Historia dhe krijimi i krimit të organizuar shqiptar - TopicsExpress



          

Historia dhe krijimi i krimit të organizuar shqiptar Mafia Historia dhe krijimi i krimit të organizuar shqiptar Mafia shqiptare ose Krimi i Organizuar Shqiptar janë terma që përdoren përgjithësisht për organizatat e ndryshme kriminale me bazë në Shqipëri apo të përbëra prej shqiptarëve etnikë. Këto organizata janë aktive në SHBA dhe në vendet e Bashkimit Evropian, duke marrë pjesë në sipërmarrje të ndryshme kriminale, përfshi këtu trafikun e drogës dhe armëve. Edhe pse termi “mafie” përdoret shpesh si përshkrim ai nuk nënkupton se gjithë aktivitetet kriminale shqiptare koordinohen apo rregullohen nga një organizëm drejtues i pozicionuar në Shqipëri, Kosovë, Republikën e Maqedonisë apo vend tjetër. Historia Krimi i organizuar shqiptar i ka rrënjët në klanet fisnore të quajtura fise. Që nga shekulli i 15-të, në kohën e Lekë Dukagjinit klanet vepronin në bazë të një seti ligjesh të njohura si Kanun. Ai vlerësonte shumë besnikërinë e një klani apo siç quhej ndryshe besa. Çdo klan kontrollonte një hapësirë të caktuar dhe me raste kjo shkaktonte dhunë dhe raste gjakmarrjeje. Këto principe të kanunit i dhanë hov lindjes së krimit të organizuar shqiptar sot, duke e bërë të vështirë që bandat shqiptare të infiltrohen nga organet e drejtësisë. Në Shqipëri ka ekzistuar gjithmonë tregu i zi, edhe në kohën e komunizmit. Pas rënies së komunizmit në fundin e viteve ’80 lidhjet e reja të Shqipërisë me pjesën tjetër të botës çuan në zgjerimin e grupeve të krimit të organizuar në një nivel ndërkombëtar...... Lufta e Kosovës luajti një rol kyç në rritjen e mafies shqiptare në Evropë. Tradicionalisht droga transportohej në Evropën perëndimore nga Turqia nëpërmjet Serbisë, Kroacisë dhe Sllovenisë. Kjo rrugë u mbyll si rezultat i luftës dhe bandat shqiptare u gjendën në pozicion ideal për të siguruar rrugë të sigurta në zonën e luftës, fillimisht thjesht duke ndihmuar grupet e tjera kriminale, por eventualisht duke u fuqizuar mjaftueshëm sa për të dalë në vete. Një bazë kyçe e operacioneve ishte Veliki Trnovac në Serbinë jugore, e cila shumë shpejt mori nofkën “Medellini i Ballkanit”. Kur lufta përfshiu Kosovën, bandat etnike shqiptare u përfshinë në listat e njerëzve që kualifikoheshin për statusin e “refugjatit”. Duke qenë se shqiptarët e Kosovës nuk dalloheshin nga të tjerët gangsterët përfituan nga situata për t’u pozicionuar në gjithë Evropën, fillimisht duke shkuar drejt komuniteteve shqiptare në Gjermani dhe Zvicër dhe duke marrë përsipër tregun e heroinës. Sipas policisë, kriminelët shqiptaro-amerikanë janë të përfshirë në gjithçka, që nga kontrabanda e armëve e deri tek falsifikimit. Por është trafiku i drogës ai që i ka dhënë famën e keqe krimit të organizuar shqiptar. Disa shqiptarë, sipas zyrtarëve të Administratës së Përforcimit të Departamentit të Drogës (DEA) janë tregtarët kryesorë në “lidhjen e Ballkanit”, rruga që ndjek heroina nga Stambolli në Beograd. Zyrtarët e DEA-s vlerësojnë se edhe pse më pak e njohur se lidhjet siciliane dhe franceze, lidhja e Ballkanit rreth vitit 1985 mund të qarkullonte nga 