KOSOVA SOT 24 shtator Shkruan Reshat sahitaj Në trojet - TopicsExpress



          

KOSOVA SOT 24 shtator Shkruan Reshat sahitaj Në trojet shqiptare, a po bie dinjiteti i krijuesit? Publikuar: E marte 24 Shtator 2013, 18:19 0 Komente 0 Rekomandime Krijuesit dhe sistemi politik Shumë krijues janë të papunë, ndërsa ata që punojnë kanë të ardhura qesharake Mediat tona shumë pak i kushtojnë rëndësi botës së krijuesve. Fatmirësisht, e përditshmja numër një në Kosovë “Kosova Sot”, kulturës i jep hapësirë çdo ditë, e të shtunave me “Shtojcën e Kulturës” e begaton botën e krijuesve Shkruan: RESHAT SAHITAJ Në tërë trevat shqiptare, gjendja e krijuesve po shkon gjithnjë e më tepër duke u degraduar, si në aspektin material, social, psikologjik dhe intelektual. Pjesa më e madhe e krijuesve janë të papunë, ndërsa ata që punojnë kanë të ardhura qesharake. Librat e tyre pjesa dërmuese ua dhurojnë shokëve, miqve e madje edhe kalimtarëve të rastit, vetëm e vetëm që ta bindin brendësinë shpirtërore të tyre se ende vlejnë të kontribuojnë për këtë popull. Për ta shkruar një vepër jo vetëm që duhet kohë, por edhe duhet derdhur tërë talenti dhe dituria e tij. Secili autor një kohë të gjatë sillet rrugëve për të gjetur ndonjë sponsor që ta botojë veprën e posapërfunduar, e në fund e boton me paret e fundit nga buxheti familjar. Procedura që nga fillimi i shkrimit të një vepre e deri të botimi dhe shpërndarja, bënë që krijuesi të ndjehet keq në rrethin familjar, sepse e ka dëmtuar buxhetin e tij. Ndihet keq në rrethin e shokëve, sepse nuk ka mundësi që askujt t’ia paguan një kafe. Ndihet keq, sepse askush nuk shkruan për veprën e tij të posabotuar. Kjo është mënyra më perfide e sistemit politik, për ta ulur dinjitetin e krijuesve në tërë trevat shqiptare. Sepse në trojet shqiptare politikanët nuk janë intelektualë të mirëfilltë, politikanët nuk janë artdashës e atdhedashës. Politikanët shqiptarë qoftë në Tiranë, në Prishtinë, në Preshevë, në Shkup e në Ulqin, kurrë nuk e kanë lexuar një vepër letrare. Sa për ilustrim do përmendim se Maqedonia ka ndarë vetëm për kulturë një buxhet prej 20 milionë euro, kurse në qendrat e trojeve shqiptare buxheti për kulturë është qesharak që nuk mund të krahasohet as vetëm me shpenzime të darkave të një ministrie. Ku është zëri i krijuesve? Çuditërisht, krijuesit shqiptarë nuk kanë shpirt revolte dhe heshtin para përdhosjes së dinjitetit të tyre. Një pjesë e krijuesve bëhen pa vetëdije viktimë e politikës ditore, duke shpresuar se ndoshta në vitin tjetër do t’ia botojnë librin. Një pjesë tjetër heshtin duke shpresuar të mos e përkeqësojnë gjendjen dhe marrëdhëniet e tyre edhe ashtu të amorfe me politikë. Një pjesë tjetër e vogël, përfitojnë nga çdo sistem politik, dhe natyrisht që heshtin. Një pjesë tjetër bëhen zvarranik të sistemit duke shkruar më shumë se në kohën e Titos pro politikës ditore. Në këtë mënyrë zëri i krijuesve shqiptarë shuhet, sepse ata nuk janë në gjendje të shprehin revoltën e tyre për padrejtësitë që bëhen. I vetmi ngushëllim për krijuesit shqiptarë mbetët Facebook-u, ku aty i botojnë shkrimet dhe opinionet e tyre. Po të lexohen më vëmendje shkrimet dhe opinionet e krijuesve tanë në Facebook, aty botohet gjithçka dhe asgjë. Çfarëdo që botojnë në rrjetin social virtual, krijuesit shqiptarë fillojnë t’i vardisën njëri-tjetrit duke ua lavdëruar shkrimet e njëri-tjetrit deri në qiell. Lëvdata më të shumta marrin femrat të cilat ekspozojnë fotografitë e tyre. Zakonisht femrat ekspozohen me fotografi ku vjen në shprehje bukuria e tyre fizike, e pastaj krijuesit meshkuj u vardisën atyre femrave deri në orët e hershme të mëngjesit. Kjo mënyrë e vardisjeve e ul dinjitetin