Ish-ministri i Mbrojtjes, aktualisht sekretar i përgjithshëm i - TopicsExpress



          

Ish-ministri i Mbrojtjes, aktualisht sekretar i përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa, mohon të ketë oferta nga PS-ja ose kërkesë nga FRD për një bashkëpunim mes dy partive. Sa i përket bashkëpunimit me PD-në, Oketa thotë për Gazeta Shqiptare se më parë kreu i ri, Lulzim Basha, duhet të ringrejë PD-së, ta kthejë atë në institucion. Ish-deputeti Gazmend Oketa flet edhe për qeverisë e re, disa veprime të së cilës janë për tu vlerësuar pozitivisht, si për shembull aksioni kundër lojërave të paligjshme të fatit, apo qëndrimet përsa i takon ndalimit të ndërtimeve pa leje, ashtu siç dhe gjykoi se ishte krejt i panevojshëm debati sipas tij bajat i nxitur nga publikimi i disa fotove nga ambientet e bodrumeve të Kryeministrisë. Debatin politik për Nëpunësin civil, z.Oketa e sheh të ekzagjeruar dhe më shumë një justifikim për të tensionuar klimën politike, sesa një shqetësim real të opozitës përsa i takon administratës publike. Ai nuk i jep të drejtë PD-së kur bëhet fjalë për bojkot, ndërsa i kujton kundërshtinë që i bëri të majtës kur bojkotonte Parlamentin. Ish-ministri i Mbrojtjes vlerëson rekomandimin e KE-së për statusin e Shqipërisë pa kushte, duke pranuar se: Sigurisht që PD-së i duhen dhënë ato merita të cilat i takojnë, për ato gjëra që ka bërë mirë në raport me integrimin e Shqipërisë në BE. Z.Oketa, si e ka nisur FRD sezonin e ri politik? FRD tashmë jashtë Parlamentit, si po e përcjell situatën aktuale politike në vend? Gjatë muajit shtator e në vazhdim, kemi lëvizur në shumë qytete të Shqipërisë, duke realizuar takime me strukturat e Frymës së Re Demokratike në ato qytete. Qëllimi i këtyre takimeve ka qënë diskutimi i përbashkët lidhur me aktivitetin njëvjeçar të FRD, fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit, situatën politike pas zgjedhjeve dhe perspektivën e FRD-së në vijim. Tashmë pas zgjedhjeve dhe rotacionit politik, ndjehet një çlirim i shumë mbështetësve të FRD nga trysnia e pushtetit që u largua. FRD paraqiti në zgjedhjet e 23 qershorit një program politik të sajin, dhe pavarësisht faktit se rreth 30 mijë votat e saj, për shkak të Kodit, nuk u konvertuan në mandate, ky program i miratuar në Kuvendin e parë të FRD, mbetet orientues për qëndrimet tona politike në vijim. Sigurisht, mosprezenca në Kuvend, aty ku zhvillohet më së shumti debati politik, duket sikur nuk të bën shumë të dukshëm mediatikisht, por aktiviteti ynë politik vijon normalisht dhe çdo zhvillim politik në vend përcillet e diskutohet me vëmendjen tonë maksimale. Sipas jush, si po qeveris mazhoranca e re, çfarë po bën mirë dhe çfarë po bën keq në fillimet e mandatit të saj? Është shumë herët për të thënë se si po qeveris mazhoranca e re. Ajo ka afro një muaj e gjysmë që ka marrë drejtimin e vendit dhe për të dhënë një vlerësim duhet më shumë kohë. Gjithsesi, personalisht mund të them se disa veprime janë për tu vlerësuar pozitivisht, si për shembull aksioni kundër lojërave të paligjshme të fatit, apo qëndrimet përsa i takon ndalimit të ndërtimeve pa leje, ashtu siç dhe gjykoj se ishte krejt i panevojshëm e bajat debati i nxitur nga publikimi i disa fotove nga ambientet e bodrumeve të Kryeministrisë. Si ish-ministër i Mbrojtjes, si e shikoni znj.Mimi Kodheli në krye këtij institucioni? Së pari, e shikoj si një gjë pozitive faktin që atë ministri e drejton një zonjë. Në atë ministri ka ushtarakë dhe civilë vërtetë të përkushtuar dhe të punosh me ta është vërtet kënaqësi. Besoj se mbështetja e tyre nuk do ti mungojë as ministres së re. Unë si ish-ministër i Mbrojtjes dëshiroj që cilido ministër që e drejton atë ministri të jetë i suksesshëm