Kjo është një histori e përmbledhur e njerëzve me uniformë, - TopicsExpress



          

Kjo është një histori e përmbledhur e njerëzve me uniformë, që ranë në detyrë... Komisari Gani Malushi U vra para komisariatit të Durrësit nga Agim Pepa, i cili pas kësaj është strehuar për më shumë se pesë muaj në qytetin e Tiranës. Media do të referonte nga burime të Ministrisë së Rendit Publik se Agim Pepa ishte parë nga bashkëpunëtorë të policisë mbi tre herë në harkun e pesë muajve në qytetin e Tiranës. Madje, ai edhe ishte fotografuar në kryeqytet në tre vende të ndryshme. Gani Malushi u diplomua në Shkollën e Lartë të Policisë në vitin 1983 dhe i shërbeu mbi 25 vjet Policisë së Shtetit. Pas vdekjes është nderuar me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti i Republikës. Oficeri dëshmor u bë i njohur në radhët e oficerëve të karrierës së Ministrisë së Rendit Publik, fill pas trazirave të vitit 1997. Ai kish punuar me shumë devicion nga viti 1983 e deri në vitin 1994, kur u lirua nga detyra për shkak të “reformës” së bërë. Pas trazirave të vitit 1997 kur komisariati i Beratit pothuaj mbaroi së ekzistuari dhe bandat e kthyen qytetin muze në një vend tmerri, komisar Malushit iu besua detyra e shefit të komisariatit numër 2 të këtij rrethi. Pak javë më vonë, si zv.drejtor i Policisë së Beratit, organizoi operacione të suksesshme, gjatë së cilave është arrestuar “i tmerrshmi” i Beratit, Lul Caka, është shpartalluar banda e Urës Vajgurore apo e Altin Dardhës, si dhe u vra vëllai i Kastriot Jaupit, Ilir Jaupi. Ai kreu me sukses edhe detyrën si shef i komisariatit të Rinasit, shef rendi i policisë së Peqinit, Shef komisariati i Librazhdit dhe së fundmi i njërit nga komisariatet më problematike në vend, atij të Krujës. Malushi u cilësua si një ndër drejtuesit e policisë më të rrezikuar, pasi emri i tij ndodhej në listat e hakmarrjes së Lul Cakës dhe Kastriot Jaupit. Arben Zylyftari Me origjinë nga qyteti i Beratit, u vra më 2 Gusht të vitit 2000 në lagjen “Guerile” të qytetit të Shkodrës, gjatë një aksioni të organizuar të policisë për kapjen e një të shumëkërkuari. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe të shumëkërkuarit në këtë aksion u vra edhe autori i vrasjes së Arben Zylyftarit, Bahri Tafili, kurse djali i tij Genci Tafili u arrestua dhe u dënua me 25-vjet burg. Ish-shefi i krimeve në atë kohë, Prelë Pjetrushi, koleg i Zylyftarit, pati filluar asokohe një aksion kundër grabitësve të makinave. Policia po patrullonte në lagje, kur një agjent i rendit ka vënë në dijeni grupin e gatshëm për praninë e Bahri Tafilit, person në kërkim për vrasjen e Gëzim Gecit, i cili ka tentuar të largohet sapo ka parë forcat e rendit. Në këtë kohë, ish-shefi i krimeve, Prelë Pjetrushi, që drejtonte aksionin, komunikoi me radio me drejtorin e policisë së Shkodrës, Kolonel Arben Zylyftarin. Ky i fundit vendosi të shkonte dhe vetë në vendin e ngjarjes. Ndërsa Zylyftari po mbërrinte në vendin e ngjarjes, vazhdoi shkëmbimi i zjarrit. Arben Zylyftari, ndërkohë kishte kërkuar mbështetjen e FNSH-ve dhe ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke u pozicionuar rreth 17 metra larg nga kasollja ku ishin futur Bahri dhe Genci Tafili. Zyrtarisht thuhet se është qëlluar me një të shtënë nga kasollja dhe plumbi kapi në gjoks Arben Zylyftarin, i cili gjeti vdekjen më pas në spitalin e Shkodrës. Në këtë ngjarje, mbeti i vrarë edhe Bahri Tafili, ndërsa i biri, Genci Tafili, iu dorëzua policisë. Pas ngjarjes, 31-vjeçari Genci Tafili, i dënuar me 25 vjet burg, ka deklaruar se vrasja e Zylyftarit nuk është bërë nga ai. Zylyftari ka gradën më të lartë të oficerëve të rënë dhe emrin e tij mban sot Shkolla e Lartë e Rendit. Qyteti i vet e ka shpallur “Qytetar Nderi” dhe madje i ka ngritur dhe një bust në qytet. Musa Skura Shërbeu prej vitit 1985 e deri mbrëmjen e 13 janarit, kur u përball me tre plumba kallashnikovi, të lëshuara nga një 19-vjeçar nga Burreli. Shefi i krimeve të policisë së qytetit të Burrelit, Musa Skura po drejtonte një operacion policor në fshatin Suç, të rrethit të Matit, ku mbeti rëndë i plagosur. Nga shkëmbimi i zjarrit, ka mbetur i plagosur dhe një nga autorët e sulmit ndaj policëve, të cilët hapën zjarr mbi policinë në momentin që këta do t’i arrestonin. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal, dhe nga andej është nisur për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku mori dhe ndihmën e nevojshme mjekësore. Më vonë është shoqëruar në Itali, por s’ka mundur të jetojë. Ish-kreut të Krimeve të Burrelit, iu dha titulli “Dëshmor i Atdheut” dhe trupi i të ndjerit u varros në Varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” në Tiranë. Adem Tahiraj Shefi i policisë së Shijakut, u vra pasditen e 13 shtatorit 2012 gjatë një kontrolli rutinë në Katund Sukth. Tahiraj kishte ndaluar për mungesë dokumentesh automjetin e nipit të një personazhi të shumëpërfolur, Ilir Xhakjes, i cili i lajmëruar ka mbërritur brenda pak minutash në vendngjarje. Pas pak fjalësh të ndërruara, Xhakja ka qëlluar 5 herë mbi Tahiraj, duke e lënë të vdekur në vend. Dy kolegët e tij se kanë ndihmuar dot, pasi njërit i ka rënë të fikët, ndërsa tjetri është fshehur për t’iu shmangur plumbave. Paradoksalisht, asnjëri, nuk ka ndërhyrë për të kapur autorin që është larguar pa vështirësi nga vendngjarja. Ai është kapur pas negociatash me të dhe familjarët. Shumë javë më pas, Gjykata e Durrësit ka dënuar me 16 muaj burg në total dy ish-policët që shoqëronin Kryekomisarin e Shijakut Adem Tahiraj, ditën e vrasjes së tij. Kastriot Gosturani (Shabani) dhe Fatmir Hoxha janë shpallur fajtorë për shpërdorim detyre dhe dënuar me nga tetë muaj burg. Ndaj tyre është vendosur edhe ndalimi i së drejtës për të ushtruar detyrën për një periudhe tre vjeçare. Kurse ende sot e kësaj dite s’ka mbaruar gjyqi ndaj vrasësit të tij. Dritan Lamaj Kryekomisar, 41 vjeç, me banim në Tiranë ka kryer një sërë detyrash në Policinë e Shtetit shqiptar, ndërkohë që kishte një karrierë të gjatë prej 19 vjetësh në Policinë e Shtetit. Ai kish punuar më parë, si oficer dhe shef krimesh në komisariatet e kryeqytetit, në komisariatin e Gjirokastrës si shef i Postës Kufitare të Kakavijës, si edhe nga viti 2010 deri më nëntor të 2012 kryente funksionin e shefit të Komisariat numër gjashtë në Tirane. Pasi la këtë detyrë, i detyruar në nëntor të vitit të shkuar, Lamaj kishte denoncuar në Prokurori se kërcënohej sistematikisht me jetë nga disa persona. Njëri prej tyre, që mendohet se është ndaluar tashmë nga policia e Selanikut, dyshohet se është vrasësi i vet. Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj Një nga të dënuarit më famëkeq në Shqipëri, Dritan Dajti, akuzohet se me 7 gusht 2009 ekzekutoi efektivët e policisë, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj, pjesë e skuadrës speciale operacionale, të cilët tentuan ta arrestonin të shumë-kërkuarin. Sot, e kësaj dite, është ende në seanca maratonike gjyqi i tij për katër policët e vrarë. Masakra ndodhi pak pas mesditës në verën e vitit 2009 në një lokal në plazhin e Durrësit, kur i kërkuari për vrasje, Dajti një person i njohur në botën e krimit ka qëlluar mbi policinë gjatë aksionit për kapjen e tij. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha atëherë për median se fillimisht u raportua një polic i vdekur dhe tre të tjerë të plagosur në gjendje kritike për jetën nga të shtënat e armëve të Dajtit drejtuar atyre. Më pas u mësua se të katër policët kanë ndërruar jetë, ndërsa policia ka qëlluar në drejtim të Dajtit duke e lënë të plagosur. Duhet përmendur se të katër ishin nga emrat më të njohur të kësaj njësie, dhe elementë shumë të vyer për policinë. Policia e Durrësit kishte siguruar informacione për vendndodhjen e Dajtit duke organizuar dhe operacionin për kapjen e tij. Por sapo kanë bërë të mundur rrethimin për arrestimin e tij, Dajti ka nxjerrë një armë dhe e ka zbrazur në drejtim të policisë. Dajti u bë i njohur në botën e krimit, kur u akuzua për vrasjen e biznesmenit Beqir Beqja, ndodhur më 17 shkurt të vitit 1999 te “Zogu i Zi” në Tiranë, ngjarja për të cilën u arrestua. Mirëpo gjatë një seance gjyqësore në Tiranë, Dajti bëri një arratisje filmi, të pandodhur ndonjëherë në Shqipëri. Qysh prej atëherë endej i lirë ndërsa ndiqej nga policia, kurse tani është në pritje të mbarimit të gjyqit të tij, por në seanca gjyqësore që nuk mbarojnë.
Posted on: Tue, 16 Jul 2013 19:56:30 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015