HAMDI HAKLAJ I SHPËTON EKZEKUTIMIT ME SNAJPER - TopicsExpress



          

HAMDI HAKLAJ I SHPËTON EKZEKUTIMIT ME SNAJPER Në dimrin e vitit 2000, seriali i vrasjeve në Tropojë u ndërpre përkohësisht. Komisar Gani Malushi dhe forcat speciale në dispozicion të tij, ia dolën mbanë të mbanin larg Bajram Currit grupet e armatosura të betuara për ti bërë varrin njëri-tjetrit. Shteti demostroi se kur kishte vullnet politik mund ti tregonte dhëmbët e tij. Forcat speciale të RENEA-s dhe çizmja e kolonel Malushit nisën të shkelin cep më cep të Tropojës, duke bërë të pasigurtë për vrasësit edhe shpellat më të largëta. Qytetarët e Bajram Currit filluan të shëtisin lirisht pa u trembur se mund të përfundonin nën breshëritë e armëve, ndërsa jeta iu kthye normalitetit. Por kjo heshtje e vendosur me forcën e armëve të shtetit i ngjante një qetësie para furtunës. Largimi nga detyra i Malushit dhe i stafit të tij, në shkurtin e vitit 2000, pasi e përmbushi brenda gjashtë muajsh misionin për të cilin u dërgua në Tropojë, i prishi ekuilibrat e brishtë. MULOSMANI Me shkrirjen e borës nisën dhe lëvizjet e para në shtigjet e Malësisë së Gjakovës. Në fundin e marsit të vitit 2000, një grup personash të panjohur realizuan një atentat me mina të telekomanduara ndaj Salih Mulosmanit, babait të Jahos, në pamundësi për të gjetur këtë të fundit. Atentati u krye në shpatin shkëmbor të rrugës Bujan-Bajram Curri, sapo kalon Varrezat e Dëshmorëve vetëm 2-3 kilometra pa hyrë në qytet. Mekanizmi ishte pothuaj i ngjashëm me atentatet e para ndaj Fatmir Haklajt, por sasia e eksplozivit dhe xhenierët nuk ishin në të njëjtin nivel. Sali Mulosmani e pa vdekjen me sy, kur Benz-i i tij u godit nga shpërthimi, por ia hodhi edhe kësaj radhe duke mbetur i plagosur. Kur e ndjeu rrezikun që i kanosej, Mulosmani nxori në shitje pronat e të birit në Bajram Curri, lokalin më të bukur në qytet, me emrin “Enigma”, një butik dhe një furgon transporti. Në kohën që ai po bëhej gati të largohej jashtë vendit për të shpëtuar familjen, ra viktimë e një atentati të organizuar nga vrasës që në pamundësi të Jahos vendosën të hakmerreshin ndaj tij. EKZEKUTIMI Më 12 qershor 2000, Salih Mulosmani doli nga kulla e tij në Bujan dhe po priste ndonjë makinë të rastit i ulur para karburantit që ndodhet në anën e majtë të rrugës Bajram Curri-Fierzë. Një autoveturë tip “Opel” me ngjyrë të kuqe, erdhi me shpejtësi dhe hapi zjarr me breshëri kallashnikovi drejt Mulosmanit, duke e lënë atë të vdekur në vend. Në vendngjarje u plagos rëndë dhe një i ri, kushëri i viktimës, që punonte në karburant. Vrasësit e çuan autoveturën në një rrugë qorre ku e braktisën duke i vënë zjarrin për të mos u identifikuar nga policia. Policia deklaroi pas ngjarjes se autorët kishin qenë të paktën tre persona, por identiteti i tyre nuk është zbuluar kurrë. Kjo ngjarje e rëndë i ngarkoi një tjetër përgjegjësi Jaho Mulosmanit, që edhe pse ishte në arrati jashtë vendit, dhe qëndronte në krye të listës së personave më të kërkuar nga policia, duhej të kujdesej për familjen dhe dy vëllezërit e tij të mitur. KOMANDO Në shtator 2000 një komando e përbërë nga një grup personash të armatosur, tentoi për herë të parë ti sulmonte Haklajt brenda në kullën e tyre të fortifikuar në Kërnajë. Objektivi ishte ekzekutimi në distancë me armë snajper i djalit të madh të familjes, Hamdi Haklaj. Kjo komando edhe pse ishte e armatosur me armë automatike, mitrolozë të lehtë dhe snajperë nuk mund ti afrohej shumë kullës së fortifikuar, në të kundërt rrezikonte të mbetej viktimë e kundërpërgjigjes që mund të vinte nga rojet e Haklajve. Të veshur me uniforma ushtarake kamoflazhi, pjestarët e komandos i janë afruar Kërnajës nga krahu i kufirit me Kosovën duke përdorur si bazë të tyre një banesë në Tropojë të Vjetër. Ata kanë synuar të kapin kodrën e pyllëzuar me pisha përballë kullës së Haklajve, e vetmja pikë nga ku mund të godisnin dhe të tërhiqeshin në kohë rekord pa rrezikuar viktima në radhët e tyre. Haklajt nuk ishin goditur asnjëherë në kullën e tyre dhe kjo tentativë ishte vetëm prologu i një sërë sulmesh të njëpasnjëshme që pasuan në 7 vitet e mëvonshme. SNAJPERI Rreth mesditës së 13 