KETE SHKRIM E KAM SHKRUAR NE VITIN 2010, POR VLERESOJ SE IA VLEN - TopicsExpress



          

KETE SHKRIM E KAM SHKRUAR NE VITIN 2010, POR VLERESOJ SE IA VLEN TE RIBOTOHET TANI, PRA PAS ZGJEDHJEVE NE SHQIPERI! Rrëfenjat në shënjestër të rrufesë Thonë se piktori s’ka nevojë të rrëfejë për domethënien e pikturës së tij, ngase piktura si dëshmi që pas saj ekziston një piktor, është vetë rrëfyesja, madje rrëfyese aq e drejtë, sa që edhe shkreptima e frikshme e rrufesë, s’do të mund t’ia përziejë akuarelet e vendosura me mjeshtri nga piktori. Deri këtu shumë qartë, do të thoshte secili! Por ç’të bëjmë me politikanët tanë, që nuk lodhen dot duke folur dhe rrëfyer për pikturat e tyre, saqë askush nuk është duke i soditur me vëmendje veprat e tyre, por shpjegimet për pikturat e tyre, ku në fund edhe ai që s’merr vesh dot në artin e pikturës, do të hetojë anakronizmin ndërmjet piktorit dhe pikturës. Parapërgatitja për fushatën zgjedhore nisi me nënshkrimin e një kodeksi të sjelljes për zgjedhje të drejta dhe të lira parlamentare ndërmjet gjitha subjekteve politike, nën shoqërimin e sloganit, “Çfarë gjurmë do të lëmë”, duke tentuar kështu që sa më profesionalisht të mund t’i fshehin gjurmët që kishin lënë, jo vetëm nëpër fushata zgjedhore, por edhe përgjatë tërë mandatit, mbase kjo e dytë për mua është thelbësorja, sepse kjo njëherësh është edhe pararendësja e gjitha çështjeve, qofshin ato negative apo pozitive. Filloi fushata, me këtë filluan edhe rrëfenjat për të bëmat e tyre të pabëra asnjëherë, madje vizitori në galerinë e artëve ishte çmeritur i tëri, teksa dëgjonte piktorin seç fliste për kuptimin e pikturës së tij, sfondi i së cilës ishte i përlyer me ngjyrë të kuqe dhe me ngjyrë të zezë. Duket se përmes zhurmës së fjalëve, vizitorit i erdhi tek hunda zbërthimi i thelbit të pikturës, kështu që, vendosi të mos e dëgjojë fare “cicëronin e pikturave”, sepse i mjaftonte ajo që shihte, ku ngjyra e kuq pasqyronte gjakun dhe ndalesën për gjallërim të mëtutjeshëm, kurse ngjyra e zezë paraqiste vuajtjet e këtij populli dhe paralajmërimin e muzgut të përhershëm. Megjithatë, rrëfyesit nuk i bëhej vonë, ai e dinte se fjalët që ishte duke i artikuluar do t’i merrte era, sepse edhe ashtu ato fjalë i kishte marrë nëpërmjet erës, por ai e ndjente më se të nevojshme zhurmimin në këtë kohë, mbase përmes zhurmës do të jepte shenjë se është gjallë, ngaqë votuesit i kishte marrë malli për melodinë e atyre qyqeve, që kur të vegjlit e tyre vuanin për ushqim, ata u krekoseshin me thurjen e ngjeshur të foleve të tyre, qoftë edhe nëse dikush vdiste në mungesë të ushqimit. Sa shpejt populli harron! Si ndodh që asnjëherë nuk harron që të harrojë së harruari? Thuajse nuk e sheh galerinë e artëve të shkarravitura. Mjafton të thuhet se sfondi i pikturës është me ngjyrë të gjelbër dhe të kaltër. Kaq, u morëm vesh! Ndonëse kemi pasur edhe ne ngecje në ndonjë fushë, por kjo është normale, sepse njeri dhe qeverisje të përkryer kjo botë ende s’ka parë. Me kësi lloj frazash, popullit tonë ngjyra e zezë po i paraqitet si ngjyrë e