Interviste, me 7.3.2013 TV-Shkodra - TopicsExpress



          

Interviste, me 7.3.2013 TV-Shkodra Neki Lezha-modeli i intelektualit që na mungon..., ndryshe kur pesha e viteve nuk zbeh dot peshën e mungesës... (Në nderim të 80-Vjetorit të Lindjes së Profesor Neki Lezhës) 7 Marsi-Dita e Mësuesit, këtë vit, vjen krejt i veçantë në universitetin”Luigj Gurakuqi”të Shkodrës, krahas kremtimit të një prej ditëve më të shquara të arsimit shqip, pikërsiht në këtë ditë profesorati i tij do të kujtojë edhe 80-vjetorin e lindjes së ish-kolegut të tyre, ish-pedagogut, hulumtuesit dhe intelektualit të shquar Dr.Neki Lezhës. Spiralja e suksesit, sidomos për fakultetin e filologjisë, të cilit, këtë vit akademik, iu dha statusi i plotë akademik duke iu njohur, tashmë, e drejta e doktoraturës, pazgjidhshmërisht lidhet me investimin e pandërprerë të Profesor Neki Lezhës, njërit prej personaliteteve më të kompletuara të këtij universiteti, si ish-pedagog, si hulumtues serioz, si studiues i palodhur dhe si një drejtues bashkëkohor i katedrës së letërsisë nga viti 1965-1993.Tri vjet më pas sëmundja e mallkuar e kancerit, do ta ndante fizikisht nga jeta. Neki Lezha lindi në qytetin e Shkodrës, më 7 mars 1933.Babai i tij, Met Lezha tregtar shkodran, me bashkëshorten, Sytkie Thaçin, vajzë nga Gjakova, patën të vetmin djalë, Nekiun i cili pas vdekjes së të jatit, në1935-ën, do të vendoset në Tiranë, tek dajat e tij, prindërit e Sytkies. Pushtimi fashist i vendit për Nekiun 6-vjeçar hap siparin e kalvarit të dhimbshëm të fëmijës jetim. Fillimisht vendoset në Strehën Vorfnore (streha që do të frymëzonte “Lulëkuqet mbi mure” me regji të Dh.Anagnostit dhe skenar të P.Qafëzezit) dhe më pas në konvikt. Përballë këtij fati të vështirë Nekiu i ri do të shpaloste intuitën e njeriut me karakter të fortë: Vendosi ta mirrte jetën ashtu siç do t’i vinte. Drama e nënës së tij, 21-vjeçare, që “detyrohet” t’i drejtohet përsëdyti fatit të saj bashkëshortor sikur e burrnon Nekiun e vogël, parakohe, duke e orientuar drejt lidhjeve të forta shpirtërore dhe respektit ndaj familjes së re, çka do të sillte një marrëdhënie të shkëlqyer në gjirin e saj: sa në emër të nënës që e deshi aq fort, sa në emër të jetës të cilën ai e çmonte aq shumë: ”Jetojmë shumë pak, gjykonte Prof.Nekiu, prandaj duajeni jetën , sepse është shumë e shkurtër për ta kaluar keq”. Në një moshë fare të re ai sikur do të “denoncoj” vetveten, Nekiun e së nesërmes, i cili tek dashuria do të lexonte atë energji të brendshme të qenies së lirë, që ushqen forcën morale si laitmotivi i jetës. Ndryshe, si njeri i lirë, do të arrinte që të sfidonte mbi rëndesën negative të komplekseve tek vetvetja për të fituar mbi trysninë e komplekseve të atyre që kishte pranë. Si mbaron shkollën e mesme pedagogjike”Shejnaze Juka”në Shkodër, në shtator 1954 vazhdon Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë, ku do të ketë shokë të tillë të ditës dhe kolegë të së ardhmes si Prof.Bahri Becin, një vit më pas Prof.Dr.Tomorr Osmanin, krahas shumë studentëve të huaj: kinezë, rusë, gjermanë, rumunë dhe bullgarë. ”Shumë simpatik, i këndshëm, me një humor të jashtëzakonshëm arriti të krijojë miqësi edhe me pedagogët e tij, Profesorët: Zija Xholi, Bujar Hoxha etj.etj.ndaj të cilëve humorizonte me