Janko PALI Ne Luftrat e Jetes Jeteshkrim vazhdim: - TopicsExpress



          

Janko PALI Ne Luftrat e Jetes Jeteshkrim vazhdim: ========================Periudha e Trete. C- Në perudhën e tretë të aktivitetit tim, nuk kam ditur të qëndroj ashtu siç duhej dhe si i përkiste një pedagogu apo një patrioti, që i dhimbej për vatanin, që u shkel nga një i huaj dhe i lig, megjithëse më datën 6 prill 1939, në mbrëmje, shkoj me 19 shokë të tjerë fshatarë si vullnetar për gjithë natën në Himarë, me qëllim kundërshtimin me armë ndaj një zbarkimi eventual të Italisë, që dhe u bë më 7 të Prillit 1939. Më pas, mes dëshpërimit e humbjes së shpresës, e le veten t’i bindem situatës, nënshtrohem gjendjes dhe, pa kërkuar më thellë, mjaftohem të jem i kënaqur se vazhdoj të shërbej si arsimtar, (pas shqetësimit të diteve të para të pushtimit) dhe vazhdoj të mos privohem nga mjeti i jetesës. Ndjek edhe unë rrymën e kohës, mjaftohem me të sotmen dhe nuk mendoj në mënyrë adekuate për perspektivat katastrofale që i kanoseshin vendit tim me ardhjen e të huajve. Kur Federata Fashiste më emëron kujdestar fëmijësh në kampin e Vlorës, (Ujin e Ftohtë) për 15 ditë, në verë të atij viti, pata guximin ta refuzoj emërimin dhe, si pasojë, të mos vesh këmishën e zezë me të cilën na pajisën dhe na pagëzuan, bashkë më 29 shokë arsimtarë të Himarës e të Vlorës, që sot janë kuadro. Ndjek një pasivitet, që çfaqej po thuaji i përgjithshëm dhe adaptohem në superfisialitetin e situatës ndaj të huajve, që paraqiten si miq, po në të vërtetë na rrinë mbi kokë. Gjithashtu, kur në pranverën e vitit 1940 Federata Fashiste e Vlorës, më përcjell, bashkë me 45 arsimtarë të tjerë, (aso kohe tërësia e inteligjencës së Prefekturës), të paraqitemi të veshur me uniformën e këmishëziut, në Mëkëmbësinë e Mbretit Perandor, (Jakomonit), në Tiranë, shkoj aty dhe ngarkohem, si më i moçmi, të flas përpara monumentit të Naimit, kockat e të cilit ishin rishtas sjellur këtu nga Stambolli për t’u rivarrosur në Teqen e Bektashinjve, në kodrën me atë emër, në periferi të Tiranës. Nuk bëj fjalë kundërshtimi, por improvizoj aty për aty dhe flas përpara shokëve një fjalim të shkurtër, por atdhetar për poetin tonë e veprën e tij, përkujtoj jetën e tij në mënyrë të shkurtër, duke i uruar që balta e Atdheut, që ai pati dashur aq shumë e për të cilën e brente malli, t’i jetë e lehtë dhe kujtimi i tij të jetë i pa harrueshëm për brezat e ardhëm të vendit tonë Është afër mendjes që kryerja e asaj ceremonie solemne, në nderim të poetit tonë, në çastin patetik e mallëngjenjës të sjelljes në atdhe të eshtrave të trupit të tij delikat, na pati mallëngjyer të tërëve ne dhe, ceremonia për Naimin, nuk ishte rasti oportun për ndonjë qëndrim, a fjalë, a veprim të pa përshtatshëm a të pa vend. Prapë se prapë, asnjerit prej nesh nuk na shkoi ndër mend se, fundi, vërtet ceremonia qe për Naimin dhe nderimi zyrtar që i bënte inteligjenca e gjithë Vlorës ishte me shumë vend, po, për ç’arsye duhej të detyroheshim të paraqiteshim para relikave të atij patrioti të p sharë, të veshur me këmishë të zezë, me uniformën e