Kultet Pagane NË VËRMICË… KU SHTËPITË MBROHEN NGA - TopicsExpress



          

Kultet Pagane NË VËRMICË… KU SHTËPITË MBROHEN NGA HYJNITË (pjesa e parë) Në këtë fshat në jugperëndim të Prizrenit hasen disa motive të skalitura në gur si: motivet nga kulti i Diellit, kulti ktonik i gjarprit, kulti i gjinjve të gruas dhe motive të tjera. Të skalitura në gurët këndorë, apo siç u thonë në popull, mbi qoshnikë, këto motive i gjejmë sot në kullën e Sherif Kadriajt, ndërtuar në mëhallën e Kadriajve, shek.XIX - sot e braktisur, apo edhe në disa kulla të tjera të këtij fshati... Fshati Vërmicë gjendet në jug perëndim të Prizrenit. Ky vend banim është i banuar që nga para historia, përkatësisht që nga koha e neolitit, dhe i përkiste krahinës së Dardanisë. Në shekujt I-IV ishte stacion në rrugën Lissus -Naissus. Nga koha antike e vonë dhe mesjeta janë rrënojat e një bazilike paleokristiane dhe të një varreze mesjetare (shek.IX-XIII) pranë saj. Lënda antropologjike dëshmon se varreza u përkiste banorëve të tipave antropologjikë adriatikë dhe varianteve të tyre adriatike- mesdhetare, karakteristike për popullsinë arbërore. Sipas strukturës morfologjike-urbanistike, fshati Vërmicë, në kuptimin më të gjerë, bën pjesë në tipin e shpërndarë (dispersiv) të vendbanimeve. Atë e sajojnë dhjetë mëhallë apo lagje. Meqë strukturimin e gjerë urbanistik të vendbanimit e sajojnë mëhallët, ai duhet përkufizuar si vendbanim i tipit të mëhallëve. Mëhallët e këtij fshati karakterizohen nga një zhvillim spontan dhe një strukturë krejtësisht e çrregullt, por në harmoni me tiparet relievore të truallit. Grupimet e shtëpive sipas mëhallëve, me prejardhje të përbashkët familjare, shquhen për dendësi jo të njëjtë, herë– herë shumë të dendur, siç është rasti me mëhallën e Koçinajve. Rrjedha e një përroi, e cila kalon nëpër një luginë të thellë, Vërmicën e ndan në dy pjesë. Në pjesën jugperëndimore të saj janë të ngulitura këto mëhallë: mëhalla e Fanajve, mëhalla e Gjoçajve, mëhalla e Koçinajve, mëhalla e Çovanajve dhe mëhalla e Kadriajve. Ndërkaq, në anën verilindore të fshatit, shtrihen mëhallët e tjera, si ajo e Pulajve, pastaj, mëhalla e Rakajve, mëhalla e Kolukajve, mëhalla e Sulajve dhe mëhalla e Gjahajve. Kulti i vendeve të larta - majat te nderimit pagan Fshati Vërmicë është i ngulitur rrëzë malit Koritnik, dhe shtrihet mbi disa kodra të ngritura, të cilat krijojnë një peizazh me një plastikë – përthyerje dinamike. Pozita e këtillë e fshatit mundëson një pamje të gjerë mbi gjithë arealin në mes maleve të Koritnikut dhe Pashtrikut (1989 m), si dhe mbi liqenin e Vërmicës. Nga çdo cep i këtij fshati, po ashtu, shpërthejnë pamje mahnitëse edhe mbi shpatijet e malit të Koritnikut, si dhe mbi majën e këtij mali me lartësi mbidetare 2395 metra. Zumë ngoje majën e malit të Koritnikut, ngase kjo majë ka të bëjë me kultet e lashtësisë së popullit shqiptar. Siç mësojmë, Maja e Korinikut, si dhe maja e malit tjetër, përballë tij, Maja e Pashtrikut, që në kohët e lashta ishin maja të nderimit pagan. Nga shumë studime të bëra, kuptojmë se Dielli, deri në kohët e vona, ishte objekt adhurimi, dhe se atij i faleshin në mëngjes, në të lindur, në disa vende edhe në perëndim të tij. Dielli adhurohej si burim jetese, burim shëndeti, burim pjellorie dhe si objekt mbrojtës e dobiprurës. Në fillim të shek. XX edhe studiuesi B. Nopça, kishte vënë re se Shqiptarët i faleshin Diellit sipas besimit pagan dhe se nderimi i majave të maleve, i disa vendeve të larta, ka të bëjë me kultin e Diellit. Në lidhje me kultin e Diellit, duhet përmendur se ndër shqiptarët e malësisë së Jugut e të Veriut, ka ekzistuar kulti i disa vendeve të larta ose i majave të maleve. Këtyre vendeve njerëzit u faleshin në mëngjes me të lindur dielli. Apo, në disa raste, në këto maja malesh, në data të caktuara të vitit zhvilloheshin ceremoni që kishin të bënin me Diellin. Vlen të theksohet se, ceremoni të caktuara rituale ndodhnin edhe në Majë të Gjallicës së Lumës (2486 m). Maja e Gjallicës, pastaj Maja e Pashtrikut, si dhe Maja e Koritnikut, komunikojnë vizualisht dhe gjenden jo fort larg njëra- tjetrës. Nga sa u tha më lart, për rrjedhojë, është fare e natyrshme që kulti i Diellit të jetë ruajtur nga banorët që jetuan shekuj të tërë rrëzë këtyre majave, ashtu siç ndodhi edhe me ngulimin parahistorik të fshatit Vërmicë. Pra, kulti i Diellit si mbijetojë e besimeve pagane, apo si mbijetojë e kulteve të lashtësisë, jo