25-40 përqind të heroinës që furnizonte SHBA-në. Mit apo realitet? Policia belge pohon se “pavarësisht se krimi i organizuar shqiptar është reklamuar shumë në dekadën e fundit ka shumë pak kërkime shkencore që shpjegojnë në mënyrë sistematike dhe rigoroze fenomenin e kriminalitetit etnik shqiptar në mënyrë metodike. Gjithsesi, edhe ato studime mbështeten në raportimet sensacionale të mediave. Kjo e ka errësuar studimin e mëtejshëm shkencor dhe të thellë. Prandaj, në përgjithësi studimet mbi këtë fenomen janë me raste jo koherente dhe shpeshherë të pabesueshme”. Në raportin e fundit të Kombeve të Bashkuara thuhet se “Ballkani është më i sigurt se Evropa perëndimore” dhe se “Aktualisht, niveli i krimit kundër njerëzve dhe pronës është më i ulët se kudo në Evropë”. Aktiviteti në Itali Duke qëndruar larg prej jugut, ku mafia italiane është më e fortë, shqiptarët duket se ia kanë vënë syrin zonave qendrore dhe veriore si Lombardia, Piemonte dhe Toskana. Bashkë me mafien ruse, gangsterët nigerianë dhe triadat kineze ato po i japin formë të re hartës kriminale italiane. Gjithsesi, në vend që të zgjedhin luftën për kontroll me organizatat kriminale italiane, mafiozët shqiptarë kanë zgjedhur të bashkëpunojnë për interesa të përbashkëta. Një prej prokurorëve kryesorë në Italia, Cataldo Motta, i cili i ka identifikuar mafiozët shqiptarë si më të rrezikshmit thotë se ata përbëjnë kërcënim për shoqërinë perëndimore. “Krimi i organizuar shqiptar është bërë pikë referimi për gjithë aktivitetin kriminal sot. Gjithçka kalon nga shqiptarët. Rruga për drogën, armët dhe njerëzit, pra emigrantët ilegalë të drejtuar drejt Evropës është në duart e shqiptarëve”, thotë Cataldo. “Kriminelët shqiptarë ishin ndryshe që në fillim. Kur ata filluan të shfaqen këtu në vitin 1993 ata ishin ndryshe nga emigrantët e tjerë. Ata janë të motivuar dhe shumë të dhunshëm”, thotë Francesca Marcelli, një hetuese e krimit të organizuar në qeverinë italiane. Aktiviteti në SHBA Bandat shqiptare filluan të jenë aktive në SHBA rreth viteve ’80, më së shumti duke marrë pjesë në krime të nivelit të ulët si grabitjet. Më vonë ato u anëtarësuan në familjet e krimit të “Cosa Nostra” përpara se të fuqizoheshin mjaftueshëm sa për të vepruar me organizatat e tyre. Krimi i organizuar shqiptar ka krijuar një problem të ri dhe unik për autoritetet ligjore në vend, duke rrezikuar të zëvendësojë familjet “Cosa Nostra-s” si boshti i krimit amerikan, shprehen zyrtarët e FBI-së. Aktiviteti në Britaninë e Madhe Bandat mafioze shqiptare besohet se qëndrojnë pas trafikut të seksit, kontrabandës së emigrantëve, si dhe konkurrojnë me bandat turke për tregun e heroinës në Britani. Oficerët e skuadrave speciale vlerësojnë se “shqiptarët tani kontrollojnë më shumë se 75 përqind të shtëpive publike të vendit dhe operacionet e tyre vetëm në lagjen Soho kanë vlerën e 15 stërlinave në vit”. Ato thuhet se janë të pranishëm në çdo qytet të madh të Britanisë, si dhe në ato të voglat. Gangsterët shqiptarë ishin të përfshirë dhe në grabitjen më të madhe në historinë e krimit britanik, vjedhjen “Securitas” të më shumë se 53 milionë sterlinave. Aktiviteti në Belgjikë