Kur’ani dhe morali Në Kur’an takojmë versete që kanë - TopicsExpress



          

Kur’ani dhe morali Në Kur’an takojmë versete që kanë lidhje të ngushtë me moralin e me rregullat që udhëzojnë njerëzit në jetë. Kujdesi që ka Libri i Shenjtë për këtë pikë është aq i madh saqë versetet më të shumtë kuranorë preokupohen përpara çdo gjëje me moral dhe me edukatë. Myslimanët e periudhës së parë të jetës Islame e kuptuan hollësisht këtë të vërtetë të pamohueshme e të padiskutueshme dhe vepruan sipas saj duke mos iu shmangur asnjëherë. Ata e bënë një themel të palëkundshëm e një ligj të shëndoshë, rregullues të marrëdhënieve individuale e shoqërore, rregullues të lidhjeve ndërmjet tyre dhe të shtetit dhe ndërmjet tyre dhe Dritës së Gjithësisë, Zotit (xh.sh.). Historia na dëshmon se çdo familje aderonte në urdhëresat e Kur’anit, në ato urdhëresa të shenjta që rregullojnë lidhjet ndërmjet fëmijëve e prindërve e anasjelltas, ndërmjet gruas dhe burrit, ndërmjet besnikëve dhe të afërmve të tyre si edhe ndërmjet qytetarëve dhe Shtetit. Të gjithë vendet, fshatra e qytete, aderonin, pa dyshuar asnjë grimcë, në moralet dhe virtytet që forcojnë vëllazërimin e solidarizimin shoqëror islam, aderonin në ato virtyte që forcojnë marrëdhëniet individuale e shoqërore, në ato morale që të lidhin me njerëzit e ditur e të virtytshëm. Çdo individ i dinte mirë detyrat që i ngarkoheshin kundrejt Zotit të Madh dhe i kryente në çdo kohë e çast me rregull e pa përtim: kryente Faljen, Zeqatin, Haxhin në Mekë – po të ishte i zoti e i pasur –shpenzonte pasurinë në dobi të shoqërisë dhe të kombit dhe duke sakrifikuar edhe shpirtin po ta lypte nevoja e shoqërisë dhe e Atdheut në të cilin jetonte, punonte në përputhshmëri me dispozitat fetare e kombëtare, sepse kusht e shtynte ndërgjegjja dhe urdhrat e Zotit, në mënyrë që me çdo punë që bënte synonte jo vetëm përmirësimin e jetës shoqërore të kësaj bote, por edhe fatin që kishte për t’i takuar në Ditën e Ringjalljes. Ky është shpirti i moralit Islam. Këtë shpirt të lartë e këtë edukatë të përsosur myslimanët e fituan prej dëshirës së flaktë për t’u drejtuar në jetë me anë të Kur’anit, versetet e të cilit janë aq të qartë e të kthjelltë. Kur’anin e kishin që të gjithë me vete, sepse ai ishte ligj i jetës së tyne, ligj i jetës së besnikëve të ndershëm, të drejtë, të ndërgjegjshëm e të pastër. Detyra morale kërkon prej çdo njeriu që të njohur ligjet e jetës në mënyrë që të bëhet i aftë për me krye pa të metë detyrat vetjake, shoqërore e kombëtare që i përkasin. Është ky kriteri mbi të cilin themelohet morali islam. Në një thënie profetike qëndron “Kërkimi i diturisë detyrohet për çdo mysliman e myslimane”. Atëherë, i tërë ligji (Sheriati) kërkon që çdo i përgjegjshëm (mukel-lef) të dijë ato gjëra me të cilat ngarkohet dhe t’i kryejë plotësisht e pa të metë. Është ky shkaku që Islami e detyron çdo besnik e besnike, çdo mysliman e myslimane për të mësuar, me fjalë të tjera për të çuar në vend përgjegjësin e tyre. Për këtë arsye, myslimanët ishin të parët në botë që morën vendim të prerë për ta bërë arsimin të detyrueshëm. Këtë detyrë e urdhëronte Feja, e zbatonte Shteti pa hezitim dhe çdo njeri i bindej, sepse dëshironte që, duke pajisur kështu vetveten dhe fëmijët e tij me mësim, të gëzonte të dy jetët: Tokësoren dhe Tejtokësoren. Kur’ani ishte prijës dhe udhëheqës i të gjithëve në këtë drejtim, sepse dispozitat e tij e veçanërisht ato që kanë lidhje me moral e arsim janë aq të qarta sa edhe të kuptueshme. Edhe Tradita Profetike u ngarkua me sqarimin e verseteve ligjore (Akqam) të Kur’anit. Ky lloj veprimi na ka mbërritur me saktësi dhe i ngjan Librit të Shenjtë si në qartësi ashtu edhe në kthjelltësi, në mënyrë që njerëzit s’kanë nevojë të pyesin specialistët veçse për problema të vështira. Për këtë arsye, të udhëzuarit me anën e Kur’anit ishte themeli i edukatës Islame ndër shekujt e periudhës së artë të Islamit. Kaloi kështu shekulli i parë dhe i dytë dhe Kur’ani s’kishte akoma komentim, sepse myslimanët e hershëm s’kishin nevojë për shpjegime për shkak se ishin shumë afër epokës së parë të Islamit. Ishte kjo arsyeja që ata u kufizuan vetëm brenda teksteve të Kur’anit dhe u mjaftuan që të udhëhiqen prej tyre e po të ishte se iu paraqitej ndonjë enigmë, ata mbështeteshin në Traditën Profetike për ta shpjeguar. Si rrjedhim i natyrshëm, është e qartë se çdo mysliman kërkonte atëherë ashtu sikundër kërkon edhe sot e kësaj dite të pasojë dispozitat e Kur’anit, sepse Libri i Shenjtë bën në shpirtin e njerëzve atë përshtypje, të cilën s’mund ta bëjë asnjë tekst tjetër. Ai jep atë dobi të cilën s’mund ta japë asnjë Libër tjetër, sepse Ai është Libri i Zotit. Në këtë Libër s’është e mundur të takojmë të meta e harresa, gjëna këto të cilat takohen shpesh në veprat njerëzore. Kur’ani përfshin të gjitha dispozitat që i duhen një shoqërie përparimdashëse e liridashëse, që i nevojiten një shoqërie që dëshiron të jetojë në paqe e në lumturi. Myslimanët e periudhës së parë Islame e kuptuan mirëfilli këtë koncept të natyrshëm dhe ishte ky shkaku që e pasuan Kur’anin me gjithë zemër e me gjith shpirt. Kur’ani i udhëzoi në udhë të pastër e të drejtë dhe iu mësoi dituri e urtësi, dashuri e drejtësi; mëshirë e dhembshuri për njëri-tjetrin e për krijesat e tjera. Si rrjedhim i natyrshëm, myslimanët ngjallën ato gjëra që ngjalli Kur’ani dhe shembën ato që shembi Kur’ani. Puna që bën Kur’ani i Shenjtë është e qartë. Kur’ani i Shenjtë na shtyn pra që t’i kuptojmë mirë ligjet e jetës e kjo s’bëhet ndryshe veçse duke përhapur arsimin e moralin. Po, me arsim e me moral ecet drejt përparimit dhe lumturisë së kërkuar prej njerëzve.
Posted on: Wed, 04 Sep 2013 08:42:59 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015