shtatorit, snajperisti i komandos futi në shënjestër Hamdi Haklajn. Ai qëlloi dy herë rresht, por distanca e madhe e pozicionit të tij nga objektivi, bëri që Hamdiu të shpëtonte pa pësuar dëme. Pas të shtënave të snajperit drejt mureve të fortifikuara të kullës së Haklajve u lëshuan batare armësh automatike dhe mitrolozi të lehtë. Efektshmëria e këtij sulmi ishte thuajse zero. Madje qëllimi i vërtetë ishte thjesht të pengohej një kundërpërgjigje nga Haklajt dhe të sigurohej tërheqja e komandos. Atë ditë në kullë përveç dy vëllezërve Haklaj, ndodheshin dhe një numër i madh personash të tjerë. Ata kapën shumë shpejt pozicionet e fortifikuara dhe hapën zjarr të menjëhershëm me mitrolozë të rëndë dhe Kallashnikovë drejt kodrës nga erdhi sulmi i komandos. Ashpërsia e kundërpërgjigjes i detyroi pjestarët e komandos të braktisnin pozicionet dhe të nxitonin për t’u tërhequr sa më parë të ishte e mundur. Zjarri i hapur nga kulla e Haklajve zgjati për më shumë se 20 minuta, duke krijuar panik në gjithë zonën, a thua se bëhej fjalë për një betejë frontale. Jehona e breshërive të mitrolozëve u dëgjua deri në Bajram Curri, por policia as që e mori mundimin të ngjitej në Kërnajë. Ky sulm ishte një mesazh i qartë për Haklajt, tani ata do të goditeshin edhe në kullën e tyre. BERISHA Dega lokale e Partisë Demokratike në Tropojë, gati u shpërbë krejtësisht pas incidentit të presidentit Berisha me Haklajt në 22 qershor 1997. Në dy vitet e mëvonshme që u kaluan nën thundrën e Fatmir Haklajt, kjo degë ekzistoi vetëm formalisht. Me vendosjen e forcave speciale në Tropojë, pas atentatit të 4 gushtit 1999 dhe vrasjes së Fatmirit më 4 nëntor të po atij viti, opozita kishte nevojë të rindërtonte strukturat e saj për të mos lënë vakuum një nga bastionet më të fuqishme që kishte në vend. Demokratët në Tropojë nuk mund të drejtoheshin nga persona të ngujuar në kulla, apo që lëviznin ilegalisht për shkak të hakmarrjes nga Haklajt dhe njerëzit e tyre. Në këto rrethana lideri i PD-së Sali Berisha, për të fituar terrenin e humbur vendosi tu kundërpërgjigjet të majtëve në Tropojë duke përzgjedhur një tjetër Haklaj, kushëri dhe i afërt më kundërshtarët e tij të betuar. Misioni i tij ishte rindërtimi i opozitës në Tropojë për t’ia rikthyer sërish këtë zonë të djathtës. Azgan Haklaj ishte futur në radhët e PD-së së Tropojës sëbashku me Shkëlqimin, i vrarë në pritën e 5 janarit 1998 në Qafën e Luzhës. Ai e pa vdekjen me sy, kur u plagos në mes të Bajram Currit më 9 prill 1998, vepër për të cilën u arrestua dhe u dënua me 13 vite burg Idajet Gjeçi, dënim i cili iu minimizua më pas në Gjykatën e Apelit. META Hileja e liderit të opozitës nisi të funksiononte. Ai u nxori përballë Haklajve, një tjetër Haklaj, gjak i tyre, i cili ishte rritur me ta dhe kullat i ndanin nga njëra-tjetra vetëm 4-5 metra distancë. Pavarsisht ashpërsisë së akuzave që merrnin prej Azganit, Haklajt nuk mund të ekzekutonin djalin e vetëm të kushëririt të afërt. Energjia e Azganit për ti bërë presion strukturave të qeverisë në Tropojë dhe devotshmëria e tij ndaj liderit të opozitës Berisha, mblodhi rreth PD-së një numër të madh mbështetësish që pak nga pak nisi tu dalë frika. Rimëkëmbja e strukturave të PD-së në Tropojë pas vitit 1999, u dëshmua qartë në protestën e organizuar gjatë vizitës së kryeministrit Ilir Meta në Bajram Curri në 26 shtator 2000. Militantët e PD-së u përpoqën ta sabotonin vizitën e kryeministrit socialist duke dashur ti kthejnë reston për atë që ngjau në qershorin e 1997 me presidentin Berisha. Protesta e dhunshme e militantëve të PD-së rrezikoi të kthehej në një tragjedi, nëse trupat e speciale të ardhura nga Tirana dhe eskorta e kryeministrit Meta nuk do të ruanin gjakftohtësinë duke mos iu kundërpërgjigjur turmës me armë. Kryeministri Meta akuzoi liderin e opozitës, Berisha se ishte ai organizatori i kësaj ngjarjeje që mund të kishte sjellë pasoja të rënda. POLICIA AKUZOI HAKLAJT PËR VRASJEN E TRUPROJËS SË NANOS Ministria e Brendëshme, pavarsisht se ishte vënë në dijeni nga Anton Gjergji për rrezikun që i kanosej, tentoi të fshihte të vërtetën, duke deklaruar se ai nuk ishte efektiv i forcave speciale. Asnjë titullar i lartë