Ka guxuar edhe më parë të flasë për nevojën e bashkimit të - TopicsExpress



          

Ka guxuar edhe më parë të flasë për nevojën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, por kësaj radhe, ai rendit të gjitha arsyet pse duhet të ndodhë ky bashkim. Akademiku i njohur, Rexhep Qosja, thotë se është në interesin e përgjithshëm të shqiptarëve të bashkohet Kosova me Shqipërinë. Madje,sipas tij, kjo është më e pranueshme edhe për fqinjët ballkanikë."Për shqiptarët është shumë më mirë të jetojnë në një shtet më të madh e më të fortë sesa në dy shtete më të dobëta, më të varfra", thotë akademiku Qosja, gjatë një interviste ekskluzive për "Shqip". Në këtë intervistë, ai flet për Kosovën e pas 17 shkurtit, sfidat që e presin shtetin e ri, por edhe rreziqet e jashtme e të brendshme që i kanosen, qëndrimin e deritanishëm të Maqedonisë dhe Malit të Zi, por edhe të Rusisë, të cilin e konsideron "tregti politike", punën e qeverisë "Thaçi", pozicionin e hershëm e të tanishëm të Shqipërisë etj. Profesor, Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të këtij viti. Çfarë prisni pas kësaj? Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës shtet më 17 shkurt, pres që Kosova të bëhet vërtet shtet, të funksionojë si shtet i pavarur. Nëse i emërtojmë gjërat saktë, siç janë, do ta themi se Kosova është e pavarur vetëm nga Serbia, ndërsa vazhdon të jetë një lloj protektorati,por tani jo më i Kombeve të Bashkuara, po, kryesisht, i Bashkimit Evropian. Po, mirë, kjo e vërtetë, tani për tani,nuk do të duhej të na e prishte qejfin posaçërisht. Sovranitetet tradicionale të të vegjëlve kanë marrë fund në botën gjithnjë e më të globalizuar. Gati 7 muaj pas shpalljes së pavarësisë kanë filluar problemet e para: rikonfigurimi i UNMIK-ut, misioni EULEX dhe përplasjet me Zanierin, kërkesat për negociata të reja Beograd-Prishtinë dhe beteja e vazhdueshme diplomatike e Serbisë për të bllokuar procesin e njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës. Ç‘po ndodh kështu? Pse kaq probleme? Ishin të pritshme reagime të tilla. Si e parashikoni situatën më tej? Meqenëse e njoh, besoj, çështjen e Kosovës jo vetëm nga ana politike, por edhe nga ana e historisë dhe e kulturës; meqenëse e njoh, besoj, çështjen e Kosovës në raportin me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë, nuk do të thosha se Kosova ka hasur në aq shumë probleme pas shpalljes së pavarësisë. Nuk bëhet lehtë shteti. Dhe, Kosova nuk është shpallur lehtë shtet dhe nuk është reale të pritet që, vërtet, të bëhet lehtë shtet. Ka më vështirë dhe ka më keq. Po të mos ishin SHBA-të, problemet, me të cilat do të ballafaqohej Kosova e shpallur shtet, do të ishin shumë herë më të mëdha. Dhe, të gjitha këto, pra, nuk duhet të na befasojnë, kurse të na dëshpërojnë kurrsesi. Para 17 shkurtit, ndarja e Kosovës po konsiderohej gjithnjë e më shumë si një variant i mundshëm. Për fat të mirë, nuk ndodhi. Por tani rreziku duket sikur është shtuar: protesta të serbëve në Mitrovicë, pushtime institucionesh zyrtare, zëra për krijimin e një grupi serb brenda strukturave shtetërore të sigurisë etj. Ç‘duhet të bëjmë për ta shmangur përgjithmonë një rrezik të tillë? Nocioni