HAKMARRJA Për të treguar se ishte ende gjallë dhe e - TopicsExpress



          

HAKMARRJA Për të treguar se ishte ende gjallë dhe e kishte situatën nën kontroll, Fatmir Haklaj duhej të jepte goditjen e tij. Vetëm një javë pas atentatit me mina të telekomanduara, vritet kushëriri i Kolonel Hykës, Skënder Neza shofer i komunës Tropojë e vjetër. Ai kishte kishte çuar kryetarin e komunës dhe gjatë kthimit në Bajram Curri po udhëtonte i vetëm. Pas kësaj vrasje akuzat u drejtuan serish mbi Haklajn. Më datë 24 maj 1999, realizohet një tjetër atentat i bujshëm, këtë radhë krismat e kallashnikovëve të Tropojës u dëgjuan në mes të Tiranës. Rreth orës 07.40 minuta të mëngjesit, Gani Neza kushëriri i afërt i Drejtorit të Policisë së Kukësit, ekzekutohet barbarisht ndërsa pa kalonte me një fuoristradë Nissan Patrol përballë ish-Ekspozitës Shqipëria Sot. Ai u qëllua njëkohësisht me breshëri automatiku nga dy persona, të cilët udhëtonin me një autoveturë tip Benz Mercedes. Autorët ishin pa maska. Gjatë të shtënave u plagos dhe një kalimtar i rastit. Policia u vu në ndjekje të tyre, por nuk ka arritur ti kap edhe sot pas tetë vitesh. Menjëherë pas ngjarjes policia e kryeqytetit deklaroi se dyshonte që vrasja të ishte kryer për hakmarrje nga Haklajt dhe Jaho Mulosmani. Por ky krim që tronditi kryeqytetin vazhdon të jetë ende i pazbuluar. Vrasja e njëpasnjëshme e dy vëllezërit Neza, e zgjeroi rrethin e viktimave njëkohësisht dhe të kundërshtarëve të Haklajt. DREJTUESIT E SHTETIT NDODHESHIN JASHTË TIRANËS KUR U VRA AZEMI Vrasja Azem Hajdarit edhe pse ishte paralajmëruar prej disa muajsh, i kapi të papërgatitura strukturat shtetërore. SHIK-u kishte raportuar se jeta e njërit nga figurat më të rëndësishme të opozitës Azem Hajdarit, ishte e kërcënuar seriozisht nga Fatmir Haklaj. Ish-shefi i SHIK-ut në atë kohë Fatos Klosi, kishte dhënë alarmin se një ngjarje shumë më e rëndë dhe me përmasa kombëtare po përgatitej. Madje dhe deputeti demokrat Azem Hajdari, që nuk e kishin trëmbur asnjëherë kërcënimet, si nga e majta ashtu dhe nga e djathta, këtë radhë e kishte nuhatur rrezikun që i kanosej. Pikërisht për këtë fakt ai priti në zyrën e tij, në selinë e PD-së Muharrem Haklajn më 2 shtator 1998, dhe tentoi të shmangte vendimin e Fatmir Haklajt. Një detaj që tërheq vëmendjen më 12 shtator, është fakti që pothuajse të gjithë drejtuesit më të lartë të shtetit atë mbrëmje nuk ndodheshin në Tiranë. Presidenti Meidani ndodhej për një vizitë jashtë vendit, shefi i SHIK-ut, Klosi, kishte shkuar në Maqedoni për të takuar një familjarë të tij, ndërsa kreu i parlamentit, Skënder Gjinushi kishte zbritur në bregdetin e Jonit. I vetmi që ndodhej në kryeqytet nga kokat e shtetit, ishte Kryeministri Fatos Nano, i cili sapo ishte kthyer nga një vizitë në Portugali. Pas ngjarjes, Ministri i Brendshëm i asaj kohe, i ndjeri Perikli Teta, deklaroi se lajmin për vrasjen e Hajdarit, nuk e mori nga policët e tij, që duhej ti siguronin jetën deputetit demokrat, por nga kryeministri Fatos Nano. MULOSMANI I MERR ME FORCË MAKINËN DREJTORIT TË KUKËSIT Kolonel Jonuz Hyka nuk ishte një emër i panjohur kur u emërua Drejtor i Policisë së Kukësit më 