Hajdari quan Berishën “regjisorin” e sulmeve ndaj tij: Unë - TopicsExpress



          

Hajdari quan Berishën “regjisorin” e sulmeve ndaj tij: Unë di shumë dhe duhet të zhdukem. Procesverbali i seancës plenare të shtatorit 1992 Le të jem unë viktima e parë e kësaj diktature të re – thotë deputeti dhe shton: “Jam i pari. Isha tre muaj kryetar i Partisë Demokratike, ish-kryetar i Lëvizjes Studentore dhe nënkryetar i saj. Domethënë di, dhe njeriu që di duhet të zhduket…”Procesverbali i seancës plenare të shtatorit 1992 kur PD i hoqi imunitetin Azem Hajdarit. Pardoksalisht e mbrojnë të majtët Në shtator të vitit 1992. Hajdari akuzohet se ka goditur me shpullë përgjegjësin e administratës së Partisë Demokratike, zotin Sotir Qirjaqi. Është i njëjti Berishës që për vete nuk pranon të hetohet as kur vret njerëz, porse për të tjerët kërkon imunitetin për një shpullë apo ngre komision hetimor për një shkulje veshi. Gjithsesi, Azemi mban asokohe një fjalim të zjarrtë dhe e quan gjithçka një sajesë politike. “Jam i pari. Isha tre muaj kryetar i Partisë Demokratike, ish-kryetar i Lëvizjes Studentore dhe nënkryetar i saj. Domethënë di, dhe njeriu që di duhet të zhduket,” thotë ai. “Në rast se kjo diktaturë e re, e cila ka ndërmarrë një maratonë, vazhdon në këtë mënyrë, le të jem unë viktima e parë e kësaj diktature,” vijon më tej Hajdari. Deputetët demokratë shprehen kundër njeriut që dha kontribut për ardhjen e demokracisë, kurse të tjerët, përfshi socialistët, e mbrojnë. Spikasin fjalimet e Gramoz Pashkos, Arben Imamit e Teodor Kekos. DITA risjell sot procesverbalin e asaj séance. Pjesë nga diskutimet: SEANCË PLENARE E hënë, 28 shtator 1992, ora 18:00, seanca e parë. (Drejton seancën Kryetari, Pjetër Arbnori) Sadedin Balla – Raport i Komisionit të Mandateve dhe Imunitetit: Komisioni i Mandateve më ngarkoi mua të raportoj para Kuvendit Popullor për sa më poshtë: Më 15.09.1992 Kryesisë së Kuvendit Popullor, me shkresën nr. 754 i ka ardhur kërkesa e prokurorisë së Tiranës, nëpërmjet së cilës kërkohet pëlqimi për ndjekje penale të deputetit Azem Hajdari. Më 15.09.1992 në prokurorinë e rrethit Tiranë është bërë denoncimi ndaj deputetit Azem Hajdari për veprat penale të fyerjes dhe të goditjes për shkak të detyrës në dëm të përgjegjësit të administratës së Partisë Demokratike, zotit Sotir Qirjaqi. Komisioni i Mandateve dhe Imunitetit shqyrtoi dokumentet që iu vunë në dispozicion nga Kryesia e Kuvendit… Nga ana e tyre përfaqësuesit e PS-së paraqiten rezerva, duke kërkuar: Përveç materialeve në dispozicion dhe specialistëve të Kuvendit të vinte për sqarim në komision përfaqësuesi i prokurorisë së rrethit Tiranë. Të thirrej për sqarime në komision deputeti Azem Hajdari… Namik Dokle – Nuk e kam për diskutim, zoti Kryetar, e kam lidhur me pyetjen që bëra unë dhe mjaft deputetë të tjerë, që i drejtoheshin prokurorisë, sepse këtu kemi të bëjmë me një akt jo të zakonshëm në Parlament. Është një akt që parlamenteve nuk u ndodh çdo ditë, as çdo vit. Ka parlamente që s’u ndodh as për pesëvjeçarë të tërë me radhë. Dhe megjithëse ndodh një akt i tillë, unë nuk e kuptoj se si këtu nuk vjen asnjë përfaqësues i prokurorisë… Çdo deputet, para se të ngrejë kartonin, jeshilin, të kuqin apo të bardhin, duhet të bindet për atë çfarë ngre, sepse me kartonin e tij ngre ose ul dinjitetin e Parlamentit. Prandaj i duhet kjo bindje. Dhe për të pasur këtë bindje, duhet domosdo që të sqarohet për rrethanat dhe anët ligjore të problemit që diskutojmë….. Skënder Gjinushi – Në rastin konkret Prokuroria nuk është prezent dhe rrjedhimisht nuk u jepen përgjigje