HAREMI OTOMAN 03 Kur përmend haremin, ajo që të vjen - TopicsExpress



          

HAREMI OTOMAN 03 Kur përmend haremin, ajo që të vjen menjëherë në mendje janë robinjat... Institucioni i robërisë (skllavërisë) ka një të kaluar të hershme, ai shkon deri në periudha shumë të vjetra të historisë. Haremi Otoman 03 Postuar më 8/6/2013 7:44:25 AM UTC Përditësuar më 8/6/2013 7:44:25 AM UTC Në qytetet e mëdha të lashtësisë kishte tregje ku skllevërit shiteshin e bliheshin. Në Mesopotaminë, Greqinë, Romën dhe Egjiptin e vjetër pothuajse të gjitha punët bëheshin me anë të skllevërve dhe robërve. Para islamit me tregtinë e robërve merreshin edhe arabët. Profeti Muhamed kur krijoi islamin nuk e shkriu këtë institucion. Ai shpalli se skllevër ishin ata që merreshin rob në luftë dhe ata që bliheshin me para. Vetëm se skllevërit e robërit lirinë mund ta fitonin ose duke paguar një shumë të caktuar, ose nëse liheshin të lirë nga pronari i tyre. Në kohën e Abasidëve, Bagdadi ishte pazari më i madh i Lindjes për robërit. Çështja tek Abasidët kishte arritur deri në atë pikë sa që në vend të taksave që mblidhnin nga popujt që ndodheshin nga skaji lindor deri në atë perëndimor të Perandorisë Abasidë kishin pranuar parimin e marrjes së robërve. Sipas të drejtës islame pronari i robit (skllavopronari) mund ta përdorte atë siç përdorte një send apo një mjet prodhues të tij; nëse donte mund t’ia shiste dikujt tjetër, mund t’ia falte dikujt, mund t’ia bënte dhuratë dikujt. Por myslimanët i trajtonin mirë robërit meqenëse Profeti Muhamed kishte thënë: “Jepuni atyre edhe nga ato që ju hani e vishni; mos i torturoni skllevërit tuaj”. Nga ana tjetër ta lije të lirë një rob ishte një nga sevapet më të mëdha. Në një hadith të tij Profeti Muhamed thotë se “Ai që i fal lirinë një robi mysliman shpëton nga tortura e ferrit”. Për këtë arsye edhe padishahët osmanë duke respektuar kërkesat e fesë dhe besimit të tyre u kishin bërë pajë robinjave që nuk i kishin marrë, u kishin zbukuruar atyre konakët ku banonin. Dhe madje kur i kishin lënë ato të lira, u kishin dhënë me vete para, pasuri dhe të mira materiale. Vajzat më të bukura, që kapeshin rob gjatë luftërave kur Perandoria Osmane ishte në periudhën e zgjerimit të saj, merreshin si robinja në haremin e pallatit perandorak, kurse të tjerat shiteshin në tregun e robërve e robinjave. Përveç kësaj drejtuesit e shtetit osman, sidomos sadrazamët (kryeministrat) dhe valinjtë (guvernatorët) si dhe motrat e padishahut i bënin dhuratë sulltanit një odalije, të cilën e kishin rritur dhe edukuar ose e kishin blerë. Fama e bukurosheve të Kaukazit ishte e madhe në Lindje. Kjo është arsyeja që vajzat kaukaziane, pra vajzat çerkeze, abhaze, gjeorgjiane, madje edhe ato ruse janë marrë si odalije në harem që nga themelimi i principatës osmane. Shumicën e kurtizaneve në haremin osman duke filluar që nga shekulli i 17-të e përbënin robinjat kaukaziane. Në shekullin e 19-të tek osmanlinjtë ishte e ndaluar marrja rob dhe shitja e robërve, por kaukazianët vazhduan ti jepnin pallatit osman vajza me pëlqimin e tyre. Shtimi i numrit të robinjave në haremin osman ndodhi në shekullin e 15-të, në kohën e sulltan Mehmetit të 2-të. Me heqjen e traditës së martesës së padishahëve osmane me vajza me origjinë turke dhe me lejimin e martesës së tyre me robinjat që në shekullin e 16-të, kurtizanet nisën të përbënin themelin e haremit dhe të dinastisë osmane. Po ta mendojmë haremin si një piramidë, në tabanin e kësaj piramide qëndronin robinjat, kurse në majë të kësaj piramide qëndronte ‘valide sulltan’, pra nëna e sulltanit. Odalijet që sillnin në jetë fëmijët e padishahut fitonin lirinë; madje në qoftë se djemtë e tyre hipnin në fron ato mund të