Sipas departamentit të policisë belge, i specializuar për krimin e organizuar shqiptar, klanet e mafies shqiptare dominojnë dhe drejtojnë në tregtinë ilegale, duke përfshirë trafikun njerëzor dhe shitjen e kokainës dhe heroinës. Bandat shqiptare janë të përhapura në gjithë Evropën, thotë policia, duke shtuar se brutaliteti shqiptar dhe rrjetet e prostitucionit i kanë bërë ata famëkeqe dhe dominues në trafikun njerëzor të perëndimit. Belgjika njihet si një prej vendeve kryesore për trafikun njerëzor, duke qenë porti i fundit para hyrjes në Britaninë e Madhe dhe konsiderohet si “El Dorado i emigracionit ilegal”. Aktiviteti në Skandinavi Klanet e mafies shqiptare në Norvegji, Suedi dhe Danimarkë dyshohet se janë të përfshira në kontrabandën e armëve, prostitucion, tregti heroine dhe grabitje me armë, siç ishte grabitja 10 milionë dollarëshe në bankën qendrore të Norvegjisë, në vitin 2004. “Mafia etnike shqiptare është shumë e fuqishme dhe ekstremisht e dhunshme”, thotë Kim Kliver, hetues për krimin e organizuar në policinë daneze. “Nëse i krahason me mafien italiane, shqiptarët janë më të fortë dhe nuk kanë frikë të vriten”. Marrë nga “Belgium Weekly” dhe “CNN *********** Roberto Saviano: Ju rrëfej mafian shqiptare “Kamorra” e ka dënuar me vdekje. Pasi botoi librin e tij “Gomorra”, Roberto Saviano është kthyer në një lloj heroi kombëtar të Italisë, siç e cilëson Umberto Eko. Ai ka guxuar dhe ka çjerrë maskën e një përbindëshi, mafias italiane, më të rrezikshme të momentit. Dhe, tashmë jeton nën kërcënim. I fundit kërcënim për Savianon ishte ai i 14 tetorit të këtij vitit. Saviano jeton i shoqëruar nga policia, qysh nga 13 tetori 2006. Nën mbikëqyrjen e policisë ishte dhe ditën kur dha këtë intervistë ekskluzive për gazetaren Rudina Xhunga dhe emisionin e saj “Shqip”, në “Top Chanel”. Saviano, në këtë rrëfim del përtej “Kamorrës”. Ai flet për tentakulat e saj që janë shtrirë në Shqipëri që nga koha e komunizmit e deri më tani, me ëndrra të mëdha për të ardhmen dhe pretendime në këtë territor të ri të saj. Një prej këtyre pretendimeve është Kosova, ta kthejë atë në Kolumbinë e re të Europës. Kur Rudina Xhuna e pyeti për mafian shqiptare ai u përgjigj: Mafia shqiptare ekziston shumë fuqishëm, dhe për mendimin tim, është një nga mafiet e panjohura më mizore në botë. Është më pak e njohur, se bën më pak gjëra. Organet gjyqësore, policia financiare, karabinierët, antidroga, antimafia, kanë shumë dokumente për praninë e mafies shqiptare në Itali. Duhet bërë një dallim i madh mes mafies shqiptare, kosovare, mafies shqiptare të Shqipërisë dhe mafies shqiptare të Maqedonisë. Më pas Xhunga i shtron një sërë pyetjesh mbi mafian shqiptare, pjesë të intervistës që do ta lexoni më poshtë. Të flasim pak për Shqipërinë. Keni shkruar aq shumë për Shqipërinë, sa mbeta pa fjalë. Flisnit për mafien shqiptare. Sipas jush është kaq e fuqishme? Ekziston shumë fuqishëm dhe për mendimin tim, është një nga mafiet e panjohura më mizore në botë. Është më pak e njohur se bën më pak gjëra. Organet gjyqësore, policia financiare, karabinierët, antidroga, antimafia kanë shumë dokumente për praninë e mafies shqiptare në