emrin për shkak të titullit që mbante Peshkopi i Gllavinicës, emri i të cilit është qëndisur ne mbishkrimin e tij. Rrugëtimi i tij dhe i vlerave të tjera Gjatë mesjetës shumica e njerëzve nuk dinin të shkruanin dhe të lexonin, ndërkohë që shumë gjëra mbi fenë ata i mësonin nga pikturat në kisha. Kjo gjë, ndihmonte në radhë të parë predikuesit, të cilët e përdornin këtë lloj arti vizual për ilustrimin e doktrinës së tyre. Për ti shërbyer këtij qëllimi kishat u mbushën qysh në periudhën e mesjetës së hershme me: ikona, afreske, skulptura, epitafe, etj. Vepra të tilla arti pregatiteshin nga artistë të aftë e të talentuar. Qëllimet e vërteta të tyre nuk kishin për synim të paraqisnin vepra realiste, por të krijonin ide mbi parasjën, ferrin dhe frymëzimet e tjera të karakterit të së shenjtës. Në artin kishtar të famshme ishin edhe qëndisjet prej mëndafshi si dhe pikturimi i librave fetarë të quajtur kodikë, të cilat zbukuroheshin me miniatura të ndryshme, prej të cilave sot trashëgojmë vlera të mëdha artistike, kulturore e shkencore. Veprimtari të tilla artistike ushtroheshin nga njerëzit e fesë. Krijimi dhe kopjimi i dorëshkrimeve dhe i kodikëve realizohej kryesisht në manastire nga murgj dhe klerikë të specializuar. Porositës dhe financues të këtyre veprave të kushtueshme të artit ishte përgjithësisht fisnikëria feudale. Ajo ja kushtonte ato senjorëve më të mëdhen, në shenjë nderimi dhe homazhi, ku në raste të tilla si dhurata përdoreshin edhe epitafet. Epitafet dhe Arianitët FEpitafi në literaturën fetare quhet një pëlhurë e qëndisur ose e pikturuar, e cila ka për qëllim që të paraqesë përpara besimtarëve skenën e vdekjes së Krishtit. Ky objekt përdorej gjatë ceremonialëve kishtare për tu adhuruar e nderuar prej besimtarëve. Arti i qëndisjes ose i pikturimit në Epitafe ishte i një cilësie shumë të lartë, duke krijuar kryevepra të artit kishtar. Ndërsa Arianitët ishin një prej familjeve më të vjetra feudale në Shqipëri. Midis veprimtarive të tjera ata përmenden gjatë mesjetës edhe për dhurimin e veprave të artit, siç ishte edhe Epitafi i Gllavinicës, apo ai i Beratit. Ky i pari i dedikohet familjes feudale të Balshajve nga Vasali i tyre Gjergj Arianiti i I-rë, i cili nuk duhet ngatërruar me vjehrrin e Skënderbeut Gjergj Arianitin e II-të. Në vitin 1373 në krye të Principatës së Balshajve qëndronte Balsha i II-të, i cili në vitin 1370 kishte thyer së bashku me Vasalët e tij Muzakajt, Gropajt, Arianitët, etj, mbretin Serb Vukashinin, duke i marrë atij Korçën dhe Kosturin. Një vit më vonë pikërisht me 1371 ai theu edhe trashëgimtarin, e tij Mark Krajleviçin, duke krijuar një shtet që shtrihej nga Mali i Zi e Serbia Jugore, deri në Himarë dhe Kostur në jug. Por historia e epitafeve që lidhet me familjen e Arianitëve nuk mbaron këtu. Një tjetër Epitaf, i cili u grabit nga ushtritë Austro-Hungareze gjatë vitit 1918 ishte dhe ai i Beratit. Për këtë vepër arti na dëshmon Babingeri (F.Babinger. Fundi i Arianitëve. Tirane 2004, fq.16), i cili citon Eqrem Bej Vlorën. Sipas bisedës që kish patur me dijetarin gjerman, Eqrem Beu, e kishte parë këtë epitap në Metropolinë e Beratit në vitin 1906. Ai ishte pregatitur me rastin e martesës së Gulielm Arianitit, diku në fillim të shekullti të XIII-të, me një princeshë Serbe, ndoshta një nga vajzat e mbretit serb Stefan Nemanjës. Kjo qëndismë e pregatitur në një nga kishat e kalasë së Beratit, ju dhurua kishës së manastirit të Shën Dëllisë së Aranitasit (vendi ku u kurorëzua i ati), i cili duhet të ishte patjetër nën kujdestarinë e familjes feudale të Arianitëve. Ndoshta nuk është e pa bazë edhe teza e Italianit Lorenconi (Impressioni d’Albania. Romë 1931), i cili mendon se vajza e Gjergj Arianitit të II-të, Donika (Androniku) u kurorëzua me bashkëshortin e saj Gjergj Kastriotin, në altarin e kishës së Shën Mërisë të manastirit të Ardenicës (Lushnje) në 26 Prill 1451. Epitafi i Gllavinicës Epitafi në fjalë është një pëlhurë liri e paforcuar me astar, me gjatësi 211 cm dhe gjerësi 114 cm. Ai është qëndisur me fije mëndafshi të cilat përbëjnë 19 lloje ngjyrash që krijojnë figurinat e tij. Për të ngjyrosur fijet e qëndisjes janë përdorur esenca të nxjerra nga bimësi të ndryshme. Interesante është fakti se për të nxjerrë ngjyrën e kuqe janë përdorur trupat e disa insekteve. Teknologjia e qëndisjes me ar është e një cilësie dhe niveli të lartë dhe realizimi i tij i përket artit paleolog. Në qendër të epitafit është vendosur krishti i vdekur në pozicion fjetjeje. Ai është i zhveshur vetëm në të mbathura ndërsa anash janë paraqitur në medaljone të ndryshme figurat e Shën Mërisë Maria Madalenës, Moisiut, Profetë Isaia dhe Josif, disa ungjillore, ëngjëj, etj. Anash epitafit ka dy kolona vertikale me mbishkrime në gjuhën greke, ku spikat vargu poetik: "Ti që zotëron jetën, ah se je trup i vdekur pa frymë". Por mbishkrimi kryesor të tij mbart këtë përmbajtje: "U plotësova ky aeras" (Epitaf), i gjithënderuar dhe hyjnor i së mbishënjtës Hyjlindëses së patundur me shpenzimin dhe mundimin e gjithëhirshmit Kalistit të Gllavinicës dhe Beratit, në muajin Mars, 22.1273. "Dora e Gjergj Arianitit arëqëndisësi". Epitafi është pronë e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Ai qëndron në katin e dytë në sallën e mesjetës. Përpara se të vendosej këtu epitafi ishte pronë e katedrales së Shën Mërisë në Kalanë e Beratit deri në vitin 1967. Në 2 Shkurt të vitit 1994 epitafi do të vidhet, së bashku me disa objekte të tjera nga ky muze, por do të gjendet dhe do të rikthehet aty në vitin 1996, duke bartur në vetvete një "sagë" të vërtetë policore. Gjatë viteve që është në pronësi të Muzeut, ai ka udhëtuar në disa vende të Europës, për tu ekspozuar si: në France, Itali, Hungari etj. Midis vlerave të tjera që ai bart është edhe cilësimi i tij si, pëlhura më e vjetër që ruhet në vendin tonë. Emërtimi i Gllavinicës Megjithëse i përkiste si pronësi kishës së Shën Mërisë së kalasë së Beratit, Epitafi u quajt i Gllavinicës. Këtë emërtim e bëri studjuesi Theofan Popa. Ai ju përmbajt titullit që mbante Peshkopi Kalist, i cili në tekst quhet i Gllavinicës dhe i Beratit. Për ta plotësuar këtë tezë ai tregon në formë legjende se çfarë kishte dëgjuar dikur në qytetin e Beratit. Ja se ç’thotë ai midis të tjerave: "Ekziston në Berat një gojëdhanë sipas së cilës Epitafi i Gllavinicës dhe Lipsanat (eshtrat) e Shën Ëngjëllorit e të Shën Gorazdit, dy ish Peshkopëve të Gllavinicës gjatë pushtimit Bullgar, janë sjellë në kishën e Shën Mërisë, nga kisha e Shën Mërisë së Ballshit, së bashku me objekte të tjera kishtare, si edhe libra në pergamene". Fillimisht murgjit i çuan ato në Manastirin e Shën Gjergjit në Breshtan (Berat). Më vonë në momentet e Pushtimit Osman këto objekte i tërhoqi Peshkopata e Beratit me qëllim ruajtjen e tyre nga shkatërrimi. Epitafi i Gllavinicës qysh pas shekullit të XV u ruajt në kishën e Shën Mërisë së kalasë së Beratit. Po për të njëjtin problem shpreh mendimin e tij edhe arkeologu dhe historiani Neritan Ceka në librin e tij ILIRET faqe 286 ky autor thotë kur në shek. XVI Peshkopata e Ballshit, "Gllavinicës" u braktis dhe u përfshi nga ajo e Beratit, këtu u transferuan reliket e shenjta të Gorazdit, Ëngjëllorit, Epitafi i Gllavinicës dhe Kodiku i purpurt (Kodex purpureus), i cili ishte