Katarsis rreth Bamirit 29 Qershor, 2013 | Postuar në: - TopicsExpress



          

Katarsis rreth Bamirit 29 Qershor, 2013 | Postuar në: Aktualitet,Opinion | Shkruar nga: TemA Sprache auswählen▼ topiNga Taulant Koplikaj Ndërsa Edi Rama shijon i qetë fitoren spektakolare të së majtës, dhe tashmë sillet si kryeministër i vendit, vëmendja e mediave dhe opinionit politik është e përqendruar në zhvillimet e pritshme në Partinë Demokratike pas deklaratës së Sali Berishës për dorëheqje nga të gjitha funksionet. Ky i fundit është shprehur qartë se procesi i zëvendësimit të lidershipit do të jetë i shpejtë, brenda 30 apo 40 ditësh, duke e kthyer këtë verë në një aksion politik brenda radhëve, kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga mbyllja e fushatës zgjedhore. Ky nxitim i Sali Berishës, dhe kjo kohë e shkurtër në dispozicion për kandidatët e mundshëm, mbyll çdo hamendje për një garë emrash dhe vlerash (sadopak të mbetura në lidershipin aktual), dhe hap një epokë të re, atë të Lul Bashës. Jo se dikush kishte mendim apo parashikim të kundërt me atë që po ndodh, por ajo që na bën të gjithëve të presim me kërshëri është nëse do të ketë kohë për nisjen e një aksioni kombëtar për reformimin e Partisë Demokratike si një nevojë urgjente për këtë forcë të sapodalë në opozitë. Por a do të ketë përpjekje për të hapur një garë të fortë e të ndershme ku të përballet performanca e secilit nga kandidatët? Një pjesë e emrave të përfolur, tashmë e kanë deklaruar tërheqjen duke dëshmuar dhe një herë servilizmin e tyre thuajse gjenetik për Sali Berishën. Në këtë pikë demokracia, një fjalë thuajse e panjohur në jetën e brendshme të PD-së, ka mbërritur në pikën më kritike të saj. Nëse deri më sot kjo forcë drejtohej me dorë të hekurt nga një njeri i vetëm, tashmë pritshmëria është që lidershipi i ri të jetë i përbërë nga një kryeservil dhe i përdorur i familjes së Sali Berishës, së bashku me personazhe barsoletash të tipit Noka, çka do t’i bëjë të ndjehen maksimalisht komodë ata që sot janë kthyer në pushtet. Në këtë situatë, demokratët e bazës vazhdojnë të mbeten në atë gjendje konstante shock-u të pas 23 qershorit, ndërkohë që përpjekjet e vakëta të Besnik Mustafajt, Selami Xhepës apo Aleksandër Biberajt, ngjajnë me çadra të hapura kur nga qielli bien gurë, duke krijuar idenë e një gjendje dorëzimi të zërave kundër. Edhe pse janë ditët e para që formalisht mund t’i konsiderojmë si post-Berisha dhe koha në dispozicion për të nisur një lëvizje është e limituar, këta individë të frymës kundër në Partinë Demokratike, kanë shansin e madh të krijimit të një fraksioni vlerash, të aftë për të realizuar një garë të fortë pavarësisht vështirësive dhe rrezikut të manipulimit të votave (kësaj radhe njerëzit e Berishës e bëjnë pa më të voglin sforcim). Megjithatë prova duhet bërë. Në këtë stinë kaosi në PD nuk është e vështirë gjetja e përkrahësve dhe individëve që fajësojnë Berishën & Co për humbjen katastrofike, por është vështirë gjetja e një lideri që merr përsipër të vendosë emrin e tij përballë atij të Lul Bashës. Vendi i tij i origjinës e penalizon që në nisje vetëkandidimin e Aleksandër Biberajt, për vetë përvojën e hidhur që ka ajo pjesë e pretenduar e demokratëve me patriotin e tij të sapodorëhequr dhe konsideratën e humbur për një lidership me origjinë tropojane. Mjafton ky argument i deklaruar pa më të voglën dashakeqësi për të kuptuar se me Biberajn përballë, gjërat papritur mund të lehtësohen për Bashën. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për liberalin Besnik Mustafaj, që mund të jetë një vlerë e shtuar dhe determinues duke qëndruar si krah i djathtë i kandidatit të mundshëm të këtij fraksioni të supozuar. Në këtë rebus emrash dhe profilesh politike, mendja më rikthehet tek Bamir Topi, nënkryetar për shumë vite i Partisë Demokratike. Edhe pse FRD, partia e drejtuar nga ai, së paku në Tiranë pësoi një humbje të pamenduar në këto zgjedhje, Bamir Topi mund të konsiderohet si një emër dinjitoz për drejtimin e Partisë Demokratike në opozitë. Anëtarët e FRD-së janë mbi 90% ish-anëtarë të Partisë Demokratike dhe një lëvizje e Topit drejt kandidimit për kryetar të PD-së do të mirëkuptohej e madje do të mirëpritej nga mbështetësit e tij. Ajo që mbetet për t’u ndjekur me vëmendje këto ditë është; së pari ambicia e zotit Topi për t’u futur në këtë garë; së dyti mbështetja që mundet të ketë tek të pakënaqurit në PD (një pjesë e tyre miq të tij); së treti krijimi i një enturazhi dinjitoz të papërlyerish që nga Besnik Mustafaj, Selami Xhepa, Mark Marku, Lajla Përnaska, Aleksandër Biberaj, Gazmend Oketa, Sali Shehu, etj, si fytyra e vërtetë e këtij fraksioni. Sa i përket strategjisë mbi të cilën duhet ndërtuar kjo lëvizje, këtu qartësia nuk mungon. Gjithçka duhet të nisë nga baza, në çdo fshat e qytet të vendit, për ti mbledhur demokratët në salla, lokale, bilardo, shtëpi e kudo ata mund të grupohen. Për kthyer atyre besimin e humbur. Për t’i sqaruar se zgjedhjet u humbën jo se populli nuk e kuptoi Sali Berishën, por se ky i fundit gaboi aq shumë me popullin e tij saqë u ndëshkua me votë plebishitarë. Ata që do kenë forcën e kurajën të vihen në krye të kësaj lëvizje, duhet të lënë kafenetë e Tiranës, studiot televizive dhe redaksitë e gazetave dhe të marrin mbarë Shqipërinë për t’u hapur sytë qytetarëve të djathtë se Lul Basha është vazhduesi i të njëjtës rrugë, asaj të abuzimit me pushtetin, vjedhjes dhe dhunës ndaj këtij populli. T’i mbushin mendjen militantëve demokratë se Lul Basha mund të fitojë PD-në me votat e tyre, por ata do të mbeten përjetësisht opozitarë sepse Lul Basha asnjëherë nuk do të fitojë Shqipërinë pasi ka dhe do të ketë 70% të saj kundër sa kohë pas tij është Sali Berisha. Kjo lëvizje duhet t’i mbushë mendjen demokratëve në të gjithë vendin se përpos largimit të familjes, është nevojë jetësore largimi nga drejtimi i Partisë Demokratike i arrogancës së Jozefinës, i cinizmit të Rulit, i servilizmit idiot të Nokës, apo i oportunizmit të Imamit. T’u thonë të djathtëve shqiptarë se dalja në opozitë do t’i shërbejë Partisë Demokratike për t’u shëruar sa më shpejt nga kjo sëmundje e rëndë ku e kanë katandisur këto monstra që nuk kanë as minimumin e kurajës sa t’i kërkojnë falje zgjedhësve të tyre për katastrofën që shkaktuan në qytetet ku drejtuan fushatën. Nuk mund të parashikoj nëse dikush do të jetë në gjendje të marrë përsipër një lëvizje të tillë, që do të ishte historike në Partinë Demokratike, por e vlerësoj apriori si mjaft të suksesshme nëse do mundësohet. Një lëvizje e tillë “alla katarsis” e atyre personave të papërlyer me aferat e qeverisjes Berisha, e atyre dinjitarëve të mbetur të PD-së do të sillte një garë interesante për tu ndjekur gjatë ditëve më të nxehta të verës, një garë që të paktën do të ishte e vërtetë dhe jo ashtu siç po e sajojnë tani, përreth Lulit.
Posted on: Mon, 01 Jul 2013 09:41:11 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015