LEON MOLLA BAJRAKU I SHOSHIT: (D U K A G J I N) Fisi ka qënë - TopicsExpress



          

LEON MOLLA BAJRAKU I SHOSHIT: (D U K A G J I N) Fisi ka qënë njesia e parë bazë e organizimit të jetës e prodhimit shoqëror. Në kuptimin historik fisi përkufizohet:”Një grup njerëzish me lidhje gjaku, me gjuhë e zakone të njejta, që mbështeteshin ne pronën e përbashkët”. Në kuptimin e mëvonshëm etnografik, fisi përbehej nga një grup njerëzish që rridhnin nga një babë i përbashkët, me doke dhe zakone të njejta që jetonin në një teritor të përbashkët në një ose disa fshatra. Duke lënë menjëanë kuptimin etimologjik të fjalës fis që sipas Jaklit rrjedh nga greqishtja At’Benardin Palaj, etnografi, folkloristi dhe mitologu i madh i maleve shqiptare nënvizon përkufizimin e fjalës fis sipas kanunit: ”Fis don me thanë nji tok vllaznish, prej një tate të përbashkët mbrenda një bajraku e nën prijsin e nji bajraktari. Fisi dallohej nga dy grupe kryesore tiparesh, ekonomike apo prodhuese. Dhe tiparet shoqërore ideologjike, si mardhënjet e njerëzve njeri me tjetrin të cilat përfshinin kuvendet, ekzogaminë, (ndalimin e martesave brënda fisit), gjakmarrjen,, ndihmën e ndërsjelltë, besën, nderin etj. Në përgjithësi bashkimi i fiseve në Shqipëri ka pasë karakter ideologjik pasi mbizotëronte prona private, prona e përbashkët kishte marrë fund me përjashtim të vendeve të ndonjë pylli ose kullotash të veçanta në bjeshkë, kullota të përbashkëta (ose me re). “Në malet shqiptare nuk ka fis qe të mos ketë legjendën e vet tipike. Sikurse Roma e Remulit dhe e Remit, si Shkodra e tre vëllezërve ilir, ashtu edhe të bijtë e Murr Detit, të Keqit të Malsisë së Madhe e t’Ahmatit në Këlmend, me një fjalë, të gjitha tepricat e fiseve iliro-thrake enden të gjalla në kombin shqiptar; thotë At’Benardin Palaj”. Për Gjol e Pepë Suma edhe në rastin e zgjatimit në ekstrem (shtimit me të shpejtë të ndonjë vllaznie ) mund të themi saktësisht se ata erdhën në Shosh 15-16 faqe rop më parë. Por duke pas parasysh se akoma kemi dendësisht tre breza që jetojnë bashkë në një familje është e pranueshme të merret mesatarja 13-14 faqe për gjithë Shoshin (pasi brezi i fundit është i sapo lindur, madje një pjesë nuk kanë lindur as në Shosh). Në fiset klasike të maleve të kanusë, në se u ruajtën të forta lidhjet e gjakut, nuk do të thotë se këto lidhje detyrimisht ishin përcaktuese të mardhënjeve shoqërore dhe prodhuese. Institucionet e fisit ishin ngritur mbi bazën e pronës private, mbi bagtinë, tokat e punushme dhe mbi pronën e përbashkët të vllaznive e të fshatrave mbi kullotat. Katundi: Ishte një bashkësi teritorjale bujqësore e blegtorale me kufij të caktuar brenda fisit-bajrakut. Katundet kishin në përbërjen e tyre disa vllazni dhe vllaznitë nga ana e tyre përbëheshin nga disa shtëpi me lidhje gjaku mes tyre Për shkak të kushteve ekonomike , nevojave tokësore e nga levizjet e brendëshme, në shumë raste katundet kishin vllazni të ndryshme dhe vendbanime jo kompakte, por ishin të gërshetuara njëra me tjetrën. Megjithatë organet drejtuese ngriheshin mbi bazën e vllaznive, prandaj edhe përfaqësimi në organet drejtuese të fisit e më pas të bajrakut bëhej mbi baza fisnore dhe jo teritorjale. Fisi i Shoshit përbehej nga disa katunde:Ndreaj, Celaj Pepaj, Mekshaj, Gurrë, Dardhë, Nicaj, Çilkok,Ndregjinaj, Gjoshaj, Palaj(katundet e Gjolajve).Pepsumaj, Mollë, Brashtë, Guri Lekës, Pylaj , Pylotaj dhe Gjocaj katundet e (Pepsumajve). Katundi ishte njesia më e vogël e vetëqeverisëse fillimisht e fisit pastaj e