Ministrisë së Brendëshme nuk shkoi në ceremoninë e varrimit në Pukë, përveç drejtuesve dhe kolegëve të repartit. Justifikimit të Ministrisë së Brendëshme i doli boja shumë shpejt, pasi u verifikua se Antoni jo vetëm ishte në punë në çastin e vrasjes, por rrogën e fundit prej 450 mijë lekësh të vjetra ia çuan shokët e repartit në familje. PRONAT Një tjetër detaj që lë dyshime për rolin e Anton Gjergjit, është fakti se ku përfunduan paratë e konsiderueshme që ai dispononte dhe disa apartamente pronë e tij brenda dhe jashtë vendit. Në momentin që u vra Antoni kishte në portofol, 3000 dollarë amerikanë dhe 600 mijë lekë të vjetra, të cilat më pas iu dhanë familjes. Shokë dhe kolegë të Antonit deklaruan pas atentatit se ai ka patur të ardhura të tjera përveç rrogës që merrte si efektiv i forcave speciale. Shumë herë ai i ka ndihmuar me të holla miq dhe kolegë të tij që gjendeshin në nevojë. Vetëm një muaj para se të vritej Antoni bleu një autoveturë të re, e cila i erdhi nga Austria. Ai dilte shpesh herë jashtë vendit, si në Hollandë, Itali, Bullgari dhe Hungari. Pas vitit 1994 ai u punësua fillimisht si përgjegjës sigurie dhe më pas si administrator i kompanisë së lojërave elektronike “Admiral”, e cila ishte pronë e dy biznesmenëve shumë të njohur në kryeqytet, ku paguhej shumë mirë. Antoni njihej si president i firmës së baterive “Varta” dhe sipas familjarëve ai ka qenë vërtet pronar i kësaj kompanie. Këtë firmë atij ia kaloi në pronësi një biznesmen i fuqishëm në kryeqytet qysh prej vitit 1993. Nuk dihet se ç’u bë me firmën e tij pas. Pas vrasjes së Antonit nuk dihet se ku shkuan paratë e tij, pasi familja e tij s’ka marrë asgjë dhe jeton në varfëri të plotë. TË DYSHUARIT Policia e kryeqytetit u mjaftua duke akuzuar për autorësinë e ngjarjes, Haklajt dhe miqtë e tyre në një lagje periferike të kryeqytetit, se ishin hakmarrë për vrasjen e Fatmir Haklajt. Kjo vrasje e dyfishtë që tronditi Tiranën dhe i kushtoi jetën njërit prej policëve më të mirë të vendit nuk është zbuluar kurrë. Plaku 70-vjeçar Lazër Gjergji shpreson ende të mësojë para se të mbyllë sytë, se kush janë vrasësit e djalit të tij dhe se kanë marrë ndëshkimin e merituar nga drejtësia. Pavarsisht se ishin vrarë tre vëllezër nga e njëjta familje, Shkëlqimi, Halili dhe Fatmiri, Haklajt shiheshin serish si një rrezik potencial, të aftë për të goditur fortë kundërshtarët e tyre. Ekzekutimi në mes të Tiranës i Anton Gjergjit që më 1 dhjetor 1999, niste detyrën e re në Repartin e Operacioneve Speciale ROS, dëshmoi dhe njëherë se Haklajt ishin ende në këmbë pavarsisht eleminimit fizik të Fatmir Haklajt. Hamdi Haklaj, më i madhi i pesë vëllezërve, i mbështetur dhe nga Ylli, më i vogli i familjes ishin ende të aftë të mbanin rreth vetes të bashkuar një grup personash për ti bërë ballë çdo rreziku. Ish-kryetari i kooperativës Hamdi Haklaj u cilësua nga media me nofkën “Padrino”. Kjo jo vetëm për aftësitë e tij komunikuese dhe bindëse ndaj personave që e rrethonin, por dhe për shkak se ai u mbijetoi për më shumë se një dekadë pritave dhe atentateve për ta vrarë. EKZEKUTOHET ME SNAJPER VËLLAI I KATËRT I HAKLAJVE Tropoja nuk e kishte marrë ende veten nga trazirat e 28 nëntorit, kur një ndodhi një ngjarje që e spostoi vëmendjen serish drejt Haklajve. Paraditen e 3 dhjetorit 2000, Ylli Haklaj i akuzuar nga opozita dhe lideri i saj si një nga personat e armatosur që shtypën protestën e militantëve të PD-së në Bajram Curri, u vra gjatë një atentati spektakolar me snajper. Një komando e përbërë nga nëntë persona mendohet të jetë nisur nga një bazë në fshatin Tropojë e Vjetër për të kapur kodrën e pyllëzuar me pisha në lindje të kullës së Haklajve, që në vijë ajrore është afro 300-400 metra larg. Autorët kanë qenë të veshur me uniforma ushtarake me lara dhe nuk kanë përdorur maska. Ata kanë shfrytëzuar shpërqëndrimin e Haklajve për ti goditur në befasi. Komando i është afruar kodrës nga ku realizoi qitjen pa u zbuluar nga rojet e Haklajve që mbanin nën vështrim me dylbi zonën rrotull kullës. ATENTATI Ylli Haklaj, Bilbil Selivrada dhe Is Kërnaja, vëllai i Feriz Kërnajës, kishin dalë jashtë fortifikimit të kullës, në një livadh në