nofkat: “Ky është Trocki, ai është Buharini, tjetrit Kamenievi apo Zinovievi (emra të liberalëve rusë, të dënuar asokohe nga diktatura staliniane në ish-Bashkimin Sovjetik) kur ne të tjerët, bashkëstudentë, për hir të së vërtetës, kishim frikë t’i dëgjonim të tilla nofka, pa le t’i artikulonim”,- kujton Prof.Dr.Tomorr Osmani, përgjegjës i sektorit të albanologjisë në USH. Me të përfunduar studimet e larta në Tiranë, Nekiu punon gjatë një viti në Pallatin e Pionierëve në Tiranë. Në vitin shkollor 1957-1958 kemi djaloshin Lezha më të rritur e më të burrëruar, ka filluar punën, si mësues i shkollës së 2 mesme pedagogjike në Shkodër, periudhë që do të ndjehet shumë i lumtur në shpirtin e tij prej njeriu me bonsens të rrallë, të lindur, falë edhe një marrëdhënieje të shkëlqyer prej vëllai me motrën e tij nga baba, Sadeten, si edhe me Nuhin, bashkëshortin e saj. Shquhet si mësimdhënës i pasionuar, model i mësuesit që kishte bërë si metodë pune të vetën shpirtin novator, nga pikëpamja e ambicieve profesionale bashkëkohore, në procesin mësimor-edukativ sikur edhe përmes një komunikimi të hapur, konstruktiv me nxënësit dhe kolegët, qoftë si mësimdhënës, qoftë edhe si zv.drejtor i gjimnazit ”Jordan Misja”aq sa drejtori i shkollës Adem Bala, njëri nga drejtuesit më të nderuar të arsimit në Shkodër, do t’i sugjeronte shoqen e jetës, Lalin, mësuese gjuhë- letërsie, nga një rreth familjar, shkodran, i shquar në sektorin e arsimit, kulturës dhe dijes. ”E veçanta e tij, edhe pse, siç dihet, jetonim në kohën e një mendimi të cunguar, ishte liberalizmi: Fillimisht të pohonte, pastaj të kundërshtonte, nëse s’bindej në atë që diskutohej mes nesh. E dyta, me të dialogoje, dialogoje si me një intelektual. Shumë gjëra ai i anashkalonte me humor, falë ndjenjës së hollë të ironisë dhe sarkazmës, megjithatë Nekiu ishte njeri i butë.Marrëdhëniet e tij me nxënësit dhe studentët ishin të pashembullta duke mbajtur lart figurën e mësuesit apo të pedagogut.Shokët e tij zunë poste në parti, apo në pushtet, por Nekiu jo, sepse nuk e njihte konformizmin.Si kritik letrar investoi shumë për shkrimtarët shkodranë duke filluar nga unë, F.Kraja, P.Selimi etj. Nekiu është nga ata njerëz që ka lënë një vend bosh”, - shprehet njëri nga miqtë e tij, shkrimtari Skënder Drini, kryetar i LSHA, dega Shkodër. Sjellja shumë e hijshme e fëmijëve të tij si mjeku alergolog, Egir Lezha, vajza e tij, Anela, mësuese gjuhë-letërsie, sot qytetare belge në Bruksel deri tek Suela, bashkëshortja e Girit, siç i thërrasim në Shkodër, drejtoresha e shkollës 9-vjeçare, jopublike,”ABC Neki Lezha”, me shokët dhe miqtë e Prof.Nekiut, flasin për një marrëdhënie të shkëlqyer prind-fëmijë në gjirin e familjes së nderuar Lezha. Mesazh model për familjen bashkëkohore shqiptare, në një krizë tejet të dhimbshme aq sa, sot, po kthehet në modë braktisja e prindërve. Shembulli i shkëlqyer i prindit në familje pasqyrohet patjetër në shkallën e sjelljes civile të fëmijëve të tij, sikurse mungesa e smirës, ndjenja e sodisfaksionit për suksesin e shokut apo të kolegut, të qenit i hapur, çiltërsia me të gjithë duke kërkuar kurdoherë mirëkuptimin tek secili, dëshmonin rezultaten fisnike të sjelljes së tij. Në biseda të lira, me njerëzit e tij më të dashur, bashkëshorten, Lalin dhe