Hasan Tahsini, personalitet i shquar i Rilindjes Kombëtare - TopicsExpress



          

Hasan Tahsini, personalitet i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare Përgatiti : Bekim Paci* Qëllimi i këtij artikulli është që të njihemi me njërin nga personalitetet më të njohura dhe më me ndikimin, jo vetëm në historinë kombëtare shqiptare por edhe në atë ndërkombëtare, e ky është figura e shquar e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Hasan Tahsini. Ky nuk ishte vetëm fetar apo teolog, por ishte edhe psikolog, sociolog, pedagog dhe ishte astronomi i parë në tërë Perandorinë Osmane. Hasan Tahsini ishte atdhetar, dijetar, mendimtar, përkthyes, poet, shkrimtar, letrar, si dhe një iluminist enciklopedist. Ishte njohës i mirë i shumë shkencave natyrore dhe shoqërore, si : astronomisë, filozofisë, teologjisë, matematikës, fizikës, historisë, gjeografisë, letërsisë etj. Hasan Tahsini, si përfaqësues i njohur i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ishte njëri ndër vizionarët dhe themeluesit e arsimit dhe të pedagogjisë shqiptare. Ai ishte një humanist dhe altruist i madh, pa asnjë paragjykim për popujt dhe fetë e tjera. E çmonte shumë diturinë, ku me një rast shprehet se : “Dituria është më e vlefshme sesa ari, ndërsa padituria është mëkati më i rëndë për njeriun”. Ai ishte njëkohësisht edhe rektori i parë i Universitetit të Stambollit, që ishte universiteti i parë në kuadër të Perandorisë Osmane. Në këtë universitet, Hasan Tahsini, tregoi një shembëlltyrë të suksesshme të një profesori të kalibrit të lartë. Hasan Tahsini u lind më 7 prill 1811 në Ninat, një fshat i Filatit në Çamëri dhe ndërroi jetë më 1881 në Stamboll, ku varri i tij gjendet në varrezat e Sahrai Xhedidit në prefekturën Kadikoy. Ishte i biri Osman Efendi Rushit Ahmedit, i cili pati mjaft impakt dhe influencë mbi fëmijët e tij, veçanërisht Hasanin. Kështu Hasan Tahsini drejtohet për në Filat, ku dhe vazhdoi mësimet. Më pas Hasani fillon studimet mbi teologjinë në qytetin e Janinës, ku i përfundon dhe fillon punën si hoxhë. Mirëpo kjo nuk i mjaftonte. Ambiciet, dëshira dhe etja për ti thelluar njohuritë e shtyjnë atë ti drejtohet Stambollit. Këshu Hasani ndoqi dhe përfundoi studimet në Medresenë e famshme të Fatihut, ku pati për mësues dijetarin më të madh të asaj kohe, Hoxha Mustafa Vidinin. Hasan Tahsini, me një ferman të sulltanit, në vitin 1857 shkoi në Universitetin e Sorbonës në Paris, ku atje studioi shkencat e ndryshme, si : astronominë, kiminë, psikologjinë, historinë etj. Hasan Tahsini qëndroi 12 vite në Paris, ku atje pati kontakt me idetë e iluministëve të njohur francez, si : Volterit, Rusosë, Diderosë etj. Nën ndikimin e iluminizmit, ai mendonte se edukimi i mirë i gjithanshëm mund të përsoste natyrën njerëzore dhe të shpinte në formimin e një shqoërie të drejtë. Ai zotëronte disa gjuhë, si: latinisht, greqisht, persisht, arabisht, osmanisht, italisht dhe frëngjisht, të cilat e ndihmuan të lexonte e shfrytëzonte gjithë literaturën e kohës. Hasan Tahsini më 1868 u kthye në Stamboll, me ç’rast u caktua të hapte Universitetit e parë të Stambollit, ku u emërtua si rektor i këtij universitetit deri në vitin 1871. Ky universitet ishte universiteti i parë në kuadër të Perandorisë Osmane, ku Tahsini mbajti ligjerata nga shkencat e ndryshme, si : kimia, astronomia, fizika etj. Kështu, Hasan Tahsin u bë dhe mbeti i pari dhe i vetmi shqiptar që organizoi dhe drejtoi një universitet ndërkombëtar, atë Osman. Hasan Tahsini, si një iluminist dhe pedagog i shquar i arsimit kombëtar shqiptarë, e kishte shndërruar edhe shtëpinë e vet në një Universitet të mirëfilltë, në të cilin ligjëronte shkencat natyrore, psikologjinë, filozofinë, historinë etj. Ndër studentët e tij më të njohur ishin : Sami e Naim Frashëri, Ismail Qemali, Jani Vreto, Dervish Hima etj. Hasan Tahsini ka shkruar shumë vepra, ndër të cilat po përmendim : “Bazat e shkencës së astronomisë-kosmografisë”, “Edukimi i fëmijëve”, “Kimia organike”, “Historia e krijimit të botës”, “Psikologjia” etj. Në fund, duke mos dashur të zgjerohemi shumë, mund të konkludojmë se Hasan Tahsini ishte njëri nga figurat më poliedrike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i cili me punën dhe angazhimin e tij arriti që të jetë shembull, jo vetëm në fushën shkencore por edhe në ate fetare. Ai ishte humanist i madh dhe liberal ndaj popujve dhe religjioneve tjera, ku të gjithë njerëzit i konsideronte si një familje të përbashkët. Ai ishte mësim i mësimit të tij, pra mësimet e tij kanë qenë në harmoni me sjelljet e tij. Andaj Hasan Tahsini ishte jo vetëm një teolog i madh i kohës, mirpo ai ishte edhe njëri ndër personalitetet më me ndikim në shumë fusha shkencore të cilat i zotëronte dhe i njihte shumë mirë.
Posted on: Wed, 24 Jul 2013 14:44:14 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015