ndarje nuk e ka më kuptimin që e kishte deri tani. Eshtë bërë nocion disi i përbërë. Mund të flitet për një ndarje të brendshme dhe një ndarje të jashtme. Enklavat serbe brenda Kosovës bëjnë jetë shoqërore, politike dhe administrative pothuajse ndaras pjesës tjetër të Kosovës. Mitrovica Veriore, që nga ditët e para pas Luftës, është e shkëputur prej Kosovës! Shtërpca po përpiqet të bëhet si Mitrovica Veriore. Çka do të thotë kjo? Do të thotë se Kosova jeton e ndarë përbrenda. Dhe, më tej: do të thotë se sovraniteti i mbikëqyrur, apo më qartë e thënë, sovraniteti i sunduar i Kosovës tani nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të nuk zbatohet plotësisht edhe mbi enklavat serbe dhe Mitrovicën Veriore! Sovraniteti i mbikëqyrur, i sunduar, i Kosovës në gjithë territorin e saj do të zbatohej po të ishin më të vendosur mbikëqyrësit e sovranitetit të Kosovës. Sa do të zgjasë gjendja e sotme, nuk mund ta di. E di se Serbia nuk do të lirohet as lehtë, as shpejt prej mitologjisë mesjetare për Kosovën. Nuk e di si do të jetë raporti i forcave në skenën politike botërore pas njëzet, tridhjetë a pesëdhjetë vjetësh, por e di se historia nuk ka marrë fund, dhe e di se rendi i tanishëm botëror nuk është i përjetshëm, dhe e di se do të ketë edhe rende të tjera botërore dhe, kam drojë, se në ndonjërin prej atyre rendeve të mëvonshme botërore, po të ketë raport të ndryshuar të forcave, në të cilin do të jenë të "shpërfillur"shqiptarët, mund të jemi të detyruar të ballafaqohemi prapë me Serbinë. Të mos e mendojmë këtë, domethënë të jetojmë sot për sot, domethënë të jetojmë pa shikim larghedhës dhe pa vizion për ardhmërinë tonë. Po ju përsëris një pyetje që jua pata drejtuar para shpalljes së pavarësisë: Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, para do kohësh propozoi shkëmbimin e pjesës veriore të Mitrovicës me Luginën e Preshevës. Si ju duket ky propozim? A është apo jo një "pazar" i arsyeshëm? Siç dihet, në çdo tregti marrin pjesë dy a më shumë palë. Një "pazar" i tillë do të ishte i arsyeshëm, i leverdishëm për ne, por jam i sigurt se nuk e pranon pala tjetër, e cila mendon se do të mbajë edhe Mitrovicën Veriore,edhe Luginën e Preshevës! Të flasim pak për fqinjët më të afërt. Serbia,ashtu siç pritej, nuk e njohu dhe nuk do ta njohë, sikurse është shprehur, pavarësinë e Kosovës. Por nuk e kanë njohur as Maqedonia dhe Mali i Zi. Sipas jush, cilat janë arsyet? Kur dëgjoj se çka flitet në institucionet politike e shtetërore në Tiranë dhe, pjesërisht, në Kosovë për politikën e Malit të Zi dhe të Maqedonisë ndaj Kosovës dhe Shqipërisë e, mandej, ndaj Serbisë dhe ish-republikave të tjera të ish-Jugosllavisë, më duket se po dëgjoj njerëz që kanë zbritur prej Marsit, që nuk kanë as dijen më të paktë për politikën e deridjeshme të Malit të Zi e të Maqedonisë! Po nuk janë më shumë se tetë-nëntë vjet që Mali i Zi dhe Maqedonia ishin kundërshtare të zjarrta, të vendosura sa edhe Serbia, të idesë së pavarësisë së Kosovës. Ishin kundërshtare të zjarrta, të vendosura sa edhe Serbia, të kërkesave të ish-udhëheqjes kosovare për rikthimin e autonomisë së vitit 1974, mandej të kërkesave të lëvizjes studentore për republikë