dy fëmijët Egirin dhe Anelën, siҫ kujtojnë, me këtë rast, këta të fundit, ai shprehej: “Nga fati im, i hidhur, mos paҫ fatin e jetimit,- uron populli ynë, unë mund të bëhesha gjithҫka, pra edhe një njeri ordinier, i pa pikë personaliteti, por e desha shumë jetën, desha fort ju, prandaj në zgjedhjen time, kësaj radhe fati qe në krahun tim; u bëra dikushi, shprehej i lumtur Nekiu”. Nga viti akademik 1965-1966 Prof.Nekiu punon si pedagog i letërsisë në Institutin Pedagogjik 2-Vjeҫar Shkodër..Krahas veprimtarisë si pedagog, ai do të jetë i pranishëm me botimet e tij, të herëpashershme, në faqet e gazetës”Drita”, organ i LSHA të Shqipërisë apo te revista më e suksesshme letrare e kohës, siç vlerësohej aso kohe, revista“Nëntori” etj. Kështu ai arrin të afirmohet në fushën e studimeve, si kritik letrar, me botimet e titujve librorë si: ”Njohuri mbi teorinë e letërsisë dhe estetikën”(1973) për shkollat e mesme,”Hulumtime letrare”(1976) “Rreth letërsisë shqiptare të viteve “50-të” (1982)etj. krahas botimeve si bashkëautor tekstesh aq të suksesshme për shkollat e larta, çka do t’i sillnin edhe suksesin e tij, të merituar, titullin”Doktor i shkencave filologjike”... 3 Jo rastësisht departamenti i letërsisë, me drejtues të saj Prof.Nekiun ( nga viti akademik 1976-1978 deri në vitin 1992-1993), do të arrinte të bëhej ”njëri ndër departamentet më të njohura të letërsisë shqipe, në mbarë hapësirën shqiptare, krahas atij të Universitetit të Tiranës”, - shprehet pedagogu Hasan Leka, ish-drejtor i departamentit të letërsisë, kolegë për 35 vjet. Profesor Neki Lezha, si njeri, synonte në gjithçka të ishte vetvetja duke pranuar edhe sakrilegjin në emër të një jete me dinjitet. “Ai ishte vërtet njeri i ditur, i pasionuar pas punës me studentët, po aq edhe pas asaj kërkimore-shkencore brenda dhe jashtë katedrës që drejtonte; studiues që kurrë s’i pëlqeu “mbyllja” si stil sjelljeje me vetveten, as me të tjerët: kolegët apo studentët. “Mendimet e tij i drejtoheshin një auditori shumë më të gjërë për kohën, megjithë kufizimet e saj të njohura. Afirmimi i tij do të fitonte hapësira jo vetëm si pedagog, por edhe si drejtues i një katedre të tillë të letërsisë, ku jepnin mësim personalitete të mirënjohura në fushat e tyre sa pedagogjike, si mësimdhënës, sa studimore- shkencore si profesorë: Jup Kastrati, Vehbi Bala, Safet Hoxha, Selami Tabaku,Vili Kamsi, Kolë Ashta, Fadil Podgorica. etj. detyrë të cilën ai e përballoi me shumë seriozitet. Ai përgatitej seriozisht për mbledhjen e katedrës, ku kurdoherë , patjetër, do të shpaloste individualitetin e tij. Profesor Nekiu kishte një stil të vetin. Ai asnjëherë nuk pajtohej kollaj me gjërat e rëndomta: me klishetë, normat fikse, të cilat preferonte gjithnjë t’i sfidonte me batutat e tij brilante”, - thekson ish-kolegia e tij, mbi dy dekada, Prof.Dr. Fatbardha Hoxha(Fishta). Duke tentuar të sjellim gjurmë të pashlyera të ish-studentëve të tij, gjurmë që, me shumë dinjitet pranohet nga secili nesh se vazhdojnë të mungojnë në mjediset tona universitare, ku po rritet përditë numri i “profesorëve me shumicë”, duhet pohuar fakti se Prof.Nekiu, jo thjesht, punonte me talentet e reja, por ai i ndihmonte me gjithë shpirt ato, prandaj po jo rastësisht, në ditët tona, janë me dhjetra ish-studentë