Kosova e vitit 2013! Lexojeni me vëmendje deri në fund! Një - TopicsExpress



          

Kosova e vitit 2013! Lexojeni me vëmendje deri në fund! Një thirrje dëshpërimi nga një familje nga Prishtina, tani refugjate në Mulhouse, Francë Emaili i parë: “Përshëndetje, Po ju shkruaj nga Franca, qyteti Mulhouse. Unë jam me familje këtu. Ka shumë familje të tjera. Gjendja është shumë e vështirë, ka edhe gra shtatzëna, që janë nëpër rrugë. Tek sot erdhi shansi t’ju shkruaj këtu nga një familje franceze, e cila na ka marrë me fjetë. Jam me fëmijë, po ju drejtohem juve si gazetar i ‘Kohës Ditore’, na ndihmoni... Në qoftë se është e mundshme të shkruani në gazetë se si shqiptarët kanë mbetur nëpër rrugët e Francës, ndoshta ju kam penguar, por kisha kërkuar falje nga ju. Faleminderit për mirëkuptim. Familja S.” Emaili i dytë, pas përgjigjes sime: “Përshëndetje z. Robelli, nga Kosova jemi larguar diku nga data 25 maj! Kushtet mund të them që nuk janë të mira. Kemi mbetur jashtë në rrugë, këtu ka familje që tashmë tre muaj presin për strehim!! Kemi një vend ku mblidhemi si refugjatë, quhet S.UR.SO (shoqatë jofitimprurëse), pranim ditor për personat pa strehim nga ora 08:30 deri në ora 12:00. Pastaj kemi vendin ku ushqehemi vetëm njëherë në ditë, quhet A.L.S.A., çdo ditë në orën 12.00. Por t’ju them diçka për ushqimin këtu: ka raste kur nuk hamë fare, nganjëherë ka edhe ushqime të paketuara pa afat. Unë personalisht i njoh dy familje që nuk kanë të drejtë të hanë në A.L.S.A. Ata duhet të mbijetojnë vetë me ushqimin dhe të gjitha gjërat që ju duhen. Këtu kemi për detyrë të thërrasim një numër telefoni, është 115, ky numër është për strehim urgjent. Ne e thërrasim çdo ditë dhe na thonë se nuk ka vende të lira dhe aty na lajmërohet një shqiptar me emrin Milazim, por si duket i ‘shkreti’ nuk mund t’ju ndihmojë shqiptarëve. Pastaj njëherë në javë marrim ushqime. Ne jemi refugjatë nga Prishtina. Këtu jemi me fëmijë, vajza 8-vjeçare, djali 6-vjeçar, në Mulhouse jemi nga data 10 qershor. Me të tregu të drejtën këtu ka shumë familje, mund të them se janë më shumë se 15 familje nga Prishtina, Vushtrria, Gjilani, Malisheva, Krusha e Madhe, Drenica. Ka edhe shumë djem të rinj. Ne jemi lajmëruar në OFFI, ku lajmërohen të gjithë, regjistrohen azilantë, pastaj mbas 3 jave duhet të shkojmë në Colmar, që të lajmërohemi për intervistë. (...) Nga ajo datë që jemi lajmëruar ne jemi jashtë, në rrugë. Në fillim kam ndejt në hotele, ka pasur rast që kam paguar 78 euro (për fjetje, v.j.), pastaj kam gjetur hotel tjetër me çmim më të volitshëm. Këtu ka qenë nata diku 31 euro. Në këtë hotel kemi qëndruar 5 net. Ushqimi është jashtëzakonisht i keq dhe shqiptarët natën e kalojnë nëpër stacione të trenit dhe nëpër parqe. Në këtë gjendje janë vetëm shqiptarët. Ne gëzohemi kur është koha e mirë, sepse s’kemi strehim. Edhe sonte jemi këtu, nuk di kur mund t’ju shkruaj prapë. (...) Edhe diçka: ne këtu në Mulhouse s’kemi të drejtë të ankohemi, sepse do të na bjerë edhe më keq. Ju falënderoj shumë”. PS. Përveç ndërhyrjeve drejtshkrimore nuk kam ndryshuar asgjë në këtë tekst sa i përket përmbajtjes. Po pres që ky njeri fatkeq të më dërgojë një numër telefoni dhe t’i dalë në ndihmë, për aq sa është e mundshme. Mbajeni mend këtë fjali: “Ne gëzohemi kur është koha e mirë, sepse s’kemi strehim. Edhe sonte jemi këtu, nuk di kur mund t’ju shkruaj prapë”. Dikur njerëzit iknin nga terrori serb, sot ikin nga varfëria dhe dëshpërimi. E.R.
Posted on: Sat, 06 Jul 2013 19:55:14 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015