Itali. Duhet bërë një dallim i madh mes mafies shqiptare kosovare, mafies shqiptare të Shqipërisë dhe mafies shqiptare të Maqedonisë. Nuk bashkëpunojnë? Bashkëpunojnë, por s’është e njëjta gjë. Dhe kanë lidhje shumë të forta me organizata kriminale shqiptare në Nju Jork. Mafia shqiptare që njoh më mirë është ajo që kishte lidhje në territorin tim. Klani i Kazalezëve, një klan shumë i fuqishëm, ka qenë klani i parë i një organizate mafioze italiane që i ka hapur dyert një të huaji. Të huajt e parë që kanë hyrë në organizatë, kanë qenë shqiptarët, sepse kanë një strukturë sociale dhe familjare shumë të ngjashme me atë italiane. Zbatojnë, në një farë mënyre, kanunin, që jep shumë siguri, sepse rregullat janë të qarta, të shkruara. Të gjithë mund t’i mësojnë dhe t’i respektojnë. Respektohen shumë “kapot e maleve” që zbatojnë me përpikmri kanunin. Mbi të gjitha, janë organizata që kanë ardhur në vitet ’90. Ka qenë një bos shqiptar që i dhanë një zonë të tërë, quhej …. Çfarë është ky? Një bos, të cilit Kazalezët i dhanë një territor të tërë. S’kishte ndodhur kurrë në historinë e kriminalitetit italian që një i huaj të drejtonte aktivitetin kriminal të një territori. Çfarë ishte ky njeri? Me çfarë merrej? Me gjithçka. Zhvatje, drogë, por mbi të gjitha me çimento dhe firmat e ndërtimit. Mafia shqiptare në këtë territor jo vetëm është shumë e fuqishme, por para disa muajsh pati dhe të vdekur. Dy shqiptarë të implikuar u vranë, sepse s’kishin paguar atë që duhej të paguanin, për përqindjen e trafikut të drogës që drejtonin. Këtë mendoj gjithmonë kur dëgjoj për shqiptarët që vriten. Shqiptarët këtu janë shpërndarës droge, që marrin shumë pak para, hiçgjë. S’është kështu? Mendoj se ka qenë kështu, por sot, mafia shqiptare, dhe shpërndarësit shqiptarë të drogës, kanë bërë karrierë. Sot, djemtë që shpërndajnë drogë në rrugë, janë më shumë afrikanë, nigerianë, rumunë. Të gjitha ato organizata që janë të dobëta. Mafia shqiptare ka familje të fuqishme që lejojnë keqbërësit italianë dhe shqiptarë të jetojnë të qetë në Shqipëri. Shqiptarët që kryejnë krime në Itali dhe jetojnë qetësisht në Shqipëri, në Itali janë kriminelë, sepse familjet arrijnë të korruptojnë gjykatësit shqiptarë, të paktën një pjesë të tyre. Mafiozët shqiptarë dhe kamorristët janë e njëjta gjë. Bëjnë dhe martesa mes tyre. Martohen me njëri-tjetrin? Një bos i mafies në Domiciana, në zonën bregdetare, u martua me një shqiptare. Shqiptare nga fshati. Është diçka shumë e papritur, sepse bosët e mafies femrat nga lindja i mbajnë si dashnore, por nuk martohen kurrë me to, sepse martesa është gjithmonë një marrëveshje ekonomike. Sot kjo gjë po ndryshon. Kjo ka qenë e kaluara. Në të shkuarën, femrat nga lindja, polake, rumune, edhe shqiptare, konsideroheshin si dashnore perfekte, që toleroheshin dhe nga gratë. Nëse një bos kishte një dashnore italiane, përbënte problem. Kurse një dashnore nga lindja tolerohej. Si ka mundësi që dini kaq shumë gjëra për mafien shqiptare? I kam parë gjithmonë. Bullgarët, për shembull, i kam parë më pak, që janë një mafie më e pranishme në Itali. Çfarë bën mafia shqiptare? Mafia shqiptare ka filluar me prostitucion