të tij, që aktualisht kanë arritur t’u imponohen “letrave shqipe” deri me dhjetra tituj librash, të botuar në gjini të ndryshme letrare, ku meriton të përmend, me respekt të veçantë, poetët e mirënjohur: Visar Zhitin, Petrit Rukën, Dodë Kaçajn, Skënder Rusin, Agim Spahiun, Skënder Buҫpapajn dhe Alfred Ҫapalikun, pa dashur të zgjatemi më tej me emra të tjerë krijuesish. Nekiu qe një rast unikal i komunikimit tejet njerëzor, mjeshtër i fjalës së goditur si vlerë sa reale, sa sureale.Doktori i shkencave filogjike, Neki Lezha shumë shpejt do të afirmohej si njëri ndër kritikët letrarë më seriozë në “letrat shqipe” dhe jo vetëm kaq, por edhe si njëri nga teoricienët e letërsisë. Libri i tij ”Bazat e teorisë së letërsisë”, me bashkëautor Profesor Palokë Krajën dhe shkrimtarin e mirënjohur Jakov Xoxe do të bëhej, për shumë vite akademike, libri bazë, fondament, antologjik i lëndës së teorisë së letërsisë në fakultetet filologjike, përfshirë edhe atë të Universitetit të Tiranës. Emri i tij do të ishte simboli i një pedagogu të shquar dhe intelektuali të nderuar dhe të pazëvendësueshëm në imazhin e ish-studentëve e ish-kolegëve të tij. Dekodifikimi gjithë pasion dhe profesionalizëm i tragjikëve të mëdhenj dhe përgjithësisht i letërsisë antike greko-romake, komenti i rrallë i veprave të gjenive të tillë evropianë filluar me Danten deri tek Shekspiri, Gëte etj. portretizimi i karaktereve letrare si: Helena e Trojës, Beatriçja e Dantes, Laura e Petrarkës, Ofelia e Shekspirit, Margarita e Gëtes sikur analizat brilante kushtuar autorëve të letërsisë shqipe të viteve 30-të, starti më i shëndetshëm i letërsisë së madhe shqiptare, me Migjenin, Nolin, Bulkën etj. sikurse kur ai zbërthente veprën e Kadaresë, e Agollit etj. shijoje një sodisfaksion estetik, privilegj, 4 përmes artikulimit poetik të fjalës apo komentit letrar. Duke elektrizuar gjithë sallën 313 të leksioneve, Ai do ndizte pasionin letrar në zemrat dhe shpirtin e studentëve. Profesor Nekiu nuk mbërthehej pas podiumit si lektor, apo pas katedrës së seminarit, si skllav mjeran i skemës, kornizës ideologjike.Jo, ai i drejtohej studentit me besim dhe respekt tek ai duke e ftuar të debatojë lirshëm, siç e ndjente ai vetë, gjatë seminarit, larg provokimeve cic-mice, që aplikonin në raste tjera pasionatët e klisheve, në koherencë me direktivën...Kurrë s’e dëgjova Prof. Nekiun “të demonstronte” pushtetin e notës, as të asaj negative. Jo, jo një frymë të tillë diktati ai nuk mund t’ia lejonte vehtes . Ai gjatë seminareve i drejtohej studentit që s’justifikonte vetveten me rezultatin e tij, me një fytyrë të pikëlluar, por pa humbur besimin tek ai, me fjalët: “Sot nuk më kënaqe …” dhe në fletoren e tij, tip regjistri, shënonte për secilën përgjigje një sistem pikësh, “model kreditesh”. Kam patur fatin të jem studenti që i vinte, si i thonë, kjo lëndë, por diksioni i Prof.Nekiut, gjuha e zgjedhur qenë inspiruesi im i parë profesional, nëse sot kam arritur të shijoj sodisfaksionin e një kritiku letrar modest. Ai jetonte me studentin si me fëmijën e tij. Jo vetëm në auditor, në veprmtaritë kulturore të studentëve, por po aq arrinte që të shkelte deri në zonat më të thella malore, kur dimë që shumica e tyre vinin nga fshati, apo të ndiqte jetën e të rinjve, si organizatë