24 janar 1999. Familja e tij njihej si një mbështetëse e deklaruar e së majtës në Tropojë. Vëllai i madh, Hasan Hyka kishte qenë për shumë vite kreu i degës së Partisë Socialiste në Bajram Curri. Një tjetër prej vëllezërve të tij, ishte funksionar i lartë në prefekturën e Tiranës. Kolonel Jonuz Hyka kishte punuar për disa kohë si shef komisariati në Tropojë, pas largimit të Fatmir Haklajt. Para se të emërohej drejtor në Kukës, ai kishte punuar si inspektor i Shërbimit Informativ në Tropojë. Vëllai më i vogël, Përparim Hyka punonte si efektiv i repartit special nr.77 në Tiranë. Në kohën që ishte vrarë Azem Hajdari, Përparim Hyka punonte si truprojë në Prokurorinë e Përgjithshme. DËSHMITARI Më 12 shtator ai kishte parë në Tiranë, pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Jaho Mulosmanin. Sapo kishte dëgjuar deklaratën e PD-së se Jaho ishte një nga vrasësit, ai bëri lidhjen mes asaj që kishte parë dhe asaj që dëgjoi. Këto detaje Hyka ia raportoi vëllait të tij, Jonuzit, që punonte si inspektor i SHIK-ut. Mbi këto të dhëna Jonuz Hyka hartoi një raport që ua dorëzoi eprorëve të tij, ku deklaronte se Jaho Mulosmani kishte qenë ditën e vrasjes së Hajdarit në Tiranë dhe jo në Tropojë. Një muaj pasi Hyka u bë kryepolici i veriut, drejtorisë së Kukësit iu dhuruan nga UNHCR dy fuoristrada tip Land Rover, për policinë e kufirit. Njëra prej tyre duhej ti dorëzohej komisariatit të Tropojës, por Hyka vendosi ta mbante për vete. KONFLIKTI Shefi i rendit në Bajram Curri, Jaho Mulosmani u informua në Ministrinë e Brendëshme se një nga fuoristradat Land Rover, i takonte Tropojës, por drejtori Hyka e kishte mbajtur në Kukës. Në rastin më të parë që Hyka shkoi me Land Roverin e ri pranë familjes në Bajram Curri, Jaho Mulosmani që mezi priste rastin, i doli përpara në mes të qytetit. Pavarsisht faktit se Jaho e kishte epror Hykën, ai e zbriti forcërisht nga fuoristrada dhe ia mori automjetin për vete. Ky incident do të bëhej shkak për një tjetër gjakderdhje tragjike, por këtë radhë rivalët nuk ishin kundërshtarë politikë, pasi të dy palët ishin mbështetës të së majtës. Jonuz Hyka dhe të afërmit e tij u ndien të fyer nga ky xhest i Mulosmanit dhe nuk ia falën atë që bëri. Ngjarjet që rrodhën dëshmuan sesa viktima u shkaktuan vetëm prej këtij konflikti banal. HAKLAJ, NGA I KËRKUAR U BË SHEF I GRUPEVE TË GATSHME NË TROPOJË Në pranverën e vitit 1999, në kulmin e krizës së Kosovës, Fatmir Haklaj u rikthye serish në radhët e policisë së Tropojës. Këtë radhë detyra e tij ishte komandant i grupeve të gatëshme në komisariatin e Bajram Currit. Nuk dihet në ç’rrethana, por ai siguroi një dëshmi të pastër penaliteti, të cilën e paraqiti në Ministrinë e Brendëshme nga ku mori emërimin. Prokuroria e Mirditës që e hetonte për vrasjen e Shaqir Hoxhës më 9 janar 1998, brenda ambjenteve të komisariatit, as që u bë e gjallë. Haklaj edhe pse ishte i akuzuari kryesor për vrasjen e Azem Hajdarit, u vesh serish me uniformën e shtetit dhe mbante në brez armë me leje. Bashkë me të në policinë e Tropojës ishte veshur dhe Feriz Kërnaja, i cili kishte detyrën e komandantit të postës në komunën e Fierzës. Ndërsa i vëllai i