Juventus rrezikon t’i gënjejë sërish tifozët Juventusi po - TopicsExpress



          

Juventus rrezikon t’i gënjejë sërish tifozët Juventusi po përpiqet me ngulm të sjellë në skuadër një bomber race. Pavarësisht se ka piketuar tre emra të rëndësishëm të futbollit europian, rrezikon të dështojë në merkato për të dytin vit radhazi. Drejtuesit bardhezinj u kanë premtuar tifozëve se do të sjellin në Torino një treshe të frikshme sulmi të përbërë nga Gonzalo Higuain, Karlos Tevez dhe Stevan Jovetiç. Por me asnjërin nga tre sulmuesit punët nuk janë në rrugë të mbarë. E njëjta histori u përsërit edhe në merkaton e verës vitin e kaluar, ku objektivat e “Zonjës së Vjetër” ishin Robin Van Persi, Aleksis Sançez dhe Karim Benzema. Me gjithë deklaratat shpresëdhënëse, në fund bardhezinjtë u detyruan të luajnë në sulm me Kualiarelën, Vuçiniçin, Matrin dhe Xhovinkon. Tevez - Bardhezinjtë kishin mundësi të merrnin sulmuesin argjentinas. Kartoni i tij kushton 10 milionë euro dhe torinezët janë të gatshëm që t’i paguajnë edhe rrogën e lartë. Por ky i fundit, me gjithë kontaktet e para me Juven, duket se më shumë dëshirë ka të transferohet te Milani. Madje Tevez do të ishte i gatshëm ta ulte rrogën në 4 milionë euro, vetëm që të vishte fanellën kuqezi. Lajmet e fundit në lidhje me sulmuesin u kanë lënë shije të keqe tifozëve, të cilët e kritikojnë klubin për paaftësinë e bindjes së argjentinasit. Stevan Jovetiç - Drejtuesit juventinë kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesin e Çelsit, Vlado Lemiç, me qëllimin e vetëm për t’u interesuar për të ardhmen e malazezit. Nëse blutë e Londrës do të ishin të gatshëm të diskutonin për të blerë Jovetiçin, atëherë Fiorentina do t’u jepte përparësi londinezëve, pavarësisht kontratës paraprake mes torinezëve dhe lojtarit. Vetë Zhoze Murinjo e shikon si një përforcim të mirë për skuadrën ardhjen e Jovetiçit, dhe ky, nga lëvizjet e fundit, nuk do të refuzonte që të bëhej pjesë e një skuadre si Çelsi. Në të tillë situatë “Zonja” e ka të paqartë të ardhmen sa i përket “JoJo”-së. Higuain - Real Madridi është i gatshëm ta lërë të lirë argjentinasin nëse në arkat e klubit derdhet shuma e 30 milionë eurove. Arsenali e ka ofruar këtë shumë, duke joshur kështu madrilenët. Bardhezinjtë ndërkaq, në takimin e fundit me presidentin Florentino Perez, i kanë ofruar atij 22 milionë euro si dhe mundësinë për ta paguar me 4 këste. Një propozim që s’u ka pëlqyer spanjollëve, që kanë nevojë për financa për të bërë goditje të tjera në merkato. Kësisoj, nëse “Zonja” nuk ofron menjëherë 30 milionë euro, atëherë do t’i thotë lamtumirë edhe Higuainit.
Posted on: Sun, 16 Jun 2013 13:04:25 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015