Kjo eshte Vlora Jone :) MADHËSHTIA HISTORIKE DHE KULTURORE E - TopicsExpress



          

Kjo eshte Vlora Jone :) MADHËSHTIA HISTORIKE DHE KULTURORE E VLORËS Shumë shkrimtarë dhe studiues të huaj, që ndër shekuj kanë vizituar rajonin e Vlorës, e kanë konsideruar atë në veprat e tyre ‘si një perlë të brigjeve Mesdhetare’, me pasuri të mëdha natyrore, zakonore dhe minerale. Përmenden këtu autorët Halil Inalçik, Pier Reiz, Ami Bue, Henri Holland, Pukëvil, Bajroni, piktori i madh anglez Eduard Lir, Martin Liku, francezi Leon Rey, studiuesit italianë Baldaçi, Ugolini, Pirro Mancone, apo gjermani Karl Paç. Ndërsa ushtaraku dhe shkrimtari romak Jul Cezari, i cili në vitin ’48 para Krishtit udhëtoi në grykat e Palasës e të Dukatit për t’u ndeshur me ushtrinë e Pompeit, ka shkruar në librin e tij ‘Bella civila’ se “këto male (në Palasë dhe Dukat) më shfaqen si hone poetike homerike…”. Studiuesi vlonjat Bardhosh Gaçe, vë në dukje vlerat e mëdha kulturore dhe historike të Vlorës, por që, sipas tij, duhet të promovohen për publikun shqiptar dhe vizitorët e huaj. Kjo, sepse përmes këtyre monumenteve si dhe historisë që ato mbartin shihet dhe mundësia e njohjes së kulturës midis popujve të Mesdheut. Gaçe e konsideron një element mjaft pozitiv faktin se disa nga peizazhet turistike të Vlorës si Parku Kombëtar i Llogorasë, Laguna e Nartës, Laguna e Orikumit, Kompleksi Natyror Nartë- Zvërnec-Treport, Pylli i Pishë Poros, si dhe Parqet Arkeologjike Kombëtare të Orikut e Amantias, janë përfshirë edhe në mjaft projekte e guida të Qendrës Mesdhetare të Turizmit. Roli i monumenteve të natyrës, kulturës dhe historisë është i pranishëm në zhvillimet turistike. Mjaft prej tyre kanë përftuar statusin e veçantë nga shteti shqiptar si ‘monumente natyrore’ apo ‘monumente kulture’. Në rajonin turistik të Vlorës në këtë listë objektesh përfshihen 77 prej tyre, me vlera të rralla shkencore, estetike, kulturore, historike, didaktike, kulti dhe turistike. Ato janë jo vetëm dokumente të gjalla që flasin për zhvillimin ekonomik, shoqëror, kulturor e artistik të epokës që i krijoi, por edhe për periudhat e mëvonshme. Mes tyre kisha e Marmiroit në Orikum, ajo e Armenit, qendra e peshkopatës në Himarë, kalaja e Gjon Boçarit në Tragjas, Kalaja e Himarës, ajo e Kaninës, e Porto Palermos, e Katafiqit në Kuç, Mozaiku i Mesaplikut, Mozaiku i Sherishtës dhe Gorrishtit, shkrimet e Gramatës, Shpella e Haxhi Alisë, Shpella e Velçës dhe ajo e shkruar e Lepenicës, si dhe stadiumi antik i Amantes, përbëjnë muze të hapura të kulturës së lashtë të kësaj treve. Një vlerë e veçantë e kulturës popullore në rajonin e Vlorës janë monumentet e kultit. Ato flasin vetë për madhështinë e arkitekturës, afreskat dhe ikonat, punimet e gurit, punimet e drurit, etj. Në secilin prej këtyre objekteve, gjatë periudhave të ndryshme kanë punuar piktorë dhe mjeshtra, që kanë përjetësuar artin e kohës kur kanë jetuar. Gaçe veçon këtu dy nga piktorët e shquar europianë, Mikelin e Vlorës që ka lënë disa nga pikturat e rralla në kishat e Napolit dhe të Venecias, si dhe David Selenicasin, që siç shkruhet në afresket e malit Athos në Greqi, ishte me origjinë nga Vlora. Studiuesi