pjesën e poshtëme të saj, rreth 50 metra distancë nga muri rrethues. Në orën 12.50 janë dëgjuar dy të shtëna të njëpasnjëshme nga një armë snajper. Goditja e parë ka qëlluar në kokë Ylli Haklajn, ndërsa qitja e dytë i ka djegur faqen Bilbil Selivradës, por pa arritur ta vrasë. Menjëherë pas qitjes autorët janë tërhequr me shpejtësi për të mos u zbuluar. Ky grup dyshohet të jetë i njëjti me atë që tentoi të ekzekutonte me snajper Hamdi Haklajn më 13 shtator. Në përbërje të grupit kishte ish-efektivë të policisë, disa mbështetës të njohur të liderit të opozitës dhe në persona që kishin hasmëri me Haklajt. Trupi prej kollosi i Ylli Haklajt ishte një objektiv i lehtë për një snajper të stërvitur. DËSHMITARËT Vrasësit janë parë nga Hamdiu, i cili sapo kishte dalë jashtë rrethimit për të thirrur Yllin, pasi kishin ardhur miq në shtëpi. Autorët janë parë dhe nga Is Kërnaja, që pasi i shpëtoi sulmit me snajper u pozicionua pas një peme. Gjatë tërheqjes autorët janë parë nga disa banorë të lagjes Aliaj, por u kanë kërkuar atyre të heshtin, në të kundërt do të kishin pasoja. Duke qenë se ishte grup i madh, komando është vënë re dhe nga disa banorë të fshatit Madan. Edhe Muharrem Haklaj që ishte në livadh duke kullotur bagëtinë në një distancë prej 200 metrash larg me vendin e pritës, i ka njohur disa prej autorëve. Vrasja e Yllit ishte një goditje e rëndë për Hamdi Haklajn dhe familjen e tij. Tani Hamdiu kishte mbetur u vetëm, pasi katër vëllezërit e tjerë, Shkëlqimi, Halili, Fatmiri e Ylli u ekzekutuan në atentate të sofistikuara me mina të telekomanduara dhe snajper. Forcat RENEA që mbërritën në vendngjarje u vunë në ndjekje të vrasësve, por ata duke e njohur mirë terrenin kishin shkuar shumë larg. Hamdi Haklaj tha se të vëllain ia kishin vrarë një ditë pasi emri i tij kishte dalë në gazetë si një prej personave që penguan revoltën e armatosur të militantëve të PD-së. Vajza e vogël e familjes, Zylfija mësuese fizike, u betua në varrimin e Yllit se nuk do martohej kurrë pa ia marrë hakun të vëllait. Komando që ekzekutoi djalin e katërt të familjes, Haklaj, ka mbetur e paidentifikuar edhe pas shtatë vitesh. Për Hamdi Haklajn kjo ishte goditja më e rëndë, tani atij i mbetej në dorë përgjegjësia për mbijetesën e familjes, prandaj duhej të ishte më vigjilent se kurrë. VRASJA MISTERIOZE E MAJORIT TË “BRISKUT” YLVI BENGASI Më 1 nëntor 2000 ndodh një ngjarje e rëndë që e vendos në qendër të vëmendjes Tropojën. Dy furgonë tip Iveko të repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë “Brisku”, që po kryenin një patrullim rutinë në aksin Bajram Curri-Dragobi, u sulmuan me armë zjarri nga një grup personash të armatosur në fshatin Shoshan. Si rezultat i këtij sulmi mbeti i vrarë, komandanti grupit, Major Ylvi Bengasi, ndërsa dy mjetet e policisë pësuan dëmtime të mëdha. Ngjarja krijoi irritim të madh për shkak se nuk gjendej asnjë motiv që justifikonte këtë sulm. Opozita në mënyrë të çuditshme mori në mbrojtje autorët e krimit, duke u vetëimplikuar në atë që kishte ndodhur. Drejtuesit e saj në Tiranë u përpoqën të krijojnë një tjetër vatër të nxehtë në Tropojë, duke fajësuar për krimin skenarë të SHIK-ut. Policia akuzoi strukturat e PD-së se kishin inskenuar këtë akt kriminal. Në të vërtetë ky sulm ishte një lajthitje e rëndë e një grupi personash të armatosur dhe me precedentë penalë që ndodheshin në fshatin Shoshan. Ata ishin njoftuar se dy furgonat e “Briskut” po u dilnin pas shpine, për tu marrë krahët. Në të vërtetë nuk u sqarua kurrë se çfarë donin trupat e “Briskut” në Grykën e Dragobisë edhe pse kishin lëvizur pa urdhër nga komisariati i Bajram Currit. Kjo ngjarje që vazhdon të jetë e pazbuluar ishte vetëm një testim për provën gjenerale që do të bëhej katër javë më vonë mbi komisariatin e Tropojës. OPOZITA: HAKLAJT NË NDIHMË TË POLICISË ME AUTOBLINDA Pas vrasjes së Major Bengasit drejt Tropojës u nisën forcat speciale të repartit RENEA dhe batalioni special i ushtrisë. Objektivi i tyre ishte ndërhyrja në dy fshatra, Shoshan dhe Luzhë, ku kishte informacione se qëndronin grupe personash të armatosur. Fillimisht drejtuesit e forcave speciale hartuan planin se si do të hynin në këto