Ky eshte nje shkrim i kolegut dhe mikut virtual Fatos Baxhakut per - TopicsExpress



          

Ky eshte nje shkrim i kolegut dhe mikut virtual Fatos Baxhakut per brezin e ri ne Gjirokaster. Po do thoni ju, cu kujtua tani te postoje nje shkrim te Baxhakut qe eshte botuar rreth nje vit me pare. Po ja, nene Zenjua e Hashorvateve qe permendet ne shkrim eshte gjyshja ime...dhe tashme qe po rremoja ne arkiven personale me erdhi mire qe nje fjale tipike gjirokastrite "pezule" qe do te thote "brezi i parazitëve, brezi i humbur", vjen nga thellesia e shekujve nga shkrimi i Baxhakutdh nepermjet gjyses sime, kujtimi i se ciles ruhet ende ne Gjirokaster... Si i shtyn pushimet verore “brezi i pezuleve” Në këtë vapë të pamëshirshme, Gjirokastra e gurtë”, duket sikur të zë frymën. Janë pikërisht ata, përbërësit e saj, gurët që lëshojnë nxehtësinë e mbledhur gjatë ditës. Sokakët dhe rrugicat e pjesës karakteristike, janë thuajse krejt të zbrazëta. Vetëm tek-tuk, duket ndonjë çift i vetmuar turistësh të huaj, me gjasa nordik për shkak të fytyrave dhe gjymtyrëve të skuqura nga dielli i fortë mesdhetar. Tregtarët e antikuarëve, kafexhinjtë apo qoftexhinjtë e pakët në Qaf’ të Pazarit qëndrojnë të strukur e të heshtur pas banakëve. Janë të gjithë në moshë të thyer. Në këtë pjesë të qytetit na bën përshtypje mungesa thuajse totale e të rinjve. Me sa duket këtu nuk është vendi i tyre. Ka pak kafene me kondicioner. Nuk ka gjallëri. Këtu nuk ka bare, fast-food-e, kazino… Këtu kanë mbetur vetëm, sikurse i quajnë vetë të rinjtë me një lloj shpërfillje të dhemshur, njësoj sikur të flisnin për gjyshërit. Ndryshe është në pjesën “moderne” të Gjirokastrës. Në lagjen “18 shtatori”, aty ku urbanistika dhe arkitektura e “pallateve” të komunizmit, është ndërthurur në mënyrën më kaotike me ndërtimet e reja. Pikërisht, në këtë ngushtësi dhe rrëmujë urbane i shtyn ditët e veta pjesa më e madhe e brezit të ri gjirokastrit. Kjo pjesë e qytetit, një si “hinkë” e madhe betoni gllabëron ditët e tyre, ëndrrat, shpresat… “Përse gjithë kjo dëshirë për të groposur këtu ditët më të bukura të jetës tuaj?”, pyesim Enean 17-vjeçar. Ai sapo ka mbaruar vitin e dytë të gjimnazit “Asim Zeneli”. “Po ku të shkojmë gjetkë ne të shkretët. Këtu ka zhurmë, ka rrëmujë, ka lëvizje, ka jetë ditën dhe natën. Është i vetmi vend ku mund të rrimë me shokë e shoqe”, na përgjigjet djali. Ne sillemi një herë vërdallë në lagjen e të rinjve, aty lëvizin veturat, aty janë kazinotë, aty ka play station, aty tymoset “mall” i pastër Lazarati, aty ka internet café, aty ka fast-food aty është tregu mbi trotuar, aty.., shkurt është “bota”, është “jeta” e këtij brezi të ri të humbur dhe të përhumbur në një jetë pa shumë përmbajtje. Na thonë se në dialektin e së folurës gjirokastrite, ka një fjalë të rrallë, “pezule”. “Këta djem që sot kapardisen në baret dhe kafenetë e “18 shtatorit” janë ‘brezi i pezuleve’ – na thotë një gjirokastrit i vjetër – rrinë gjithë ditën e perëndisë e bëjnë llogje kafeneve”. Pezuletë më kujtojnë Nënë Zejnon e Hashorvatëve. Kjo, kur na gjente të ulur në sofatet e shumtë tek Sheshi i Gjobekut, na thoshte: “Ç’më jeni ulur në pezule sikur jeni pleq shapllamak? Lëvizni se jeni djem në kohë!” Kështu na thoshte dhe ne qeshnim me qesënditë e saj” “Brezi i pezuleve, brezi i parazitëve, brezi i humbur, ç’rëndësi ka. E njëjta logjikë është, janë pa punë, pa perspektivë, me argëtim spontan”, na thotë librashitësi Xhemal Zeka. Sipas tij, ky brez i djemve dhe i vajzave të Gjirokastrës, i kanë humbur kontaktet me librin. “Ke mall të të hyjë në librari një djalë i kësaj moshe e të kërkojë të blejë një libër. Brez i humbur në pabet, baret dhe kafenetë që kanë okupuar të gjitha katet e para, mandej