brenda Jugosllavisë, mandej të kërkesës për pavarësinë e Kosovës. Do të thoni: kanë ndërruar? Po, do të përgjigjem: e kanë ndërruar gjuhën. Tani edhe Mali i Zi, edhe Maqedonia flasin me gjuhë tjetër për Kosovën dhe për Shqipërinë shtetërore. Historia e re e Ballkanit dhe e Evropës, pas rënies së komunizmit, i ka detyruar edhe Malin e Zi, edhe Maqedoninë ta ndërrojnë gjuhën politike, dhe vetë politikën; por nuk jam i sigurt se e kanë ndërruar edhe zemrën. Retorika ndërrohet lehtë, kurse zemra shumë vështirë. Për këtë arsye them: nuk duhet të bëjmë ne trysni as mbi Malin e Zi, as mbi Maqedoninë që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Nuk është kjo politikisht e mençme. Kosova e pavarur do të jetë e pavarur edhe pa njohjen e tyre. Mirë është për ne të na njohin, sepse i kemi fqinjë të parë dhe sepse atje jetojnë bashkëkombës tanë, por le të na njohin kur ta quajnë vetë të arsyeshme. Më në fund, edhe Mali i Zi, edhe Maqedonia, edhe Greqia do ta njohin Kosovën jo për shkak të Kosovës, jo për shkak të Shqipërisë a shqiptarëve, po për shkak të vetes. Kështu, për fatin tonë, i ka sjellë punët historia e re. Dhe, ky fat nuk do të duhej të na bënte shumë kërkues ndaj fqinjëve. Të mos e harrojmë atë të popullit: mos u kapardis kur të shkojnë punët mirë dhe mos u lig kur të shkojnë keq! Po Rusia, pse vazhdon të këmbëngulë në veton e saj, edhe tani që Kosova e ka shpallur pavarësinë dhe e kanë njohur gati 50 shtete? Shpresonit në ndonjë ndryshim të mundshëm pas rokadës Putin- Medvedev? Rusia është shtet i madh, e shtet i fortë dhe politika e jashtme, madje, as e brendshme, e shteteve të tilla të mëdha e të forta nuk ndryshon as lehtë, as shpejt. Ato bëjnë politikë të vijave të gjata, historike. Politikën e ndërrojnë lehtë e shpejt shtetet e vogla, të cilat jeta i shtrëngon të ndërrojnë fytyrën shpesh. Rusia është vëllai i madh i Serbisë dhe, siç është parë, nuk e ka harruar dhe nuk do ta harrojë vëllazërinë. Po nuk është kjo e vetmja arsye pse Rusia nuk e njeh Kosovën: arsye për këtë janë edhe interesat e saj gjeopolitike. Arsyen e dytë, pse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Rusia e tregoi shumë shpejt në politikën ndaj Gjeorgjisë - në Osetinë e Jugut e në Abkhazi. Tani, mbasi e njohu pavarësinë e Osetisë së Jugut dhe të Abkhazisë, Rusia do të duhej ta njihte pavarësinë e Kosovës. Nuk e bën këtë, ndoshta, pa qenë e sigurt se vendet perëndimore do t‘i njohin Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë. Tregti politike. A ka rreziqe që i kanosen shtetit të ri të Kosovës? Nëse po, ç‘rreziqe janë dhe si mund të shmangen? Më sipër fola për rreziqet që i vijnë dhe mund të vazhdojnë t‘i vijnë Kosovës shtet prej Serbisë, prej Mitrovicës Veriore dhe prej enklavave serbe, në qoftë se nuk e pranojnë bashkëjetesën qytetare në Kosovë.Këto rreziqe ne mund t‘i shmangim mbi të gjitha në bashkëpunim me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian. Por, janë edhe disa rreziqe që Kosovës mund t‘i vijnë prej vetvetes. Me rreziqet e këtilla ne, zakonisht, nuk merremi dhe nuk dëshirojmë të dëgjojmë të flitet për to. Historia ka dëshmuar se rreziqet e brendshme për një shtet shpesh mund të jenë