Kosovë, aty ku feja është në opozitë me demokracinë, shtetin - TopicsExpress



          

Kosovë, aty ku feja është në opozitë me demokracinë, shtetin dhe kombin Valentin Bruçaj downloadNë të gjitha ato vende me popullsi dominuese muslimane, që aspirojnë të ndërtojnë nje shtet demokratik, kemi pasur dhe kemi një përplasje në mes forcave laike dhe atyre fetare. Në të gjitha këto vende, pa përjashtim, vështirsive të zakonshme për të ndërtuar shtetin e së drejtës, si korrupsionit dhe krimit i organizuar, u shtohet edhe mospërputhja e doktrinës islamike me demokracinë. Pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe çlirimit të saj, u mendua se Kosova në këtë drejtim do të bënte një përjashtim, duke parë se bëhej fjalë për një popullsi europiane, bile amerikanët tentuan t’a përdorin si shembullin konkret se ata nuk ishin në luftë me muslimanizmin, por me terrorizmin. Fatkeqësisht, për të gjithë ata që mendonin se problemi islamik nuk do të ekzistonte më pas ndërhyrjes në Kosovë të një aleance ushtarake perëndimore, dhe që shqiptarët e atjeshëm do të ishin të gatshëm të europianizoheshin, ose së paku ta trajtonin fenë si një problem privat, sot u duhet të përballen me një realitet krejtësisht të ndryshëm. Paradoksalisht, me çlirimin e Kosovës, jo vetëm që shoqëria nuk u demokratizua ashtu siç shpresonin perëndimorët, përkundrazi, islami, nga një faktor privat që kishte qenë gjithmonë në Kosovë, mori formën e tij të vërtetë, ashtu siç është në të gjitha ato vende ku është dominues në shoqëri: Hyri në politikë dhe sot sfidon shtetin si një alternativë tjetër e demokracisë. Kosova, që ka më pak se 2 milion banorë dhe me një sipërfaqe më të vogël se gjysma e territorit të Republikës së Shqipërisë, sot në legjislacionin e saj politik ka të regjistruara dy parti islamike, më shumë se vetë Turqia, Lëvizja Bashkohu dhe Partia e Drejtësisë. Kjo e fundit përfaqësohet në Parlament dhe është pjesë e qeverisë. Kërkesat e partive islamike të Kosovës dhe forcave të tjera afër tyre, janë të ngjashme me kërkesat që forca analoge bëjnë në Turqi, Egjipt dhe vende të tjera: mësimi i islamit në shkolla, mbulimi i grave në institucionet publike, ndërtimin i objekteve të kultit në hapsira të rëndësishme publike. Me pak fjalë duan një shoqëri islamikisht korrekte. Forca e këtyre formacioneve nuk qëndron vetëm te mbështetësit e tyre, ose konsensusi i mundëshëm që mund të gëzojnë nnë popull, por mbi të gjitha tek aftësia për të bërë presion te politika. Fakti se partitë e mëdha që ulen sot në Parlament, gëzojnë çdo ditë e më pak konsensus në popull, në sajë të nivelit të lartë të korrupsionit, i bëjnë këto të fundit delikate dhe të ekspozuara ndaj presioneve të jashtme. Dhe këtë dobësi forcat e reja islamike janë duke e shfrytëzuar në mënyrë maksimale. Këtë e dëshmon shumë qartë rasti i VetVendosjes, që nga nevoja për të rritur konsensusin në popull dhe për të marrë vota edhe tek ekstremistët, ka dalë hapur në favor të mbajtjes së shamisië në institucionet publike e mësimit të fesë në shkolla. Nuk ja kalojnë më mirë as forcat që janë në qeveri, që here pas here shohin t’u vinë në adresën e tyre kërkesa nga ana e ekstremistëve për të shkarkuar këtë apo atë politikan që militon në radhët e tyre pasi ky mund të ketë shprehur ndonjë opinion që ka cenuar