dy vatra të nxehta, por më pas një urdhër i ardhur nga e lartë bëri që ky aksion të anullohej. Mjaftonte që në njërin nga fshatrat ku pritej ndërhyrja e forcave speciale të kishte viktima në njerëz, dhe atëherë opozita që i cilësonte si bastione të militantëve të saj, do të fajësonte qeverinë e kryeministrit Meta. Për të shmangur përkeqësimin e situatës, trupat speciale të Ushtrisë dhe reparti RENEA u larguan nga Tropoja në mesin e nëntorit. Por ajo që drejtuesit e shtetit po përpiqeshin ta parandalonin duke toleruar grupet e armatosura në Tropojë, ndodhi ditën e festës kombëtare të flamurit. PROTESTA Paraditen e 28 nëntorit 2000, dega lokale e Partisë Demokratike në Tropojë organizoi një protestë për vjedhjen e votave që i ishte bërë opozitës në zgjedhjet për pushtetin vendorë. Policia e Tropojës kishte siguruar informacione në rrugë operative se atë ditë pritej të ndodhte një ngjarje e rëndë. Përveç trupave të policisë vendase, atë ditë në Bajram Curri ndodheshin dhe dy grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Kukësit, që morën detyrë të siguronin godinën e gjykatës dhe prokurorisë së rrethit. Protestuesit pasi bën një xhiro në shëtitoren kryesore të qytetit, iu drejtuan godinës së gjykatës dhe prokurorisë. Ata kërkuan largimin e forcave të FNSH-së nga Tropoja. Të vënë nën presion, trupat e FNSH-së nuk bën asnjë përpjekje për tu përballur me turmën, nga radhët e së cilës u shfaqen një grup personash të armatosur që hapën zjarr mbi muret e godinës. Brenda pak minutash trupat e FNSH-së i zuri paniku. Për të shpëtuar kokën nga breshëritë e armëve që godisnin muret e gjykatës, ata u detyruan të linin objektin në mëshirë të fatit dhe të shpërndaheshin pa nam e nishan nëpër banesat e qytetarëve. Shefi i komisariatit të Tropojës Ali Gjoni nuk mund tu vinte në ndihmë, për shkak se ishte njoftuar që pasi të pushtohej gjykata, personat e armatosur do mësynin drejt komisariatit. Në të vërtetë ashtu ndodhi. SULMI Dhjetëra militantë të opozitës u përdorën si një mburojë njerëzore nga personat e armatosur për tiu afruar sa më shumë të ishte e mundur godinës së policisë. Pjesa dërrmuese e efektivit të policisë, kur mësuan se çfarë pritej të ndodhte, braktisën detyrën. Një përfaqësi e protestuesve kontaktoi më drejtuesit e komisariatit duke u kërkuar atyre lirimin e të burgosurve politikë. Në të vërtetë në qelitë e paraburgimit të Tropojës kishte vetëm të burgosur ordinerë dhe vrasës të rrezikshëm. Duke qenë se situata kishte dalë jashtë kontrollit, policia u detyrua ti lironte të gjithë të paraburgosurit, pavarsisht motivit për të cilin ishin arrestuar. Mes tyre ishte dhe Pëllumb Ndrevata, një personazh që kreu një seri vrasjesh pas lirimit më 28 nëntor 2000, deri sa u ekzekutua në vitin 2006, gjatë një shkëmbimi zjarri me RENEA-n. Pasi korrën fitoren e parë, negociatorët e protestuesve u rikthyen serish në komisariat duke kërkuar që policia ta braktiste objektin, në të kundërt do të sulmohej me mitrolozë dhe armë kundërtanke. Kur hasën në rezistencën e drejtuesve të policisë, personat e armatosur, që ishin kryesisht me precedentë penalë dhe shfrytëzonin mbështetjen e opozitës për ti shpëtuar drejtësisë, hapën zjarr mbi komisariatin e Bajram Currit. Përballja mes të dy palëve ishte e ashpër. Personat e armatosur u pozicionuan në disa pallate dykatëshe që ndodhen përballë komisariatit. Një grup prej tyre sulmoi me zjarr hyrjen e komisariatit ku qëndronte oficeri i rojës. Drejtuesit e komisariatit dhe disa efektivë të policisë që vendosën të mos e lëshonin objektin, u kundërpërgjigjen duke hapur zjarr në ajër e më pas edhe mbi pozicionet nga qëlloheshin me armë automatike. Kur e panë se komisariati nuk po dorëzohej, personat e armatosur u detyruan të përdornin edhe armë kundërtanke mbi godinën e policisë. Por për fat nuk shkaktuan dëme në njerëz. Disa prej tyre mundën të futeshin dy herë deri në shkallët e katit të dytë të godinës, por u sprapsën nga policia duke patur dhe të plagosur. TELEFONATA Ardhja e përforcimeve nga Tirana në ndihmë të policisë dukej e pamundur, pasi helikopteri i forcave speciale mund të qëllohej gjatë uljes në Dubravë. Në një situatë të tillë policia