Kryeministri Rama tërhiqet nga SHQUP-i: Do konsultohem me Metën - TopicsExpress



          

Kryeministri Rama tërhiqet nga SHQUP-i: Do konsultohem me Metën dhe ministrat. Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste televizive, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur tek vendimet e para të qeverisë që ai drejton, fati i koncesioneve të qeverisë “Berisha” dhe raportet me opozitën e re. Kryeministri Rama nuk mbajti një qëndrim të prerë sa i takon vendimit të qeverisë “Berisha” për përvetësimin dhe tjetërsimin e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë. Rama tha se për këtë çështje do të shprehet pasi të konsultohet me Metën dhe ministrat. Gjithashtu, Rama deklaroi se nuk do të ketë revansh dhe gjueti deputetësh në radhët e opozitës. Kryeministri ka komentuar edhe vendimin për heqjen e portretit të Nishanit, teksa tha se fotoja e Presidentit nuk ka gjetur paqe në muret e zyrave të shtetit. -Desha të pyesja për 21 janarin, sa jemi këtu. E di që intervistat zakonisht të tilla duhet të nisnin ndryshe, por është një peng i madh 21 janari, besoj. Është një peng shumë i madh dhe është një arsye shumë e fortë për të mos përsëritur të gjitha ato që i shtynë njerëzit që të vijnë nëpër protesta dhe, nga ana tjetër, është edhe një arsye shumë e fortë për ta kthyer këtë mandat në mandatin e një qeverisjeje të drejtë. -Më thoni sa peshon ajo karrige ku jeni ulur? Nuk është çështje karrigeje, është çështje e një përgjegjësie shumë të madhe, sepse e kam thënë edhe herë tjetër, në qoftë se do të kishte qenë një fitore nga ato, le të themi, të zakonshmet, edhe pse e zakonshme s’mund të ishte, sepse ishte një periudhë e gjatë kohe që ne luftuam për këtë fitore, barra do të ndjehej më pak, ndoshta dhe ajo ndjesia e brendshme do të ishte më e fortë në drejtim të entuziazmit dhe jo kaq e fortë në drejtim të përgjegjësisë, besoj. Kurse kjo fitore plebishitare, ky mandat kaq i fortë është shprehje e një nevoje shumë të madhe të njerëzve për një transformim rrënjësor, e bën shumë më të rëndë përgjegjësinë në këtë karrige. -Këtë të diel, ju miratuat tre vendimet e para. Mund të na thoni diçka më tepër për këto tre vendime, sepse, kur flitet për vazhdimësi të shtetit, ju bëtë në fakt një gjë që do të duket si një goditje, hoqët me vendim qeverie fotografinë e presidentit Nishani. Nuk ka lidhje me këtë. Unë e kam thënë dhe e përsëris, me Presidentin e Republikës do të bëj gjithçka është në dorën time, që të ndërtojmë një marrëdhënie shembullore për nga mënyra sesi dy përfaqësues të lartë të dy institucioneve kaq të rëndësishme mund të bashkëpunojnë në respekt të Kushtetutës dhe në interes të qytetarëve e të ligjit, pavarësisht se vijnë nga parti të ndryshme. Kjo ka lidhje me një histori shumë të stërzgjatur e qesharake të gjithë kësaj periudhe, kur asnjëherë një fotografi e presidentit të Republikës nuk ka gjetur paqe mbi mure, sepse gjithmonë është bërë objekt i kontestit të palëve për beteja të verbra brenda vetes, apo për inerci betejash me të tjerët. Nga ana tjetër besoj që ky vend ka nevojë për një rilindje morale dhe kjo rilindje morale duhet jo vetëm të përfshijë, por duhet të jetë pjesë e dijes qeverisëse. Megjithëse simbolet kanë një peshë relative, pesha e tyre nganjëherë është shumë e rëndësishme në momente të caktuara dhe Ismail Qemali besoj është një figurë e gjithëpranuar dhe është një simbol që rrezaton shumëçka në funksion të një rilindjeje morale të qeverisjes edhe në rrugën për të gjetur pika të përbashkëta referimi