dhe pastaj eci përpara. Nga trafiku i drogës, tani ka kaluar te çimento. Kështu dhe ata u futën në biznesin e madh. Kur ka filluar kjo lidhje? Që në fund të viteve ’80. Në fund të viteve ’80 është parë prania e shqiptarëve në Itali, por ka nisur që në vitet ‘70 me kontrabandën. Shqipëria dhe Mali i Zi janë vende në dorë të organizatave kriminale. Edhe në atë kohë ka pasur mafie? Po. Sigurisht. Si në Shqipëri, ashtu dhe në Republikën e ish-Jugosllavisë kanë qenë personazhe të blerë nga organizatat kriminale. Kush? Drejtues komunistë qe paguheshin nga organizatat kriminale. Firma e parë që investoi në Rumaninë e pas Çausheskut, quhej Albanova Eserel. Albanova është emri i vjetër i Kazal Del Prinçipe, kryeqytetit të Kamorrës. Kjo firmë kishte marrëveshje të bëra para rrëzimit të murit, me të gjithë drejtuesit komunistë, që s’merrnin më paga nga shteti, por ua jepnin ata. Edhe policia bregdetare shqiptare dhe e Malit të Zi, paguheshin nga Sakra Korona Unita, për kontrabandë cigaresh. Kur u rrëzua komunizmi, të parët që shkelën në këto vende ishin organizatat kriminale, që më pas ndihmuan dhe sipërmarrësit e ndershëm të huaj të shkonin aty. Nëse një napolitan ose milanez shkon në Shqipëri të investojë, ka një mijë probleme me burokracinë. Nëse shkon nëpërmjet organizatës kriminale italiane, gjithçka është e zgjidhur. Ata dinë me kë të flasin për të marrë autorizime, rroga të qeta. Kjo është magjia e organizatave kriminale, që funksionojnë si motor ekonomik. Kuptoj çfarë bëjnë shqiptarët në Itali. Po mafiozët e Kamorrës, çfarë bëjnë në Shqipëri? Investojnë në çfarëdolloj ndërmarrjeje Keni dokumente për të shkruar një libër të ri për mafien shqiptare? E shoh me kureshtje të madhe mafien shqiptare sepse ka një ëndërr të madhe tek mafiozët e mëdhenj shqiptarë. Ta bëjnë Kosovën Kolumbinë e re të Evropës..... Të mbjellin kokainë transgjenike, që të rritet në temperatura të ndryshme nga ato të Amerikës së Jugut. Të mbjellin kokainën transgjenike në Kosovë dhe të lejojnë mafien shqiptare të ketë monopolin e kokainës. Sot nuk mund të bëhet, sepse kokaina transgjenike, që tashmë ekziston në Kosovë, është shumë e kushtueshme. Prandaj nuk ka leverdi. Është më e leverdisshme ta importosh nga Amerika e Jugut se ta prodhosh. Por pas njëzet vjetësh, Kosova do të jetë padyshim Kolumbia e re. Do të jetë vërtetë? Të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë mendojnë se do të ndodhë kështu. Po politikanët çfarë bëjnë ndërkohë? A kanë nevojë politikanët për mafian? Apo është mafia ajo që ka nevojë për politikën? Unë mendoj se është politika ajo që ka nevojë për mafien. Në të shkuarën nuk ka qenë kështu, kurse sot është. Pse? Sepse organizatat mafioze janë sipërmarrje. Është njësoj sikur një vend të hiqte dorë nga BMV-ja, Microsofti. Faturimi në Itali i tre mafieve, sipas prokurorisë kombëtare antimafia, është 100 miliardë euro në vit. Sipërmarrja më e madhe italiane. Si mund të heqësh dorë nga një shifër e tillë? Ata janë të armatosur. Ti ke vetëm fjalët...... Por ata kanë frikë nga ti. Mund të kihet frikë nga fjalët? Vetëm nëse dëgjohen. Unë ekzistoj për sa kohë më dëgjojnë. Kur të reshtin