Fashios dhe, për këtë radhë, të arsimtarit “fashist”?! Kuptohet, pushtuesi po shfrytëzonte pathosin tonë atdhetar, dashurinë tonë për Naimin dhe asnjë sentiment tjetër. Se duhet thënë që midis gjithë neve, nuk u tregua se ishte ndonjëri, i cili t’i kishte për zemër, qoftë ata që na përcollnë nga Vlora, qoftë ata që na pritën e që simbolizonim Federatën Fashiste dhe vetë robërimin nga regjimi Fashist! Detyrimi për të dalë në ceremoni me ato uniforma të shëmtuara, ishte, pra, një bllof e një inskenim i turpshëm që italianët mundoheshin ta bënin kudo, (çdo nënpunës i shtetit në atë kohë, me dekret të autoriteteve pushtuese cilësohej automatikisht fashist nga pushtuesit - shënimi im. pjp) Vazhdoj edhe më pas në rrugën e ndjekur që në fillim të invadimit nga gjithë ne, rrugë e qetë dhe pasive, me një frymë tolerance karshi ç’i kish ndodhur atdheut tonë, kur karrocatat dhe fluturakët e fqinjit tonë “dashamirës”, kishin pushtuar detin dhe qiellin për të na imponuar “lirinë”, siç dëshironin të quanin pushtimin ata vetë. Kulmi i obskurantizmit që na ishte imponuar nga pushtuesi dhe ne, po thuaj të pafuqi e të verbuar, toleronim situatën duke u bërë edhe lojë në duar të invaduesit, pa u ndier ku po na çonte mushka, ishte dhe vajtja në Durrës në verë të vitit 1940, për të kaluar 15 ditë pushimi në kampin e famshëm “DUX”. Shkova në Durrës me urdhër e i dërguar zyrtarisht nga Ministria e Arsimit të Tiranës, së bashku me 700 mësues të tjerë, pedagogë e profesorë nga të gjitha shkollat e teritorit të Shqipërisë. Veshur të gjithë me këmishën e zezë, kalojmë aty 15 ditë të gushtit të atij viti, në mes të një dëfrimi dhe ahengu, të ushqyer dhe të selitur për të bërtitur dhe hymnizuar regjimin shkelës dhe për të përvetësuar melodinë e këngëve për mbretin xhuxhmaxhuxh dhe lavdërimin e Imperos, me qëllim që ne, si edukatorë të fëmijëve të popullit, t’ua mësonim edhe atyre të lavdëronin regjimin dhe armikun që u kish pushtuar vendin e etërve të tyre. Eshtë një gjë për t’u habitur, qëndrimi kaq pasiv i kaq e kaq qindra intelektualësh, që asnjë prej tyre nuk ngriti një zë, qoftë dhe të avashtë proteste, a fundi të dezertonte kampit famëkeq, si shenjë mos pajtimi të ideve të tij me ideologjinë që propagandohej në atë kohë në kamp! Së fundi, të nënshtruar apo të tulatur nga propaganda e armikut, thirremi të shkruajmë përshtypjet tona rreth fatit të “mirë” që pati vendi nga lidhja “pazgjidhmërisht” me “motrën e madhe” të përtej Adriatikut ! Kjo s’qe gjë tjetër, veçse një manovër sondazhi të jetës sonë të brendshme, të cilën ata kishin interes që ta mësonin për të ditur ç’mendonte inteligjenca dhe secili prej nesh për ta! ..Se motra nga përtej këtu e pati synë, O me Pal Emilin, o me Musolinë …!! Shkruan secili nga ne, kush më pak e kush më shumë, mbi temën që na u dha dhe, më në fund, na mbetej dhe eksebisioni për të bërë të gjithë bashkë parakalimin me kostum banjoje para autoriteteve të kampit dhe, në vijim, shëtitja po me rroba banjoje, mes përmes rrugëve të Durrësit, të organizuar për të shkuar në vilën e Mbretit mbi qytet, ku na qe shtruar një gosti