me të gjithë. -Ju patët pas fotografisë kolektive me ministrat, një bisedë të shkurtër kokë më kokë me kreun e shtetit, me zotin Nishani. Mund të na thoni diçka më tepër, çfarë biseduat me të? Sipas protokollit, në këtë ceremoni, pasi bëhet betimi, presidenti tërhiqet me kryeministrin për një kohë të shkurtër dhe këmbejnë, le të themi, disa opinione të para, dhe këto opinione ishin në vazhdën e atyre opinioneve që unë i kam këmbyer edhe më parë me presidentin, për një bashkëpunim institucional dhe për një marrëdhënie që të tejkalojë të shkuarën në funksion të të ardhmes, duke respektuar Kushtetutën, duke luajtur secili rolin e vet, i patrazuar nga tjetri, siç ka ndodhur fatkeqësisht rëndom në gjithë këto vite dhe duke dhënë një shembull bashkëpunimi për qytetarët. -A duhet të ndjehet presidenti Nishani i rrezikuar potencialisht nga një impeachment, nga një shkarkim? Presidenti Nishani nuk ka asnjë arsye të ndjehet i rrezikuar nga asgjë, por i ka të gjitha arsyet që të jetë gardian i Kushtetutës, ashtu sikundër Kushtetua e kërkon. Nga ana tjetër, mund t’ju siguroj që, për sa më takon, epoka e municioneve që mblidheshin në këtë zyrë dhe pastaj mbushnin topat apo armët e luftës politike, për t’u nisur të shtënat drejt presidencës, ka mbaruar. Në të gjitha rastet, ju nuk do të dëgjoni që unë si kryeministër të sulmoj publikisht presidentin. Sigurisht që mund të ketë momente mosdakordësie, por, gjithmonë, në rast se do të shprehen, edhe pse do të bëj çmos që këto as të mos shprehen, por t’i shprehen presidentit në rrugë konfidenciale, nuk do të kenë lidhje fare me çfarë na kanë parë sytë e dëgjuar veshët deri pak kohë më parë. -Ju thoni që nuk do ta sulmoni presidentin Nishani dhe ai nuk ka asnjë arsye, përsa kohë është gardian i Kushtetutës, të ndjehet i rrezikuar nga çdo lloj kërcënimi nga kjo supermazhorancë politike e krijuar në Kuvend. Por a jeni i sigurt që edhe zoti Meta mendon kështu? Jam absolutisht i sigurt sepse ne kemi biseduar edhe për këtë temë. Në rolin e kryetarit të Kuvendit, z. Meta dëshiron të lërë gjurmë duke ndryshuar një vazhdë që kulturalisht është e papranueshme për një vend evropian dhe demokratik dhe pjesë e këtij ndryshimi është edhe raporti i kryetarit të Kuvendit me presidentin e Republikës, sepse përsëri, çnuk na kanë parë sytë e çnuk na kanë dëgjuar veshët, për fat të keq. - Ka pasur shumë reagime kryesisht në rrjetet sociale, kanë qenë simpatizantë të krahut tuaj, të krahut të majtë, të cilët ngrinin një shqetësim të drejtë e thoshin se përse kjo mazhorancë e re e nisi jetën parlamentare duke shkelur rregullin. Latë një deputet të opozitës të fliste pa limit. Kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni kryetarit të Kuvendit, por, nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit e deklaroi që për këtë kishte marrë konsensusin e kryetarit të grupit tonë parlamentar dhe në atë sallë eksperienca e kryetarit të grupit socialist është shumë më e besueshme si pikë referimi, sesa opinioni im. -A do të ketë revansh të mazhorancës së re ndaj mazhorancës së djeshme? Ne kemi vetëm një revansh, revanshin me të shkuarën si traditë e konfliktit, traditë e dhunës verbale që shtrihet tek personalja, tek fisi e tek fara, traditës së një jete politike që është vërtet jetë e ulët në sallën e parlamentit, ku në vend që të ballafaqohen vizione, programe e këndvështrime, që normalisht janë të ndryshme e lavdi Zotit që janë të ndryshme, kacafyten persona. Ky është revanshi që ne kemi. Revansh me çka duhet të ndryshojë