bajrakut. Katundi ishte një fis në minjaturë.Katundet duke qënë të vendosur në distancë gjeografike larg njeri- tjetrit, fituan autonomi vetqeverisje në raport me fisin ose bajrakun, madje nga ky status ato shpesh edhe rebeloheshin , ndaj autoriteteve qëndrore të fisit. Kështu për shembull, vazhdimisht ka ekzistuar një rivalitet herë i heshtur, herë edhe përmanent mes Buxh Nderajve me Palaj –Nicaj-Çilkok (Përtej Stupes), për rol hegjemon në fis. Mbi bazën e vllaznive të mëdha të katundit formohej “këshilli i pleqëve” i cili përbëhej nga krerët e këtyre vllaznive ose pleqtë e parë. Në krye të këshillit të pleqve qëndronte, plaku i parë ose kreu i katundit që përfaqësonte vllazninë e parë në kohën e lulëzimit të fisit kur akoma nuk kishte dalë në skenë institucioni i bajrakut. Detyra e krerëve ose e pleqve trashëgohej gjithmonë në vijë të drejtë linjën mashkullore nga trashëgimtari më i madh në moshë. Krerët në luftë kishin funksionin e drejtuesve luftarak dhe thirreshin krerë, në kohë paqe, ishin zbatues të ligjeve të kanusë dhe thirreshin pleq. Vetqeverisja kanunore njeh edhe krerët e vegjelisë së katundit(Përfaqësuesit e vllaznive të vogla) ose sterpleq. Përderisa vendimet e pleqve të parë nuk mund të merrnin fuqi ekzekutive, po të refuzoheshin nga krerët e vegjelisë, difton se kemi të bëjmë me një mënyrë vetqeverisje, ku njihet dhe funksionon mirë parimi i së drejtës dhe ushtrimi i kontrollit të vegjelisë ndaj autoritetit të krerëve. “Organet vendimarrëse të katundit ishin: Kuvendi i krerëve ose i pleqve, dhe ai i gjithë katundit burrë për shtëpi. Natyrisht ky i fundit ishte organi më i lartë ligjvënës me tagër të plotë brenda katundit.”Vendimet e tij merreshin të pavarura prej organeve drejtuese të fis-bajrakut”. Autoritetet qendrore të fisit nuk kishin të drejtë të nderhynin në kopetencat e katundit, me përjashtim të sfidave të hapura që cenonin unitetin, dinitetin dhe interesin kapital të fisit apo bajrakut. Organet drejtuese të Fisit: Fisi ka qënë njesia më e madhe vetqeverisëse deri në fund të shek XVII-të kishte organet e veta drejtuese: Shoshi kishte një Kryetar Fisi (Vojvodë),4 këmbë fisi, 12 krerë, 12 djem pas kreut( kreret e vegjel), djelminë dhe kuvendin e fisit 1-Kryetari i Fisit ( Vojvoda) 2-Krerët e mëdhenj(Këmbet e fisit) 4 3-Krerët Pleq 12 4-Krerët e vegjël(Djemt pas kreut) 12 6- Kreu i Djelmisë 5- Kuvendi i fisit burrë për shtëpi Organet drejtuese të Bajrakut(Fundi shek XVII e në vijim) 1- Bajraktari. 2- Krerët e mëdhenj 4 3-Krerët pleq 12 3- Djemtë pas Kreut(Krerët e Vegjel) 12 4- Kreu i djelmisë. 5-Kuvendi i Fisit (bajrakut) burrë për shtëpi. Krerët e mëdhenj ose këmbët e fisit: Thirreshin ndryshe edhe pleqtë e parë e përfaqësonin vllaznitë e mëdha ose këmbët e fisit” Shoshi kishte katër krerë të mëdhenj “këmbë fisi”perfaqësuesit e 4 vllaznive te mëdha te Gjol Sumës e Pepë Sumës 1- Vllaznia e Pep Gjolit( Gjolaj) 2- Vllaznia e Preç Gjolit(Gjolaj) 3- Vllaznia Memiaj( Pepsumaj) 4- Vllaznia Ndrevashaj (Pepsumaj) Kreu i fisit: (Vojvoda), Si emër është huazim sllav(Voj = luftar-vodi= udhëheqë) Kreu i fisit ishte trashëgimtari i këmbës së parë në kohën e vetqeverisjes së fisit para bajrakut. Ky njihej si plak i parë dhe shtëpi e parë në fis. Ky rregull natyrisht nuk funksionoi në kohën e bajrakut, madje që më përpara, pasi divergjencat, rivaliteti dhe intrigat për kreun e fisit në një shoqëri të padiferencuar ekonomikisht, kanë bërë të anashkalohet rregulli i pashkruar i drejtimit të vëllaut të madh në rradhë sipas