u bëri thirrje me megafon personave të armatosur që të tërhiqeshin, por këta të fundit nuk hiqnin dorë nga qëllimi i tyre për të marrë komisariatin. Gjatë një tentative që u bë nga jashtë komisariatit për të hyrë në godinë, pati një shkëmbim të ashpër zjarri që përfundoi me viktima. Syl Lusha, njëri nga personat e akuzuar për trazirat e 14 shtatorit 1998 në Tiranë, i cili kishte vetëm pak muaj që ishte liruar nga burgu, mbeti i vrarë në hyrje të komisariatit, sapo kaloi zyrën e informacionit. Pas tij pati dhe të paktën 4 të plagosur nga radhët e personave të armatosur që sulmuan komisariatin. Në momentet më kritike, shefit të komisariatit Ali Gjoni, i erdhi një telefonatë me numër fiks nga Hamdi Haklaj. Haklaj u interesua mbi gjëndjen në komisariat dhe disa të afërm apo miq të tij që ndodheshin brenda godinës. Hamdiu i tha komisarit të Tropojës se nëse kishte nevojë për ndihmë, ai ishte gati të zbriste me njerëzit e tij nga Kërnaja. Por Gjoni u shpreh se po e përballonte situatën, dhe nëse e shihte keq punën do ti drejtohej Haklajve për ndihmë. Rezistenca e trupave të policisë që kishin mbetur brenda objektit dhe përhapja e lajmit se në ndihmë të komisariatit ishte nisur Hamdi Haklaj dhe njerëzit e tij, ndikuan në uljen e moralit te autorët e sulmit. Rreth orës 15.00 të 28 nëntorit, ata u detyruan të tërhiqen pa e pushtuar komisariatin. GRUSHTI Në Tiranë, kryeministri Meta akuzoi liderin e opozitës Berisha dhe mbështetësit e tij në Tropojë, se kishin tentuar të kryenin një grusht shteti të armatosur për të rrëzuar me forcë qeverinë socialiste. Meta tha se personat që sulmuan komisariatin e Tropojës do të ndëshkoheshin, ndërsa siguroi policinë lokale se po i niste menjëherë përforcime. SHIK-u paraqiti informacione se grushti i shtetit i 28 nëntorit kishte dështuar. Sipas shërbimit inteligjent shqiptar, organizatorët e grushtit të shtetit kishin planifikuar të merrnin sëpari institucionet kryesore dhe komisariatin e Tropojës, nëpërmjet një grupi personash të armatosur. Më pas duke shfrytëzuar efektin domino, të pushtonin njëri pas tjetrit të gjitha komisariatet, nga veriu drejt kryeqytetit. Rezistenca e komisariatit të Bajram Currit bëri që ky plan të dështonte. Nga ana tjetër, opozita dhe lideri i saj Berisha, akuzuan policinë e Tropojës dhe qeverinë Meta se përdorën armë zjarri dhe granata luftarake mbi protestuesit dhe militantët e Partisë Demokratike në Bajram Curri. Kryeministri Meta u cilësua si fashist, ndërsa viktimat e 28 nëntorit në Tropojë u shpallën Martirë të Demokracisë. AKUZA Shefi i Partisë Demokratike nuk harroi të akuzonte as këtë radhë Haklajt dhe njerëzit e tyre. Në një njoftim të botuar në mediat e kontrolluara nga PD pas ngjarjes, më datë 2 dhjetor 2000, thuhej se në bandën që u thirr në mbrojtje të komisariatit të Bajram Currit ishin Hamdi e Ylli Haklaj, miku i tyre Petrit Braha, Zeqir Braha etj. Në të njoftim thuhej se “Ylli Haklaj, vëllai i vrasësit të Deputetit Demokrat Azem Hajdari, ishte parë i armatosur mbi autoblindat e policisë duke lëvizur në rrugët e Bajram Currit”. Haklajt nuk e pranuan këtë akuzë, por s’e fshehën faktin se u treguan të gatshëm ti ofronin ndihmë policisë së Tropojës. Po atë mbrëmje, forcat speciale shoqëruan për disa orë në ambjentet e izolimit të policisë së Tiranës, liderin e opozitës Sali Berisha. Nëpërmjet këtij veprimi, kryeministri socialist Ilir Meta, i dha një mesazh të fortë rivalit të tij politik, duke ia bërë të qartë se s’do të lejonte asnjëlloj përmbysje të pushtetit nëpërmjet një grushti shteti të armatosur. Pavarsisht hetimeve dhe procesit gjyqësor për këtë ngjarje, organizatorët dhe personat përgjegjës nuk u ndëshkuan. Të vetmit që dolën para drejtësisë ishin pesë persona, që sulmuan me armë komisariatin, të cilët në total u dënuan me 30 vite burg. PAS VRASJES SË YLLIT, ATENTAT ME SNAJPER NDAJ HAMDIUT Emisioni investigativ “Xhungël” që transmetohet çdo të hënë në NEWS 24 solli fakte dhe dëshmi të reja që hedhin dritë mbi ngjarjet tragjike që përfshihen në “Dosjen Tropoja”. “Gazeta Shqiptare” boton sot pjesën e 13 të “Dosjes Tropoja”. Çfarë ndodhi me familjen Haklaj pas vrasjes së djalit të katërt, Yllit, më 3 