disa pyetjeve esenciale ligjore…. Komisioni i Mandateve ka shkelur procedurën, sepse s’ka dëgjuar deputetin. Dhe mua më duket kjo është shkelje e rëndë. Asnjeri nuk gjykohet në mungesë. Nuk e kuptoj pse Azem Hajdarit nuk i plotësohet kjo kërkesë. Pra, për këto shkelje unë mendoj që ne sot s’mund të gjykojmë pa u plotësuar dhe defektet e mësipërme…. Arben Imami – Unë mendoj se është normale vërejtja e zotit Gjinushi lidhur me paraqitjen e prokurorit të rrethit të Tiranës edhe në komision, të paktën, po kështu edhe paraqitjen e deputetit për të cilin bëhet fjalë, zoti Hajdari në atë komision, në mënyrë që kur komisioni të japë një mendim apo një vendim, të ketë një vizion më të qartë dhe më të plotë të situatës….Pra, unë do të propozoja që Komisioni i Mandateve të mblidhet dhe ta rishqyrtojë edhe një herë problemin, të ftojë prokurorin e rrethit, sikurse dhe zotin Hajdari. Gramoz Pashko –Së pari, nga argumentet që dëgjuam këtu nga Komisioni i Mandateve, rezulton se ky komision ka bërë një punë relativisht të dobët, sepse argumentet ishin shumë pak bindëse. Fjala e Azemit ishte shumë më tepër bindëse, domethënë lë të nënkuptohet se çështja nuk është kaq e thjeshtë. Boll kemi bërë gjyqe, se hallet që ka vendi, me të drejtë e tha zoti Milo, presin nga ne ç’bukë do t’i japim popullit, si do ta ndihmojmë këtë popull dhe jo të fillojmë të bëjmë gjueti shtrigash ndaj personave si Azem Hajdari. Mua më bindi fjala e Azem Hajdarit sot këtu në Parlament dhe ftoj deputetët e tjerë, të të gjithë krahëve, të reflektojnë në votën që do të japin dhe njëkohësisht propozoj që votimi të jetë nominal, sepse secili do të mbajë përgjegjësi nesër për atë votë që ka dhënë sot. (Reagime). Në qoftë se zotërinjtë bezdisen nga fjalët e mia, le të më durojnë, kemi duruar këtu dhe sharje, dhe fyerje etj. Unë nuk atakova askënd personalisht. Problemi është ky: Azem Hajdarin unë e kam njohur që në natën e parë. Më ka thirrur në mes të natës, jemi takuar në godinën e studentëve, sipër, dhe Azem Hajdari është ai të cilit i dedikohemi shumë. Unë nuk di se ç’ka ndodhur këto kohë në Partinë Demokratike, sepse nuk bëj pjesë në të që kur më përjashtuan, por më duket i çuditshëm fakti se si Azem Hajdari, dalka këtu se paska kryer një gjest rrahje në detyrë të një nëpunësi të vet. Me të drejtë u tha që Azem Hajdari po atakohet për një çështje krejtësisht ordinere. Dhe nuk do të jetë në nderin tonë që të dënojmë një nga nismëtarët e demokracisë shqiptare për një çështje krejtësisht ordinere. Imagjinoni disa vjet më pas, kur të shkruhen këto gjëra në shtyp. Kjo do të jetë një përgjegjësi shumë e madhe për të gjithë ne që jemi këtu në këtë sallë. Unë shpreh edhe një herë votën time kundër heqjes së imunitetit. Ftoj dhe deputetët e tjerë që të votojnë kundër heqjes se imunitetit të zotit Hajdari…. Azem Hajdari – Të nderuar deputetë, Nuk jam aspak i shqetësuar që edhe në këtë kohë të vonë ndodhem përpara jush për të dhënë shpjegime për akuzën që më bëhet. Do të ishte shumë më mirë që në bazë të një deklarate që kam bërë këtu përpara një muaji, të ngrihej një grup parlamentar dhe të merrte në analizë gjithë jetën dhe veprimtarinë e Azem Hajdarit, ku jeton Azem Hajdari, cili është, ç’defekte, të mira e të këqija ka, a i duhet një e mirë e tij Shqipërisë dhe sa dëm i bëjnë dy të këqija të tij. Dhe jo të binim viktimë e skenarëve politikë që ndërtuan njerëz diletantë dhe që duan të fillojnë sot maratonën e diktaturës. Mua nuk më shqetëson aspak ky skenar nga mënyra si është ndërtuar. Më shqetëson vetëm një fakt: shumë, shumë pak profesionalizëm në këtë