Ing. Bajram NEZA Një nga personalitetet emblematike të - TopicsExpress



          

Ing. Bajram NEZA Një nga personalitetet emblematike të Tropojës ALI MUS LUSHAJ, FISTAR E MIK Në fillim duhet të them se Ali Lushajn nuk e kam njohur në vitet e fëmijërisë, për arsye se ai u lind në vitin 1926 në Gegaj të Shipshanit, gjashtë vjet para meje; pra, ai mbaroi shkollën fillore para se unë të filloja shkollën. Gjithashtu, shtëpitë i kishim larg njëra-tjetrës; unë në Bucin të Buçajve të Shipshanit dhe ai në Lushaj të Gegajve të Shipshanit, rreth një orë më këmbë. Mbas çlirimit të vendit, domethënë mbas vitit 1945, ai u kthye në Malësinë e Gjakovës, ku mbas çlirimit të Tropojës shkoi partizan në Brigadën III S, e cila luftoi për çlirimin e Kosovës nga nazifashistët e në vazhdim deri në Bosnjë-Hercegovinë. Kur ajo brigadë i kreu misionet e veta luftarake, u kthye në Shqipëri. Aliu dhe shumë luftëtarë të tjerë partizanë u liruan nga Ushtria Nacionalçlirimtare dhe shkuan, në përgjithësi, në rrethet e tyre. Kur Aliu punoi në Tropojë, unë isha nxënës, më vonë student e më pas me punë në rrethe të tjera, pra nuk u njoha fizikisht me atë njeri të mirë, por fjalë të mira kisha dëgjuar për Aliun nga të tjerë e sidomos nga vëllau im Muhameti, i cili e njihte qysh në moshë të vogël e sidomos nga koha kur filloi punën si drejtor në Bankën e Shtetit në Tropojë e më vonë drejtor i Kooperativës së Artizanatit në Bajram Curri. Por, si thashë pak më sipër, unë e kisha njohur si emër, por asnjëherë nuk e kisha takuar e as folë me të në asnjë rast. Po kur dhe si u njoha me Ali Lushajn? Unë, me mbarimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës në vitin 1959, u caktova kryeinxhinier në SMT-në e Kukësit, ndërmarrje e cila vepronte në rrethin e Kukësit e të Tropojës. Na takonte shpesh të shkonim në Tropojë e në Has. Në janarin e vitit 1963 pati reshje të shumta dëbore, sidomos në veri të Shqipërisë, Kukës-Tropojë-Has e Pukë. Një ditë nga fundi i muajit janar u nisa për në Bajram Curr me shoferin e “Gazit-69”, Gac Kuqani, llogaritarin e parë të SMT-së, Mehmet Prushi, dhe përgjegjësin e ofiçinës të SMT-së, Zef Pjetri. Rruga ishte e vështirë e ndoshta pas hapjes me traktor të dëborës, ne ishim të parët që udhëtonim. Deri në Kam shkuam mirë. Kur kaluam Kamin, afër fshatit Leniq po vinte Një “Zis” me njerëz sipër. U gëzuam, sepse u bindëm që edhe rruga Kam-Bajram Curr ishte e kalueshme. Gaci tha: “Po e hap unë krahun se edhe po ngelëm në dëborë, “Gaz”-in e nxjerrim më lehtë dhe gjithë ata njerëz edhe peshë e ngrehin”. Të tre i thamë: “Drejt e ke mendue”. Dhe ai hapi rrugën duke u futur në dëborë. Kështu vepruam. Por, për habinë tonë, “Zisi” kaloi disa metra larg nesh, u ndal dhe, megjithëse shoferi ynë manovronte me e nxjerrë makinën, nuk po dilnim në rrugë. Zbritëm të gjithë nga makina dhe po e shtynim, por më kot. Shoferi ynë nxori një lopatë të hapte dëborën pas rrotave të makinës. Unë u drejtova nga “Zisi, por dëgjova një zë që u tha njerëzve (të gjithë ishin punëtorë të mirëmbajtjes së rrugës): “Asnjë të mos lëvizë nga makina”. Shoferi i “Zisit|, me sa më kujtohet, ishte Isuf Lamnica, i tha atij që foli: “Unë nuk lëviz me këtë makinë pa dalë në rrugë ai “Gazi”. Ai që na liroi rrugën, në bazë të rregullores nuk duhet të lëshonte rrugë, për