Kukësi “peshkon” një estoneze për Europa Ligën. FC Flora - TopicsExpress



          

Kukësi “peshkon” një estoneze për Europa Ligën. FC Flora Talin është kundërshtari i kuksianëve në këtë debutim europian, pasi shorti i hedhur dje në Nion të Zvicrës ka përzgjedhur pikërisht këtë skuadër, e cila ka fituar 9 tituj kampion në kampionatin e saj. Estonezët do ta presin Kukësin në ndeshjen e parë më 4 korrik, ndërsa ndeshja e kthimit do të jetë më datë 11 në stadiumin “Qemal Stafa”. Kuksianët, të cilët shpresonin më shumë tek një short dhe kundërshtar më i lehtë, menjëherë kanë nisur të mendojnë për estonezët dhe për një kualifikim të mundshëm. Presidenti Safet Gjici, i ndodhur dje në Gjenevë për hedhjen e shortit, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” ka inkurajuar të tijtë për një ballafaqim dinjitoz me objektiv kualifikimin. “U ndjeva tepër i emocionuar dhe njëherësh krenar që për herë të parë një ekip si Kukësi mbërrin deri në dyert e futbollit europian dhe në vazot e shortit. Kukësi tashmë është një realitet europian dhe një krenari jo vetëm për ne, por edhe për futbollin shqiptar, të cilin ne do ta përfaqësojmë denjësisht”, – tha fillimisht presidenti.Shorti - Më tej, ai komenton shortin dhe kundërshtarin, pra FC Floran. “Shorti është short dhe nuk paragjykohet e as paravendoset. Brenda shortit është edhe fati, që në këtë rast mendoj se mund të favorizonte, por nga ana tjetër ka ekipe edhe më të forta, kështu që mund të them se përfundimisht jemi të kënaqur. Mora dhe informacionet e para për këtë skuadër dhe më rezulton se është mjaft e fortë dhe elitë në futbollin estonez, ndonëse estonezët nuk kanë shumë histori në kombëtare e klube, janë ashtu si ne. Kësisoj, do përgatitemi fort për një ndeshje dinjitoze, ku të mbizotërojë loja e bukur”, – u shpreh Gjici nga Gjeneva.Kualifikimi - Kreu i klubit beson te kualifikimi, teksa këtë e argumenton me grupin dhe ecurinë e mirë të bërë deri më tani. “Natyrisht që besojmë. Ne do luajmë fort, sepse kemi një ekip të konsoliduar e me drejtues me eksperiencë europiane. Plus që të gjithë lojtarët kanë luajtur edhe më parë në kompeticione të tilla, kështu që në këtë aktivitet tejet të rëndësishëm vetëm emri i Kukësit është risi. Ndonëse risia më e madhe do të jetë kualifikimi ynë. Ky është objektivi madhor. Unë u bëj thirrje stafit dhe lojtarëve që të punojnë më tepër se kurrë me shkallën më të lartë të ndërgjegjes dhe profesionalizmit. Ne nuk shkojmë për të mbushur thesin me gola, por do luftojmë për ta eliminuar kundërshtarin. Me këtë rast, u bëj thirrje edhe tifozëve që të na mbështesin në këto takime historike. Largësia nga Shqipëria na redukton çdo mundësi për të ndihmuar dhe inkurajuar tifozërinë. Pjesëmarrja në këto kupa ka edhe kosto financiare, që duhet përballuar nga klubi ynë, duke shtuar dhe shumë shpenzime të tjera që i kërkon ky aktivitet. Nderi ynë është që të mirëpresim edhe kundërshtarët në mënyrën më të mirë të mundshme”, – përfundoi Safet Gjici. Cungu ndihet gati: Mund ta kalojmë një turFill pasi mësuan emrin e kundërshtarit, i janë futur edhe më vrullshëm punës. Estonezët janë një kundërshtar i panjohur për kuksianët, çka i bën këta që të mendohen mirë kur flasin. Trajneri Armando Cungu, në një prononcim të menjëhershëm për “Panorama Sport”, fill pasi u zbulua rivali i tyre, ka thënë se shortin e konsideron të vështirë, por jo të pamundur. “E mirëpritëm kundërshtari. Normalisht, unë e di që Estonia