së më dëgjuari, nuk do të ekzistoj më. *************** Si është lidhur mafia italiane dhe ajo botërore me krimin e organizuar shqiptar Mafia dhe trafiku i armëve nga Shqipëria, çfarë thonë raportet italiane, franceze e amerikane Emri i Shqipërisë në trafiqet e armëve përmendet në raportet e shërbimeve sekrete të Amerikës, Francës e Italisë. Nuk bëhet fjalë për trafiqe legale që janë normale për të gjithë botën dhe drejtohen nga struktura të shtetit, por për trafiqe që drejtohen nga organizatat kriminale. Gjithçka nis me luftën në Kosovë në vitin 1999, ku sipas raporteve të huaja vendi ynë transportonte municion luftarak për llogari të UÇK-së. Por përveç kësaj një hapësirë e konsiderueshme në këto raporte i është dhënë edhe vitit 1997, kur u vodhën kazermat e ushtrisë, postat e policisë dhe depot e municionit. Raporti francez Raporti i hartuar nga specialistët francezë të krimit të organizuar është bazuar në informacionet e shërbimeve sekrete, analizon përforcimin e krimit të organizuar në Shqipëri. “Ndonëse ky armatim nuk ra në tërësi në duart e klaneve kriminale shqiptare, një pjesë e madhe e tij duket se ka qenë sistematikisht objektiv i tyre, për t’i shtënë në dorë. Ky trafik i ka shërbyer, gjë që nuk mohohet, armatimit të guerilasve shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë. Por armatimi shqiptar ka qenë përherë objekti i një tjetër trafiku në Evropën perëndimore dhe në Greqi”, thuhet në raportin francez për Shqipërinë. Sipas francezëve trafiku i dytë i armëve është padyshim më i rëndësishmi dhe vazhdon të jetë. Italia zë vendin e parë, merr rregullisht qindra armë të lehta dhe dhjetëra kilogramë eksploziv. Është vërtetuar se klienti i parë i këtyre armëve është “Sacra Corona Unita”..... Klienti i dytë është padyshim banditizmi evropian. Mund të kenë lidhje me organizatat e Lindjes së Mesme ose Afrikës së Veriut, por nuk është vërtetuar. Raporti i FBI-së Një studim i Universitetit të Wayne në SHBA, i sponsorizuar nga Byroja Federale e Hetimeve dhe Qendra për Studimet e Sigurisë Evropiane “George Marshall”, flet për penetrimin e ish-agjentëve të shërbimit sekret shqiptar të regjimit komunist në kupolën drejtuese të mafias shqiptare. Gjithashtu raporti thekson se organizatat kriminale kanë vendosur korridore për trafikun e armëve, të marra nga depot e ushtrisë shqiptare në vitin 1997 në SHBA, Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore. Në raportin e FBI-së thuhet se Shqipëria përjetoi një gjendje anarkie me pasoja prishje të rendit publik, që ndodhi në vitin 1997. Gjatë trazirave arsenali i ushtrisë shqiptare u zbraz. Përveç miliona armë të vogla dhe 2.500 kundërajrorëve dhe mbi 200.000 armë luftarake AK-47 (model 56) u grabitën. Fillimisht këto armë u përdorën në Kosovë. Së shpejti u krijua një rrjet bandash, të cilat zhvilluan korridorin për tregtimin e armëve me shtrirje në Itali, Greqi, Evropë, Lindje e Mesme, SHBA dhe Turqi. Siç është tipike për të gjitha llojet e organizatave kriminale të angazhuara në trafikun e paligjshëm, këto banda filluan së shpejti të përdorin kontakte dhe të zhvillojnë korridore nga Gjeorgjia dhe Armenia, rrugë, të cilat tashmë