ne ai ngeli në dëborë. Unë iu drejtova atij që dha “urdhër” të mos zbriste asnjë nga makina dhe i thashë: “Si mundesh me folë në këtë mënyrë, si mund t’i ndalosh njerëzit të mos me na ndihmue?” Në kohën që unë po flisja, nga makina zbriti një burrë me trup e moshë mesatare, veshur me xhup, me kapele në kokë e me këpucë e me qafa dhe iu drejtua të tjerëve që ishin mbi makinë: “Vetëm ai që nuk e quan veten shqiptar dhe tropojan nuk zbret nga makina!” Menjëherë janë hedhë njerëzit nga makina, me përjashtim të dy pleqve dhe erdhën te makina jonë bashkë me personin që bëri thirrje të zbrisnin e, pa shkuar as pesë minuta, e nxorën makinën tonë në rrugë. Personi që dha urdhër e që nuk iu zbatua, më tha: “Kush je ti?” Me qetësi, iu përgjigja: “Bajram Neza, bir i Tropojës dhe inxhinier i SMT-së Kukës”. “Na fal se gabuam, - më tha ai dhe shtoi: - Do vijmë ndonjë ditë në Kukës e të sqarojmë pse e bëmë këtë veprim të keq”. Diku në kujtimet e mia e kam shënuar kush ishin këta dy përgjegjësit e mirëmbajtjes së rrugëve dhe pse e bënë këtë veprim. Pasi doli makina nga dëbora dhe punëtorët po hipnin në makinën e tyre, ai që u tha punëtorëve të zbrisnin nga makina u ndal, më dha dorën dhe u përshëndetëm. Ngela i befasuar që atë njeri nuk e njoha më parë. Ai ishte Ali Lushaj, që më vonë do ta kishim fatin të dy të punonim bashkë për një kohë të gjatë dhe nuk i shkëputëm lidhjet ai pas daljes në pension dhe unë pas vajtjes në SHBA. Qëllon ndonjëherë që njeriu e tregon veten, karakterin e tij, cilësitë e tij pozitive apo negative dhe me një veprim, ndoshta edhe në një kohë shumë të shkurtër. Të them të vërtetën, që nga ajo ditë unë kam krijuar përshtypjet më të mira për Ali Lushajn, e pse të mos them, edhe për Isuf Lamnicën. Për fat të mirë nuk jam gabuar për asnjërin. Të dy i njoha mirë, por në mënyrë të veçantë Aliun. Pasi u transferova në Tropojë, në fillim Aliun e njoha si drejtor ndërmarrjeje. Duke pasur marrëdhënie të mira, një ditë më tha: “Kam nevojë me marrë një sasi alkooli në Kombinatin e sheqerit në Maliq të Korçës, por edhe disa gjëra të tjera brenda në Korçë, por makina jonë nuk është në gjendje të mirë teknike. Po të keni mundësi me na ndihmue me makinën tuaj”. “Po bisedoj me Rrustemin e të njoftoj, se edhe unë kam nevojë të shkoj në Korçë me marrë disa gjëra atje”, - i thashë. Rrustemi ishte drejtor i SMT-së. Pas dy ditësh i thashë Aliut: “A po nisemi për Korçë? Materialet e ndërmarrjes tuaj nuk t’i marr po s’erdhe edhe ti me mua. Por kam frikë se alkoolin do na pijë rrugës Avdyl Paci, shoferi jonë. Qeshi Aliu dhe tha: “Nesër po nisemi për Korçë”. Të nesërmen shkuam në Korçë. Gjithçka u kërkuam ndërmarrjeve të Korçës na i dhanë e ngarkuam së fundi alkoolin në fabrikën e sheqerit në Maliq; pijmë nga një tek alkool 95 gradësh me kryeinxhinierin e fabrikës e u nisëm për Elbasan. Në Elbasan mbërritëm vonë dhe nuk gjetëm hotel për të fjetë. Ishim lodhë e këputë për gjumë. Të udhëtonim, kishim frikëse po na e zinte gjumi shoferin e do rrëzoheshim.”Po shkojmë e flejmë te motra ime, - tha Aliu. Kështu vepruam. Shkuam në orën 12 të natës. Na hapi derën ajo plakë e mrekullueshme, Razë Dedushaj, dhe u gëzua shumë kur e pa të vëllanë. Duke qeshë, Aliu i tha: “Edhe Bajramin e kemi vëlla se është nga Shipshani”. E motra i tha Aliu: “Edhe