Fatmirit, Ylli Haklaj, punonte si inspektor policie në zonën e Babinës. Rikthimi në polici ia humbi paksa vigjilencën Haklajt. Ai nisi të lëviste lirisht me mjetet e policisë. Por ky nder që pushtetarët e majtë në Tiranë ia bënë Fatmir Haklajt(duke u justifikuar për interesa kombëtare për shkak të luftës së Kosovës), ndikoi që kundërshtarët e tij ta humbnin durimin dhe duke menduar se kupa u mbush, vendosën të hidhen vet në veprim. Rikthimi në polici i Fatmirit, kur dihej se ai ishte implikuar në disa ngjarje të rënda, nëse nuk dëshmonte pafuqishmërinë e shtetit për ta bërë zap, mund të ketë qenë dhe një karrem për ta nxjerrë atë zbuluar, përpara atyre që duhej ta hiqnin qafe. PSE U NDALUAN NË TROPOJË USHTARËT E BUJAR BUKOSHIT Vetëm pak ditë nga për fundimi i luftës së Kosovës Fatmir Haklaj u bë protagonist në një tjetër ngjarje. Këtë radhë ai dhe shefi i Rendit të Tropojës Jaho Mulosmani organizuan bllokimin dhe çarmatimin e njësisë ushtarake “Mërgimi”, e cila drejtohej nga Kolonel Tahir Zemaj. Kjo brigadë ishte pjesë e FARK-ut(Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës), trupa të financuara nga qeveria në ekzil e kryeministrit Bujar Bukoshi. Kjo njësi ushtarake u tërhoq nga fronti i luftimeve në territorin e Kosovës në momentin që ushtria sërbe nisi operacionin e koduar “Patkoi”. Më pas pjesa më e madhe e trupave të Brigadës “Mërgimi” u vendosën në bazën kryesore të FARK-ut, pranë e Mamurrasit. Shërbimi Informativ Shtetëror dhe qeveria Nano e akuzuan kryeministrin Bukoshi dhe drejtuesit e FARK-ut, se një pjesë të trupave që i kishin në Shqipëri, i përdorën gjatë trazirave të 14 shtatorit 1998 për të rrëzuar qeverinë e majtë dhe për të kthyer serish në pushtet ish-presidentin Berisha. KOLONELI Duke qenë se trupat e FARK-ut dhe kryesisht brigada “Mërgimi”, shiheshin si kundërshtarë të UÇK-së që drejtohej nga Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, kthimi i tyre në Kosovë pas luftës cilësohej si një rrezik serioz për një konflikt të armatosur. Disa ditë pas përfundimit të luftës në Kosovë, më datë 19 qershor 1999 forcat speciale të policisë shqiptare shkuan në Mamurras dhe kërkuan nga drejtuesit e Brigadës “Mërgimi” që të largoheshin drejt Kosovës, duke lënë aty të gjitha armatimet e rënda, si rraketat tokë-tokë dhe tokë-ajër, armë të artilerisë etj. Ish-komandanti i kësaj brigade Koloneli i vrarë Tahir Zemaj në kujtimet e tij shkruan: “Pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të palës serbe dhe forcave të NATO-s, brigada ”Mërgimi” u nis për në Kosovë. Me Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë Luan Hajdaraga dhe me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes ramë dakort që një pjesë të armatimit t’ia linim në dispozicion Ushtrisë Shqitare për çka, edhe ashtu u veprua, kurse pjesën tjetër kryesisht armët e lehta, t’i merrnim me vete”. Policia dhe Ushtria Shqiptare bën një marrëveshje me drejtuesit e FARK-ut që të shoqëronin me mjetet e tyre autokolonën e brigadës “Mërgimi” deri në kufi. Përpara se brigada të merrte rrugën e kthimit drejt Kosovës, më 20 qershor 1999, Tahir Zemaj e kishte nuhatur rrezikun që i kanosej, dhe u nis drejt