rastësisht u ruajt në masë të konsiderueshme dhe në paraqitje artistike shumë interesante, përkatësisht, gjeti aplikim të gjerë në arkitekturën popullore të këtij fshati. Ornamentika popullore nga kompleksi i hyjnive mbrojtëse të shtëpisë. Ornamentika nga kompleksi i hyjnive mbrojtëse të shtëpisë, siç janë motivet nga kulti i Diellit, kulti ktonik i gjarprit, kulti i gjinjve të gruas dhe motive të tjera, si mbijetoja të besimeve pagane tek arkitektura e gurtë e fshatit Vërmicë, natyrisht se u aplikua ekskluzivisht në teknikë të relievit - skalitjes në gur. Ornamentika popullore nga kulti i diellit Paraqitja artistike e motiveve nga kulti i Diellit në shtëpitë e gurta të fshatit të Vërmicës shquhet për tiparet dalluese dhe karakteristike të teknikës së realizimit. Elementet e ornamentikës nga kulti i Diellit, të skalitura në gurët këndorë të shtëpive, pastaj në elementet e portave të shtëpive apo në ballinat e oxhaqeve të vatrës familjare, u realizuan në formë të rozetës rrethore-spiraloide (fig.4., skalitur në anën e djathtë të gurit këndor), në teknikë të relievit të ulët – të cekët. Po ky motiv, u realizua edhe në teknikë të relievit të lartë, në formë të rozetës rroshe – spiraloide, të dalë nga sipërfaqja në formë plisi, gatise gjysmësferike (fig.3. shih dy motivet e poshtme). Këtë formë të paraqitjes artistike në teknikë të relievit të lartë, apo këtë mystësi të theksuar të motivit diellor, gurëskalitësi popullor e ka realizuar me qëllim sugjerimi më të plotë të formës së trupit diellor, përkatësisht të paraqitjes sa më realiste të këtij ylli. Vlera të një shkalle më të lartë të modelimit artistik mjeshtri popullor ka arritur tek dy motivet diellore në formë të rrathëve bashkëqendrorë, (shih motivin e sipërm në fig.3.), si dhe motivin tjetër, skalitur në anën e majtë të gurit këndor, (fig.4.). Tek ky lloj i ornamentit nga kulti i Diellit, kemi një strukturim më kompleks të modelimit hapësinor të rrathëve bashkëqendrorë. Me këtë, rrethi i jashtëm i këtij ornamenti është strukturuar si pjesë e gjysmësferës, e cila, përmes një lugu rrethor, shkrihet - ndërlidhet me elementin qendror të ornamentit në formë plisi, në sipërfaqen e të cilit është skalitur - gërryer spiralja. Kjo strukturë gjeometrike e spirales hapësinore paraqet Diellin në lëvizje rrethore. Katër motivet e zëna ngoje më sipër, u skalitën mbi gurët këndorë, apo siç u thonë në popull, mbi qoshnikët e kullës së Sherif Kadriajt, ndërtuar në mëhallën e Kadriajve (shek.XIX - sot e braktisur). Po këtu në Vërmicë, dhe po këtë ornament nga kulti i diellit në formë të rrathëve bashkëqendrorë e hasim edhe tek gjetjet arkeologjike, përkatësisht tek dy unazat e derdhura në bronzë të gjetura në varret 109 dhe 280 të shek. X dhe XIII, në hapësirën e bazilikës paleokristiane (shek.V-IV i e.s.). Pjesa e zgjeruar e njërës unazë (gjetur në varrin nr. 280) është e zbukuruar me gjashtë motive diellore të incizuara në formë të rrathëve bashkëqendrorë. Dy rrathët e jashtme bashkëqendrore të këtyre ornamenteve, të kompozuara në dy radhë, janë incizuar në formë lineare, kurse rrethi qendror është thelluar në formë sferike. Nga më sipër, e mbështetur në provat materiale – gjetjet arkeologjike këtu e 600 deri në 1.000 vjetë më parë, kuptojmë se kulti i diellit edhe tek popullata arbërore në mesjetë zinte vend të rëndësishëm në besimet e tyre religjioze. Për më tepër, të njëjtat ornamente zbukuruese nga kulti i diellit në formë rrathësh bashkëqendrorë, në vazhdimësinë e tyre diakronike, i hasim të incizuara edhe në enën tre vegjake të shek.IV., të gjetur në nekropolën antike të vendbanimit të Gllamnikut afër Podujevës. Tiparet formësuese të këtyre ornamenteve dhe struktura kompozicionale e tyre në dy nivele, përkon tërësisht me ato të unazave arbërore mesjetare të zëna ngoje më sipër. Të këtilla motive dekoruese hasen edhe në gjetjet e tjera arkeologjike të periudhës antike ilire, si dhe të periudhave të tjera parahistorike në trevën e Kosovës dhe më gjerë. E gjithë kjo provon katërcipërisht se në aspektin e shtrirjes së ornamentikës nga kulti i diellit në kohë dhe në hapësirë, trashëgimia e këtij sistemi dekorues, që nga ilirët në parahistori dhe në antikitet, pastaj në mesjetën e hershme tek arbërit dhe më vonë tek shqiptarët, është përcjellë brez pas brezi me një përpikëri të madhe në vijimësi të pakëputur
Posted on: Thu, 19 Sep 2013 07:04:58 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015