trashëgim nga Bylisi. Edhe studjuesja e artit kishtar mesjetar Dhorka Dhamo e pranon një fakt të tillë, ku midis të tjerave shkruan se, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIV rritet numri i porositësve të veprave të artit. Kështu në 1373 Arianiti qëndis me ar e mëndafsh për manastirin e madh të Ballshit një vepër të përsosur arti Epitafin e Gllavinicës, porositur nga Gjergj Balsha. Epitafi nga Gllavinica qysh pas shekullit të XV-të u vendos për tu ruajtur në kishën e Shën Mërisë së Beratit. Ai nxirrej për tu parë nga besimtarët në publik vetëm një herë në vit. Rituali përfshinte faljen dhe kalimin e tij nga poshtë me idenë e faljes së mëkateve. Të tjera Së bashku me Epitafin e Gllavinicës në Berat janë sjellë edhe objekte me vlerë të jashtëzakonshme. Njëri prej tyre është edhe Kodiku i purpurt i Beratit i quajtur ndryshe edhe Beratinus. Ky kodik është një nga 3-4 kodikët më të vjetër të letërsisë kishtare botërore (Sh. Sinani. Beratinus. Tirane 2004.fq.57). I shkruar në pergamene të purpurt (të kuqe) me shkronja të mëdha nga një dorë e stërvitur dhe shumë e kulturuar, ai është një nga shtatë kodikët e purpurt që ruhen sot në muzeumet dhe bibliotekat më në zë të Europës si në: Paris, Athinë, Peterburg, Napoli, etj. Mendohet se Beratinus është shkruar diku në shek. e V-të nga një prej Etërve të kishës Shën Gjon Sojarti, në kohën kur ai ishte i internuar në Epir. I shkruar me argjend dhe ar të tretur, në Greqishten antike, ai përmban 190 fletë të cilat përmbajnë ungjijtë e Mateut dhe Lukës. Ndërkohë që aludohet se ky dorëshkrim mund të jetë bërë në Shqipëri, ashtu siç e përshkruam më sipër atë, ai i është dhuruar kishës së Labovës (Gjirokastër) nga Perandori Justinian (527-565). Më pas ai u vendos në Bylis ose siç u quajt gjatë mesjetës ky qytet Kefalini nga Bizanti, ose Gllavinicë nga Bullgarët. Ashtu siç ndoqi rrugën drejt Gllavinicës, si qëndra më e madhe e Paleokristianizmit në Shqipërinë Jugore, po ashtu ai u zhvendos më vonë drejt Beratit, kur Gllavinica e humbi rëndësinë e saj si qendër urbane dhe kishtare. Tërheqja dhe ruajtja e objekteve me vlerë që zotëroheshin ishte praktikë e kishës, e cila gjatë periudhave të luftërave dhe pushtimeve, siguronte në vende të posaçme të gjitha objektet me vlerë, të cilat mund të grabiteshin ose të shkatërroheshin nga ushtritë ndërluftuese. Dëshmia më e qartë në këtë drejtim është letra e inventarit të drejtuesit (IGUMENIT), të manastirit të perendisë në Berat, i cili i dorëzon Theodhor Muzakës, disa sende e dorëshkrime të manastirit, pikërisht në 8 Nëntor 1399, nga frika e turkut siç shkruan vetë murgu Daniel. (Dokumente të periudhës Bizantine për Historinë e Shqipërisë, shek. VII-XV-të. Tirane 1978. fq.105). Një dëshmi e rallë Njëqind vjet më parë një nga njerëzit më të ditur të shqipërisë (siç thekson Ernest Koliqi), Eqrem bej Vlora, gjatë vizitës së tij në Mitropolinë e Beratit, pikërisht në kishën e Shën Mërisë në Kala, shkroi këta rreshta në ditarin e tij. (Nga Berati në Tomorr e kthim, Tirane 2003. fq.50-52): "Këtu na treguan edhe gjërat më të shenjta. Një prift i lerosur nxorri nga një sënduk i vjetër hekuri një "Epitaphion" të rrasur Brenda dosido, ky njeri e tërhoqi me aq forcë e vrazhdësi pëlhurën, ana e së cilës kishte ngecur në gozhdët e sëndukut, sa unë u detyrova ti tërhiqja vëmendjen që të kishte parasysh, në mos vlerën reale si antikitet së paku përdorimin e saj kishtar. Epitafi thuhej se kishte qënë fillimisht perde e një altari. Ai ishte 1.25 m i gjatë dhe 0.85 m i gjerë, i qëndisur nga të dyja anët mbi një sfond të gjelbërt me fill mëndafshi, ari dhe argjendi të ngjyrave të