e rinisë, ndryshe argëtimet dhe shqetësimet e tyre, jo vetëm në fakultet, në Shkodër, por edhe në vapën e korrikut të 1967-tës, kur punohej vullnetarisht nga rinia studentore dhe pedagogët për hapjen e rrugës automobilistike të Malësisë së Madhe. Sikur jam shprehur kohë më parë: “I vetmi pedagog që në analizën e një vepre letrare, në shtjellimin e e koncepteve estetiko-filozofike të ngjallte”intrigën” duke iu shmangur ndjeshëm sensit agjitatitv, drejt misterit, kuptohet të kufizuar, qe Profesor Nekiu. Duke iu drejtuar studentëve, jo me tonalitetin zyrtar, me gishtat lart e poshtë, por me gjithë frymëmarrjen e tij prej artisti dhe aktori të lindur, synonte labirintin e veprës letrare, intrigën e saj subjektore, ndryshe domethënien estetiko-filozofike të veprës, së cilës i kushtonte një rëndësi të jashtëzakonshme duke iu shmangur, ndoshta krejt pa vetëdije, sensit semplist të direktivave për letërsinë dhe artet”(Kadri Ujkaj”Seminari i 5-të shkencor ndërkombëtar ”Shkodra në shekuj”- tetor 2002, fq.220) Ai kishte kurajon civile të shmangte rregulla të caktuara, tabu. deri në përballje të forta, kurajoze për ato vite, “duke zbuluar”, pa dashje, vetveten. Pavarësia e mendimit, pjesë e stilit të tij komunikues, pa pyetur shumë se cilin kishte përpara, e bënte tejet fisnik dhe jetik kontributin e tij. Nekiu dilte në krah të studentit, apo të kolegut edhe atëhere kur burokracia partiake tentonte t’ia mbyste zërin duke pranuar , kështu, me vetëdije edhe rriskun ...Cilësi që, mjerisht, sot po humbasin edhe brenda rrethit më të ngushtë të njeriut, atij të gjakut, nën ethet cinike të kultpragmatizmit. “Mjeshtri i madh”, Fadil Kraja duke folur për ish-mikun dhe kolegun e tij, si pedagog, si anëtar i Këshillit Artistik të Teatrit “Migjeni” apo edhe si drejtues të LSHA, Shkodër do të nënvizonte: “Neki Lezha qe pedagogu i gjithanshëm, studiuesi, kritiku letrar, hulumtuesi i rrallë, organizuesi, këngëtari dhe humoristi..Ai dinte të vlerësonte njerëzit, situatat si koleg dhe shef katedre, por edhe si sekretar i Lidhjes të cilën unë, si kryetar i saj, e drejtoja.Bashkëpunimi ynë qe i atij niveli cilësior, sa që kjo degë do të shquhej në tërë Shqipërinë duke u vlerësuar nga LSHA e Shqipërisë deri në kongreset e saj. 5 Aktualisht na mungon si Shkodër një artist dhe intelektual i tillë. Na mungon një koleg që dinte t’i donte shokët, guxonte t’i mbronte, edhe kur nuk ishte e lehtë, deri edhe para instancave të larta partiake. Ndarje e tij qe një humbje e rëndë. Këshilli Artistik i Teatrit “Migjeni”, falë edhe kontributit të tij arriti t’i japë skenës këtu, por edhe Teatrit Kombëtar, vepra dinjitoze”. Aspak për t’u bërë politikan, por me përkushtimin e kthjellët të intelektualit modern, Nekiu u bë pjesë aktive e proceseve demokratike si kryetari i parë i Partisë Socialdemokrate në Shkodër. Ai ishte, pa mëdyshje, modeli i pedagogut dhe i intelektualit me ndjenjën e kultivuar, civile, të antikonformizmit.Nga lartësia e 80-vjetorit të lindjes shohim që pesha e viteve s’ka arritur t’ia zbeh dot peshën e mungesës: Ai vazhdon t’i mungojë Shkodrës, ai vazhdon t’u mungojë të gjithëve… Shkodër, më 7 mars 2013 Kadri Ujkaj, kritik letrar.
Posted on: Sat, 23 Nov 2013 11:02:31 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015