kryeqytetit të Maqedonisë, Shkup. Vendin e tij në krye të brigadës e zuri Fazli Rugova. BLLOKIMI Autokolona u shoqërua nga mjetet e policisë dhe Ushtrisë Shqiptare deri në Qafën e Malit edhe pse marrëveshja ishte se duhej të shoqërohej deri në kufirin me Kosovën. Në Qafë Mali brigada e FARK-ut u orientua të hynte në Kosovë, jo nga Kukësi, por nëpërmjet Tropojës. Pas një udhëtimi të lodhshëm nëpër një rrugë tepër të vështirë, autokolona e FARK-ut u ndal në hyrje të qytetit Bajram Currit, pranë varrezave të dëshmorëve. Komandanti i grupeve të gatëshme të Tropojës Fatmir Haklaj, Shefi i Rendit Jaho Mulosmani dhe Feriz Kërnaja, u kërkuan trupave të FARK-ut të linin armët e rënda aty dhe të ktheheshin pas. Në të kundërt, do të kishin pasoja të mëdha. Brigada “Mërgimi” qëndroi për orë të tëra e bllokuar në hyrje të Bajram Currit. Drejtuesit e FARK-ut dhe qeverisë Bukoshi tentuan të negocionin me autoritetet shtetërore në Tiranë, por askush nuk merrte përsipër të urdhëronte Fatmir Haklajn të lejonte kalimin drejt Kosovës. Ai deklaroi se nuk e njihte marrëveshjen e bërë mes drejtuesve të FARK-ut dhe qeverisë shqiptare dhe se nuk merrte urdhëra nga Tirana. Haklaj i cilësonte trupat e Tahir Zemajt si tradhëtarë të Kosovës, dhe deklaroi se nuk do të lejonte që 250 trupa të armatosura të kalonin nëpërmjet Tropojës për tu dalë pas shpine trupave të UÇK-së që kishin derdhur gjak për çlirimin e Kosovës. Kontaktet nga Tirana nuk ia kthyen mëndjen Haklajt, i cili këmbëngulte se çlirimtarët e Kosovës ishin trupat e UÇK-së dhe jo të FARK-ut. PASOJAT Përfundimisht autokolona e brigadës “Mërgimi” nuk u lejua të hynte në Kosovë nga Tropoja, por u kthye pas në drejtim të Kukësit, duke ndjekur një rrugë edhe më të vështirë se ajo e Qafë Malit. Këtë radhë itinerari ishte Bajram Curri-Qafë Luzhë-Kam-Krumë-Kukës. Ajo që ndodhi në Tropojë bëri që trupat e FARK-ut të mos hynin në Kosovë si çlirimtarë, por si një njësi e çarmatosur. Kolonel Tahir Zemaj dhe qeveria e Bukoshit e akuzuan Policinë dhe Ushtrinë Shqiptare se i kishin prerë në besë për të favorizuar UÇK-në. Sipas tyre, autokolona e brigadës “Mërgimi” ishte lënë qëllimisht e pashoqëruar në Qafë Mali, dhe ishte orientuar të hynte në Kosovë jo nëpërmjet Kukësit, por nga Tropoja në mënyrë që të ndalej dhe çarmatosej nga Fatmir Haklaj dhe njerëzit e armatosur që drejtoheshin prej tij. Nuk është sqaruar kurrë nëse Fatmir Haklaj e kreu këtë veprim me kokë të vetë apo kishte ndonjë orientim të posaçëm nga Tirana. Fakt është se pas këtij veprimi, 6 pjestarë të brigadës “Mërgimi” u rrëmbyen dhe u gjetën të vrarë në afërsi të Pejës. Hetimi për këtë ngjarje përfundoi në gjykatën e Hagës dhe të dyshuar kryesorë u akuzuan Ramush Haradinaj dhe trupat e UÇK-së të drejtuara prej tij. FUORISTRADA E POLICISË ÇOI NË TROPOJË MINAT PËR HAKLAJN Në mesin e qershorit 1999, konflikti i armatosur në Kosovë përfundoi me largimin e ushtrisë pushtuese sërbe. Në situatën e re të krijuar, veriu i vendit e humbi rëndësinë që pati në dy vitet e fundit, kur u kthye në trampolinën kryesore për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Trupat e UÇK-së merrnin furnizime në armatime, mjete