ishin vendosur nga tregtia e drogës. Raporti italian Një analizë e Fondacionit italian “Rosselli”, që është kryer nën mbikëqyrjen e plotë të Komisionit Evropian bërë publik muaj më parë, ka arritur në konkluzionin se Sigurimi i shtetit krijoi “mafien” shqiptare në vitet ’60..... Italianët, duke iu referuar të dhënave të sakta, vlerësojnë se organizatat kriminale shqiptare kanë bashkëpunuar me mafien italiane që në fundin e viteve ’60. Më e preferuara e tyre ka qenë rajoni i Pulias, ku falë afërsisë është vendosur bashkëpunimi me mafien lokale Apulia, me të cilën shqiptarët trafikonin cigare. ARMET E TRAFIKUARA AUTOMATIKET ““AK 47”, “AK 74” Rezultojnë të trafikuara të paktën 2 milionë armë luftarake të tipit automatik “AK 47” dhe “AK 74” (kopje kineze). GRANATA OFENSIVE, DIFENSIVE Nga depot e ushtrisë në Shqipëri janë vjedhur dhe më pas dyshohet se janë trafikuar 3.5 milionë granata dore ofensive dhe difensive. MINA ANTITANK Të vjedhura dhe të trafikuara jashtë Shqipërisë rezultojnë edhe një milion mina antitank dhe qindra kilogramë eksploziv të të gjitha llojeve. PREDHA MORTAJE Organizatat kriminale shqiptare dyshohet të kenë trafikuar 840 mijë predha mortaje të të gjitha kalibrave. MUNICIONET Bashkë me armët janë trafikuar edhe rreth 1.5 miliarnë fishekë të kalibrave të ndryshëm. RAKETAHEDHES “RPG” Trafikut të armëve nuk i kanë shpëtuar edhe qindra raketahedhëset mjaft të fuqishme të tipit “RPG”, por edhe tipe të tjera..... MITRALOZE KUNDERAJRORE Rezultojnë të vjedhura dhe të trafikuara qindra mitralozë 14.5 mm, si dhe dhjetëra topa e mitralozë kundërajrorë. RAKETA TOKE-TOKE As municioni i rëndë nuk ka munguar në trafiqet e armëve. Janë trafikuar dhjetëra raketa tokë-tokë dhe tokë-ajër. SHITESIT AMERIKA Eksportuesi më i madh i armëve në botë është Amerika. Është furnitorja më e madhe e armëve në të gjithë botën. Kryesisht trafiqet nga SHBA janë të ligjshme. RUSIA Nëse Amerika merret kryesisht me trafik të ligjshëm armësh, kjo gjë nuk ndodh për Rusinë. Një nga eksportueset më të mëdha, merret edhe me trafiqe ilegale. GJERMANIA Një sasi mjaft e madhe municioni ndodhet në Gjermani. Ajo renditet e treta në radhën e vendeve që eksportojnë armë. Kryhen trafiqe të ligjshme dhe të paligjshme. KINA Vendi me popullsinë më të madhe në botë, kryen edhe trafiqet më të mëdha. Kina është një vend që futet edhe te importuesit edhe tek eksportuesit e municioneve. BLERESIT AFGANISTANI Padyshim që vendet që kanë më shumë nevojë për armë janë ato që ndodhen në gjendje lufte. Një nga këto është edhe Afganistani, që blen armë në mënyrë legale dhe ilegale. IRAKU Trafiqet më të mëdha sot në botë kanë si epiqendër Irakun, është vendi ku shiten armë më shumë se në asnjë vend tjetër të botës. Kryesisht nga trafiqe të paligjshme. IRANI Një vend që në fakt nuk është në gjendje lufte, por që e sheh mjaft të nevojshëm posedimin e armëve. Në këtë formë Irani është shndërruar në një nga blerësit më të mëdhenj. PAKISTANI Importuesi më i madh i armëve italianë është Pakistani. Pas tij vijnë edhe Peruja, dhe Greqia. Më pas është Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe India. Si kryhet trafiku i armëve