Julian Malo është pa dyshim personazhi i javës në Kategorinë - TopicsExpress



          

Julian Malo është pa dyshim personazhi i javës në Kategorinë Superiore. Tripletë në sfidën ndaj Teutës, duke e rikthyer Partizanin te fitorja pas tri humbjesh. Sulmuesi vjen në një rrëfim ndryshe në intervistën e tij për “Panorama Sport”. Nga ushqimi më i preferuar, që janë makaronat, e deri te motivimi që i bën e fejuara. Lojtari, që për momentin nuk ka makinë dhe pëlqen filmin “Gladiatori”, tregon anën tjetër të jetës, jashtë fushës së lojës. Cili është regjimi i Malos? Aktualisht te Partizani më shumë kohë e kaloj së bashku me skuadrën. Klubi na mundëson drekën dhe darkën, në një kohë që një pjesë të rëndësishme të ditës ma zë stërvitja. Nuk abuzoj asnjëherë dhe shkoj shpejt në shtëpi. Jam lojtar i rregullt dhe i pjekur tashmë. Profesionalizmi është shumë i rëndësishëm. E frekuentoni jetën e natës? Jo, nuk e pëlqej. Jam lojtar që i kushtoj shumë rëndësi regjimit, çka mendoj se më bën të suksesshëm. Cili është ushqimi juaj i preferuar? Preferoj kuzhinën italiane, në veçanti makaronat. Parapëlqeni të gatuani vetë apo t’ju shërbejnë? Duke qenë se drekën dhe darkën na e mundëson klubi, nuk është e nevojshme që të gatuaj apo të më gatuajnë në shtëpi. Pjesën më të madhe të kohës e kalojmë së bashku si ekip. Cili është filmi juaj i preferuar? Nuk shikoj shumë filma, por “Gladiatori” është një prej atyre që më ka mbetur më shumë në mendje dhe e parapëlqej. Cila është rryma muzikore që dëgjoni më shumë? Muzika dance. Aty gjej veten dhe më pëlqen shumë. Si e kaloni kohën e lirë? Atë pak kohë të lirë që kam thuajse gjithmonë e kaloj me të fejuarën time. Shkoj në kinema, një kafe apo gjëra të tjera. A ka pjesë të suksesit në karrierën tuaj e fejuara? Sigurisht që po, një pjesë të rëndësishme. Ajo më motivon gjithmonë dhe më shtyn që të mbaj regjim, si dhe të jem i kujdesshëm në çdo moment. Çfarë makine keni aktualisht? Për momentin nuk kam makinë. Shumë shpejt do e blej një makinë të re të mirë. Cili është idhulli juaj në futboll? Më parë më kanë tërhequr shumë Pablo Aimar, që luante te Valencia dhe Simao Sabrosa. Po tani? Mendoj se Frenk Riberi është një lojtar shumë i kompletuar dhe një prej më të mirëve aktualisht në botë. Sa është paga juaj aktuale? Nuk mund të them një shifër, por po ju bëj të ditur se është e kënaqshme. Është paga aktuale që përfitoni te Partizani më e mira që keni marrë deri tani? Besoj se po dhe jam shumë i kënaqur. Kaloni shumë kohë përpara televizorit? Jo shumë, pasi kam kohë vetëm në darkë pasi përfundojmë stërvitjen dhe darkojmë me skuadrën. Po rrjetet sociale i frekuentoni shpesh? Jo shumë. I përdor vetëm për të hedhur foto dhe për të mbajtur kontakte me njerëzit, por nuk jam i fiksuar pas tyre. Po lojërat “on-line” ose “Play-Station” a luani? Jo, ato nuk i pëlqej fare. Cili është çelësi i suksesit te Partizani i këtij sezoni? Mendoj se harmonia. Jemi ndoshta e vetmja skuadër në Superiore ku futbollistët kalojnë shumë mirë me njëri-tjetrin dhe ka harmoni. Nuk ka asnjëherë qejfmbetje pse luajti ky apo ai lojtar, siç mund të ndodhë në ekipe të tjera. Kujt ia dedikoni tripletën që shënuat të shtunën? Presidentit të skuadrës, stafit teknik, të gjithë futbollistëve, tifozëve, familjes sime, të fejuarës dhe në veçanti vëllait tim të vetëm që pas dy ditësh ka ditëlindjen. Ishte një tripletë për të gjithë ata që më qëndrojnë pranë. Keni marrë shumë mesazhe urimi? Pa fund. Si asnjëherë tjetër nuk më ka pushuar telefoni, në një kohë që kam pasur shumë urime edhe në rrjetet sociale. Me