dhe prestigjin e krijuesit, duke e shndërruar atë në një palaço. Është për t’u habitur se si asnjëri nuk e lexon shkrimin e botuar në rrjetin social, e menjëherë ia bëjnë një “Like”, pa e ditur se çka po shkruan tjetri. Vetëm “Kosova Sot” i jep hapësirë kulturës Mediat tona shumë pak i kushtojnë rëndësi botës së krijuesve. Zakonisht në medie tona janë prezente aktualitetet politike, gjë që është normale. Janë të pranishme në faqe të para afera të ndryshme korruptive e mafioze të disa komandantëve e që nuk ishin kurrë komandantë. Janë të pranishme shkrime denoncuese se ai ishte në luftë e tjetri që në gazetën tjetër lavdërohej nuk e ka parë luftën as nga afër. Fatmirësisht, e përditshmja numër një në Kosovë “Kosova Sot”, kulturës i jep hapësirë çdo ditë, e të shtunave me “Shtojcën e Kulturës” e begaton botën e krijuesve. Krijuesit kanë nevojë shpirtërore të shohin shkrime për veprat e tyre, sepse në këtë mënyrë vlerësohet dhe ngrihet dinjiteti i çdo shkrimtari/re. Në televizionet shqiptare qofshin ato kombëtare apo lokale, janë të mbushura me emisione ku zhvillohen debate politike. Shumica e emisioneve në televizionet shqiptare janë të udhëhequra nga gazetarë joprofesionistë, sepse kudo në botë kur zhvillohet një debat për një ngjarje qoftë ajo edhe politike, në debat ftohen edhe krijues si filozofë, sociologë, psikologë dhe shkrimtarë, të cilët kanë shkruar libra rreth asaj ngjarje që zhvillohet emisioni. Nëse në një emision televiziv do të zhvillohet një debat rreth korrupsionit, aty ftohet ndonjë shkrimtar që ka shkruar libër për këtë dukuri. Pse ndodh kështu? Kështu zhvillohen emisionet sepse shumica e gazetarëve janë të shtrënguar t’i vardisën personaliteteve politike dhe ta ruajnë vendin e punës pavarësisht se emisioni i tij nuk vlen pesë pare. Televizionet kombëtare RTK-ja, si televizion publik, e ka për detyrë që të ketë emisione kulturore dhe arsimore. Në fakt, në letër dhe zyrtarisht RTK-ja i ka këto redaksi ku duhet të zhvillohen emisionet kulturore dhe arsimore, por ato janë të heshtura ose të ndaluara në mënyrën më perfide. Në RTK, transmetohej emisioni „Labirintet e Fjalës“ që ishte emision kushtuar letërsisë dhe përmes këtij emisioni u ringjallë dinjiteti i krijuesve tanë. Pse u ndërpre apo u ndalua ky emision askush nuk është në gjendje të japë sqarime. Po ashtu ishte edhe emisioni tjetër “Pro Arte”, ku zhvillohej debat rreth të arriturave në film teatër, mirëpo edhe ky emision u ndërpre apo u ndalua, pa asnjë sqarim. RTV 21, po ashtu e kishte një emision kulturor “Pas Mesnate”, që filloi të bëhej shumë i popullarizuar në opinion tonë, mirëpo në kohën kur kishte arritur zenitin e popullaritetit u ndërpre. Në këto emisione që transmetoheshin nga këto dy rrjete televizione kombëtare, kishte hapësirë për krijuesit tanë. Me ndërprerjen e tyre, u shuan ëndrrat e shkrimtarëve dhe artistëve tanë që veprat e tyre dhe mundi i tyre artistik të bëhet i njohur për publikun e gjerë. Krijuesit shqiptarë shpresojnë se do të vinë ditë më të mira për kulturën shqiptare. Një pjesë e këtyre krijuesve do të vdesin duke pritur që veprat e tyre të vlerësohen objektivisht. Madje vetë krijuesit thonë se veprat e mira vlerësohen vetëm pas vdekjes së autorit. Pra, askush nuk na ka faj, sepse edhe personalitetet politike po presin që veprat tona t’i vlerësojnë gjeneratat e ardhshme, nga se ne vetë po mburremi që pas vdekjes do na vlerësojnë. Gani Xhafolli është i vetmi krijues që nuk pret asnjë vlerësim deri në vitin 2300. Ne tjerët po krijojmë më shpresë që të vlerësohemi së paku dy-tre vjet pas vdekjes sonë.
Posted on: Tue, 24 Sep 2013 17:26:49 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015