ndryshme. Edhe pse koha dhe njerëzit e kishin rrënuar keqas vizatimin dhe anët e tij, gjallëria e të parit dhe bollëku i thekave te të dytëve ishin ende të habitshme. Ishte një nga qëndismat më të rralla që kisha parë ndonjëherë. Në katrorin e qendrës dukej Krishti me kurorën e gjembave në kokë, me krahë të mbështetur pas trupit dhe me këmbë të shpuara. Në të katër cepat në medaljone të rrumbullaktë ishin paraqitur kokat e katër shënjtorëve. Përreth figurës së mesit një shirit me një mbishkrim greqisht të gjitha shkronjat e të cilit lexohen qartë. Përkthimi është ky: "U plotësua (qëndis) ky aeras (epitaf) i gjithënderuar dhe i hyjshëm i së mbishenjtës Hyjlindëses së patundur me shpenzimin dhe mundimin e Peshkopit të gjithëhirshëm Kalistit të Gllavinicës dhe Beratit në muajin Mars 22 viti 1373. " Ti që zotëron jetën, ah! Si (je) trupi i vdekur pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotërive të shumë lartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Albanit, vëllezërve Gjergjit dhe Balshës. Dora e Gjergj Aranitasit dhe arqëndisësit". Epitafi vjen kësisoj nga viti 1373, pra është 537 vjet i lashtë. Po si trajtohet ky thesar. Më rrëfyen se kjo kryevepër arti, ditëve të festive kalon dorë më dorë në turmën që mban qirinj dhe nduket andej-këndej nga gratë dhe fëmijët, që presin çudira nga prekja e saj. Sasia e Pikave të Dyllit dhe një anë e djegur dëshmojnë së kjo është e vërteta. Së bashku me Epitafin në sëndukun e lart përmendur ruhen edhe dy objekte të tjera të çmuara të kishës. Janë dy ungjijt tejet të rrallë, të shkruar me dorë, e mjerisht të dy të cënuar, u mungojnë fillimi dhe fundi. Nga pamja e jashtme nuk mund të gjykohet më për vjetërsinë dhe as për vlerën e tyre, sepse kapakët prej filigrame argjendi, nuk janë më të vjetër se 100 vjet. Janë shkruar me shkronja të mëdha ari, të cilat në shumë vende nuk lexohen më, sepse kodikët janë dëmtuar shumë nga insektet. Përveç kësaj, për shkak të lagështisë së madhe të mjedisit fletët janë ngjitur me njëra-tjetrën dhe është e vështirë të ndahen. Askujt nuk i ka vajtur mendja të fusë letër mëndafshi mes tyre dhe kur unë iu luta priftërinjve që ta kenë këtë këshillë parasysh, ata më thanë se ungjijtë vihen çdo të kremte mbi katedër, ndaj nuk mund të trajtoheshin me kaq terezi. Deri përpara 20 vjetësh ungjijtë përdoreshin për qëllime mjekësore, u jepeshin si çudibërës të sëmurëve dhe u liheshin për një kohë të shkurtër dhe të gjatë, sipas vlerësimit që i bëhej ecurisë së shërimit. I dukej të sëmurit libri i rëndë dhe ai nuk e mbante dot, atëherë thuhej se ky njeri nuk kishte derman. Mitropoliti i mëparshëm i Beratit Anthimos Aleksudis, që ka një meritë të madhe në ruajtjen e përmendoreve të Shqipërisë së mesme, i vuri ledh më së fundi këtij mashtrimi qesharak, por që i kishte sjellë një dorë të mirë parash klerit të Mitropolisë. Në shekullin e XV Berati u shndërrua në Metropol, duke u bërë një nga qendrat fetare kishtare në Shqipërinë e jugut. Qysh nga kjo periudhë drejt tij u tërhoqën për tu ruajtur ose arkivuar pjesa më e madhe e veprave dhe objekteve të artit kishtar që zotëroheshin nga kisha ortodokse në këtë rajon. Sasia e tyre ishte aq e madhe saqë kleri nuk i kishte mundësitë për mirëmbajtjen e tyre. Duke mos ditur vlerat e mirëfillta që bartnin shumë prej tyre, ato u lanë në mëshirën e fatit, derisa degraduan në sende pa vlerë. Shumë të tjera humbën ose u grabitën dhe vetëm fare pak erdhën deri në ditët tona për tu vlerësuar siç duhet. Ky është çmimi që ka paguar deri më sot kultura shqiptare....
Posted on: Sun, 04 Aug 2013 13:49:32 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015