gjelbër. Pastaj bijtë e këtij populli hidhërohen kur mjeku i thotë se vuajnë nga sëmundja e daltonizmit. Eh, sikur të vuanim vetëm nga kjo sëmundje! Sot me mua dhe me shokët e mi, shumë kandidat për deputet shprehin dëshirë të takohen dhe të bisedojnë, mbase thelbi i veprimtarisë së një deputeti qenka bashkëbisedimi me qytetarët dhe përçimi i problemeve të tyre në kuvendin shtetëror. Sa keq ore shokë të mi që s’e paskemi ditur thelbin e funksionimit të një deputeti. Ju do t’më përgjigjeni, po ku ta dimë ore, pse vallë ndonjëherë dikush na paska përfaqësuar në logjikën e këtillë funksionuese! Ndjehem i sfiduar, mbase përmes kësaj përgjigje, më kujtohen raste të shumta, ku telin e përçimit të shumë problemeve në kuvend, me përçmim e kishin këputur po këta që hiqeshin si përçues të zellshëm dhe të shpejtë të problemeve, madje jo vetëm në paraqitjen e problemeve, por edhe në zgjidhjen e atyre problemeve. Përmes këtyre ftesave shumë të rralla, arrijë të kuptoj se këta mua dhe shokët e mi na ftojnë vetëm kur e shohin vetën seç fundosen në kridhë, si dhe shpëtimin mëtojnë ta gjejnë në zemërgjerësinë tonë, ngase e dinë se jemi shumë zemërgjerë, pavarësisht të kaluarës dhe të ardhmes së tyre boshe. Në çastin kur duam t’i nxjerrim prej kësaj balte të madhe, më sillet për rreth kokës një fjali e mençur, që sa herë bëhej fjalë për “bamirësi naive”, profesori na thoshte se duke u bërë i ndershëm ndaj gjithkujt, ka mundësi që të bëheni të pandershëm ndaj vetës suaj. Po ç’të bëjmë tani, ku duhet që ta kryejmë një të drejtë qytetare, që do t’i zgjedhim ata që për katër vite do të duhej t’i përçojnë hallet dhe dertet tona në kuvend, ku për fatin tonë do të marrin vendime me mend e në dobinë tonë? Uff, jam në një dyzim shumë të rëndë, më vjen turp ta lejoj vetën që deputeti im të lozë aq lehtë me mua, ai do t’i thotë gruas apo burrit të saj, ja e sheh se sa lehtë i mashtrojmë ata që hiqen se kanë lexuar dhe shkruar libra, madje kush t’i mashtrojë, ne që si rrjedhojë e agjendës sonë tejet të ngjeshur politike, shumë pak gjejmë kohë për të lexuar, e të mos flasim për të shkruar diçka. Sidoqoftë, do t’ua japë votën time, por më premtoni ju lutem se do të takoheni me mua dhe shokët e mi, edhe pasi të keni fituar mandatin e popullit. Besa të qoftë se do të shihemi edhe duke qenë me petkun e deputetit, - më thonë kandidatët/et e mundshëm për deputet. Gënjejnë më thonë shokët! Nuk i sheh dot se këta konkurrojnë vetëm me llafe, vepra e tyre e vetme është llafi, është e njëjtë, si llafi të fletë për këta, ashtu edhe këta të flasin për llafin, lëvizja e tyre do të jetë në boshtin e zbrazët. Rrëfenjat e këtilla së shpejti do të zhduken prej rrufesë dhe dije se fajtore nuk është rrufeja, por rrëfenjat, shkëndijat e së cilës arritën kupën e qiellit, duke e bërë të domosdoshme dënimin prej lartë, arma e të cilit do të jetë rrufeja. Le ta gjejmë një piktor, goja e të cilit do të jetë piktura e tij, - më këshillojnë shokët e mi. Iljasa SALIHU
Posted on: Tue, 25 Jun 2013 07:40:38 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015