KOMENT / Mirë me Kosovën, po me Turqinë çne?! Nga Arben - TopicsExpress



          

KOMENT / Mirë me Kosovën, po me Turqinë çne?! Nga Arben Manaj Dy gjëra po spikasin fuqishëm në afro muajin e parë qeverisës të Ramës. Këshilltarët konsulentë dhe mbledhje të përbashkëta me qeveri të ndryshme. E kuptoj dhe moralisht e mbështesë idenë e mbledhjeve të përbashkëta me qeverinë e Kosovës në Prizren. Tani mësohet, shpresoj jo, edhe mbledhja tjetër në Prizren me turqit e Erdoganit. Në rastin e Kosovës, edhe pse simbolika kuptohet, sërish po ta shohësh në një këndvështrim tjetër, në sfondin e një Ballkani të pastabilizuar dhe integruar në Evropë ende, dhe ku vazhdojnë të qarkullojnë ide për shtete të mëdha dhe natyrale, apo edhe nga sensitivitetet fqinjësore, ideja e mbledhjeve të përbashkëta, lehtësisht mund të interpretohet si hap drejt unifikimit të dy shteteve. Jo se kjo do të ndodhë realisht, dhe shanset hëpërhë janë shumë të vagëta, sërish në gjeopolitikën dhe gjeostrategjinë ballkanike, lipset paksa më shumë kujdes dhe konsiderata me gjeste dhe simbolika të tilla. Shpesh në Ballkan kanë qenë simbolikat që kanë prishur më shumë punë edhe kur të tjerët kanë menduar se e kanë lagur mjaftueshëm barutin në gadishullin-fuçi. Përveçse neo-etnoromantizmave, dyshoj rezultat konsulencash nga Maliqi, mbledhje të tilla kurrsesi nuk zëvendësojnë çdo aksion politik serioz dhe institucional nga Tirana dhe Prishtina për të ecur realisht në rrugën e shuarjes së dallimeve dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore në tërë universalitetin e tyre. Nuk besoj se Serbia do guxonte të bënte një mbledhje të ngjashme diku në kufirin e saj me ndonjë pjesë serbe të qeverisë së Republika Srpska në Federatën e Bosnjë- Hercegovinës, as Rumania nuk ka bërë ende një të tillë me Moldavinë, as Greqia me Qipron e as Turqia me pjesën turke të Qipros, të tilla takime nuk bën as Rusia me Bjellorusinë, apo Kina me Korenë e Veriut. Në kushtet kur Shqipëria synon BE-në dhe është pranë marrjes së statusit-kandidat, e kur Kosova kërkon sa më shumë njohje ndërkombëtare në Evropë, kujdesi dhe maturia diplomatike është ajo që lipset më shumë. Pas mbledhjes së përbashkët me Kosovën, mësohet se edhe me Turqinë është diskutuar e njëjta ide. Nuk dihet nëse është marrë vendimi për këtë, por gjeste të tilla demonstrimi të padurueshmërisë për marrëdhënie më të ngrohta e vëllazërore me një ish- vend sundimtar perandorak, përveçse janë jo serioze, por edhe nxituara. Nuk po them, pasi nuk e besoj se Shqipëria do hyjë nën “ombrellën turke”, por sot jetojmë në një kohë tjetër, jo të noekolonializmit jo e jo, por edhe të rasteve të shkëputjes nga lidhjet formale me ish- fuqi që dikur ke qenë koloni e tyre, apo “institucione neokoloniale”, siç e cilësoi Commonwealth-in britanik, përpara pak ditësh shteti i Gambias, kur u largua zyrtarisht prej tij. Qeveria e re padyshim që bën jashtëzakonisht mirë që forcon marrëdhëniet me një shtet të fuqishëm ekonomikisht si Turqia, një nga motorët e zhvillimit ekonomik në Evropë, dhe ka çfarë të mësojë dhe thithë prej Turqisë, në know- how si në turizëm, për shembull, apo edhe në investime në sektor të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë, por jo dhe aq në atë të ambientit dhe policisë. Padyshim shumë më mirë të jesh i lidhur me një kokosh turk, sesa një pulë ngordhalaqe grek. Edhe këshilltarët turq nuk është se janë fundi i botës, veçse siç e kemi nisur do bëhemi kryeqyteti i botës për këshilltarët dhe konsulentët e huaj. Mbledhje të përbashkëta me çdo qeveri, sikur nuk është serioze, ashtu siç nuk ishte serioze edhe për etikën dhe formalitetin e sovranitetit, edhe kur në krye të qeverisë qëndron një ish- kryeministër i huaj si Bleri, edhe pse mik i shqiptarëve, që nuk do duhej bërë zot në shtëpinë e tjetrit. Shqipëria ka nevojë të jetë më e distancuar nga simbolikat e ambasadorëve-guvernatorë, siç ka qenë ai sovjetik dikur, e ai amerikan sot e kësaj dite, ka nevojë të divorcohet nga praktikat kompleksuese me flamuj amerikan nëpër zyrat e shtetit, që nuk i sheh në asnjë vend të botës. Shqiptarët dhe Shqipëria e kanë fituar betejën me sovranitetin dhe simbolikat nuk ka përse e vënë në pikëpyetje, qoftë edhe nga naiviteti, qoftë nga kompleksi i të qenit vend i vogël.
Posted on: Sat, 05 Oct 2013 17:14:09 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015