ka një futboll cilësor, ndonëse nuk kemi fare informacion për skuadrat, e konkretisht për FC Floran, që do të jetë rivali ynë në këtë raund të parë të Europa Ligës. Megjithatë, nga të dhënat e para që morëm, më rezulton se është një kundërshtar i vështirë dhe ekip rivalizues e me pretendime të mëdha, gjë që dëshmohet edhe nga arritjet dhe trofetë e fituar. Por, pavarësisht emrit që kanë estonezët dhe historisë në futboll, do ta vlerësojmë në maksimum. Kukësi ka kapacitet dhe profesionalizëm, ndaj e shoh më shumë se të mundshëm kualifikimin. Ne i kemi shanset tona që të futemi në fushë dhe t’ia dalim, duke kaluar me sukses një tur në Kupat e Europës. Ne do bëjmë gjithçka që të dalim triumfues, por nuk duhet të harrojmë se dhe kundërshtari këtë motiv ka. Nëse do kalonim këtë raund, për ne do ishte një mrekulli”, – deklaroi Cungu. Hallaçi: Pak njohuri për ekipet estoneze, por ia dalim Kapiteni Rraman Hallaçi, që edhe më parë ka provuar “shijen” e Kupave të Europës, guxon duke premtuar se skuadra e tij do arrijë që të kalojë një raund në Ligën e Europës. Këtë siguri ai e shpreh hapur gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”. “Të them të drejtën, kur mësuam emrin e kundërshtarit u stepëm fillimisht. Qoftë nga pozicioni gjeografik, duke ditur që ne nuk jemi mësuar me vendet dhe futbollin e perëndimit, mirëpo dimë që Estonia ka një emër në futbollin europian. Duke marrë në konsideratë edhe mendimin e ekipit, them se do ta kalojmë këtë tur. Kjo do të ishte mënyra e duhur, për të shpërblyer në një farë mënyre, mbështetjen dhe investimin që ka bërë presidenca, por kënaqësia më e madhe do jetë për tifozërinë tonë. Ne po vazhdojmë përgatitjet tona prej kohësh dhe, nëse do jemi të përqendruar të vlerësojmë kundërshtarin, atëherë ne mundemi. Pastaj, gjatë kësaj kohe do të kemi mundësi që të marrim ndonjë të dhënë konkrete edhe për kundërshtarin dhe lojën e tij”, – ka përfunduar Hallaçi.S’plotësohen kriteret, luhet në “Qemal Stafa”Kukësi nuk do ta luajë në stadiumin “Zeqir Ymeri” ndeshjen e kthimit në Kupat e Europës, por në “Qemal Stafa”. Konfirmimi zyrtar, për mosplotësim të kushteve për një ndeshje të nivelit europian, ka mbërritur në zyrat e klubit verior dhe tashmë është përfundimtar plani “B” për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në kryeqytet. Më parë, inspektorët e UEFA-s kanë vëzhguar fushën dhe mjediset e stadiumit, ku tapeti artificial dhe cilësia e tij duket se e kanë mbajtur larg lejimit të zhvillimit të ndeshjes europiane. Nëse Kukësi do ta kalonte “provën” për tapetin, atëherë kushtet e tjera ishin shumë më të realizueshme dhe mund të arriheshin.Kukësi, 200 mijë euro nëse kalon turinKukësi vetëm për pjesëmarrjen në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Europës ka siguruar një shifër prej 100 mijë eurosh. Nëse arrin ta kalojë një raund, atëherë në arkat e klubit do shtohen edhe 100 mijë të tjera. Shifra që sigurisht nuk mund të nënvlerësohen. Ndaj, përpos arritjes historike, skuadra do të ketë shansin të përfitojë edhe jo pak financiarisht. Ka qenë UEFA ajo që e ka ndryshuar rregulloren dhe mënyrën e dhënies së premiove, për të stimuluar sa më tepër klubet që arrijnë të sigurojnë një “biletë” për në kompeticionet ndërkombëtare. Kjo shërben për të rritur cilësinë dhe për të investuar sa më tepër në mirëqenien e këtij sporti.JONUZ HALLAÇI
Posted on: Tue, 25 Jun 2013 15:35:50 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015