dhe sigurisht i uroj znj.Kodheli punë të mbarë e suksese në atë detyrë. FRD a ka pasur oferta nga PS-ja për bashkëqeverisje? Asnjë ofertë nga PS-ja për FRD, ashtu siç edhe asnjë kërkesë nga FRD-ja për PS-në. Si e ka pritur FRD debatin për aktin normativ të qeverisë, që shtyn efektet ligjore të Nënpunësit Civil? Debatin politik të zhvilluar lidhur me këtë çështje e kemi gjetur tepër të ekzagjeruar dhe më shumë një justifikim për të tensionuar klimën politike sesa një shqetësim real të opozitës përsa i takon administratës publike. Nëse opozita do të ishte vërtet e interesuar për një administratë të qëndrueshme e vërtet në respekt të ligjit, atëherë ajo nuk do ti kishte detyruar nënpunësit, mjekët, arsimtarët të merrnin pjesë me detyrim në mitingjet e saj elektorale, apo në shtabet elektorale, siç nga ana tjetër dhe do të kish përgatitur aktet nënligjore të nevojshme për ta bërë ligjin të zbatueshëm. Thelbi i konfliktit ka të bëjë me nevojën e disa aktorëve të vjetër politikë për të mbajtur një klimë të tillë të tensionuar. Gjykoj se kjo nevojë vjen së pari nga mungesa e vullnetit për të analizuar rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, së dyti, nga pamundësia për të siguruar një grup parlamentar opozitar solid dhe së treti, nga mungesa e ideve apo alternativave politike. Për këto arsye mendoj se debati për ligjin është thjesht një justifikim dhe aspak shqetësim real. A ka të drejtë PD-ja që bojkoton Parlamentin, si protestë ndaj vendimit të qeverisë? Më parë se të shtrohet pyetja a ka apo jo të drejtë PD që bojkoton Parlamentin, duhet pyetur nëse duhet apo jo që PD të bëjë një veprim të tillë politik dhe a përfiton opozita nga ky qëndrim? Besoj se edhe brenda vetë opozitës, numri i atyre që e mbështesin një qëndrim të tillë, tashmë të vjetruar shpejt në demokracinë e re shqiptare, është i vogël, pavarësisht se ndjehen të detyruar ti shkojnë pas një vendimmarrjeje të tillë. Të mos harrojmë se opozita e sotme, me plot të drejtë ka kritikuar në çdo rast gjatë katër viteve të shkuara bojkotin që PS i bënte Kuvendit. Sot, opozita e re bën të njëjtin veprim për të cilin ka qenë kundër për katër vite. Nëse një sjellje e tillë quhet e drejtë, atëherë quajeni të drejtë dhe bojkotin që opozita i ka bërë Kuvendit. A ka vend për dialog mes pozitës dhe opozitës? Sa herë që ka ekzistuar vullneti pozitiv, vend ka pasur dhe do të ketë gjithmonë. Ndoshta pyetja duhet shtruar a kanë ndërmend të dialogojnë në mënyrë normale e transparente pozita dhe opozita. Them në mënyrë normale dhe transparente, pasi raste dialogu jotransparent ka pasur. Mjafton të kujtojmë klimën në të cilën u realizuan ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, ndryshime të frymëzuara nga një dialogim ndërmjet z.Berisha dhe z.Rama. Opozita e sotme, jo vetëm për shkak të numrave të paktë në Kuvend, por edhe për të treguar se një stil i ri drejtimi ka ardhur aty, duhet të jetë shumë e interesuar për një klimë tjetër në raportet me mazhorancën, ashtu siç edhe mazhoranca duhet të krijojë të gjitha hapësirat e duhura që vendi, por dhe vetë qeveria të ketë një opozitë të fortë e reale. A ka realisht bisedime mes PD-së dhe FRD-së për një koalicion mes dy partive? Nuk ka asnjë bisedim ndërmjet FRD dhe PD për një koalicion të mundshëm. Përkundrazi, PD vazhdon me të njëjtën klimë armiqësore përkundrejt FRD që nga dita e parë e daljes së FRD-së në skenën politike e deri më sot. Klimë armiqësore, e cila arriti kulmin me kërkesën e PD-së për të larguar nga konkurrimi në zgjedhjet për bashkinë Korçë, kandidaten e FRD-së, znj.Zeneli. Fatkeqësisht, PD-ja, forca politike e cila u themelua 23 vite më parë pikërisht për të sjellë dhe garantuar pluralizmin politik, sistemin