KULLA E HAKLAJVE RRAFSHOHET ME 70 KILOGRAM EKSPLOZIV - TopicsExpress



          

KULLA E HAKLAJVE RRAFSHOHET ME 70 KILOGRAM EKSPLOZIV E çarmatosur nga forcat RENEA kulla e Haklajve mbeti thjeshtë një objekt po mbrojtje. Por kundërshtarët e tyre e donin atë tërësisht të rrafshuar. Për tia arritur këtij qëllimi ata duhej të largonin më parë Manush Selivradën dhe familjen e tij nga Kulla. Tani ata nuk kishin me frikë se mund të goditeshin nga rojet e kullës, pasi policia u kishte marrë çdo armë që kishte gjetur. Fillimisht Manush Selivrada 46-vjeç, u kërcënua me telefonata anonime të largohej nga kulla se do ta vrisnin. Më pas u qëllua dy herë me snajper. Paraditen e 18 qershorit 2006, rreth orës 10:30 ai u qëllua me snajper nga kodra me pisha pranë kullës. Objektivi i autorëve të sulmit nuk ishte ta vrisnin, por ta trembnin të largohej. Një muaj më vonë më 18 korrik, Manushi u qëllua serish me snajper, në orën 8.00 të mëngjesit. Këtë radhë plumbat i vërshëllyen më afër se herën e parë. Duke parë këmbënguljen e tij për të mos u larguar nga kulla, komando e panjohur vendosi të sulmonte me armë kundërtanke duke rrezikuar seriozisht shfaro-sjen e të gjithë familjes Selivrada. Mesnatën e 24 korrikut 2006, Kulla e Haklajve u godit tre herë me antitank duke i shkaktuar dëme serioze në çatinë e saj. Për fat të mirë nuk pati viktima në njerëz, pasi në momentin që u bë sulmi, ndodheshin tetë persona në banesë dhe mes tyre ishin katër fëmijë. Pas këtij sulmi Manush Selivrada u largua nga kulla duke e lënë atë në mëshirë të fatit, pasi në të kundërt rrezikonte të gjithë familjen e tij. KULLA Një javë pas sulmit me antitank, motra e madhe, Aishja, e vetmja pjestare e familjes Haklaj që vazhdonte të lëviste lirisht, mori disa ustallarë dhe e riparoi çatinë e kullës. Por ky veprim vetëm sa i irritoi njerëzit e komandos që donin ta fshihnin nga faqja e dheut banesën shekullore. Mbrëmjen e të dielës së 13 gushtit 2006 rreth orës 22.00, pesë persona të armatosur dogjën kullën shekullore të familjes Haklaj në fshatin Kërnajë të Tropojës. Ata iu afruan kullës së fortifikuar nga pjesa lindore e saj dhe më pas u ngjitën në murin rrethues duke prerë telin me gjëmba. Të informuar mirë se në kullë nuk ndodhej askush, zjarrvënësit kanë patur problem vetëm rezistencën e katër qenëve të cilët i kanë neutralizuar me mjete rrethanore. Kulla e Haklajve është spërkatur me lëndë djegëse nga themelet deri në çati dhe më pas i është vënë zjarri. Ndërhyrja e zjarrfikëses dy orë më pas ka shpëtuar vetëm odën e pritjes, e cila ndodhej në një godinë njëkatëshe ngjitur me kullën, ndërtuar vitet e fundit. Kjo ishte hera e dytë që digjej kulla 200 vjeçare e Haklajve. Për herë të parë ajo ishte djegur nga ushtria Austro-Hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore RRAFSHIMI Pas këtij sulmi Aishe Basha foli për mediat duke thënë se personat që i vunë zjarrin kullës ishin të mbrojtur nga policia. Ajo fajësoi kryeministrin Berisha se vrasësit e vëllezërve të saj ishin shpërblyer duke u graduar në detyra të rëndësishme në radhët e Policisë së Shtetit. Kundërpërgjigja erdhi flakë për flakë. Më 16 shtator 2006, e njëjta komando vendosi që ta mësynte dhe njëherë kullën e Haklajve, këtë radhë për ti larë hesapet përfundimisht me të. Autorët, që gjithmonë mbetën “të panjohur” për policinë, edhe pse vepronin haptazi, nuk u kursyen kur e minuan atë me 70 kilogram eksploziv. Nuk dihet sa orë i është dashur xhenierit që të realizojë lidhjet e eksplozivit, por nëse e gjithë sasia prej 70 kilogramësh do të ishte ndezur, atëherë nuk dihej çfarë pasojash mund të kishte sjellë për gjithë fshatin e zonën përreth. Vatrat e eksplozivit ishin lidhur në seri por në momentin e shpërthimit disa nga lidhjet janë shkëputur prej tronditjes, duke lënë pa aktivizuar afro 40 kilogram lëndë plasëse. Këtë radhë u rrafshua më shumë se 70 përqind e kullës shekullore dhe fortifikimeve të saj, madje u dëmtua keq dhe kulla e ish-deputetit demokrat Azgan Haklaj që ndodhet pranë saj. Plaku i Haklajve u përgjigj në media, se ai apo nipat e tij, do të ktheheshin serish një ditë, për ta rindërtuar dhe me të fortë se më parë kullën e gurtë në Kërnajë. KATËR DJEMËVE TË VRARË TË HAKLAJVE U DHUNUAN DHE VARRET PAS VDEKJES Pas çdo rasti policia vetëm bënte matje dhe mundohej ta kalonte ngjarjen pa bujë duke u përpjekur për ti servirur medias versione nga më të pabesueshmet. Reagimi i qeverisë dhe strukturave të shtetit për sulmet e njëpasnjëshme që ndodhnin në Tropojë ishte njëlloj sikur ato të ndodhnin diku në Lindjen e Mesme apo në Afrikë. Asnjëherë të vetme, drejtuesit e Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendëshme, prokurorisë apo qeverisë nuk u prononcuan publikisht për këto akte të rënda kriminale. Çështja Haklaj ishte kthyer në një tabu, dhe gjithëkush që mbante këtë mbiemër duhej të fshihej nga faqja e dheut. Duke përfituar nga indiferenca e çuditshme e qeverisë Berisha dhe strukturave ligjzbatuese të kontrolluara prej saj, komando e kundërshtarëve të Haklajve vendosi ti shkonte deri në fund punës që kishte nisur. Natën e 12 dhjetorit 2006, u sulmuan dhe u dhunuan varret e katër djemëve të vrarë të familjes Haklaj, Shkëlqimit, Fatmirit, Halilit dhe Yllit. Ky akt i pashëmbullt dëshmon qartë se sa thellë ka shkuar urretja në Tropojë. Strukturat e shtetit duke përfshirë deri dhe politikanët më të lartë të dekadës së fundit, të majtë a të djathtë, në mos janë fajtorët kryesorë në atë që ka ndodhur me 150 të vrarët e “Dosjes Tropoja”, janë përgjegjës për mosndëshkimin e vrasësve. Dhjetëra e mbase qindra fëmijë të mbetur jetimë nga atentatet në Tropojë, më shumë sesa nëvojë për përkujdesje, duan drejtësi për prindërit e tyre të vrarë, që seriali i hakmarrjes të mos shkaktojë më viktima të tjera. A do të ndëshkohen ndonjëherë përgjegjësit e vërtetë të “Dosjes Tropoja”? Për momentin duket e pamundur që kjo pyetje të marrë një përgjigje konkrete.
Posted on: Mon, 15 Jul 2013 21:45:04 +0000

Trending Topics



>

Recently Viewed Topics




© 2015