Korça e shek. XX… në 12 mijë negativët e fototekës - TopicsExpress



          

Korça e shek. XX… në 12 mijë negativët e fototekës “Sotiri” Kristaq_Sotiri,_autoportretKëtë mund ta përjetosh tani përmes 12 mijë xhamave fotografikë të realizuar nga fotografi Kristaq Sotiri, një ndër emrat e njohur të fotografisë shqiptare. Fototeka “Sotiri”, Instituti Shqiptar i Shkencave AIS dhe Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore përmes projektit të dixhitalizimit të fototekës, përveç ruajtjes dhe evidentimit të këtij fondi, kanë si synim edhe promovimin e një pjese të rëndësishme të trashëgimisë së fotografisë shqiptare. Sipas përfaqësues së Institutit Shqiptar të Shkencave, Aranita Brahaj, inventarizimi dixhital ndihmon për vlerësimin e traditës kulturore dhe trashëgimisë kombëtare në tërësi. “Ky arkiv i çmuar ka qenë jashtë vëmendjes së institucioneve shtetërore lokale apo qendrore. Vlerat e kësaj fototeke janë po aq të rëndësishme, sa edhe të fototekës “Marubi”, por vëmendja për ta konservuar këtë trashëgimi ka qenë plotësisht e munguar. Projekti u iniciua një vit më parë me përpjekje konkrete, për sigurimin e një fondi modest për të mbuluar shpenzimet për procesin e skanimit dhe inventarizimit, që u realizua nga Instituti Shqiptar i Shkencave. Është për t’u evidentuar fakti, se thirrjes së institutit për mbledhjen e një fondi që do të ndihmonte në realizimin e këtij projekti, iu përgjigj një grup pasardhësish të familjeve të nderuara shqiptare në emigracion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Luis dhe Linda Fundo, Albert Fundo, Diane dhe Perry Pero, Richard dhe Viosa Lukaj, Philip dhe Sally Giantris, Nicholas dhe Dorothy Vangeli, Jason George, Mark Fundo, Steven Fundo dhe Lauren Fundo”, – thotë Arantia Brahaj. Në negativët bardhezi të realizuar nga fotografi korçar Kristaq Sotiri, pjesën më të madhe të fondit e zënë portretet. Në fakt, Sotiri më së shumti është evidentuar si një fotograf portretesh, por në 12 mijë negativë ka dhe shumë portrete, peizazhe, foto familjare, rrugica qyteti, artistë, kalimtarë të rastit, lypsa etj. Të gjithë qëndronin të heshtur në xhama, në një shtëpi të thjeshtë e të harruarnga institucionet dhe krejt të panjohur për publikun. Pas fototekës “Marubi”, kjo është një tjetër trashëgimi e fotografisë shqiptare që duhet ruajtur. Ka shumë vite që është folur për ekzistencën e tyre dhe disa herë janë promovuar vlerat e kësaj fototeke në medien e shkruar, por vetëm tani është kthyer vëmendja ndaj këtij fondi me vlerë për trashëgiminë tonë kulturore. Fototeka e Kristaq Sotirit, realizuar në studion që ai ngriti pas kthimit nga Amerika, është pothuajse e panjohur për publikun. Me këtë projekt Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore ka bërë një hap përpara, duke i hapur rrugë inventarizimit të trashëgimisë në filma fotografikë. Projekti i iniciuar në korrik të këtij viti pritet të përfundojë brenda muajit shtator. Ndërkohë, ka filluar puna për skanimin dhe dokumentimin e tyre dhe të 12 mijë negativëve të e fototekës Sotiri dhe duke u inventarizuar, ata shpëtojnë nga procesi i degradimit të imazheve, si pasojë e faktorit kohë. Aktualisht janë skanuar dhe regjistruar 4000 xhamat e parë fotografikë. Janë identifikuar mjete dhe pajisje pune të artistit me vlera për historinë e artit dhe mjeshtërisë fotografike dhe janë identifikuar regjistra dhe mjete arkivuese të fototekës. Përveç kësaj, procesi i inventarizimit dixhital u krijon mundësi studiuesve, institucioneve, por edhe publikut që të njihet me të. Ky fond është ruajtur nga vetë pasardhësit e Kristaq Sotirit. Nuk ka familje korçare të kohës që të mos ketë një foto nga studioja e Sotirit. Personazhet janë nga më të ndryshmet. Shumë prej tyre të paidentifikuar, përveç personaliteteve dhe familjeve të nderuara, ushtarakëve apo personaliteteve të kohës. Kristo Sotiri fiksoi me aparatin e tij edhe portretet e kurbatkave (romeve), endacakëve, banorëve të thjeshtë të qytetit, duke sjellë jetën reale të qytetit. Shumë nga fotot e tij mbanin të lidhura familjet që ishin ndarë për shkak të emigracionit, sidomos në Amerikë. Ngjarje mortore apo evenimente familjare të fiksuara në foto, postoheshin për të shkuar dy apo tre muaj më vonë në Amerikë e për të njoftuar djemtë emigrantë për ngjarje të rënda apo të gëzuara të familjes. Peizazhi jo vetëm korçar, por dhe ai i Pogradecit është gjithashtu prezent në fotot e Sotirit. Bashkë me piktorin Vangjush Mio, ai udhëtonte deri në Pogradec për të pritur agimin atje, në Korçë e fshatrat përreth. Kush ishte Kristaq Sotiri? Ka lindur në vitin 1883 në Mborje. Atje qëndroi atje për një vit dhe pastaj familja u vendos në Korçë. Në moshën 17-vjeçare, Kristaqi punoi te kunati i tij, Kristo Solidhi, që ishte një patriot dhe një fotograf i vjetër korçar. Në 1900 Kristaq Sotiri shkon në Amerikë, për t’u kthyer në vitin 1923, pasi kishte punuar për disa vite edhe në studion e një fotografi të madh të kohës, Georges Steckel. Ky ishte mjaft i dëgjuar në Amerikë dhe kishte marrë rreth 12 medalje ndërkombëtare në evenimente të ndryshme. Çarli (pseudonimi i Sotirit) vendosi të kthehej në Shqipëri në vitin 1923. Në fakt erdhi për pak kohë, por fati i keq e solli që ai të mos largohej më nga vendi. Kishte plot 23 vite që kishte qëndruar jashtë atdheut. U vendos në një studio modeste, që sot gjendet afër Mitropolisë në Korçë. Dhe kjo është edhe shtëpia ku sot po punohet për të nxjerrë në dritë arkivin e fototekës Sotiri.
Posted on: Fri, 30 Aug 2013 08:51:31 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015