ngjiteshin deri në postin e nënës sulltaneshë. Nuk ishte e vërtetë gojëdhëna që padishahët kanë fjetur me qindra robinja e kurtizane që gjendeshin në harem. Pasi shumica e këtyre robinjave kanë qenë shërbëtore. Nga këto qindra odalije padishahu takohej vetëm me disa prej tyre, ndërsa për të tjerat ai nuk kishte asnjë informacion dhe as që i shikonte nga afër. Robinjat e haremit ndaheshin mes tyre në tre grupe. Ato që bënin pjesë në grupin e parë ishin të mëdha në moshë dhe kryenin çdo lloj shërbimi në harem. Këto përbënin edhe shumicën. Në mesin e tyre kishte edhe memece, argëtuese, zezake dhe shkurtabiqe. Robinjat e grupit të dytë ishin ato në moshë të vogël (fëmijë). Në mesin e robinjave kishte edhe nga ato që ishin në moshë të madhe. Një pjesë e këtyre njiheshin si dado, vetëm se fëmijët e vërtetë të këtyre rriteshin jashtë sarajit. Për odalijet e grupit të dytë dhe të tretë Haremi ishte një shkollë. Ashtu siç ishte Enderuni brenda në saraj një shkollë ku përgatiteshin nëpunësit e lartë të shtetit, ashtu ishte edhe haremi në aspektin e përgatitjes së kurtizaneve të bukura dhe të mençura. Tregohej një kujdes i jashtëzakonshëm në përgatitjen dhe edukimin e odalijeve që në të ardhmen do të bëheshin gra të padishahut ose nëna të fëmijëve të sulltanit apo ‘valide sulltan’, në mënyrë që këto të dinin shkrim e këndim, të mësonin e njihnin mirë rregullat e jetës në pallatin perandorak. Kurtizanet e grupit të dytë ishin robinja të mitura, të cilat zgjidheshin duke menduar se do të zbukuroheshin kur të rriteshin. Dhe me të vërtetë, në qoftë se ato i hynin rrugës për t’u bërë një vajzë e re e bukur, secila prej tyre merrte mësime për muzikën, fillonte të mësonte si t’u binte veglave muzikore dhe si të këndonte. Këto odalije nuk mësonin vetëm normat e edukatës dhe mirësjelljes në pallat, por mësonin në detaje nazet dhe format e lajkave që duhet të bënte një vajzë e re për ti rrëmbyer zemrën një mashkulli. Kur këto robinja arrinin moshën madhore ato u tregoheshin njerëzve të interesuar nga pronarët e tyre dhe shiteshin. Grupin e tretë të robinjave në harem e përbënin odalijet. Këto ishin robinjat më të bukura dhe më të shtrenjta. Kurtizanet ishin robinjat që nëpunësit e lartë të shtetit osman dhe vajzat e padishahut i merrnin dhe i rrisnin dhe i edukonin më shumë. Robinjat më të bukura caktoheshin me detyrë si shërbëtore të padishahut dhe të princave. Robinjave që vinin rishtas në saraj në fillim u vendosej një emër i ri. Shumica e këtyre emrave ishin në persisht. Emrat zgjidheshin sipas pamjes së jashtme të robinjës, duke pasur parasysh edhe sjelljen, zakonet dhe huqet e saj. Po të shikojmë disa nga emrat e tyre, ato mbanin psh emrin: Mahxhemal (pra fytyrëhënë), Nergizeda (pra e sjellshme si Zambaku), Rengimelek (me ngjyrën e engjëllit), Çeşmirah (me sy të vegjël), Nazllëxhemal (me fytyrë me naze). Në mënyrë që këta emra të mësoheshin dhe të mos harroheshin nga të gjithë banorët e haremit, në muajt e parë robinjat lëviznin në harem duke mbajtur të ngjitur në gjoks një letër, sipër të cilës ishte shkruar emri i tyre i ri. Në fillim robinjat mësonin turqishten. Banorët e haremit ndaheshin në tre grupe: axhamitë, zanatçinjtë dhe mjeshtërit. Axhamive pikësëpari u mësoheshin zakonet e rregullat e jetesës në saraj dhe punët me të cilat do të angazhoheshin. Pasi t’i kishin mësuar ato që kërkoheshin prej tyre merrte fund edhe periudha e axhamillëkut dhe vendoseshin në punë pranë një zanatçiu. Pastaj ata që më vonë shënonin sukses bëheshin zanatçi dhe mjeshtër. Të gjitha robinjat paguheshin me mëditje, e cila rritej në bazë të kohës së qëndrimit të tyre në harem.
Posted on: Wed, 02 Oct 2013 17:27:17 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015