për këtë po gëzohem si për ty e besoj se edhe ju do të kënaqeni, megjithëse pak shtrënguem jemi, por rroba fjetjeje kam boll”.” Mua më shtro më mirë, - i tha Avdyli, - se këta të dy rrinë e bëjnë muhabet gjithë natën, kurse unë duhet të jem ‘i ngopur’ me gjumë, që të mbërrijmë shëndosh në Bajram Curri. Qeshëm të gjithë bashkë dhe u shtrimë për të fjetur atë natë të vonë. Gjatë rrugës Aliu më tha: “Bajram, ju po bani punë shumë të mirë për bazën mekanike: montuat vinçin-urë në ofiçinë, repartin e saldimit me oksigjen. Kovaçhanën më tha Tafa, kovaçi juaj, e kemi mekanizue dhe së shpejti do vendosim edhe çekiç pneumatik. Kurse ne jemi shumë larg mekanizimeve në ndërmarrjen tonë”. “Ali, - thashë, - faktori kryesor është që të përgatiten njerëzit, sepse makineria sigurohet. Ne kemi marrë në punë vajza e djem që kanë mbarue Politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë, shkollën e mekanikës bujqësore në Durrës e tjerë. Sot do shkojmë në SMT-në e Shkodrës të bisedoj të na dërgojnë një mekanik për t’u specializuar për banko-provat e pompave të naftës dhe banko-provat elektrike për dinamo motorino të traktorëve dhe për makinat. Paralel me këtë, do të sigurojmë banko-provat”. “Bajram, - tha Aliu, - ne po përpiqemi që reparin e përpunimit të drurit, trikove, këpucarisë etj. t’i specializojmë sa më mirë, por për kovaçhanën dhe disa reparte duhet të na ndihmoni edhe juve. Po përpiqemi të përgatisim punëtorë sa më të kualifikuar. Do shohim nëse kemi nxënës në shkollën teknologjike apo teknike në Tiranë, që t’i marrim në punë sapo të mbarojnë shkollën”. Ai ishte shumë i preokupuar që ndërmarrja që ai drejtonte t’i kryente sa më mirë detyrat dhe të specializoheshin reparte të veçanta, që t’i shërbenin sa më mirë popullit e rrethit. Në të vërtetë, pjesët e drurit të makinave shirëse gjithnjë i riparonin dhe i prodhonin në ndërmarrjen e artizanatit në Bajram Curr, ku Aliu ishte drejtor. I shënova këto gjëra për të treguar se Aliu ishte njeri që mendonte edhe për zhvillimin në perspektivë të sektorëve që ai drejtonte dhe këtë e reflektoi edhe kur ai punoi në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit si shef në seksione të ndryshme si në atë të ndërtimit, të punës, etj. Më vonë, Aliu shkoi kryetar i kooperativës bujqësore në Dragobi, që kishte edhe fshatrat Çerem, Valbonë e Rrogam. Atje ai punoi shumë mirë dhe u përpoq, bashkë me shokët e tjerë të administratës dhe gjithë fshatarët t’i realizonin sa më mirë detyrat me gjithë vështirësitë, që ishin të shumta. Në mënyrë të veçantë, ai krijoi marrëdhënie shumë të mira me njerëzit. Nuk pati asnjë rast që ndonjëri nga kooperativistët të ankohej për sjelljet e tij e qëndrimin e tij, përkundrazi, gëzonte respektin e të gjithëve. Edhe mbas largimit të tij nga ajo zonë, njerëzit flisnin me konsideratë për të. Ai, edhe kur ishte në punë në Komitetin Ekzekutiv, kur njerëzit në atë zonë kishin ndonjë fatkeqësi, ai shkonte në ato familje; edhe kur kishin ndonjë gëzim, atë e ftonin me shumë dashamirësi. Më nga afër u njoha me cilësitë e Aliut kur nga Këshilli Popullor i Rrethit ai u caktua përgjegjës i seksionit të ndërtim-komunikacionit dhe më vonë në seksionin e punës. Ai ishte njeri punëtor, i palodhur, i komunikueshëm me vartësit e tij dhe i dashur me të gjithë punonjësit e