dhjetor 2000? Pse Hamdi Haklaj duhej të mbijetonte për të shpëtuar fëmijët jetimë të vëllezërve të vrarë? “GSH” sjellë detaje të tjera në lidhje me ngjarjet që pasuan në Tropojë gjatë vitit 2001. HAMDIU Vrasja e djalit të katërt, Yllit, i kishte hapur një gropë të madhe familjes Haklaj. I mbijetuari i vetëm, vëllai i madh Hamdiu, 53 vjeçar, tani duhej të tregohej më i kujdesshëm, për shkak se eleminimi fizik i tij, kërcënonte zhdukjen e gjithë familjes. Plakut 74 vjeçar, Muharrem Haklaj i duhej të kryente punët e përditshme për të furnizuar me ushqime e nevoja të tjera familjen. Hamdiu nuk mund të ekspozohej më publikisht për çfarëdo situate qoftë. I cilësuar si truri i Haklajve, ai ishte tani objektivi i radhës për kundërshtarët. Hamdi Haklaj ishte njëkohësisht dhe dëshmitari më i informuar që dinte me detaje gjithçka kishte ndodhur. Ai njihte prapaskenat dhe ujditë që kishin bërë vëllezërit e tij të vrarë me politikanët më të lartë të vendit në periudha të caktuara kohore. Hamdiu njihte ekzekutorët që po tentonin të shfarosnin dhe pinjollin e fundit të familjes. Ai duhej të mbetej i gjallë jo vetëm për të mbajtur të bashkuar të mbijetuarit, miqtë dhe njerëzit që u kishin shërbyer Haklajve për vite me radhë, detyra kryesore e tij ishte të siguronte jetën dhe rritjen e fëmijëve jetimë të familjes, që mbiemri Haklaj të mos zhdukej nga faqja e dheut. Ekzekutimi me snajper i Yllit, i detyroi dy vajzat e familjes, Aishen drejtoreshë e shkollës së mesme në Bujan dhe Zylfien, mësuese e fizikës në shkollën 8-vjeçare të Kërnajës, të merrnin përsipër përgjegjësi më të mëdha. Zylfia qëndronte përditë me prindërit dhe fëmijët e vëllezërve të vrarë në kullë, duke u ndikuar fortë psikologjikisht nga kjo situatë kaq tragjike. Mësuesja e fizikës kishte bërë një betim në varrimin e vëllait të katërt, Yllit, dhe ngjarjet që vijuan dëshmuan se ajo po jetonte vetëm për të mbajtur këtë premtim. TROPOJA Sulmi i dështuar mbi komisariatin e Bajram Currit riktheu dhe njëherë frikën, tmerrin dhe pasigurinë te banorët e Tropojës, të cilët nisën ta braktisnin vendlindjen një orë e më parë, për të shpëtuar familjet e tyre. Rrezja e shpresës që kishte sjellë për ta në vjeshtën e 1999-ës komisar Gani Malushi, tashmë ishte venitur. Në pozita aspak më komode ishte dhe dega lokale e Partisë Demokratike në Tropojë. Kreu i saj, Azgan Haklaj pasi kishte ripërtërirë shpresën te demokratët, u vu në shënjestër të strukturave ligjzbatuese të shtetit. Ai akuzohej dhe fajësohej si organizatori kryesor dhe drejtuesi direkt, jo vetëm i antimitingut të 26 shtatorit, kur u synua sabotimi i vizitës së kryeministrit Meta, por dhe i ngjarjeve të 28 nëntorit, kur u sulmua policia në Bajram Curri. Garancia që i dhanë drejtuesit e PD-së në Tiranë se askush s’do të guxonte ta prekte me dorë, rezultoi e pamjaftueshme. ARRESTIMI Në orët e para të mëngjesit të 21 janarit 2001 në gjykatën e Tiranës u zhvillua një seancë e fshehtë me dyer të mbyllura. Prokuroria kërkoi që gjykata të lëshonte një urdhërarresti për kryetarin e PD-së së Tropojës Azgan Haklaj. Ai akuzohej për organizim dhe pjesëmarrje në bashkëpunim në sulmin ndaj institucioneve shtetërore si dhe për shkatërrim e shkaktim të dëmeve të mëdha të pronës publike. Gjykata e miratoi kërkesën e prokurorisë. Ky vendim iu dorëzua urgjentisht Policisë së Shtetit që nisi drejt Tropojës agjentët e antiterrorist dhe trupat speciale të RENEA-s. Për të mos patur rrjedhje të informacionit, komisariati i Tropojës nuk u vu fare në dijeni. Mesnatën e 21 janarit 2001, trupat speciale mbërritën në Bajram Curri dhe pa humbur kohë iu drejtuan banesës së Haklajt. Arrestimi i kreut të PD-së së Tropojës ishte më tepër një rrëmbim personi sesa ekzekutim i një vendimi të gjykatës. Ndaj tij u veprua sikur të ishte një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore që paraqiste një kërcënim serioz për trupat e policisë, dhe jo si ndaj një qytetari të zakonshëm. Trupat speciale hynë në banesën e Haklajt duke shqyer derën dhe më pas përdorën forcën gjatë arrestimit dhe shoqërimit të menjëhershëm të kreut të PD-së së Tropojës drejt kryeqytetit. Autokolona e forcave speciale udhëtoi për gjithë