logjistike dhe hynin direkt në frontin e luftës, nëpërmjet korridoreve të hapura në kufirin verior të Shqipërisë. Fundi i luftës së Kosovës bëri që autoritetet shtetërore të ndryshonin qëndrim ndaj situatës në Tropojë. Tashmë askujt në Tiranë nuk i interesonte të kishte në veri të vendit një zonë të tërë krejtësisht jashtë kontrollit. E ca më tepër, të kishte nëpër këmbë një grup personash të armatosur, të aftë të shkaktonin trazira me pasoja për rendin dhe sigurinë publike. Ujërat e turbulluara nga lufta e Kosovës, nisën të kthjellohen, por Fatmir Haklaj ende nuk e kishte kuptuar se misioni i tij kishte mbaruar dhe se ai nuk i duhej më askujt. Nëpërmjet tij dhe njerëzve të armatosur që komandonte, Shërbimi Informativ dhe qeveria shqiptare kishin furnizuar ilegalisht me armë, logjistikë e gjithçka tjetër, UÇK-në. Po nëpërmjet tij ishte penguar fuqizimi dhe më pas hyrja e trupave të FARK-ut në Kosovën e çliruar duke favorizuar haptazi UÇK-në. Aleancat këtej e matanë kufirit tashmë ishin të qarta, qeveria socialiste mbështeste UÇK-në, ndërsa opozita e djathtë përkrahte trupat e FARK-ut të financuara nga qeveria Bukoshi. Në rrethanat e reja të krijuara, strukturat e rendit dhe sigurisë donin të shpëtonin nga Fatmir Haklaj e njerëzit e tij një orë e më parë. PARALAJMËRIMI Më 23 korrik 1999, Fatmir Haklaj njoftohet nga disa miq të tij në Tiranë, se drejt Tropojës po udhëtonte një fuoristradë e policisë që dyshohej se transportonte disa mina me sistem komandimi në distancë. Informatorët i bënë me dije Haklajt, se me këtë mjet udhëtonin një drejtor policie, dy efektivë të forcave speciale të Ministrisë së Brendëshme dhe një person i katërt, personazh i njohur në kryeqytet, që kishte shërbyer për disa kohë dhe si shoqërues i shefit të opozitës, Berisha. Ngarkesa e tyre dyshohej se ishte identike me minat e shpërthyera në atentatet e 6 majit dhe 5 korrikut 1999. Organet hetimore janë njoftuar për emrat e personave nga familjarë të Haklajt dhe SHIK-u. Mesditën e të shtunës së 31 korrikut 1999, efektivat e policisë së Tropojës që ishin të paisur me radio, dëgjuan një bisedë të ashpër mes shefit të tyre Fatmir Haklaj dhe një personazhi të njohur, i afërm i drejtorit Hyka. Ky i fundit ishte futur në valët e policisë së Tropojës dhe e kërcënoi haptazi Haklajn, duke i thënë se do ta vrisnin shumë shpejt. Pavarsisht kërcënimeve që po i bëheshin ditën për diell, Haklaj nuk e vuri ujin në zjarr po vazhdoi të qarkullonte lirisht nëpër Tropojë. ATENTATI Mëngjesin e të mërkurrës së 4 gushtit 1999, Fatmir Haklaj u nis nga kulla e tij në Kërnajë, drejt komisariatit të Bajram Currit, i shoqëruar nga një grup personash. Ata udhëtonin në dy mjete. Përpara qëndronte fuoristrada, tip “Land Rover”, me ngjyrë të bardhë që drejtohej nga Sejdi Dema, pronar i mjetit. Bashkë me Demën në “Land Rover” udhëtonin dy vëllezërit Haklaj, komandanti i grupeve të gatëshme të policisë së Tropojës, major Fatmir Haklaj, dhe vëllai më i madh i familjes, Hamdi Haklaj. Pas tyre vinte autoambulanca e spitalit të Bajram Currit, e drejtuar nga Ndue Gjeloshi. Në ambulancë ishin Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja. Me ta udhëtonte