aparatit të Komitetit Ekzekutiv. Seksioni i tij bashkërendonte punën edhe me zyrën e urbanistikës. Më kujtohet kur ajo zyrë përfundoi caktimin e “vijave të verdha” për ndërtimet në qytet dhe fshatarët e rrethit më erdhën në zyrë bashkë me inxhinier Demush Malajn dhe u shprehën: “Mendojmë se u bë një punë e mirë, por ne duhet të punojmë që të zbatohen ligjet për ndërtimet. Nga ana tjetër, mendojmë se ka një vendim qeverie që nuk lejohet te jepen kredi për ndërtime shtëpish, por ai vendim nuk lejon të bëhen meremetime në ndërtesat jashtë “vijave të verdha” e kjo jo vetëm sjell probleme, por sjell edhe pakënaqësi në njerëzit”. Isha njohur me atë vendim dhe e kuptova sa i drejtë ishte shqetësimi i tyre. u thashë: “Keni të drejtë, por bëni një projekt-vendim, duke e shoqëruar me një relacion të hollësishëm, që të binte Këshilli i Ministrave për miratimin e tij. unë do bisedoj me zëvendëskryeministrin për këtë çështje. Pas bisedës me drejtuesit e Qeverisë, na u tha të dërgojmë projekt-vendimin. E dërguam në qeveri atë projekt-vendim dhe, në realitet, u miratua ashtu siç e dërguam ne. Por ishin dhjetëra mendime shumë të drejta që jepte Aliu me shokë, në përpjekje që shumë rrethe të kishin zhvillim sa më të mirë. Mbasi u mendua që në seksionin e ndërtimit të vendosej një specialist me arsim të lartë, Aliu u vendos përgjegjës i seksionit të punës. Ishte shtuar numri i punonjësve dhe i ndërmarrjeve ekonomike. Kështu, ai u caktua në një punë delikate e me mjaft përgjegjësi. Njeriu duhet të ishte i përgatitur dhe shumë i drejtë. Aliu, në tërësi, me gjithë vështirësitë e krijuara, i plotësoi detyrat shumë mirë. Aliu kishte një shpirt human dhe i vendosur që, sa të jetë e mundur të zgjidhte kërkesat e ndërmarrjeve ekonomike, por edhe të njerëzve. Më kujtohet një rast: U bë një amnisti për lirim nga burgu i shumë të burgosurve. U thirrëm në Këshillin e Ministrave dhe na u tha, në mënyrë kategorike se: “Të gjithë të liruarit nga burgjet duhet të vendosen në punë në profesionet e tyre brenda 15 ditësh. Ndërmarrjet ekonomike të zbatojnë urdhrat e komiteteve ekzekutive. Po nuk patën fond pagash, do u plotësohet nga Qeveria”. Edhe nga rrethi ynë u liruan disa. Ua shpjegova drejtuesve të ndërmarrjeve dhe punonjësve të aparatit. Alisë i thashë të merrej seriozisht me këtë problem dhe të mos toleronin asnjë neglizhencë me drejtuesit e ndërmarrjeve. Mbas dy ditësh Aliu vjen në zyrë dhe më thotë: “I vendosëm të gjithë ish të burgosurit në punë. Ishin disa që nuk kanë qenë në punë shteti, por ne i dërguam në ndërmarrje. Të them të vërtetën, menduam se në kooperativë vlera e ditës së punës është e ulët; ata kanë heqë dënimin. Të paktën t’i ndihmojmë aq sa mundmi”. E pashë me vërejtje, por edhe me respekt e dashamirësi dhe i thashë: “Mirë keni veprue. a patët kundërshtim nga ndërmarrjet?” “Jo, - më tha, - pa asnjë hezitim i morën në punë”. E ndjeva veten të kënaqur, por edhe m’u shtua respekti për ata shokë që u morën me ata njerëz e në veçanti për Ali Lushajn. Aliu nuk ishte karrierist, as servil apo hipokrit. Ishte i drejtë me aq sa dinte, por edhe këmbëngulës në mendimet e veta kur gjykonte se kishte të drejtë, apo cilido që i shtronte ndonjë kërkesë, kur kishte të drejtë këmbëngulte që t’i plotësohej kërkesa e tij. ishte i guximshëm në shprehjen