kë keni festuar pas ndeshjes? Me shokët e skuadrës. Megjithatë, nuk kemi abuzuar, për çka ju siguroj. E keni marrë në shtëpi topin e ndeshjes ndaj Teutës? … (qesh). Jo, u hutova duke festuar së bashku me lojtarët e tjerë të skuadrës. Megjithatë, do të marr topin e stërvitjes të hënën. BESAR BOZGO Izolimi në stërvitje ftoh Partizanin me tifozët e tij Tifozët e Partizanit e kanë treguar besni kërinë e tyre ndaj ekipit “të zemrës” duke e ndjekur edhe në transfertat më të largëta të Kategorisë së Dytë. Kohë më parë, idhtarët e kuq aq pranë i rrinin ekipit, sa nuk linin pa ndjekur edhe seancat ditore stërvitore. Ka kohë që mes skuadrës dhe tifozëve është vënë një mur ndarës, pasi Partizani i kryen përgatitjet në izolim total. Kur Partizani kishte klubin e tij në rrugën “Frosina Plaku” çdo ditë tifozët ishin të pranishëm në stërvitje, duke i ndjekur ato. Pjesëmarrja e tyre ishte e lartë, madje ka pasur raste që të pranishmit ishin mbi 200 vetë. Edhe kur skuadra u largua nga selia e vet dhe i vijoji përgatitjet në Kamzë, përsëri besnikët i vinin nga pas, sepse nuk mund të rrinin dot pa parë përgatitjet. Ka pasur disa raste, ku tifozët sakrifikonin dhe e kryenin rrugën nga Tirana në Kamzë me biçikleta, vetëm e vetëm që të ishin sa më pranë Partizanit. Në sezonet e fundit të kuqtë kanë zgjedhur “ilegalitetin”, duke u përgatitur në ambientet e ish-Shkollës së Bashkuar. Përgatitjet e Partizanit ngjajnë më shumë si të ndonjë skuadre burgu dhe jo të një klubi që pretendon se ka tifozerinë më të madhe dhe gjithëpërfshirëse në Shqipëri. Jo vetëm fanatikët e “demave të kuq”, por edhe mediat e kanë të pamundur ta ndjekin Partizanin gjatë javës stërvitore. Ky izolim, pa dyshim që ka ndikuar në “ftohjen” e skuadrës me tifozët, prandaj drejtuesit do të bënin mirë që të gjenin një ambient tjetër stërvitor, ku edhe të interesuarit, e aq më shumë dashamirësit, të ishin pranë ekipit. Pa dyshim prania e tyre në stërvitje i motivon më shumë edhe futbollistët, pasi raportet mes palëve do të ishin më miqësore. Tifozët Likës: Ky është Partizani që duam! Tifozët e Partizanit, ndonëse nuk janë pajtuar me lojën dhe rezultatet e skuadrës në javët e fundit, sërish kanë qenë pranë duke e mbështetur atë. Për javë me radhë ata e kanë kontestuar lojën, duke kërkuar nga trajneri që të mendojnë më shumë për sulmin dhe jo të mbrohen. Nëse para Teutës trajneri kontestohej nga tifozët, pas fitores me durrsakët ata kanë shpërthyer në komplimente për Likën dhe të kuqtë. “Bravo Hasan Lika! Ju lumtë për fitoren që morët me Teutën! Ky Partizan që pamë me Teutën është Partizani që kemi kërkuar. Kështu vazhdoni se do të na keni më të shumtë në përkrahje”. Kështu i janë drejtuar tifozët trajnerit Lika pas fitores me Teutën. Lojtar me +2 gola, mungon nga 21 maji 2005 Ndaj Teutës Julian Malo ishte heroi, pasi me tregolëshin e tij i dha fitoren ekipit. Nga statistikat del që lojtari i fundit me fanellën e Partizanit, që ka shënuar më shumë se dy gola në kampionat, është Dorian Bylykbashi. Ky i fundit, në ndeshjen e fundit të sezonit 2004-2005, realizoi pesë gola në portën e Laçit. Pikërisht më 21 maj 2005, në Partizani-Laçi (i përfunduar në barazim 5-5), takim që kishte vlerë vetëm sa për të përcaktuar “Këpucën e Artë”, gjë që shpjegon edhe golat e shumtë. Që nga ky moment asnjë futbollist i Partizanit nuk ka arritur të shënojë më shumë se dy gola në një ndeshje kampionati. Pra Malo me tre golat e tij thyen një rekord pritjeje te Partizani.
Posted on: Mon, 11 Nov 2013 15:19:54 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015