rastësisht dhe gruaja e Ibër Nokshiqit bashkë me djalin, nusen e djalit, si dhe tre fëmijët e tyre. Rreth orës 8.40 minuta të mëngjesit, dy mjetet që zbrisnin nga Kërnaja, kaluan fshatin Cërnicë dhe morën bregun e Valbonës për të hyrë në Urën e Kojit. Pa kaluar dy minuta u dëgjua një shpërthim i fuqishëm që vinte nga vendi i quajtur Brinja e Cërnicës. Mina ishte vendosur në shpatin shkëmbor të rrugës dhe shpërthimi ishte horizontal. Objektivi ishte “Land Roveri” ku udhëtonin Sejdi Dema, dhe vëllezërit Fatmir e Hamdi Haklaj. Për fat të mirë fuoristrada ishte e blinduar dhe i rezistoi shpërthimit. Dy vëllezërit Haklaj dhe drejtuesi i mjetit nuk pësuan dëme. MINA E DYTË Të tronditur nga ajo që panë, vëllezërit Haklaj dhe Feriz Kërnaja zbritën nga makinat dhe me armë në dorë po kontrollonin sipër dhe poshtë rrugës, për të zbuluar pozicionin nga u komanduan minat. Por këtë radhë, ata nuk e dinin se autorët ishin përgatitur që Fatmir Haklaj të mos u shpëtonte i gjallë, pavarsisht nga numri i madh i viktimave që mund të shkaktonin. Duke kujtuar se ishte vetëm një vatër eksplozivi, eskorta e Haklajt u shpërnda para dhe pas vendit të shpërthimit. Në të vërtetë autorët kishin punuar si xhenierë profesionistë, duke minuar të paktën pesë vatra shpërthimi me 10 mina të vendosura 2 nga 2, që kapnin një rreze veprimi prej më shumë se 800 metrash rrugë. Ata nuk shpërthyen minën e parë të vendosur në shpatin e shkëmbit, por e lanë eskortën e Haklajt të hynte brenda grackës. Shpërthimi i parë u realizua te mina e tretë. Pas shpërthimit Fatmir Haklaj, Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja po kontrollonin me armë në dorë nga pas mjeteve për të gjetur autorët. Pak çaste më vonë u dëgjua një shpërthim i dytë që vinte nga një vatër eksplozivi disa metra larg shpërthimit të parë. Fuqia e madhe e minave flaku tej rrugës, Halil Haklajn dhe Feriz Kërnajën, që gati u coptuan nga shpërthimi. Goditja e dytë e plagosi keq në kokë dhe Fatmir Haklajn, që nuk e mori vesh se në çfarë prite kishte rënë dhe nga komandoheshin minat. MINA E TRETË Hamdi Haklaj ka hapur zjarr me breshëri Kallashnikovi, fillimisht në ajër dhe më pas drejt një kodre përballë vendit të pritës ku dyshonte se ishin pozicionuar autorët. Jehona e shpërthimeve të fuqishme dhe bataret e armëve u dëgjuan deri në Bajram Curri. Me të dëgjuar shpërthimin e parë, në drejtim të pritës u nis një fuoristradë e policisë së Tropojës. Në të udhëtonin dy efektivë të policisë, njëri prej tyre ishte Fatmir Daka. Sapo fuoristrada e tyre kaloi urën e Kojit dhe u ngjit brinjës së Cërnicës u dëgjua një shpërthim i tretë, i njëjtë për nga fuqia me dy të parët. Fuoristrada u përmbys nga forca e madhe e minës, ndërsa dy policët që ndodheshin në të, mbetën të plagosur. Njërin prej policëve të plagosur, e nisën me urgjencë drejt spitalit, kolegët e tij që erdhën në ndihmë të viktimave. Polici tjetër, Fatmir Daka, pavarsisht plagëve që kishte marrë vazhdoi më këmbë edhe për 400-500 metra drejt vendit ku ndodheshin të shtrirë vëllezërit Haklaj. MINA E KATËRT Kur Daka u afrua 50 metra nga vendi i shpërthimit të parë, Hamdi Haklaj e thirri të merrte “Land Rover-in” e