Kushtetuta, Rama: Ndryshimet nga konstitucionalistët, jo - TopicsExpress



          

Kushtetuta, Rama: Ndryshimet nga konstitucionalistët, jo ekskluzive nga politika TIRANË- Me rastin e 15-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese organizoi sot në Tiranë, konferencën ndërkombëtare me temë “Kushtetuta si Instrument Qëndrueshmërie dhe Zhvillimi”. Në konferencë morën pjesë pjesë dhe e përshëndetën Presidenti i Republikës, Bujar Nishani,Kryeministri, Z.Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta si dhe Ambasadori i BE në Shqipëri,Ettore Sequi. Rama Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni, kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësine e dokumentit themeltar të një shteti me dinamikë zhvillimi si Shqipëria që domosdoshmërisht do të kërkojë ndryshime të vazhdueshme. Në këtë pikë, Rama kërkoi që ndryshimet që do i bëhen dokumentit të jenë gjithëpërfshirëse dhe jo ekskluzive të politikës. “Kushtetuta është një akt themelor dhe baza ku mbështetet gjithë procesi i bashkëjetesës mes njerëzve të një vendi, por edhe gjithë funksionimi i një vendi. Besoj që sot është dita për të çmuar edhe rolin e veçantë që ka luajtur Gjykata Kushtetuese e këtij vendi në zbatimin e Kushtetutës, në këto 15 vite. E, si një instrument në zhvillim, pasi dinamika e jetës dhe e zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe politik të vendit, nuk është asnjëherë e dhënë përgjithmonë, Kushtetuta padyshim meriton gjithmonë edhe këndvështrimin nga pozicioni i nevojës për ta ndryshuar atë, por mbi të gjitha, si një instrument në zhvillim. Kushtetuta e ka të nevojshme Gjykatën Kushtetuese, vendimmarrjet e saj, si një kontribut i domosdoshëm për ta interpretuar në momente të caktuara, por njëkohësisht, edhe për ta konsoliduar në parimet dhe në konceptet e veta Kushtetutën, duke iu përgjigjur nevojës së kujtdo për interpretimin e saj”. Pyetja që “a duhet a nuk duhet rishikuar Kushtetuta” do të bëhet besoj unë gjithmonë e më insistuese. Por nga ana tjetër besoj se eksperienca e këtyre 15 viteve na ka mësuar mjaftueshmërisht si t’i qasemi kësaj pyetjeje dhe si në çdo rast, përgjigjen e kësaj pyetjeje të mos ta gjejmë tek vullneti ekskluziv i forcave politike, por ta gjejmë në radhë të parë tek gjithë përfshirja e të gjithë aktorëve dhe faktorëve shoqëror, duke nisur sigurisht nga komuniteti i konstitucionalistëve dhe më gjerë pastaj, nga vetë sistemi që garanton integritetin e Kushtetutës. Stabiliteti i Kushtetutës është padyshim një parakusht për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e rendit kushtetues të vendit. E në çdo rast, çdo ndërhyrje në Kushtetutë, pavarësish se nuk përbën asnjë lloj sakrilegji në vetvete, imponon domosdoshmërish që, në funksion të stabilitetit dhe të forcimit të rendit kushtetues, gjithëpërfshirja të jetë koncepti bazë dhe më fillestar i saj. S’mundet kurrsesi që një proces i tillë të jetë një proces partiak dhe, aq më pak, një proces politikisht i njëanshëm. Padyshim, edhe në qoftë një proces politikisht i gjithanshëm, kjo është e pamjaftueshme kur flasim për Kushtetutën e një vendi, në jetën e të cilit partitë politike përfaqësojnë shumëçka, por kurrsesi nuk përfaqësojnë gjithçka”. Nevojën për ndryshime në dokumentin themeltar të shtetit, Kreu i Qeverisë i motivoi me mospërputhjen e një sërë standardesh me ato që imponojnë kushtet e të qenit në proces integrimi. Jemi në kushtet kur vendi përpiqet çdo ditë të integrohet në BE dhe kur kjo e fundit imponon vijimësisht një tërësi standardesh dhe sjelljesh që shpesh bien ndesh me standardet dhe sjelljet që ne kemi pjesë të vazhdimësisë sonë, pyetjet nëse duhet ndryshuar apo jo Kushtetuta, do bëhen çdo ditë e më shpesh”. Kryeministri garantoi se qeveria do të garantojë respekt ndaj këtij dokumenti dhe do e zbatojë me qëllim për të forcuar kushtetueshmërinë në bashkëjetesën mes njerëzve. Pasi bëri një historik të shkurtër të dokumentit, që synonte ta bënte Shqipërinë një vend të qeverisur me rregulla që në hapat e parë të shtetit shqiptar, Rama tha se sot jemi këtu për 15-vjetorin e një kushtetute që më së fundi nuk është dhuratë e fuqive të mëdha, as imponim i një fuqie nga lartë poshtë, por një shprehje e vullnetit të përbashkët të shqiptarëve që ia bënë dhuratë vetes, me referendumin e 98-ës.
Posted on: Fri, 22 Nov 2013 14:47:36 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015