dhe në emër të asaj që do të ndryshojë. -A do ta anuloni vendimin për SHUP-in? Një gjë tjetër që do të ndryshojë është natyra e qeverisjes dhe metoda e qeverisjes së kryeministrit. Unë nuk do të anonçoj vendime që anëtarët e qeverisë do t’i marrin vesh bashkë me televizorin dhe nuk do të deklaroj më parë çka do të bëhet, pa rakorduar së bashku brenda përbrenda Aleancës për Shqipërinë Europiane, jo thjesht midis meje e kryetarit të Kuvendit që është njëkohësisht edhe partneri strategjik në koalicion, por brenda përfaqësuesve të rëndësishëm të kësaj shumice që nuk janë vetëm ministrat, por janë edhe kryetarët e grupeve, janë edhe deputetët me përvojë. Kështu që ne do të ecim me një metodologji krejt tjetër. -Dakord, por ju pyeta për një gjë konkrete. Dhe përgjigja ime është kur ta diskutojmë dhe të vendosim, do të themi se çfarë kemi vendosur. Ndërkohë që bashkë me të gjithë kolegët ministra kemi vendosur qoftë vendimin për të cilin folëm, qoftë vendimin për të kaluar në qeveri Kodin Ministror. -Meta mori vota më shumë se qeveria. Si e shpjegoni? Kryetari i Kuvendit ka dhënë provat që mund të jetë një kryetar përtej shumicës qeverisëse. Ndërkohë që qeveria nuk çfarë kërkon përtej shumicës së saj, përveç ligjeve të rëndësishme për integrimin. -A do të mirëprisni deputetë nga opozita? Ne nuk do të bëjmë gjueti deputetësh. Kemi një shumicë të mjaftueshme për të bërë gjithçka. Sigurisht ne do të hapin kanalet e komunikimit për të gjetur konsensusin për reforma të mëdha -Të rrimë tek Kodi Ministror. Çfarë do të thotë, se tek shumë është interpretuar si mënyrë censurimi që ju do t’u bëni ministrave? Kodi Etik Ministror është praktikisht dokument i miratuar bashkërisht, i një praktike të mirë që ne e kemi huazuar si praktikë, pavarësisht se e kemi modifikuar në funksion të kontekstit tonë, nga qeveria britanike dhe e kanë edhe qeveri të tjera, që do të thotë se është një angazhim për një sërë elementesh që kanë të bëjnë me ndërveprimin dhe me etikën e qeverisjes. Do të jetë publik që nesër. -Vendimi i tretë? Vendimi i tretë është anulimi i ndërhyrjeve në ligj që kanë mundësuar futjen e plehrave nga jashtë në Shqipëri. Pra, Shqipëria nuk do të importojë më plehra nga jashtë. Ky është një angazhim solemn që e kemi marrë përpara popullit dhe na u duk shumë e rëndësishme që ta vendosim në vend këtë zotim qysh në ditën e parë. -Shkëndijat e para u vunë re në fjalimin e z. Ben Blushi. Vini pas një periudhe jo të lehtë, sidomos pas zgjedhjeve të 2009, pajtimi i bujshëm dhe i heshtur para kongresit të vitit 2011, kur Blushi u rikonfirmua si anëtar i kryesisë, një nga personat që gjatë fushatës ishte pranë jush dhe pastaj jashtë qeverisë. Zoti Rama, a është e vërtetë se ka pasur jo një vendim, por një mendim për të lënë jashtë kabinetit të gjithë ata që kanë punuar me Fatos Nanon? Nuk do ta shihja dot në mënyrë kaq simpliste, ashtu sikundër nuk shoh shkëndija përtej natyrës dhe profilit të Blushit. Ben Blushi është ai dhe pa ato do të ishte dikush tjetër. Ajo që shoh është një shumicë e re që duhet të jetë në lartësinë e mandatit që ka marrë. Dhe qeveria që unë kam kompozuar në bashkëpunim me aleatin tonë strategjik është një qeveri e kompozuar si një skuadër, për t’iu përgjigjur pritshmërisë së parë të publikut. Fakti që pritshmëria e publikut nuk u zhgënjye, por, përkundrazi, u rrit kur u paraqit skuadra qeverisëse, është prova më e mirë. Friday, September 20, 2013
Posted on: Fri, 20 Sep 2013 10:51:01 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015