blinduar të Sejdi Demës dhe të transportonte drejt spitalit të Bajram Currit, Halilin, i cili ishte ende i gjallë. Fatmir Daka e lëvizi “Land Rover-in” e blinduar vetëm 4-5 metra, për shkak se autorët e pritës aktivizuan minën e katërt. Fuqia e madhe e shpërthimit e tronditi dhe njëherë Land Roverin e blinduar, por serish nuk arriti ta nxirrte atë jashtë rruge. Daka u plagos serish, këtë radhë më rëndë se në minën e tretë, duke marrë plagë në kokë. Ai u dëmtua nga mina për shkak se po i jepte Land Roverit mbrapsht me derën e makinës hapur. Gjithsesi ai mbeti gjallë vetëm për faktin që mjeti ishte i blinduar dhe i rezistoi shpërthimit. Të mbetur pa makina, Hamdi Haklaj, Sejdi Dema dhe disa banorë të fshatit që erdhën në ndihmë, u detyruan ta transportonin me batanije Halil Haklajn deri në Cërnicë, ku ai vdiq. Trupi i coptuar i Feriz Kërnajës që gjeti vdekjen në vend dhe Fatmir Haklaj i plagosur rëndë, u transportuan me ambulancë drejt spitalit të Bajram Currit nga Ndue Gjeloshi. AUTORËT Për nga mënyra e realizimit, eksplozivi i përdorur, përfshirja nën rrezen e minave të gati një kilometër rruge dhe sigurinë që treguan gjatë komandimit të disa shpërthimeve në distancë të ndryshme kohore, edhe mafiozët që ekzekutuan gjyqtarin e famshëm italian Xhovani Falkone, duken si amatorë përpara autorëve të këtij atentati të sofistikuar. Ky lloj atentati, me një organizim perfekt dhe fuqi shpërthimi kaq të madhe, nuk ishte parë ndonjëherë në Shqipëri. Autorët kishin përgatitur gjithçka qysh më parë, duke minuar dhjetë vatra eksplozivi në shpatin e shkëmbor të rrugës. Nga dhjetë vatra, ata aktivizuan vetëm 4, për shkak se nuk patën nevojë për 6 minat e tjera. Masivet shkëmbore të shkëputura nga shpërthimi i fuqishëm i 4 gushtit, janë ende dhe pas 8 vitesh të palëvizur në shtratin e lumit Valbonë. Për ta dalluar nga larg vendodhjen e saktë të minave, autorët kishin vendosur thasë të bardhë para tyre ose orientoheshin nëpërmjet gurëve kilometrikë. Mekanizmi që aktivizoi minat ishte pothuajse i panjohur dhe shpërthimi i tyre komandohej nga një distancë e madhe. DËSHMITARËT Hamdi Haklaj, djali i madh i familjes që mbijetoi pa marrë asnjë dëmtim, në deklarimet që ia ka vënë në dispozicion prokurorisë thotë se kishte arritur të shikonte me dylbi, por dhe me sy të lirë pozicionin ku ishin vendosur atentatorët. Ata ishin të vendosur në majën e fortifikuar me bunkerë, të kodrës përballë brinjës së Cernicës, e quajtur Koki. Pas minave autorët janë parë të lëvizin në drejtim të fshatit Koçanaj. Në pozicionin nga komandonin minat, Hamdiu ka parë një komando të përbërë 9 persona, të gjithë të veshur me uniforma ushtarake kamoflazhi dhe të armatosur. Ai ka arritur ti njohë gati të gjithë, pasi rezultojnë të jenë nga Tropoja, me përjashtim të një personi me trup të gjatë që më pas rezultoi se ishte Anton Gjergji, efektiv i forcave speciale në momentin e atentatit dhe ish-truprojë i kryeministrit Nano. Në grup bënte pjesë dhe një efektiv tjetër i forcave speciale, si dhe ish-ushtarakë apo oficerë policie. Në mbështetje të tyre ishin dhe disa të afërm të familjeve me të cilët Haklaj ishte futur në gjakmarrje. Atentati ka