ISHIM MIRE KUR ISHIM KEQ! Koment nga Jorgis Memo Kjo është - TopicsExpress



          

ISHIM MIRE KUR ISHIM KEQ! Koment nga Jorgis Memo Kjo është batuta që qarkullon tashmë në klubet e administruara nga bashkitë e qyteteve që përfaqësojnë Partinë Socialiste si forcë politike në vend. Pas zgjedhjeve të fundit, të shumtë ishin ata sportdashës, por jo vetëm, që fërkuan duart me shpresën se skuadra e tyre e zemrës do të kishte një të ardhme më të ndritur. Duke menduar me një logjikë deri-diku absurde, tifozët besuan se me ardhjen në pushtet të PS-së, ekipet që kanë kryetar bashkie të kësaj force do të jenë më shumë mbështetës për futbollin. Pra, në këto klube do të investohej më shumë se në sezonet e kaluara, kur rëndom qarkullonte alibia se nuk mund të kishte financa të shëndosha, pasi bashkitë e majta nuk ishin në pushtet. “Bomba” fillimisht plasi në Vlorë, aty ku askush nuk e priste, duke ditur se në krye të kësaj bashkie ishte një tifoz që, për shumë vite, kishte bërë diferencën në krahasim me kolegët e tij në çdo qytet të vendit. Madje, kishte edhe nga ata që për Gjikën vendosnin epitete të ndryshme, teksa e cilësonin të çmendur për investimin e madh te Flamurtari. “Dikur më thoshin pse shpenzon kaq shumë, ndërsa tani më akuzojnë pse bashkia hedh pak lekë”, – ka thënë pak ditë më parë kryebashkiaku i Vlorës për “Panorama Sport”. Krizës së klubeve të bashkive i vuri pikërisht vulën lëvizja surprizë e Gjikës, pak ditë para fillimit të kampionatit. Kriza e Luftëtarit Flamurtari është klubi legjendë në Shqipërinë e Jugut, por pas tij, për historinë që ka në elitën e futbollit shqiptar, vjen pa diskutim Luftëtari i Gjirokastrës. Me ulje dhe ngritje të vazhdueshme, ky sezon për gjirokastritët nisi nga Kategoria e Parë, teksa mbijetesa në Superiore nuk zgjati më shumë se një vit. Premtimet e klubit ishin për një ngjitje të shpejtë të skuadrës dhe, nga afrimet që u bënë në merkaton e verës, të krijohej bindja se drejtuesit e kishin seriozisht. Por, si për ironi të ngjarjeve, në ditën kur Flamurtari shpërndante një gjysmë rroge për lojtarët pas 5 muajve vuajtje, klubi i Luftëtarit shpallte “falimentimin”. Kryebashkiaku i Gjirokastrës u bëri thirrje lojtarëve të riktheheshin në stërvitje, edhe pse këta të fundit kanë rreth 3 muaj që nuk paguhen. Në mënyrë demonstrative të gjithë futbollistët bojkotuan stërvitjen, ndërkohë që qyteti mori një lajm shokues. “Pas basketbollit, ky kryetar bashkie kërkon të na shkrijë edhe futbollin”, – thoshin me shqetësim tifozët gjirokastritë në rrjetet sociale. Në një kohë që dikur jugu i vendit krenohej me futbollin e Brahos, Kallucit, Bonit, Shonit, Seitit, Haxhit, Xhumbës, Bellait etj., sot Luftëtari, nënkampion i dikurshëm, diskuton të udhëtojë ose jo në transfertën e radhës në kampionat kundër Adës së Velipojës. Kriza financiare ka prekur thellë skuadrën, por duket se këtë herë më shumë se kurrë mungon vullneti i njeriut që drejton klubin për ta ringritur këtë ekip. Dje u mësua se ngërçi u zgjidh, ndërkohë që në Gjirokastër ndihen të tradhtuar edhe nga deputetët që ka nxjerrë ky qark në zgjedhjet e fundit. Alarmi ka kohë që është dhënë për Luftëtarin. Edhe pse qyteti që mbrohet nga UNESKO radhitet si një ndër vendet me bizneset më të fuqishme në vend, kjo duket se nuk mjafton për t’i kthyer Gjirokastrës traditën e futbollit. Bashkia, në gjithë këto vite është mbrojtur me tezën se biznesmenët nuk janë afruar për të investuar. Por, çfarë ka ofruar kjo bashki për atë që kërkon të investojë në klubin e Luftëtarit? Ndoshta interesi mund të mungojë nga bizneset, por një situatë të tillë nuk ka njohur kurrë më parë ky klub me jo pak emër në Shqipëri. “Në vitin 1997, të paktën drejtuesit e asaj kohe u treguan të sinqertë që në fillim, duke na thënë se nuk ju mbajmë dot me rroga, por do të merrnim vetëm trajtim ushqimor. Por, si ky sezon nuk ka ndodhur kurrë më parë te Luftëtari. Lojtarët janë mashtruar”, – tregon një prej ish-futbollistëve gjirokastritë, që i ka përjetuar të gjitha periudhat në klubin bluzi. Dhe nuk është vetëm Vlora dhe Gjirokastra që vuajnë, por edhe qytete si Berati, Elbasani etj., gjithashtu po përpëliten mes ekzistencës dhe inekzistencës. Kur të gjithë menduan se ky do të ishte sezoni i “bum”-it në aspektin e investimeve në klube, gjithçka rezultoi si një flluskë sapuni. Madje, Thesari i Shtetit u kthye në një legjendë në klubet e administruara nga bashkitë. Futbollistët kanë tre muaj që këtë shprehje e dëgjojnë më shumë, pasi janë në pritje të rrogave, por duket se në klubet e bashkive ky është mashtrimi i radhës. Me të drejtë, duke iu referuar edhe së kaluarës, por më së shumti edhe politikës aktuale, batuta “ishim mirë kur ishim keq” zë fort vend në situatën që po kalojnë klubet që administrohen nga bashkitë e majta. “Kur ka probleme Tirana, as mos na pyet fare ne”, – tregojnë bashkiakët jugorë. Alibitë janë nga më të ndryshmet, por ky futbolli i bashkive, në vend që të vendosë nderin dhe të kthejë krenarinë në klubet me traditë, po shkatërron gjithnjë e më tepër atë argëtim, që në shumicën e qyteteve është i vetmi. Ndoshta privatizimi mund t’i shpëtojë këto klube. Megjithatë, në kushtet kur mungon vullneti dhe kryetarët e bashkive duan të përdorin turpshëm klubin për interesa personale, ngërçi do të prekë çdo ekip. Respekte djalit gjirokastrit per kete koment shume domethenes.Kujtojme qe Jorgisi punon ne te perditshmen sportive Panorama Sport dhe gjithmone ka qene i angazhuar ne zhvillimet e ekipit tone brenda apo jashte fushe.
Posted on: Fri, 04 Oct 2013 11:45:48 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015