vlonjat shton se “gjatë gërmimeve në Velçë si dhe në disa qendra të tjera të Vlorës në vitin 1929, Pirro Marcone ka shkruar mes të tjerash se ‘veprat e artit që ruhen në Shqipëri kanë një rëndësi të madhe, jo vetëm për vendin tuaj, por ato kanë një vlerë të madhe edhe për historinë botërore të arteve. Ato do të plotësojnë boshllëqet në zinxhirin e zhvillimit të artit mesjetar në Shqipëri’”. Në vijim të evidentimit të vlerave etnokulturore të Vlorës, historiani Bardhosh Gaçe, ndalet tek traditat e krijuara në pikturë, me emra të shquar si, Skënder Kamberi, Nestor Jonuzi, Agron Dine, Agron Jakupi, Ilmi Bani, Edmond Kojani, etj, të cilët kanë krijuar sallone të vërteta arti, apo studio-art “Ori” e skulptorit të qeramikës, Zeqir Alizoti, etj, që përbëjnë një pasuri të veçantë kulturore. Duke iu referuar periudhës së viteve 1908-1932, Gaçe nënvizon se në qytetin e Vlorës u krijua një lidhje mjaft e ngushtë midis tregtarëve dhe njerëzve të kulturës dhe të artit, përmes së cilës u ndërtuan një sërë objektesh me vlera të rralla, mes të cilave rruga Vlorë-Skelë, Shtiza e Flamurit dhe varri i Ismail Qemalit, Merkatoja dhe Sahati, lulishtja “Ismail Qemali”, porti i Vlorës, ura e Drashovicës, Ura e Izvorit, Kisha e Shën Todhrit, etj. Në vitin 1921, shoqëria “Vlora e Lirë”, krahas ndërtimit të portit të ri, financoi edhe për ndërtimin e shkollave, Muzeun Arkeologjik Ballkanik të Skelës, etj. Në një arsyetim të tillë, studiuesi vlonjat sugjeron që, do të përbënte një risi fakti që, në fasadat e godinave shumëkatëshe të banimit, të gdhendeshin basorelieve të objekteve të trashëguara nga historia, mes të cilave, basorelievi dhe emblemat e kalasë së Skelës, e të anijeve lundruese të mesjetës së hershme, të cilat u zbuluan pak vite më parë në afërsi të stacionit të trenit, në periferi të qytetit të Vlorës. Muzeu Etnografik i qytetit, është një objekt me mjaft vlera artistike, estetike e kulturore, por që sipas studiuesit Gaçe duhet dhe po pasurohet në vazhdimësi. Kultura materiale vazhdon të zhvillohet në fshatrat e Vlorës. Shumë banorë prodhojnë në mënyrë artizanale veshje tradicionale, fustanella, veshje burrash e grash, sherqe, velënxa, flokate e sixhade, të cilat shiten për turistët, por edhe tregtohen në disa vende europiane Greqi, Turqi, Gjermani, Itali, Francë e Spanjë. Në këtë drejtim mjaft mjeshtra të Labërisë dhe të Dukatit, punojnë drurin e gurin, duke prodhuar objekte artistike e zbukurime, fyej, cula, tavane e orendi shtëpiake. Një vlerë madhore është kënga polifonike e rajonit të Vlorës, e cila dy vjet më parë u shpall nga UNESCO si pasuri e trashëgimisë botërore. Ky rajon ka një trashëgimi të pasur folklorike, grupe e ansamble me emër. “Këngët “Qazimademçe”, “Smokthinjoçe”, “Dukatase”, “Matohasançe”, “Himariotçe”, vallet e Vranishtit, fyejt e instrumentat e Labërisë, tashmë janë regjistruar edhe në albumet e katalogët e Francës, Anglisë, Gjermanisë, Norvegjisë, Greqisë, Turqisë, Italisë e gjetkë. Në këtë kontekst, Vlora ka përgjegjësi të mëdha artistike e kulturore për të zhvilluar e pasuruar këtë lloj arti.
Posted on: Sat, 20 Jul 2013 13:30:00 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015