më shkatërruese se të jashtmet. I frikësohem shumë shtetit të kalbur përbrenda: të kalbur sidomos në pikëpamje morale, në pikëpamje shpirtërore, në pikëpamje kulturore, në pikëpamje juridike. I frikësohem shumë njeriut të pandërgjegje,njeriut të papërgjegjshëm në pushtet. I frikësohem shumë njeriut me mendje të rrudhur në pushtet. I frikësohet shumë njeriut primitiv në pushtet, që nuk sheh tjetërkënd pos të vetëve. I frikësohem shumë, sidomos, mafies politike në pushtet. Politika është kimi prishëse dhe, në të lehtë e shpejt prishen kur e kur edhe të qëndrueshmit e lëre më të gatshmit për prishje. Parandalimi i prishjeve të brendshme nuk është i lehtë, kurse shërimi prej tyre tepër, tepër i kushtueshëm. Ndihmona, Zot! Si mund të shmangen këto rreziqe të brendshme? Besoj se shmangen: me funksionimin e shtetit të së drejtës; me parandalimin e mundësive për privatizimin e shtetit; me një politikë sociale sa më të drejtë; me largimin prej politikës të të korruptuarve dhe të atyre që duan të bëjnë politikë shtetërore me farefis, me miq, me servilë, me grupe mafioze! Kosova ka tashmë Presidentin, Parlamentin,Kryeministrin dhe Qeverinë, bashkë me institucionet e tjera shtetërore. Si e vlerësoni punën e tyre të deritanishme? Po situata politike mos duket si e qetë apo është, vërtet, e tillë? Institucionet shtetërore të Kosovës, që kanë dalë nga zgjedhjet e fundit (e këto ishin zgjedhje në të cilat fituan ata që duhej të fitonin: çlirimtarët e Kosovës) siç po shihet i kanë filluar disa nisma që kanë ngjallur shpresa te qytetarët. Kanë filluar të veprojnë kundër disa të këqijave që kanë lëshuar rrënjë të thella në politikën, në ekonominë, në administratën tonë: e kanë filluar betejën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, hajnisë, plaçkitjes. Kanë filluar të mendojnë për trajtim tjetër, më normal të arsimit,shëndetësisë, e mund të presim të fillojnë të mendojnë për trajtim më normal, ndryshe, edhe të shkencës dhe të kulturës. Por, a do të kenë mjaft kondicion? A do ta çojnë deri në fund betejën kundër këtyre të këqijave - e kjo është çështje tjetër. Do të shihet. E, për Kosovën dhe për ta është tepër e rëndësishme ta çojnë deri në fund këtë betejë, t‘i çojnë atje ku e kanë vendin të korruptuarit, hajnat, shpërdoruesit e detyrës. Është e rëndësishme që ekonominë, kulturën, shkencën, arsimin ta çlirojnë prej disa grupeve mafioze, që veprojnë si dorë e zgjatur e disa zyrtarëve dhe disa drejtuesve në institucione të larta të ekonomisë të shkencës, të arsimit e të kulturës. Është e rëndësishme ta privojnë pushtetarin dhe, në përgjithësi, nomenklaturën politike dhe shtetërore prej privilegjeve, që ia ka krijuar ajo vetes gjatë tetë viteve të shkuara. Është e rëndësishme që Qeveria, Kuvendi, t‘i kenë duart e pastra dhe duarpastër të dalin para popullit dhe para të huajve. A do të ngjajë kjo - do të shohim. Uroj të mos kemi nevojë të mendojmë, të flasim e të shkruajmë për këta të sotmit, si për ata që i bënë shpurat e veta nga pesëdhjetë metra të gjata, që deshën ta bëjnë Kosovën me Shtëpi të bardhë, si ajo e Titos në Beograd, që deshën ta bëjnë Kosovën me Ditën e Presidentit, siç ishte Dita e stafetës së Titos, si ata