Katër vjet më parë, me shifrat e pjesshme të zgjedhjeve të - TopicsExpress



          

Katër vjet më parë, me shifrat e pjesshme të zgjedhjeve të 2009-ës në dorë, thashë gjatë një lidhjeje direkte nga KQZ se LSI mund të tundohej nga bashkimi i votave me Partinë Demokratike. Paneli në studion e televizionit ku punoja asokohe e priti me skepticizëm këtë ndërhyrje. Por një orë më vonë Dritan Prifti i ofroi Sali Berishës votën e tij për krijimin e qeverisë, gjatë një lidhjeje direkt me studion e një televizioni tjetër. Brenda “normalitetit” që krijoi ai akt i atëhershëm, sot, pas katër vjetësh, vazhdoj të besoj se ajo që është e mundur matematikisht, nuk është e pamundur politikisht. Në këtë kuptim, një qeveri tjetër PD-LSI mbetet opsionale! Ajo do të ishte një qeveri e pakicës, në pamundësi për të arritur një qeveri të shumicës. Shifrat e lejojnë këtë. Nëse LSI bashkon mandatet e saj me ato të koalicionit të djathtë, do të kishim një shumicë prej 73-74 mandate (në funksion të përfundimit total të numërimit), pa folur këtu për lëvizje të mundshme deputetësh përgjatë tërë legjislaturës së ardhshme. Pyetja që shtrohet është se çfarë do ta shtynte Ilir Metën të ndërmerrte një hap të tillë? E thjeshtë: ambicia e tij për të qenë kryeministër! Është e qartë se tani për tani as Edi Rama dhe askush brenda Partisë Socialiste nuk është gati t’ia plotësojë këtë dëshirë, ndërkohë që Sali Berisha mund ta pranojë këtë kompromis, të vështirë për egon e tij, por të imponuar nga realiteti i shifrave: ai, kryetari i Partisë Demokratike, në çdo rast nuk mund ta formojë qeverinë i vetëm. Nga ana tjetër, Ilir Metës i ofrohet një realitet shifrash që ndoshta as ai vetë nuk e priste përpara zgjedhjeve, kur mohonte bashkëpunimin me Sali Berishën pas tyre. Në tërë këtë histori shifrash kuptojmë se ndryshimin e madh nuk e ka bërë Partia Socialiste me Edi Ramën, por pikërisht LSI me Ilir Metën. Partia Socialiste ruan thuajse të njëjtat vota dhe mandate si në 2009-ën, ndërkohë që mandatet shtesë në shportën e koalicioni të majtë i ka sjellë LSI, duke rikuperuar votat e humbura nga Partia Demokratike. Sado paradoksale që tingëllon, është e vërtetë se njerëzit kanë votuar pikërisht partinë e akuzuar për korrupsion dhe mungesë morali. Ndaj, nëse Shqipëria do të “rilindë” me një shumicë qeverisëse të majtë, kjo nuk do të jetë sipas imagjinatës kolektive socialiste, por sipas përllogaritjeve të Ilir Metës! Nga këndvështrimi i bazës së tij, Ilir Meta e ka më të thjeshtë. Duket se njerëzit e shumtë që i kanë dhënë votën, kësaj here kanë votuar pragmatizmin e tij politik dhe moralin e fjalës së mbajtur kur flitet për të punësuar në administratë shtetërore njerëz të LSI-së. Ndaj një votuesi të LSI-së nuk i bëhet fare vonë me cilën forcë politike bën koalicion Ilir Meta, mjaft që LSI të jetë në pushtet. Madje, aq më mirë nëse kryetari është edhe kryeministër. Edi Rama nga ana e tij, por edhe eksponentë të tjerë të Partisë Socialiste vazhdojnë të përmendin Kushtetutën kur pyeten për emrin e kryeministrit. Por çfarë thotë Kushtetuta? Kushtetuta e përshkruan procedurën në nenin 96 të saj. Kryeministri i ardhshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me propozimin e partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Nëse kryeministri i emëruar nga presidenti nuk miratohet nga Kuvendi, presidenti emëron një kryeministër të ri brenda 10 ditëve. Ky kryeministër jo detyrimisht i përket partisë apo koalicionit të dytë për numrin e mandateve në Kuvend; në çdo rast mjafton që propozimi i ri të jetë përfaqësues i një force politike parlamentare. Dhe vetëm pas tri emërimesh të dështuara, kalohet në zgjedhje të reja. Në këtë dinamikë të gjërave Edi Rama do të mandatohet i pari nga Presidenti i Republikës për të krijuar qeverinë e re, edhe nëse nuk e ka mirëkuptimin e partive të tjera të koalicionit të majtë, sepse Partia Socialiste që ai kryeson, është partia me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend. Por kur Edi Rama të kërkojë të formojë qeverinë e re, atëherë ai mund të dështojë ta bëjë këtë me LSI-në, duke i hapur rrugë emërimit të një kryeministri tjetër. Ilir Meta ka disa miq mes politikanëve të djathtë, që do të përpiqen ta bindin mbi të mirën e një bashkëpunimi të ri me Partinë Demokratike, nëse Doktori ia pranon postin e kryeministrit. A nuk është kryebashkiaku Basha një njeri i afërt me Ilir Metën, pikërisht ai që së bashku me kryeministrin në detyrë, Sali Berisha, patën dje një takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani? Ambiciet dhe përfitimet politike të Ilir Metës nga të qenit kryeministër janë të shumta. Ai nuk do të bëhet kryeministër vetëm nëse nuk e kërkon vetë këtë gjë. Sepse në këto momente ai është në pozitë që të mund t’i imponohet si Edi Ramës, edhe Sali Berishës. Aritmetika e shifrave ia jep këtë të drejtë. Por aritmetika mplekset në këtë rast edhe me konsiderata politike. Më të madhe se ambicien për kryeministër, Ilir Meta ka ambicien e kahershme të kontrollit të së majtës. Në perspektivën e kësaj ambicieje të përbashkët me Edi Ramën, që herët a vonë do t’i vërë sërish ballazi, vetëm Ilir Meta e di nëse i leverdis më mirë të luajë fort kartën e kryeministrit, duke bërë edhe njëherë tjetër një koalicion me demokratët, apo të rrijë nën hijen e një kryeministri si Edi Rama, duke përfituar pse jo nga një formulë ndarjeje e pushtetit 50 me 50, por duke punuar ngadalë, për ta shqyer atë nga brenda. /ikub /
Posted on: Thu, 27 Jun 2013 17:21:01 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015