drejtim. Unë jam shumë dakord që të mbrohet qytetari i thjeshtë, të mbrohet, sepse diktatura fillon kur cenohet individi i thjeshtë dhe nuk ka të drejtën as deputeti, as kushdo të dënojë kënd. Por nuk jam aspak dakord që një deputeti t’i mbyllen dyert e ankimit kur akuza ndaj tij është e pabazuar, e paargumentuar në bazë të legjislacionit që ka sot në dispozicion Republika e Shqipërisë. Unë mbrojtjen time do ta bëj në gjyq dhe nuk ia kam frikën aspak gjyqit. Por problemi është politik dhe thjesht politik. Unë kam patur përpara dy alternativa: atë që të shkoja të ndihmoja diktaturën dhe atë që të isha me shokët e mi të mirë dhe të ndihmoja demokracinë. Unë nuk shkova me ata që më prisnin, që donin të më shfrytëzonin dhe nëpërmjet meje të realizonin qëllimet e tyre ogurzeza, por shkova me miqtë e mi, me Arbenin e me të tjerë, ashtu siç shkova në Shijak, dhe kjo është rruga ime. Kësaj rruge as nuk i jam trembur dhe as kam për t’iu trembur. E dija që një ditë do të dilja përpara Parlamentit ose përpara një institucioni tjetër dhe do të diskutohesha. Pse? Jam i pari. Isha tre muaj kryetar i Partisë Demokratike, ish-kryetar i Lëvizjes Studentore dhe nënkryetar i saj. Domethënë di, dhe njeriu që di duhet të zhduket. Nuk dua ta fsheh, jam i shqetësuar nga zhvillimi i ngjarjeve të fundit në jetën politike, që çoi deri në kërkimin e heqjes së imunitetit tim, lidhur me një pseudokrim dhe që nuk dihet se ç’situata të reja do të sjellë në ditët që do të vijnë. Jo heqjen e imunitetit të deputetit Azem Hajdari, po heqjen e imunitetit të çdo deputeti tjetër të Parlamentit tonë me këtë motivacion unë do ta kundërshtoja ashpër dhe me forcë. Për ç’arsye do ta mbaja këtë qëndrim? E para, sepse bota e qytetëruar do të na tallte ne. Se ne jemi marioneta, që na i ngre dhe na i ul duart një regjisor dhe që bën me ne si t’i dojë qejfi, pa pyetur as elektoratin dhe as Kushtetutën. E dyta, lidhet me kokën e turkut, që në këtë rast jam unë. Ju, të nderuar deputetë, e dini si drita e diellit se kjo kundërvajtje penale e inskenuar nuk do ta çojë në dënimin e Azem Hajdarit. Ju sot kërkoni autorët e gjyqeve politike të kokës së Enver Hoxhës dhe jo të sajoni gjyqe politike në kokën e demokracisë. Harxhoni kohën tuaj të çmuar me çështje boshe, siç është çështja “Hajdari”, sepse kështu ju thotë regjisori. Për ta pasur ndërgjegjen të pastër, unë do t’ju thosha juve se imuniteti i Azem Hajdarit hiqet sot, dhe kjo do të thotë se asnjë në këtë Parlament nuk ka më imunitet. Dëshmitarë të rremë në një vend të varfër gjen plot. Prandaj, pa lypur mbrojtjen tuaj, ju këshilloj të merrni që sot masa për të mbrojtur veten. Zotërinj deputetë, mos kërkoni koka turku. Procesi im i sotëm është një proces luksi në një vend lypsarësh. Le të zhvillohej procesi im, por pasi të ishte zhvilluar procesi i deklaratave skandaloze në Maqedoni, deklaratave në Lezhë; pasi të ishte zhvilluar këtu procesi i mikrofonave i Serreqit; pasi të rizhvillohej çështja “Gazidede” në Parlament, ku për turpin tonë brenda javës e bardha u bë e zezë dhe bloza u bë qumësht. Përpara se të diskutoni dhe të ngrini kartonët tuaj, desha t’ju kujtoj një këngë të Veriut. Paska ra nji pushk’ e shkretë, vra i paska dymbëdhetë vetë, njëmbëdhetë gjallë e nji ka vdekë… Unë nuk po qaj atë që ka vdekë, por po qaj ata që kanë mbetë. Sot nuk sulmohem unë, sot sulmoheni ju, të dashur deputetë. Sot goditem unë, po kambanat bien për ju. Azem Hajdari është ai i dhjetorit 1990 dhe nuk luan nga pozicioni i tij i atëhershëm, sikur edhe malet të luajnë nga vendi. Populli e di mirë këtë, mësojeni edhe ju. Në rast