që deshën funksionarëve t‘u bëjnë pallatin e punës, të pushimeve e të luksit në Gërmi, si ata që me mjetet publike të Kosovës bënë shtëpi për vete që, mandej, me para publike e zgjeruan edhe më, si ata që duke shpërdorur detyrën u bënë shpejt e lehtë pasanikë të mëdhenj në kushtet e Kosovës së varfër. Në politikë, si edhe në çdo punë tjetër, është e rëndësishme si e fillon; por edhe më e rëndësishme është si e vazhdon dhe e përfundon punën. Do të shohim si do ta vazhdojnë këta që e filluan mirë. I sigurt nuk jam plotësisht në pastërtinë e vazhdimit të tyre. Cila është e ardhmja e shtetit të Kosovës në raport jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me Maqedoninë, Serbinë apo dhe Malin e Zi, duke pasur parasysh se në këto vende jetojnë shumë shqiptarë? Marrëdhëniet e Kosovës dhe të Shqipërisë, të Shqipërisë dhe Kosovës, janë një çështje e veçantë. Çfarë do të jenë marrëdhëniet midis tyre, çfarë cilësie dhe çfarë qëllimi historik do të kenë ato marrëdhënie duhet të mendojnë bashkë klasa e tyre politike dhe intelektuale - të mendojnë dhe të vendosin në pajtim me vullnetin e popullit të tyre. Marrëdhëniet e Kosovës me Maqedoninë, me Malin e Zi dhe me Serbinë nuk varen vetëm prej Kosovës po dhe prej Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, si dhe prej shqiptarëve që jetojnë në këto shtete. Koha e ardhshme mund të sjellë shikime të reja, qëllime të reja dhe marrëdhënie të reja në Ballkan. Mund të mendohet se ndryshimet gjeopolitike në Ballkan nuk kanë marrë fund; rikonstruktimi i hapësirës ballkanike,duket, mund të vazhdojë ende. A na duhet një platformë e veprimit ndërshqiptar dhe e integrimit të faktorit shqiptar në Ballkan? Nuk ka dyshim se rrethanat ndërkombëtare në fund të shekullit XX dhe, tani, në fillim të shekullit XXI e kanë favorizuar dhe vazhdojnë ta favorizojnë faktorin shqiptar. Kjo kohë i ka sjellë popullit shqiptar mundësi që nuk i ka pasur prej shekullit XV e këndej. Do t‘i shfrytëzojnë shqiptarët këto mundësi për t‘u konsoliduar si komb, për t‘u zhvilluar, për të përparuar, për t‘u rritur në pikëpamje politike, ekonomike, kulturore dhe qytetëruese - për t‘u bërë një komb, vërtet, modern, varet shumë, shumë prej tyre. Kemi njerëz mendjeshkurtër që faktorin shqiptar, dhe Kombin shqiptar, duan ta fragmentarizojnë, por kemi edhe njerëz me shikime të tjera, historike. Pa politikë të integrimit të faktorit shqiptar këto mundësi nuk do të shfrytëzohen. Eshtë e vërtetë se në Kosovë, më hapur se në Shqipërinë shtetërore, po rritet grupi i separatistëve, që synon t‘i largojë sa më shumë shqiptarët e Kosovës me ata të Shqipërisë. Në disa fakultete, në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës e në disa institucione kulturore veprojnë disa vetje që e kanë gjetur edhe realizimin intelektual, edhe leverdinë në atë separatizëm brenda kombit shqiptar. Ç‘është e vërteta, këtë ideologji të tyre paramoderne, prapakthyese, e nxisin disa qarqe të jashtme dhe, duket, ndonjë ambasadë në Prishtinë. Mund të jetë se edhe institucionet shtetërore të Kosovës përjetojnë trysni për t‘i ndarë edhe kombëtarisht Kosovën e Shqipërinë! Nuk keni hezituar të shpreheni mbi bashkimin e shqiptarëve, e