ndodhur në mëngjes dhe gjatë tërheqjes, autorët janë parë dhe nga persona të tjerë duke përfshirë disa fshatarë të Koçanajt. Minat rezultojnë se kanë ardhur nga Mali i Zi dhe janë blerë në Shkodër me një vlerë prej 6500 marka secila. Vlera monetare e konsiderueshme e arsenalit luftarak të përdorur, është një tjetër fakt që dëshmon se autorët kanë qenë mjaft të organizuar dhe të sigurtë në veprimet që kryen. SHPËTOI NGA ATENTATI ME MINA, HAKLAJ KTHEHET NË MIT Pas atentatit të 4 gushtit 1999, Fatmir Haklaj u transportua me helikopterë drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Njeriu më i fuqishëm i Tropojës i kishte mbijetuar dhe një herë tjetër vdekjes edhe pse këtë radhë iu afrua më shumë se kurrë. Ai nuk vdiq edhe pse i minuan gati një kilometër rrugë, duke u kthyer në një patate të nxehtë në duart e pushtetarëve të majtë. Sapo mori ndihmën e parë mjekësore, forcat speciale rrethuan Spitalin Ushtarak dhe kryen arrestimin e tij. Ministri i Brendshëm Spartak Poçi qëndroi për 48 orë pas arrestimit të Haklajt, jashtë Tiranës, në jug të vendit. Ai u tha të afërmve të Haklajt se nuk e dinte kush kishte urdhëruar arrestimin e Fatmirit. Pavarsisht se ishte i akuzuari kryesor për vrasjen e Azem Hajdarit dhe deri mëngjesin e 4 gushtit, kishte qenë oficer i policisë, për Fatmir Haklajn u gjet si shkak një urdhër arresti i lëshuar nga prokuroria e Mirditës dhe i miratuar nga gjykata e ketij rrethi, në lidhje me vrasjen e Shaqir Hoxhës më 9 janar 1998. LIRIMI Qeveritarëve të majtë në Tiranë u kishte mbetur dopio gjashta në dorë dhe nuk dinin çfarë të bënin me të. Nëse Fatmir Haklaj mbetej në burg, telashet ishin të mëdha. Mjekët e Spitalit Ushtarak paraqitën një kartelë shëndetësore ku thuhej se plagët që kishte marrë Haklaj në kokë mund të kuroheshin vetëm jashtë vendit, në të kundërt jeta e tij nuk kishte shpëtim. Autoritetet italiane u treguan të gatëshme për të marrë përsipër transportin dhe kurimin e tij përtej detit. Por kokat e shtetit në Tiranë nuk donin që Haklaj të largohej jashtë vendit dhe tu hapte serish telashe. Ministri Poçi deklaroi se kishte biseduar që Haklaj të çohej në Turqi, por disa ditë më vonë kjo mundësi rezultoi një bllof për të penguar largimin e Fatmirit drejt Italisë. Më pas ishin diplomatët gjermanë që ofruan një mundësi mjekimi të Haklajt në vendin e tyre. Në këto kushte, pas 44 ditësh qëndrimi në arrest, Fatmir Haklaj u la i lirë, gjatë një seance të pazakontë të zhvilluar në ambjentet e Spitalit të Burgut, duke vënë si garanci pasurore kullën e fortifikuar në Kërnajë. Opozita sapo mësoi për lirimin e Haklajt, u hodh dhe një herë në sulm duke akuzuar socialistët se kishin liruar nga burgu vrasësin e Azem Hajdarit. Berisha akuzoi shefin e SHIK-ut Fatos Klosi dhe Prokurorin e Përgjithshëm Arben Rakipi se kishin realizuar rikthimin e Haklajt në liri. Në të vërtetë Fatmir Haklaj u lirua për tu eleminuar përfundimisht. Me vdekjen e tij shpëtonin nga sikleti jo vetëm politikanët e majtë që ishin në pushtet, por dhe ata të djathtë, për të cilët Tropoja ishte kthyer në një makth.
Posted on: Mon, 15 Jul 2013 21:39:17 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015