lindjes(parabirnisë). Në kohët e shkuara vojvoda ishte prijsi kryesor i fisit, por me kalimin e kohës një pjesë e autoritetit të tij i kaloi bajraktarit… Disa bajraktarë paten arritur të fitonin sqimen dhe respektin e guvernatorëve të Shkodrës, këta të fundit nisën t’i therrasin gjithnjë e më shpesh në diskutime e mosmarrveshje që qeveria kishte me fiset, për t’i konsideruar kështu pak nga pak si vertetë të fisit.. nderkohë që vetë fiset të ndertuara nga ky besim, që vetë qeveria tregonte ndaj bajraktarëve të vet nisën tu njihnin këtyre prijësve supermacine mbi prijësit e tjerë. Pas gjysmës së shekullit XIX, megjithëse u ruajt dhe u trashëgua si titull nderi, vojvoda nuk kishte ndonjë funksion të veçantë në bajrak. Thuhet se vojvoda ishte një autoritet i njohur nga qeveria turke dhe ndiqte zbatimin e urdhrave të sa pas reformës së tanzimatit. Statusin honorifik si vojvodë i parë i shoshit e kishte shtëpia e Lekë Prelë Alisë së Pepsumajve,si shtëpi e dytë pas Bajraktarit. Padrejtësisht Kreret e Medhenj të fisit vazhduan të thirreshin, madje edhe sot iu pëlqen të vetëquhen vojvodët e medhenj të Shoshit: KRERËT E MËDHENJ OSE KEMBËT E FISIT: Thirreshin ndryshe edhe pleqtë e parë, ata përfaqësonin vllaznitë e mëdha ose këmbët e fisit. Shoshi kishte katër krerë të mëdhenj Krerët e pleqtë: vinin pas krerëve të mëdhenj dhe përfaqësonin vllaznitë e mëdha që vinin pas kembëve të fisit. Edhe këta ishin udhëheqës ushtarak në kohë lufte dhe gjykatës në kohë paqeje . Natyrisht që detyra e tyre trashëgohej sipas parabirnisë. Krerët formonin pleqësinë e fisit dhe më vonë të bajrakut dhe natyrisht ishin në kuptimin simbolik nëpunësit e lartë të fisit “shtet”. Shoshi kishte 12 krerë, fiset e mëdha si Shala kishin 24 krerë. Krerët e Vegjëlisë, ishin të parët e vllaznive të vogla përfaqësonin vegjelinë dhe thirreshin djem pas kreut. Këta kishin tagër të mos u rrinin vendimeve të marra nga krerët e mëdhenj. Vendimet që nuk pranoheshin nga krerët e vegjëlisë nuk mund të merrnin fuqi ekzekutive. Fiset vetqeverisëse përpara bajrakut kishin një shkallë të lartë demokracie në vendimmarrje, ku pa dyshim për çeshtje kapitale vendosej në mënyrë kolegjiale, ndersa hijerarkia; krerë të mëdhenj dhe të vegjël dëshmon për ekzistencën në miniaturë të një “senati” dhe një “dhome të ultë” legjislative të fisit “shtet”. Vojvodë i parë i gjithë Shoshit ka qënë shtëpia e Ali Markut të Pepsumajve, ky ofiq ka kaluar stafetë nga Ali Marku, Lekë Prelë Alia, Vuksan Leka, deri tek Lekë Vojvoda.Këta, përveç titullit të nderit, nuk kanë marrë asnjë lloj shpërblimi nga qeveria turke, por përkundrazi në vitin 1910 në Qafën e Agrit Lekë Prelë Alia ka qënë një nga organizatorët kryesor të Shoshit. BAJRAKU Bajraku ishte njesi teritorjale administrative-ushtarake që u formua në malsitë shqiptare të vetëqeverisura në kushtet e rrethimit feudalo- osman. “Fisi me vendas të gjetun e nipa bijash- i përmbledhun në një emën e qi banojnë në një mal quhet bajrak. Fisi asht gjaku i burrave e gjinia e grave; ndersa “Bajraku asht fisi i tanë i marrun si shtet. Bajraku, është krijuar para shekullit XVIII dhe mbështetej në fillim mbi bazën e lidhjeve të gjakut, duke përfshi njerëz të një fisi, ndërsa Udhëheqja e tij i përkiste krerëve të fisit, ndersa udhëheqja e forcave ushtarake e njërit nder djemtë (të tretit) të kreut të fisit i cili si mbajtës i flamurit në ekspeditat luftarake,quhej bajraktar. Bajraktari ishte udhëheqës ushtarak me rrogë, funksioni i tij ishte i trashigueshëm në linjë mashkullore. Vendosja