e mendimeve të veta edhe nëse ishte përballë eprorëve të tij. kishte forcë argumentuese në formimin e shprehjeve të thjeshta, si në organizatën bazë të aparatit të Komitetit Ekzekutiv të cilën e drejtoi për disa kohë, po ashtu edhe në forumet drejtuese të rrethit. Ishte punëtor i palodhur dhe asnjëherë nuk tentoi të reklamonte punën e tij. Përpiqej të ndihmonte njerëzit që kishin nevojë ose shqetësime për probleme të ndryshme në jetën e përditshme. Një ditë po pinim kafe bashkë me Alinë, Sherif Mehmetin dhe Mehmet Ramën dhe Alia më pyeti: “Shoku Bajram, a e keni njohur, apo dini për veprimtarinë e Sadri Din Lushaj?” “E kam dëgjuar si emër, por nuk di për veprimtarinë e tij”. Më pas vazhdoi: “Në Gegaj njerëzit e tij të afërt i trajtojnë si familje armiku, kurse unë mendoj se duhet gjykuar ndryshe”. Siç e kishte zakon, Mehmet Rama dëgjoi me kujdes bisedën tonë dhe ndërhyri: “Unë di shumë gjëra për atë njeri. Ai ka qenë pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare dhe, me sa kam dëgjuar nga bashkëpunëtorë të tij, edhe antizogist. I kemi disa gjëra që duhen sqaruar, sepse janë bërë edhe gabime, ndoshta nga padija e, në ndonjë rast, edhe me qëllim, janë krijuar pakënaqësi”. Mbas kësaj ndërhyrjeje, iu drejtova Alisë: “Ti bashkë me Sherifin përpiquni të sqaroni veprimtarinë e tij dhe si ka përfundue. Mehmeti, përveç sa tha, mund t’ju sqarojë më gjerë dhe mund të njohë edhe njerëz që kanë punue me të. Po t’ju lindë nevoja për dokumente arkivore të Ministrisë së Punëve të brendshme, ndërhyjmë nga Rrethi”. Më në fund foli edhe Sherifi: “Jam i mendimin që për këtë rast të shohim edhe ndonjë tjetër. për sa i përket Sadri Din Lushajt, di edhe unë mjaft gjëra. Njoh edhe njerëz që kanë punue me të si Abedin Çiçin e tjerë”. “Ali, - i thashë, - merruni me këtë problem ti dhe Sherifi e ndoshta edhe të tjera; aktivizoni edhe shokë të tjerë. Sigurisht, ndihma e Mehmet Ramës, Isuf Sadikut, Elez Isuf Çujit, Selim Matoshit etj. duhet të jetë e pakursyer, etj”. Duke qeshur, Sherifi tha: “Shoku Bajram, një kusht do e vejmë: Në relacionin që do bëjmë, Alia të shkruajë Ali Musa e jo Ali Lushaj”. Qeshëm të gjithë së bashku dhe u shpërndamë. Me seriozitet punuan këta shokë dhe rezultoi që Sadri Din Lushaj me veprimtarinë e tij ishte njeri i respektuar dhe i nderuar, jo vetëm për familjen e fshatin e tij, por edhe më tej. Në përfundim them se në gjithë veprimtarinë e Ali Lushajt dominon pozitivja. Ai la si trashëgimtarë djem e vajza që po e justifikojnë emrin e babait të tyre. Mes tjerash, ai na la edhe një libër “Shipshani i Malësisë së Gjakovës”, që jo vetëm për ne që jemi bij të atij katundi, por për ço malësor të Malësisë së Gjakovës është një vepër e vyer. Në përfundim duhet të them që për Ali Mus Lushajn mund të shkruaja një libër, por në përfundim duhet të them se ai ishte një njeri i qetë, i thellë në mendime, punëtor i palodhur, fistar, i lirë dhe i komunikueshëm me gjithë njerëzit dhe në vazhdimësi është i njëjti njeri në të gjitha funksionet dhe përgjegjësitë që pati, i vendosur të punojë në të mirën e zhvillimit dhe përparimit të rrethit të Tropojës, trevë në të cilin lindi dhe u rrit ky burrë i Shipshanit. New York, 10 korrik 2013
Posted on: Sun, 08 Sep 2013 06:59:01 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015