demokratik, konkurrencën politike në zgjedhje të lira e të ndershme, bëhet sot forca politike, e cila i trembet një gare elektorale dhe kërkon të kthejë një situatë gati të ngjashme me atë të para viteve 90, ku në garë kishte vetëm një parti. Një qëndrim i tillë i PD-së kundrejt kandidaturës së një zonje nuk bën gjë tjetër veçse rikonfirmon atë klimë jodemokratike që ekziston brenda asaj force politike dhe e bën akoma më të qartë dallimin në objektivat tanë politikë. Lulzim Basha është njeriu i duhur që mund të rimëkëmbë të djathtën shqiptare? Më parë se të flitet për rimëkëmbje të së djathtës, z.Basha duhet të rimëkëmbë Partinë Demokratike. Dhe në këtë detyrë të vështirë, unë sigurisht që do ti uroja shumë sukses. Pasi ta ketë kthyer atë forcë në një institucion, i cili respekton statutin, mendimin ndryshe, forcë e cila kontribuon më shumë për shtetin sesa për pushtetin, forcë e cila luftën kundër korrupsionit nuk e ka thjesht slogan elektoral, por përkushtim real, atëherë mund të shohë bashkëpunimin me forcat e tjera të djathta, një bashkëpunim të mbështetur mbi principe e jo mbi llogari karrigesh pushteti. Si e konsideroni rekomandimin e KE-se për statusin e vendit kandidat pa kushte? Është vërtet një zhvillim shumë pozitiv dhe inkurajues për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Le të shpresojmë se do të jemi në gjendje të rikuperojmë kohën e humbur. Deri më sot politika shqiptare e ka përdorur më së shumti për propagandë integrimin europian sesa si një objektiv, të cilin duhej me doemos ta përmbushte. Pozitiviteti i strukturave të BE nuk duhet përkthyer si një dhuratë, por si një detyrim më shumë për të përmbushur angazhimet tona. Lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, pavarësia e institucioneve, zbatueshmëria e ligjit, respektimi i të lirisë e pavarësisë së medias, duhet të jenë realitet i prekshëm nga qytetarët dhe jo deklarime politikanësh. A është kjo një dhuratë që PD-ja ia bëri mazhorancës së re, nisur nga fakti se ka një vlerësim për reformat e bëra gjatë ish-qeverisjes së djathtë? Unë edhe gjatë kohës që kam qenë në qeveri kam preferuar që çdo arritje ta konsideroja si arritje të shtetit shqiptar dhe shteti është i të gjithëve e jo vetëm i njërës palë. Sigurisht që PD-së i duhen dhënë ato merita të cilat i takojnë, për ato gjëra që ka bërë mirë në raport me integrimin e Shqipërisë në BE. Nga ana tjetër, fakti që jemi të fundit në rajon ngarkon me përgjegjësi të gjitha qeveritë shqiptare të gjithë këtyre 23 viteve, siç dhe duhet me të njëjtën logjikë ti japë dhe vlerësim pozitiv për çdo arritje. Në fund, pavarësisht se çmund të pretendojë secili krah politik, qytetarët besoj se kanë fituar eksperiencën e duhur për të gjykuar vetë mbi kontributin e gjithsecilit, apo cilësdo force politike në këtë proces. Si i shikoni marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të, a janë ato të tensionuara? Nuk di arsye përse marrëdhëniet me SHBA-të mund të jenë të tensionuara. Përkundrazi, gjykoj se kanë qenë, janë e do të vazhdojnë për shumë arsye, marrëdhënie miqësore, korrekte. Të mos harrojmë për asnjë çast se SHBA-të kanë qenë historikisht mbështetëse e interesave të shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Këto marrëdhënie janë konsoliduar me kalimin e viteve dhe nuk mund të lëkunden, pavarësisht raporteve personale të ish-kryeministrit apo ish-kryetares së Kuvendit me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë. Fatmirësisht SHBA-të, por edhe vendet e tjera të BE-së ndërtojnë marrëdhënie institucionale, bazuar mbi strategji bashkëpunimi e jo bazuar mbi raporte personale.
Posted on: Mon, 21 Oct 2013 05:58:38 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015