interesat e këtyre grupeve ekstremiste. Frut i këtyre ndryshimeve kaq radikale në Kosovë është edhe përkulja e qeverisë së Kosovës përballë kërkesës turke për të rishikuar historinë e shqiptarëve në lidhje me Perandorinë Osmane. Rritja e ekstremizmit fetar të brendëshëm, që identifikohet pikërisht me Perandorinë Osmane, zgjeron çdo ditë e më shumë hendekun që ndan të qenët shqiptarë me të qenët musliman. Në emër të përkatësisë fetare ekstremistët janë të gatshëm të vënë në dyshim edhe kombin, nëse kauza fetare e kërkon. Përkulja e politikës përballë këtyre forcave ekstremiste është hapi i parë që shpie shtetin në një rrugë jo-demokratike duke kanosur me rrezikun e islamizimit të tij. Këtyre politikave, kohët e fundit u është shtuar edhe invazioni i drejtuesve fetarë në jetën publike të Kosovës, duke ngritur zërin kundër përhapjes së modelit perëndimor në shoqërinë kosovare, si një model shthurjeje, në kontraditë me moralin islamik. Hoxhallarë moralistë dhe verbalisht të dhunshëm, që kanë uzurpuar jetën publike në vend, tentojnë t’i diktojnë shoqërisë stilin jetës, rrugën morale që duhet të ndjekin të gjithë ata që janë pjesë e komunitetit ose duhet të jenë pjesë e tij. Nga një anë nuk hezitojnë të justifikojnë në formë e moral martesat brenda familjes, sepse këtë e lejon feja e tyre, dhe në anën tjetër marrin guximin të paragjykojnë vajzat shqiptare me epitetet të pamoralshme që shkelin dinjitetin e femrës shqiptare dhe lirinë e saj të plotë në shoqëri. Këta individë nuk njohin parimet e normat më minimale të demokracisë. Nuk njohin të drejtën e mendimit të lirë, të drejtën e fjalës, të drejtën e besimit ndryshe, por edhe të drejtën e mosbesimit si dhe liritë e tjera personale, mënyrën e të veshurit, lirinë seksuale, divorcin për të dy sekset njëlloj etj. Të gjitha këto aspekte të jetës, sipas tyre, duhet të jenë të programuara dhe feja si udhërryfyesja duhet të jetë matësja e respektimit të këtyre normave. Eshtë e frikshme të shikosh që në shekullin XXI ka ende individë që, në emër të një Zoti që askush nuk e ka parë, tentojnë të rregullojnë jetën e komunitetit. Por, faktori politiko-islamik kosovar nuk ndalet me kaq; nuk mjaftohet vetëm me kërkesat e tij tradicionale politike dhe me ndikimin e moralit në shoqëri, gjë që dëshmon karakterin e tij antidemokratik dhe pamundësinë e një bashkëjetese me një sistem demokratik. Sfida e radhës është ajo historike, denigrimi i të gjitha figurave më të rëndësishme historike, që për fatin e tyre të keq, nuk kanë qenë muslimane dhe zëvendësimin e tyre me figura jo-shqiptare, por që kanë qenë muslimane. Emblema e kësaj politike anti-kombëtare është pozicionimi i tyre ndaj figurës historike të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut. Kjo figurë kaq e rëndësishme historike vazhdon të denigrohet me pretekstin se 500 vjet më parë paska luftuar kundër muslimanëve. Pak kohë më parë, drejtues të Partisë së Drejtësisë, që janë të përfaqësuar në Parlamentin e Kosovës dhe në qeveri, dolën me një deklaratë sipas së cilës Skëndërbeu është heroi vetëm i katolikëve sepse ai mbi të gjitha luftoi për krishtërim. Sulmet ndaj kësaj figure shkojnë deri aty sa tentohet të paraqitet me një kombësi tjetër, dikush na e përshkruan si grek, të tjerë si serb, hungarez apo bullgar. Siç thotë Kadare, “nëse