se kjo diktaturë e re, e cila ka ndërmarrë një maratonë, vazhdon në këtë mënyrë, le të jem unë viktima e parë e kësaj diktature. Sot nëpërmjet një informacioni më thanë: “Azem, çfarë do të thuash në Parlament”. Kisha në plan të mos flisja dhe u nxitova kur shkrova dhe këto fjalë. Por çuditërisht, mbledhja kësaj radhe për Azem Hajdarin nuk u zhvillua në sallën e vogël të Kuvendit Popullor, as në selinë e vogël të PD-së, por në malin e Dajtit, në vilën e Enverit, ku pesë makina radhazi në orën një e tridhjetë shkuan njëra pas tjetrës atje. Ishte e turpshme kur unë pashë vartësit e mi që nga maja e piramidës – se dikur i kam pasur vartës – duke shkuar dhe duke bërë këtë inskenim. Është e pandërgjegjshme për ta dhe nuk është krimi i Azem Hajdarit aq sa lapsi i tyre jo i hollë në ekonominë shqiptare. Nuk është krimi i Azem Hajdarit as sa dreka që ata bënë. Nuk i kërkoj asnjërit mëshirë. Dikush mund të thotë: “E paska ba Azemi me fjalë, se Azemi do me ra në burg, siç ka ra Pjetri, dhe pas 20 vjetësh me u ba kryetar Kuvendi.” Jo, nuk i kam kërkuar dhe nuk i kërkoj askujt post. Po në kohën e diktaturës, kur unë mora vendim që te jepja jetën, unë nuk e dija që ju do më çnderonit, se ky është një çnderim. Mbase nuk ma bëni këtë çnderim siç ia bëtë vogëlushes Pashko, po do ta bëni në një mënyrë tjetër. Mos ju qofsha falë as sot, as kurrë! Unë jam i ri, do t’i pranoj edhe goditje të tjera, edhe inskenime të tjera, nuk largohem nga Shqipëria. As unë, as fëmija im. Nuk largohem as nga Partia Demokratike. Nuk largohem as nga pikëpamjet e mia antikomuniste. Vetëm një gjë kini parasysh: vazhdoni, vazhdoni radhën. Populli le të gjykojë. Bardhyl Londo – Në rast se demokracia vjen në këtë mënyrë, mos ardhtë kurrë. Dhe ju demokracinë po e sillni me shumë dhimbje. Teodor Keko – Zoti Kryetar, unë kam qenë i parapërgatitur që ky Parlament do të merrte një vendim për zotin Azem Hajdari. Mirëpo mendoja se vendimi ynë i parë në lidhje me zotin Azem do të ishte shpallja e tij Hero Kombëtar i Shqipërisë dhe jo heqja e imunitetit të tij. Kjo lidhej me faktin se deputeti Azem Hajdari, duam apo nuk duam ne, ka hyrë në historinë e re të Shqipërisë. Po ne, të dominuar ende nga pasionet, duket se nuk i shohim dot të vërtetat me kurajë dhe gjakftohtësi. Heqja e imunitetit të zotit Azem Hajdari nuk vjen rastësisht në këtë tempull të shenjtë, zoti Kryetar. Ajo është pasojë e një klime të ashpër politike që ekziston mes nesh dhe në Shqipëri, ku shqiptarët, për fat të keq, po flakin emëruesin e tyre të përbashkët: të qenit shqiptar, dhe po e zëvendësojnë këtë thelb të shenjtë me ngjyrat politike, ndërkohë që Azem Hajdari është pozicionuar qartë si shqiptar, duke krijuar përshtypjen se e ka vënë Shqipërinë përpara partive politike. Dikujt ky pozicion duket se nuk i pëlqen. Pak ditë më parë në një kryeartikull pa autor “RD”-ja godet rëndë demokracinë shqiptare në thënie të tilla prej njeriu të papërgjegjshëm e antikombëtar, si: “Demokracia e brishtë njeh tolerancën demokratike, por jo deri në vetësakrifikim të pakujdesshëm” ose: “Me këta elementë ose forca të errësirës ka efekt vetëm një gjuhë: ajo e diktaturës së ligjit demokratik”. Ç’do të thotë ky vringëllim armësh? Ç’kupton autori me togfjalëshin skizofrenik “diktaturë e ligjit demokratik”? Druhem, zoti Kryetar, se këta tipa, që përdorin togfjalëshat e preferuar të Enver Hoxhës, nuk kanë luftuar që të jetojnë në demokraci, por janë përleshur me ish-administratorët e burgut shqiptar për t’u zënë vendet.
Posted on: Fri, 13 Sep 2013 16:18:56 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015