mes Rusisë dhe vendeve të tjera Shoqëritë mafioze ruso-aziatike më dinamike vazhdojnë të shtrijnë praninë e tyre edhe jashtë kufijve të Federatës Ruse, madje edhe jashtë kufijve të vetë CSI-së, në tregun e ligjshëm dhe të zi të rajoneve të ndryshme të botës, Evropë Qendrore dhe Lindore (ku dominon bota e krimit ), Evropë Perëndimore, SHBA, Afrikë, Amerikë Qendrore dhe Jugore, lindje e Afërt dhe e Largët; kriminaliteti ruso-aziatik është tashmë në gjendje të konkurroje, ose të bashkëpunojë në barazi të plotë me organizatat kriminale ndërkombëtare më të fuqishme ( kolumbiane, kineze, italiane).... Kjo mbi të gjitha, për faktin se zotëron burime të jashtëzakonshme financiare. Organizata “Mogilevic” është grupimi më i fortë i mafies në Hungari, Budapesti është baza operative e kësaj organizate. Rrjeti i saj është i shtrirë në Ukrainë, Republikën Çeke, Izrael, SHBA, Karaibe, etj. Kjo organizatë mafioze, e cila ka ndikim ruso-aziatik ka perfeksionuar metodat për riciklimin e kapitaleve të paligjshme dhe është në avangardë në përdorimin e transportit të naftës, metaleve joferrikë dhe materialeve strategjike. Fitimet më të mëdha të kësaj organizate vijnë nga trafiku i armëve. 1. Organizata “Solncevo” 2. Organizata “Mogilevic” 3. Organizata “Ivan`kov” 4. Organizata “XXI Secolo” 5. Organizata “Cernoj” 6. Organizata “Kremlevskaja” 7. Organizata “Mazutkino” 8. Organizata çeçene 2 MILIONE armë luftarake, kryesisht automatikë të tipeve “AK 47” dhe “AK 74” (kopje kineze), rezultojnë të vjedhura në depot e armatimeve shqiptare dhe të trafikuara 3.5 MILIONE granata dore, ofensive dhe difensive, janë vjedhur në depot e armëve në Shqipëri dhe rezultojnë të trafikuara në vende të ndryshme të botës. 840 MIJE predha mortaje të të gjitha kalibrave dyshohet se janë vjedhur dhe trafikuar nga organizatat kriminale të Shqipërisë, duke u shitur kryesisht në Itali, për Sacra Corona Unita. 1.5 MILIARDE fishekë të kalibrave të ndryshëm janë trafikuar në vendet e Evropës Perëndimore, duke kaluar fillimisht në Malin e Zi e më pas edhe në Itali e më tej nga bandat shqiptare. 4 VENDE renditen në shitësit më të mëdha të armëve në të gjithë botën. Vendin e parë e zë Amerika, e cila pasohet nga Rusia, Gjermania dhe Kina. 4 VENDE renditen në blerësit më të mëdhenj të armëve në të gjithë botën. Kryesisht Kina, Pakistani, Greqia, por edhe vendet në gjendje lufte si Afganistani dhe Iraku. 8 ORGANIZATA mafioze ruso-aziatike sipas raporteve të shërbimeve sekrete, rezultojnë se kryejnë trafiqet më të mëdha të armëve në të gjithë botën. 3 RAPORTE të huaja kanë bërë një analizë të trafikut të armëve nga Shqipëri në drejtim të vendeve të tjera. Raporte të tilla janë ai francez, italian dhe ai i FBI-së.....
Posted on: Mon, 11 Nov 2013 19:40:43 +0000

Trending Topics



le Ground.
Bill Moyers Essay: The End Game for Democracy We are so close to
Well let see what is on my mind this GREEN DAY that is happening
People who sleep less than six hours a night have a far higher
#OpGrandMarshallMANNING Greeting citizens of the world. We are
No crean que se me olvido publicar. e.e Generalmente cad aque digo

Recently Viewed Topics




© 2015