Kukësi ka zhgënjyer sërish në ndeshjen e dytë, duke u mundur - TopicsExpress



          

Kukësi ka zhgënjyer sërish në ndeshjen e dytë, duke u mundur në fushën e vet nga Vllaznia. Gabimet e shumta në mbrojtje dhe në mesfushë, si dhe një sulm gati inekzistent bënë që vendësit të dilnin kokulur nga kjo përballje, duke shtuar edhe më shumë zemërimin e drejtuesve të klubit (kujtojmë që Kukësi humbi edhe në javën e parë në Lushnjë 1-0) dhe tifozët, të cilët nuk kanë nguruar që të duartrokasin shkodranët në fund të ndeshjes dhe njëkohësisht të ofendojnë “beniaminët” e tyre. Më parë ishte deklaruar një fitore e sigurt nga lojtarët, por dhe drejtuesit e Kukësit, të cilët jo vetëm pikët e lëna ndaj Vllaznisë, por dhe ato në Lushnjë i kishin llogaritur për vete. Nëse gjatë sezonit të kaluar ekipi e nisi me barazime Superioren, tashmë po ndodh ndryshe, nuk ka as barazime, as fitore, por dy humbje radhazi. Kukësi humbet pas një shkëlqimi në Kupat e Europës dhe pas një sezoni veror pa asnjë ditë pushimi. Vllaznia ka arritur me fitoren e djeshme që t’u thyejë një rekord vendësve, duke qenë se nuk kishin humbje prej gati tre vitesh në kampionat, që nga koha kur luanin në Kategorinë e Dytë. Pjesa e parë - Loja nis me vrullin e Kukësit që synon fitoren që në nisje të lojës. Janë shpërthimet e Bratiç dhe Hallaçit që ndezin atmosferën në stadium, por në minutën e tetë është Hajdari për miqtë që godet portën. Më pas, për Kukësin është Hoxha që futet paralel me vijën fundore, gjuan fort dhe Vujadinoviç pret në pozicion. Veprime të bukura në fushë bën edhe Alikaj, por shkodranët godasin sërish portën me anë të Shtubinës. Në minutën e 22-të janë kombinimet e Prognit me Smajlin që mbërrijnë deri në zonë, por mbrojtja shkodrane tregohet e kujdesshme. Kukësi rrezikon disa herë, por gjen vetëm shtyllën me anë të Prognit. Edhe fundi i 45 minutave të para flet për vendësit, por veprimet e Hallaçit, Alikajt e Porgnit nuk gjejnë finalizime të sakta edhe për faktin se sulmuesi Lazar Popoviç është në hije. Në fund të lojës, Bushiç për Vllazninë dhe Smajli për Kukësin kanë nga një rast, por pa arritur dot të finalizojnë si duhet. Golat - Duket se golat janë rezervuar për këtë pjesë. Dhuratën e parë e bën mbrojtja e Kukësit, teksa nuk ndalon një top pa pretendime në zonë. Aty tregohet i vëmendshëm Tomislav Bushiç, i cili realizon për Vllazninë. Goli zgjon vendësit që me anë të Bratiç tentojnë të barazojnë shifrat. Por, topi i hedhur prej tij në zonë nuk shfrytëzohet si duhet nga vendësit. Minuta e 13-të: kros në zonë, Popoviç nuk e arrin topin, por pasi tij vjen Progni, i cili gjuan duke barazuar shifrat. Shpërthen stadiumi dhe lojtarët marrin zemër. Minutat në vazhdim flasin vetëm për Kukësin, por gjuajtjet e Bratiç, Hoxhës dhe Popoviçit neutralizohen nga portieri Vujadinoviç. Sakaq, Vllaznia nis vonesat e qëllimshme të lojës me simulimet e lojtarëve që bien në fushë, për të ulur sadopak edhe tempin. Dhe duket se kjo strategji funksionon. I sapofuturi në lojë, Arsid Kruja, i pangacmuar nga lojtarët e Kukësit, gjuan nga cepi i zonës së rreptësisë në një distancë 20 metra një goditje diagonale, duke e dërguar topin atje ku dhe akrobacia e Halilit nuk arrin ta ndalë dot. Hesht “Zeqir Ymeri”, Vllaznia në delir. Vendësit, të gjendur në disavantazh dhe në kohën që kalonte, bëjnë përpjekje të pafrytshme. Në lojë hyjnë Dragoi dhe Cikalleshi, por nuk ndryshon asgjë. Madje rumuni humbi edhe një rast të pastër, teksa nga fare pranë portës nuk arriti ta çonte topin në rrjetë. Dhe nëse nuk shënon, do të pësosh: minuta e 80-të, Bratiç rrëmben një top në afërsi të këndit të vet dhe e fut në qendër, duke shmangur një lojtar, por duke pasuar gabim në zonë te lojtari i Vllaznisë, i cili pason te Kruja dhe 3-1. Koha e mbetur është më shumë një acarim i lojtarëve dhe tifozëve në stadium, që nuk e besonin ende një humbje të tillë.
Posted on: Sun, 15 Sep 2013 13:54:26 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015