këto 3-4 vjetët e fundit klubet e natës kanë pushtuar edhe katet e dyta”, thotë librashitësi i trishtuar. “Për se na pyet si kalojmë kohën!? Shih e shkruaj. Ku të shkojmë? Di gjë ti: ka këtu ndonjë kinema? Ka gjë këtu ndonjë koncert? Bashkia edhe ndonjë aktivitet që organizon, vetëm me foklor e bën. Tojo – mojo nga Zhulati, mora një nuse nga fshati… Një avaz nga hera. Ku të shkojmë, më thoni ju”. Një djalë që është mes një grupi shokësh në tarracën e një bari e ka gojën brisk. Quhet Fredi. Tre vjet më parë ka mbaruar shkollën e lartë për infermier. Ende nuk ka ndonjë shpresë për të gjetur punë… “Mos na pyet hiç si e kalojmë ditën. Dihet kërkojnë gjithë ditën njeri–tjetrin në “Face Book” dhe kush ka ofertë në celular ka luksin e thirrjeve dhe të bisedave. Kush nuk ka internet apo ofertë celulari, pi kafe më pak dhe rri e fryn sytë”, thotë Mendi një shok i Fredit. Biseda sikur është çliruar ca dhe të rinjtë nisin të flasin thuajse të gjithë në të njëjtën kohë. “Është kohë plazhi – kuptojmë më në fund njërin prej tyre – por është e kotë të çosh mëndjen tek deti, s’kemi punë, s’kemi pare, plazhi ka shpenzime”. Pritshmëria e tyre për qejfet dhe dëshirat e moshës shpesh shndërrohet në zënka familjare me prindërit. “Më pyeti babi mbrëmë: Hë mo ke vendosur çdo bësh? Po, i thashë, kam vendosur të mos bëj asgjë”. Mendi ka folur sërish. Të tjerët gajasen së qeshuri.. Ne ende këmbëngulim të mësojmë prej tyre si e kalojnë ditën, por pendohemi shpejt. Një lumë përgjigjesh herë të sinqerta dhe herë ironike më vijnë nga të gjitha anët. Të ekspozuar dhe shpesh të pambrojtur para të gjitha dukurive dhe fenomeneve të ditës, pa punë, pa të ardhura dhe mes situatës politike konfliktuale dhe kaotike, jeta e këtyre të rinjve në prag të jetës ofron shumë pak mundësi dhe siguri. Ata na thonë gjithfarëë veprimesh, ngrihen në mesditë nga gjumi, sepse shkojnë natën vonë në shtëpi. Na thonë se ndonjëherë kthehen në shtëpi të dehur dhe të pavetëdijshëm. Ankohen për prindërit që nuk u japin para për t’u veshur sipas modës, sipas kohës. Më thonë se, jo ata, por ca të tjerë pinë cigare me hashash. Mërziten për vdekje kur flasin me prindërit. Qëndrojnë gjithë ditën e gjithë natën në internet apo me telefon në dorë. Na thonë se as që u shkon mendja tek librat: “Mos na i zë me gojë se stresohemi!”. Altin Gagani është një 25-vjeçar, i qetë dhe pa shumë fjalë. Ka mbaruar 2-3 vjet më parë universitetin në degën financë. Kërkoi dhe priti të gjente punë në profesion, por ishte e pamundur. Për momentin, ai e ka gjetur një zgjidhje. Punon kamerier dhe recepsionist në një hotel-restorant në Sarandë. “Zgjidhje momenti, sepse edhe në Sarandë vetëm 2 muajt e pushimeve ka punë, pastaj do të rikthehem përsëri në gjirin e shoqërisë, si një parazit i zakonshëm, S’kam ç’të bëj si gjithë të tjerët”, thotë Altini. “Kjo është me plot kuptimin e fjalës një krizë e moshës, që në kuadër të krizës që përjeton në përgjithësi shoqëria, ajo bëhet mjaft komplekse dhe tepër e vështirë për t’u përballuar. Kjo krizë në aspektin social shfaqet me revoltë ndaj të rriturve, ndaj sistemit të vlerave dhe ideve”, më shpjegon Ilir Bozgo, pedagog psikologjie në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës. Gurët e Gjirokastrës kanë nisur të djegin edhe më fort. Përmes një tisi të lehtë avullues e shohim edhe një herë siluetën elegante të Gjirokastrës së vjetër. Afër nesh, poshtë, në betonin e “18 shtatorit” vazhdojnë të jehojnë të qeshurat e të pashpresëve të këtij behari. Fatos Baxhaku (Autori falënderon përfaqësinë e UNICEF-it në Tiranë për ndihmën e dhënë gjatë realizmit të këtij reportazhi).
Posted on: Fri, 23 Aug 2013 16:20:26 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015