Ilir Meta zgjidhet kryetari i ri i Parlamentit me 91 vota pro. - TopicsExpress



          

Ilir Meta zgjidhet kryetari i ri i Parlamentit me 91 vota pro. Betohen deputetët TIRANE- Përveç mbështetjes së mazhorancës, kryetarit të LSI-së Ilir Meta iu besua drejtimi i Kuvendit të Shqipërisë edhe nga 8 deputetë të opozitës. Në votimin e fshehtë që u zhvillua në Kuvend, kandidatura e Metës mori 91 vota pro, 45 kundër dhe 1 abstenim. Ajo që ra në sy në listën e deputetëve që propozuan kandidaturën e Metës për këtë post ishte fakti se kjo listë kryesohej nga kryeministri i sapodekretuar Edi Rama. Në fillim të seancës së Kuvendit, komisioni i verifikimit të mandateve bëri të ditur se nuk konstatoi asnjë pavlefshmëri gjatë verifikimit të mandateve të 140 deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Pas leximit të konkluzioneve të raportit nga Armando Subashi, deputetët bënë betimin njëri pas tjetrit. Sipas rregullores parlamentare, drejtuesi i seancës, Namik Dokle, lexoi tekstin e betimit dhe secili nga ligjvënësit u ngrit në këmbë duke thënë "Betohem". META THËRRET SEANCËN E RADHËS: NESËR VIJOJMË PUNIMET E PARLAMENTIT Në fund të fjalimit si kryetari i ri i Parlamentit, Ilir Meta thirri Parlamentin të vijojë seancën e radhues ditën e mërkurë me qëllim caktimin e rendit të ditës. “Të mblidhet nesër një seancë e re parlamentare ora 11:00 dhe paraprakisht mbledhje kryetarët e grupeve parlamentarë për të vijuar procedurën sesi do të vijohet me punimet e parlamentit sepse kemi bërë pushime më shumë se nevojiteshin dhe kjo jo për fajin tonë”. REAGIMET E OPOZITES PAS VOTIMIT PER METEN PALOKA: NUMRAT NUK NDRYSHOJNË ASGJË, MOS PRISNI TË BËJ HETUESIN Në përfundim të votimit për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, kreu i komanduar i grupit të PD-së, Edi Paloka theksoi se grupi demokrat kishte marrë vendim për të votuar kundër Metës. “Kush e përcaktoi se janë deputetët tanë. Ju garantoj që nuk është kaq e rëndësishme sa mendoni ju. Opozita jonë do të jetë tjetër gjë, jo problem numrash. Numrat edhe sikur të ishit 8 apo 18 nuk ndryshojnë gjë. Ka qenë vendim i grupit për të votuar kundër. Ju prisni që unë të bëj hetuesin, nuhatësin. As nuk e dëgjova rezultatin sme interesonte, tani po e marr vesh nga ju.”- deklaroi Paloka. Ndoka: “Se kam idenë kush votoi pro nga opozita, është votë e fshehtë. Unë për vete kam votuar kundër zgjedhjes së zotit Meta”. Bregu: “Nuk kisha dyshim që zoti Meta do të zgjidhej me një mazhorancë të madhe. ILIR META ZGJIDHET KRYETAR I PARLAMENTIT ME VOTA Ora: 12:45 - Kreu i LSI, Ilir Meta zgjidhet kryetar i parlamentit me 91 vota pro, 45 kundër dhe 1 abstenim. 137 deputetë morën pjesë në votim. Lista e deputetëve që kishin firmosur kandidaturën e Metës kryesohej nga Edi Rama. Meta fjalim: Të lemë pas konfliktet, do vendosim një sjelle të re politike Në fjalën e parë si kryetar i Parlamentit, Ilir Meta porositi ligjvënësit të tregohen të matur për cdo ligj që do të votojnë dhe për cdo sjellje politike sepse sic theksoi ai, populli pret reforma që do të integrojnë vendin dhe jo konflikte. “Ky kuvend duhet të përfaqësojë atë që duhet të jetë pritshmëria e shqiptarëve por dhe praktika më e mirë e europianëve, tolerancën dhe bashkëpunimin, respektin për ligjin e parimet demokratike. Shqiptarët kërkojnë nga ne reforma të thella dhe të qëndrueshme që na integrojnë më shpejt me Europën, reforma që u sjellin më shumë vende pune, që u bëjnë jetën e begatë fëmijëve dhe të ardhmes. Ndaj ftesa ime është pikërisht lënia pas e frymës konfliktuale, jemi për të bërë më të mirën, për popullin tonë, na duhet të japim llogari cdo ditë se çfarë ligje duhet të miratojmë për të bërë jetën më të mirë e më të bukur”. Sipas Metës, sfidat që i shtrohen para politikës shqiptare janë shumë dhe duhen përballuar me qëllim fitimin e besimit të popullit. “Ky kuvend do të japë më shumë alternativa dhe më shumë zgjidhje. Papunësia dhe varfëria janë sfida tona të përbashkëta, matësi më i mirë i kontributit tonë është sa vende të reja janë hapur sot dhe sa e kaluan pragun e varfërisë sot, vetëm kështu do vendosim besimi tek populli. Ne duhet të ecim drejt modelit më të mirë ekonomik tek rritja e prodhimit vendas dhe menaxhimit të burimeve njerëzore që nuk na mungojnë. Të vendosim një standard të ri të sjelljes politike ku të debatohet mbi një sjellje të re