përbaltet, siç ëndërrojnë rimohuesit, problemi mbyllet thjesht. Nëse mbetet në këmbë, siç ka ndodhur e do të ndodhë përsëri, të mbetet i tillë jo si shqiptar, por me tjetër kombësi”. Sulmet dhe denigrimet nuk kanë kursyet as figura të tjera historike e kulturore shqiptare duke filluar nga Gjon Buzuku, Pjetër Bogadani, Gjergj Fishta, Ibrahim Rugova, Nënë Tereza etj. Rasti i fundit ka ndodhur në një fshat të Kosovës ku është dëmtuar dhe rrëzuar busti i heroit Idriz Seferi sepse sipas kontestuesve ai ka qenë katolik. Dhe nuk është ana më negative e problemit, mohimi i kontributit për kauzën shqiptare të gjithë atyre figurave historike që sot sulmohen dhe denigrohen, poshtërsia qëndron te fakti se në vend të këtyre figurave shqiptare preferohen figura të tjera që nuk kanë qenë aspak shqiptare, ose në rastin më të mirë i kanë shërbyer Perandorisë Osmane. Në Kosovë, çdo vit festohet ditëlindja dhe vdekja e sulltan Muratit apo lindja e vetë Perandorisë Osmane, ndërsa këtë vit u kujtua beteja e Vidovdanit e vititi 1389 kur ushtritë osmane fituan mbi ushtritë ballkanike. Kur flitet për Gjergj Kastriotin, përdoren me shumë dinakri dyshimet e disa historianëve se ai mund mos të ketë qënë arbër, dhe ky është një motiv shumë i vlefshëm për ta denigruar, ndërsa në anën tjetër u thuren lavdi sulltanëve osmanë dhe të gjithë atyre mercenarëve shqiptarë që i kanë shërbyer asaj perandorie. Me rritjen e ekstremizmit fetar, shohim të rritet mbi të gjitha antishqiptarizmi, që është produkt i këtij ekstremi. Ajo që e rend më të rëndë situatën është fakti se, si asnjëherë më parë në historinë e shqiptarëve, kombi dhe islami nuk kanë qenë më larg njëri-tjetrit. Këta dy faktorë aktualisht janë dy pole të kundërta, dy kundrapesha që sa më shumë forcohen, aq më shumë largohen nga njëri-tjetri. Me pak fjalë, sa më shumë që një shqiptar është musliman, aq më pak është shqiptar. Një fenomen ky në rritje dhe aspak për t’u nënvleftësuar. Teoria që janë vetëm një grup shumë i vogël por i zhurmshëm, është një teori që nuk qëndron më në këmbë përderisa të moderuarit, ata që në emër të islamit shprehin respekt për kombin dhe historinë e tij, nuk duken ose janë shumë të pakët në numër. Në të gjithë këtë situatë që është krijuar, shteti bën sehir ose ndihet i pafuqishëm të përballet me këtë problem. Kaosi politik që ka përfshirë Kosvën nuk mund të ndihmojë në përballjen me këtë problem, që tashmë nuk është vetëm social, por politik dhe historik. Fatkeqësisht, në Kosovë, nuk ekziston një shtet i vërtetë, dhe as një sistem politik i rregullt. Shteti, aktualisht është vetëm një bashkësi forcash politike që nuk kanë një identitet politik: nuk ka forca të majta, nuk ka forca të djathta, si rrjedhojë ekziston një politikë pa ide dhe pa ideale. Nuk ka një qeveri eficente dhe as një opozitë serioze. E vetmja opozitë që ekziston sot në Kosovë është ajo në mes orientales dhe europianes, mes diktaturës e demokracisë, mes antishqiptarizmit e shqiptarizmit. *Autori është publicist nga Kosova dhe kryeredaktor i revistës Drini. Mendimet janë personale dhe, jo domosdoshmërisht, shprehin opinionin e redaksisë së MAPO. mapo.al/2013/07/24/kosove-aty-ku-feja-eshte-ne-opozite-me-demokracine-shtetin-dhe-kombin/
Posted on: Wed, 24 Jul 2013 16:59:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015