Keshilla per nje ushqyerje te shendetshme te femijeve Sipas - TopicsExpress



          

Keshilla per nje ushqyerje te shendetshme te femijeve Sipas rekomandimeve që jep OBSH, ushqimi vetëm me gji për moshën nga 4-6 muaj është ideal. Kur duhet të fillojë dhënia e ushqimeve shtesë tek fëmijët që ushqehen me gji? Sipas rekomandimeve që jep OBSH, ushqimi vetëm me gji për moshën nga 4-6 muaj është ideal. Përpjekjet e disa nënave për të filluar ushqimet solide më herët se muaji i katërt, janë të gabuara. Por edhe fillimi i ushqimeve solide më vonë se 6 muaj, nuk është i këshillueshëm, sepse fëmija mund të mos reagojë mirë në ushqyerje. Periudha më e përshtatshme e fillimit të ushqimeve të tjera, përveç qumështit të gjirit, është nga muaji i 4-6 i jetës së fëmijës. Në këtë periudhë, aparati tretës i fëmijës arrin të thithë dhe të tresë, përveç qumështit të gjirit, edhe ushqime të tjera. Po ashtu, funksioni i veshkave përballon një sasi më të madhe proteinash dhe mineralesh. Cilat janë ushqimet më të përshtatshme në këtë moshë? Varet nga tradita familjare, ose preferenca e prindit në përzgjedhjen e ushqimit të parë shtesë. Mund të fillohet me drithërat. Preferohet mielli i orizit, për vetitë hipoalergjike. Por mund të fillohet edhe me pure zarzavatesh. Këto gatime duhet të përgatiten me qumësht industrial (formula standarde), të paktën deri në fund të vitit të parë. Qumështi i lopës në këtë periudhë nuk këshillohet, për mangësitë në përbërje, ku më e rëndësishmja është deficiti në hekur, që shkakton aneminë tek fëmija. Ushqimi i ri duhet filluar me sasi të vogël, për t’u shtuar gradualisht, në varësi të tolerancës së stomakut të fëmijës. Pasi të jetë mësuar me ushqimet e para, gradualisht shtohet mishi i homogjenizuar, djathi, veza etj. Duhet të kihet parasysh që ushqimet solide të jepen me lugë, në mënyrë që të mësohen reflekset e përtypjes nga fëmijët. Po ashtu lëngjet duhet të pihen me gotë, sepse dhënia me biberon, sidomos e lëngjeve të frutave mund të favorizojë kariesin. Çfarë këshillash mund t’u jepni prindërve në këtë periudhë? Duhet të vihen re ndryshimet nga fillimi i ushqimeve të reja tek fëmija. Kështu, së pari, duhen vërejtur ndryshimet në traktin tretës (shfaqja e diarresë, të vjellave, dhimbjeve të barkut etj.). Po ashtu duhen vënë re ndryshimet në lëkurë: rash, urtikarie si dhe ndryshimet në traktin respirator: vështirësi në frymëmarrje, shenja këto të një alergjie ushqimore. Çfarë mund të bëhet kur fëmija refuzon ushqimin? Në përgjithësi refuzimi i ushqimit është problem gjatë periudhave të sëmundjeve, kur anoreksia dhe refuzimi i ushqimit është i paevitueshëm. Duke qenë se sëmundja është e përkohshme, mjafton të mbështetet sipas rastit me dhënie lëngjesh nga goja, ose në venë (parenteral), për të evituar rënien në peshë. Prindërit duhet të dinë se rregullat “e rrepta”, pa marrë parasysh oreksin dhe dëshirën e fëmijës për t’u vetushqyer, pëlqimin, ose jo nga fëmija e një ushqimi të caktuar, shpesh bëjnë efekt të kundërt. Pra, në vend që të nxisin fëmijën në ushqyerjen, e shtyjnë ta refuzojë. Në periudhat pa oreks nuk duhet insistuar të merret patjetër e gjithë sasia e ushqimit.
Posted on: Fri, 19 Jul 2013 13:15:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015