politike”. Meta ftoi pozitën dhe opozitën të bashkëpunojnë që të faktojnë një politikë të qëndrueshme të vendit. “Uroj për një punë të përbashkët pozitë-opozitë. Ky kuvend do kontribuojë për një politikë të qëndrueshme. Sfidat që janë para janë të mëdha dhe të përbashkëta. Le të reflektojmë dhe ne në këtë kuvend që ta meritojmë plotësisht besimin e atyre që na votuan”. PERFUNDON VOTIMI, NIS NUMERIMI I VOTAVE Ora 12:35 - Ka zgjatur rreth gjysmë ore votimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit. 137 deputetë votuan në mënyrë të fshehtë, pro ose kundër kandidaturës së Ilir Metës. Komisioni i votimit, i përbërë nga 5 anëtarë, ka nisur menjëherë procesin e numërimit të votave. VOTOHET PER KRYETARIN E RI TE PARLAMENTIT Ora 12:00 – Deputetët po votojnë në mënyrë të fshehtë, pro ose kundër zgjedhjes së Ilir Metës si kryetar i ri i Parlamentit të Shqipërisë. Meta garon i vetëm për postin e kryetarit të Kuvendit. KUVENDI NIS PROCEDURAT PER ZGJEDHJEN E KRYETARIT TE RI Ora 11:45 - Pas betimit të deputetëve, Kuvendi nisi pikën tjetër të rendit të ditës, atë të zgjedhjes së kryetarit të legjislativit. Si anëtarë të komisionit të votimit, kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruci propozoi deputetët Spartak Braho dhe Ermonela Felaj. Në emër të LSI-së, Petrit Vasili propozoi Luan Ramën, ndërkohë që Edi Paloka në emër të grupit të PD-së propozoi deputetët Igli Cara dhe Keltis Kruja. Kryesuesi i seancës Namik Dokle lexoi propozimin për emërimin e Metës në krye të Kuvendit. Lista e deputetëve që kishin firmosur kandidaturën e Metës kryesohej nga Edi Rama. Deputetet ne seancen e dyte lexojne BalkanWeb KOMISIONI I VERIFIKIMIT TË MANDATEVE: NUK U GJETËN RASTE PAVLEFSHMËRIE Ora 11:30 - Komisioni i verifikimit të mandateve nuk konstatoi asnjë pavlefshmëri gjatë verifikimit të mandateve të140 deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Armando Subashi lexoi konkluzionet e komisionit, duke nënvizuar vetëm rastin e Vasil Bicajt, i cili ka deklaruar se refuzon të bëjë betimin duke hequr dorë nga mandati i deputetit. “Në lidhje me këtë rast, i takon kryesuesit të seancës të veprojë në bazë të rregullores së Kuvendit.”- tha Subashi. “KQZ ka marrë vendimin përfundimtar për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve i cili përfshin nurin e votave dhe mandateve. Sipas këtij vendimi mandatet janë ndarë: ASHE 83 mandate, PS 65, LSI 16, PBDNJ 1, PKD 1 mandat. APMI 57 mandate, PD 50, PR 3, PDIU 4 mandate. Mandatet e 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë janë të vlefshme.”- thuhet në konkluzionet e komisionit. Vendin e Vasil Bicajt pritet ta zërë kandidati pasardhës në listën e PD-së për Lezhën, Mhill Fufi. SOT BETOHEN DEPUTETET Ora 08:00 - Dje Kuvendi celi punimet e seancës së parë të legjislativit të dalë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit. Seanca i mbylli punimet në orën 18:22, duke zgjatur kësisoj vetëm 12 minuta. Kryeministri në detyrë, Sali Berisha dhe pasardhësi i tij, Edi Rama shmangën qoftë edhe një shtrëngim duarsh ndërkohë që nuk munguan përshëndetjet e kortezisë mes deputetëve të të dyja krahëve. Sikundër ishte bërë e ditur, punimet e Parlamentit të ri i çeli, Namik Dokle, që në bazë të rregullores është deputeti i dytë më i vjetër në moshë pas Berishës që më herët bëri publik vendimin e tij për të refuzuar hapjen e seancës. Në fjalën e tij, Dokle nuk harroi të vinte në dukje nisjen e seancës pa bojkot nga palët, teksa u bëri apel grupeve parlamentare për bashkëpunim dhe mirëkuptim në respekt të votës së popullit. Kuvendi më pas miratoi ngritjen e Komisionit të Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve të 140 deputetëve të rinj. Kjo procedurë, sipas rregullores parlamentare, i hap rrugën zgjedhjes së organeve drejtuese të Kuvendit. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë: 4 nga Partia Socialiste (Armando Subashi, Ermonela Felaj, Besnik Bare dhe Vexhi Muçmata); 1 nga Lëvizja Socialiste për Integrim (Vangjel Tavo) dhe 4 nga Partia Demokratike e opozitës (Voltana Ademi, Oerd Bylkbashi, Arben Ristani dhe Gerti Bogdani). Gjatë kësaj seance u zgjodh edhe Sekretaria e Përkohshme e Kuvendit, me anëtarë 3 deputetët më të rinj të Kuvendit, (Ylli Shehu, Olta Xhaçka dhe Klajda Gjosha).
Posted on: Tue, 10 Sep 2013 11:58:12 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015