e pasur me pije dhe të embëla, me rastin e mbylljes së kampit dhe e largimit tonë andej! Dhe e bëmë! Ç’mund vallë të thuhet për një qëndrim kaq apathik të tërësisë e fuqisë edukuese të vendit tonë? A mund të themi se s’i shkoi nëpër mend ndonjërit prej nesh karakteri Don- Kishotesk i tundjes sonë në rrugët e në plazhin e Durrësit, nën komandën dhe urdhërat e oficerave të Fashios?! Në mos nga tjetër gjë, të paktën nga fakti që qemë venë përpara si delet dhe me një veshje që vetëm na turpëronte në sytë e njeri tjetrit e të popullit! Po… askush s’bzajti e askush s’u dëgjua dhe u shpërndamë, kush me shijen e ndjenjës së turpit e të pafuqisë reaguese, kush me nështypjen e këndshme të kalimit dy javë në plazh, …të ngrënë e të pirë mirë! Hera herës më pas e kam sjellë në mendje me dhimbje e keqardhje atë inskenim grotesk, gjë që me siguri e kanë bërë edhe të tjerë pjesëmarrës të kampit “Dux” dhe, me bindje them se, gjithë ç’mund të rëndojnë për mbi neve, nuk duhet të ketë tjetër justifikim, veç se vajtja atje nuk ishte fakultative, po e porositur dhe e detyruar nga forumet më të larta dhe se në ato kohë, nuk ishin formuar në shpirtrat tanë një kurajo revolucionare, aq sa duhej, për të mos iu bindur urdhërave e të braktisje detyrën… I kthyer në fshat me mbarimin e kampit, kërkohem nga karabinjeria e Himarës për të drejtuar një kamp verimi fëmijësh për tri javë në Spile. Punët e administratës së kampit vetvetiu do më afronin në intedencën e karabinjerisë. Në të vërtetë, nuk kisha asnjë shtrëngim apo ndonjë nevojë të plotësoja kërkesat e kujtdo qoftë nga ata që nuk ishin tanët dhe do të më qe e mundur ta refuzoja atë shërbim, ashtu siç edhe e refuzova vitin pasardhës, kur u mendua që të organizohej edhe një herë tjetër po ajo koloni për fëmijët e Himarës. Me ç’mendoj sot më ftohtë, u binda të kryeja atë shërbim si drejtues i kolonisë, vetëm e vetëm se kam pasë kurdo një sjellje të veçantë me shtetin dhe kam dashur kurdoherë të jem në rregull me autoritetet, duke respektuar ligjet, të mos figuroj i mënjanuar nga lodra e përgjithshme që luhej për tërë popullin dhe mbi kurriz të tij. As një herë, as kurrë, as edhe një shkak tjetër s’më ka shtyrë të qëndroj pranë të huajve dhe asnjëherë s’u jam përkëdhelur atyre! Afrimi qoftë administativ, qoftë si zyrtar me zyrtarë, i imi me të huajt, pas mendimit të sotëm, kur po shkruaj këto radhë, me midenë e ndonjërit mund të rëndojë mbi supet e mia, por, vërtetoj dhe afirmoj në mënyrën më solemne e më të sinqertë, që askurrë, asgjë nuk më është kërkuar dhe nuk kam dhënë asgjënë më të vogël, kështu që s’kam si të kem ndërgjegjen time të rënduar me asgjë.! Vijon............... Gjatë luftës Italo-Greke Janko PALI 97 .viti 1994 vjec Foto pjp ne Korfuz (viti qe nderoi Jete) Shkolla Qeparo v 1930,Mesues Epaminonda Varfi, ipari qe celi shkollen Shqipe dhe Janko PALI I porsa ardhur nGa PariSi. Klasa e shtate vitit shkollor 1957_1958 nder nxanesit dhe Petraq Janko PALI (ne qender rrjeshti siper i pesti nga e majta)
Posted on: Wed, 04 Dec 2013 01:13:27 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015