natën në rrugën e vështirë të Qafë Malit dhe në orët e para të mëngjesit pakoja u dorëzua në burgun 313. REAGIMI Opozita u çua në këmbë duke protestuar ashpër për mënyrën sesi Haklaj u arrestua, dhe e cilësoi atë një akt banditesk që u shoqërua deri dhe me ushtrimin e torturës ndaj të ndaluarit. Mbështetësit e opozitës organizuan protesta në gjithë vendin për këtë veprim të policisë. Vëzhguesit e OSBE-së, Komitetit të Helsinkit, Kryqit të Kuq, Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut e deri Departamenti i Shtetit Amerikan e cilësuan veprimin e policisë, si tejet të dhunshëm, me shkelje të rënda të ligjit dhe se gjatë transportit i ndaluari ishte torturuar. Pavarsisht protestave të ndërkombëtarëve dhe medias, Haklaj qëndroi për gjashtë muaj me radhë në burg në pritje të gjykimit. Akuzat ndaj tij nuk u provuan kurrë pasi u lirua nga salla e gjyqit me një vendim të Gjykatës së Lartë më 21 korrik 2001. Haklaj ishte një rast i paprecedentë, ai kandidoi për deputet në zonën numër 9, të rrethit të Tropojës duke qenë i burgosur dhe fitoi bindshëm ndaj rivalit socialist. Haklaj u arrestua nga forcat speciale me akuza si terrorist dhe u lirua si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. SULMI Me ardhjen e pranverës kundërshtarët e Haklajve ndërmorën edhe një sulm tjetër ndaj kullës së fortifikuar duke synuar serish eleminimin e Hamdiut. Komando që ndërmori këtë sulm dyshohet se ishte e njëjta me atë që ia doli mbanë të ekzekutonte me snajper Ylli Haklajn. Hamdiu dhe njerëzit e tij u gjetën në gatishmëri dhe hapën zjarr nga vendrojet e kullës përpara se të bini viktima të snajperëve të komandos, duke i detyruar ata të tërhiqen pa ia arritur qëllimit. Shkëmbimi i zjarrit ishte i ashpër nga të dyja anët dhe zgjati për afro 30 minuta. Pavarsisht panikut që krijoi në zonën përreth, banorët e Kërnajës tashmë ishin mësuar me ngjarje të tilla. Ndërsa për policinë ishte njëlloj sikur luftimet të zhvillohen në Kandahar, dhe jo në Tropojë, a thua se rrethi më verior i vendit nuk ishte pjesë territoriale e Republikës së Shqipërisë. Hamdi Haklaj për të parandaluar goditjet me snajper në distancë ndërmori një tjetër masë mbrojtëse. Ai vuri njerëz për të prerë pyllin në kodrën sipër kullës, nxori roje vëzhgimi me dylbi në pika dominuese të fshatit dhe njëkohësisht instaloi një system të ri mbrojtje, duke vendosur dërrasa druri në formë labirinthi brenda rrethimit të fortifikuar të kullës. Rrethimit me mure guri dhe betoni mbi katër metra të lartë, iu shtua një gardh me tel me gjëmba një metër e gjysëm sipër tij. Ndërsa brenda murit të jashtëm gjithçka ishte e mbuluar me një sistem të tërë dërrasash druri, i pa parë deri në atë kohë në Shqipëri. Në këtë mënyrë njerëzit që ishin brenda rrethimit të kullës mund të lëviznin lirisht për të kryer punë të ndryshme pa u trembur se mund të goditeshin nga snajperët profesionistë. ATENTATI Për të paralizuar krejtësisht Hamdi Haklajn, kundërshtarët vendosën të godasin njerëzit e afërt të tij, të cilët përbënin rrezik për ta. Një nga më kryesorët ishte Petrit Braha, nga Kërnaja, ish-efektiv i forcave speciale. Braha shihej si një kërcënim serioz dhe i aftë të realizonte goditje në interes të Haklajt. Për ta neutralizuar këtë rrezik, u organizua një pritë ndaj tij. Paraditen e 20 gushtit 2001, Petrit Braha, vëllai i tij Kastriot Braha dhe nipi i Haklajve, Bilbil Selivrada, po zbrisnin nga Kërnaja drejt Bajram Currit me një fuoristradë tip Mitsubishi me ngjyrë vishnje. Pa zbritur në fshatin Sopot ata janë qëlluar me breshëri mitrolozi të lehtë dhe kallashnikovi nga persona të veshur me uniforma ushtarake me lara, të cilët ishin pozicionuar pas një bunkeri. Zjarri ka qenë i pandërprerë por manovrimi i shpejtë i Brahës ka bërë që ai tia hedhë vdekjes. Si rezultat i plagëve të marra u plagosën rëndë Petrit Braha dhe Bilbil Selivrada. Braha ka mbetur i paralizuar qysh nga ajo kohë dhe është larguar jashtë vendit. Autorët e kësaj prite nuk janë zbuluar nga drejtësia shqiptare, por dyshohet se janë të njëjtët që organizuan sulmet ndaj kullës së Haklajve.
Posted on: Mon, 15 Jul 2013 21:43:47 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015