më konkretisht të Kosovës me Shqipërinë. Po ju citoj: "Do të ndodhë një ditë, sado që po shtohet numri i feudalëve dhe i bujkrobërve të tyre, që e kundërshtojnë deri në vetëmohim një ide të tillë". I qëndroni ende këtij mendimi dhe pse? Më mirë dy shtete shqiptare në rajon apo një dhe më i madh e më i fortë? Si të mos e kem edhe më tej, gjithnjë, këtë mendim. Është interes historik, është interes jetësor, është interes ekonomik, është interes i përgjithshëm i shqiptarëve që të bashkohet Kosova me Shqipërinë. Për shqiptarët është shumë më mirë që të jetojnë në një shtet më të madh e më të fortë sesa në dy shtete më të dobëta, më të varfra. Kjo është më e pranueshme, besoj, edhe për fqinjët ballkanikë. Më në fund, Kosova gjithmonë, deri në vitin 1912, i ka takuar asaj tërësie gjeografike dhe etnike që është quajtur Shqipëri. Vetëm ashtu, të bashkuar, shqiptarët bëhen, vërtet, të zhvilluar, të fortë, në Ballkan. Vetëm ashtu ata do të mund të arrijnë që të shtojnë vlerat e tyre të përgjithshme dhe të lirohen prej të këqijave. Kosova do ta lironte Shqipërinë prej të këqijave tipike për të, e Shqipëria Kosovën prej të këqijave tipike për Kosovën. Normalisht, Plani i Ahtisarit u konsiderua dhe, siç po duket, konsiderohet ende i mirë. Por seç kanë filluar të dalin ca probleme të vogla. A mund të kishim një më të mirë se ai? LëvizjaVetëvendosja i ka bërë një përimtim të bindshëm dhe në pjesën më të madhe të pikave plotësisht të drejtë atij Plani. Ai është Plan që e lejon federalizmin apo, madje, konfederalizimin e Kosovës. E federalizimi a konfederalizimi i Kosovës nuk do parë si ai i Zvicrës. Ky i Kosovës është plot me rreziqe për nesër. Kjo domethënë se mund të kishim një plan më të mirë se ai. Po, siç dihet, Ahtisari nuk e kishte lehtë: prej tij pritej të bënte një Plan që do t‘i bënte qejfin krejt botës dhe babait! Sigurisht, për interesa dhe arsye të ndryshme, ka spikatur roli i SHBA dhe i Evropës në përkrahje të pavarësisë. Analistë të shumtë po vërejnë një tërheqje disi të pashprehur të Shteteve të Bashkuara dhe angazhim paksa të dukshëm të institucioneve evropiane. Pse ky ndryshim rolesh? Kosova është në Evropë dhe një ditë, të shpresojmë jo shumë vonë, do të pranohet në Evropën e Bashkuar. Tani mbasi në pjesën më të madhe është kryer puna, është kryer në radhë të parë në sajë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ato - SHBA-të mund t‘i lënë më shumë mbikëqyrje, e kjo mbikëqyrje do të thotë sovranitet, Evropës në Kosovë. Por faktori amerikan, politika amerikane, mbetet këtu edhe nëse zvogëlohet prania e amerikanëve në Kosovë. Nuk i mendoj mirë punët e Ballkanit pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Midis pavarësisë e pushtetit, Berisha zgjodhi rrugën e dytë" Qosja: Meidani dhe Godo, jashtëzakonisht parimorë Shqipëria ka pasur një rol jo fort të ekspozuar ndaj çështjes së Kosovës. E ka mbështetur fort, por duke dashur të mos krijojë probleme, ka mbajtur qëndrim të moderuar. I pyetur se si i duket pozicionimi i Shqipërisë përballë Kosovës dhe ç‘mbetet për t‘u përmirësuar midis nesh, akademiku Qosja përgjigjet: Çka ka më të vetëkuptueshme se populli shqiptar në Shqipëri ta dëshirojë dhe ta mbështesë pavarësinë e Kosovës. Dhe, kjo është politikisht dhe moralisht e arsyeshme, e natyrshme, e domosdoshme. Ashtu e ka përkrahur lirinë e vëllezërve të vet. Dhe, ashtu përkrahet një zgjidhje politike kombëtare në Ballkan, me të cilët përmbushen interesa jetësore, historike, të përshtatshme dhe të ardhshme të popullit shqiptar në Kosovë, të popullit shqiptar në Shqipëri dhe të popullit shqiptar në Maqedoni, në Mal të Zi e në diasporë. Përkrahja e Shqipërisë ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj është shprehur fuqishëm, sidomos në prag të Luftës dhe, mandej, gjatë Luftës. Pa Shqipërinë nuk do të mund të bëhej lufta çlirimtare në Kosovë, pa dyshim, dhe pa Shqipërinë nuk do të mund të mbahej UÇK-ja. Të gjitha këto që thashë nuk duan të thonë, ndërkaq, se forcat politike, në Shqipëri, të rreshtuara njëra kundër tjetrës në luftën politike për pushtet, nuk kanë treguar dobësi, më të vogla a më të mëdha në qëndrimet ndaj Kosovës,të cilat në shkencën historike do të shpjegohen në të ardhmen. E di, personalisht,se ish-kryetari i Shqipërisë, Rexhep Meidani, kryetar i Shqipërisë në çastet vendimtare për luftën në Kosovë dhe për pavarësinë e Kosovës, dhe kryetari i Këshillit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, Sabri Godo, ishin jashtëzakonisht parimorë dhe të palëkundshëm, të pakompromis në përkrahjen politike, diplomatike dhe tjetër të Kosovës e të luftës së saj. Dhe, e di, personalisht se ish-kryetari i Shqipërisë, Sali Berisha, ka bërë shumë varavinga në politikën e tij ndaj Kosovës dhe lëvizjes kombëtare në Kosovë dhe këto varavinga të tij, për të cilat kam shkruar (në librin Fjalor demokratik) kushtëzoheshin prej luftës së tij për pushtet në Shqipëri. Jo njëherë ai e ka varrosur idenë e pavarësisë së Kosovës, i bindur se ashtu po përkrahej e lavdërohej prej disa faktorësh ndërkombëtarë. E kam të ruajtur deklaratën e Lordit Kerington, në të cilën ai theksonte: Shqipëria ka kryetarin që është kundër kërkesave për pavarësi të Kosovës, sepse ato kërkesa nuk i përkrahin as faktorët ndërkombëtarë!Kush nuk e di sot se ky ish-kryetar i Shqipërisë e furnizonte Serbinë e Millosheviçit me naftë kur OKB-ja e kishte vënë në bllokadë dhe kush s‘e di se ai ishte kundër Konferencës së Rambujesë.Dhe kundër bombardimeve! E të mos flas tani për disa veprime të tij nëntokësore, për të cilat është marrë vesh tani vonë. Unë, natyrisht, nuk e them se ai ishte deri në fund kundër pavarësisë së Kosovës, por them se midis pavarësisë së Kosovës dhe pushtetit të tij në Shqipëri, ai zgjidhte të dytën! Me pyesni se çfarë më duket pozicionimi i Shqipërisë përballë Kosovës sot? Eshtë pozicionim, kryesisht, i dëshiruar. Po të mos harrojmë: edhe sot, si deri sot, pozicionimi i Shqipërisë shtetërore ndaj Kosovës varet nga politika amerikane dhe evropiane ndaj Kosovës. Çfarë ka për të përmirësuar midis nesh? Shumë. Shumë. Shqipëria dhe Kosova nuk e kanë përcaktuar ende në asnjë pikë politikën e ndërsjellë ndaj ardhmërisë së tyre. Po, kjo është një temë e madhe, për të cilën duhen organizuar debate në media dhe tubime shkencore.
Posted on: Wed, 18 Sep 2013 18:45:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015