e sistemit të bajrakut dhe (kapedanëve) legjitimoi juridikisht mercenarizmin e shoqërisë malsore në jug dhe veri. “Kerkesat për ushtar me rrogë u rritën vazhdimisht, kur Turqia filloi luftën kundër kualicionit të shteteve Evropjane me 1683 .Epersisë teknike të shteteve evropjane, Porta e lartë u detyrua t’i kundërvinte epërsinë numerike”. Roli gjithnjë e në rritje i forcave ushtarake rriti rolin e bajraktarëve si udhëheqës të krahinave të tyre. Pushtuesit osman,duke mos mundur të vendosnin në malsitë tona rendin e tyre administrativ, i shfrytëzuan bajraqet, si organizma të vetëqeverisura në bazë të së drejtës zakonore lokale.Në këto kushte pushteti i Krerëve të fisit u shty në plan të dytë dhe e zëvendësoi ai i bajraktarit, i cili për më tepër njihej si i tillë nga qeveritari i sanxhakut. Mendimi i përgjithshëm i historjanëve shqiptarë është se institucioni i bajrakut u krijua në fund të shekullit XVII. Studjuesi Kahram Ulqini duke analizuar lindjen e institucionit të bajrakut thekson: Dokumenti më i hershëm i njohur nga ne që verteton qenjën e bajrakut në Malësi të Madhe gjendet në arkivin qendror të shtetit dhe është një shkresë e vitit 1738 lëshuar nga komanda e Ushtrisë Mbretërore Osmane që u drejtohej bajraktarëve e pleqëve të Hotit në lidhje me emrin e Hasan Hotit si bylykbash i atij mali. Siç shkruajnë vetë burimet osmane, institucioni i bajrakut nuk u krijua përnjëherësh, ky proces u krijua në vazhdimsi në vartësi të pozitës shoqërore administrative dhe kushteve ekonomike të një krahine apo rrethine. Procesi i konturimit të plotë të trevës së bajrakut zgjati brenda kufijve të një shekulli ( fundi i shekulli XVII deri në fund të shekullit XVIII).Në mesin e shekullit XIX vërehet një shtim i numrit të bajraqeve që vinte nga ndarja e tyre e brendëshme, kjo ishte një lojë dinake e qeverisë osmane që nxiti përçarjen e brendshme dhe rivalitetin mes bajrakëve. “Së paku deri në fund të vitit 1832 Dukagjini kishte pesë bajrakë (Shalë, Shosh,Toplanë, Kire e Pult)Nga mesi i shekullit XIX u shkëputën Gimajt nga Shala e duke u bashkuar me Planin u krijua bajraku i gjashtë nënvizon Kahraman Ulqini(Shalë , Shosh, Toplanë, Gimaj Kirë e Xhan” . Me vendosjen e sistemit të bajrakut, çvlersohet autoriteti i të parit të fisit (interesant është fakti se shumica e të parëve të fiseve nuk arritën të marrin ofiqin e bajraktarit me lindjen e këtij institucioni të ri).Turqit kanë ditur me zgjuarsi të shfrytëzojnë konfliktet mes palëve brenda barqeve të fisit, duke stimuluar një palë ndaj një tjetre. Pjesmarrja në luftra të shpeshta si aleat të Perandorisë mëmë, nxori më mirë në pah aftësinë komanduese dhe trimëritë e bajraktarëve duke ndikuar në rritjen dhe fuqizimin e autoritetit të tyre. Pushteti i bajraktarit ishte më autokratik mbi bajrakun (fisin), se pushteti i të parit të fisit mbi fisin e tij, por më pak autonom dhe më shumë i ndervarur nga pushteti qëndror osman. Institucioni i bajrakut, megjithëse erdhi duke u forcuar nuk arriti të dalë në mënyrë supreme mbi pleqësinë e bajrakut, apo mbi kuvendin e përgjithshëm. Studjuesi i maleve të kanusë At’Benardin Palaj thotë:“Bajraktari nuk mund të merrte asnjë vendim, as të bënte ligje pa miratimin e krerëve dhe kuvendit”. Gjithsesi duhet pranuar se bajraktarët ishin aq të zgjuar dhe të shkathët, sa të mos hynin në konflikte me krerët e vet, dhe t’u imponoheshin atyre dhe fisit në shumicën e rasteve që ua lypte nevoja. Funksioni i prijsit dhe i krerve të fisit, ka qënë gjithmonë i pa tjetërsueshëm (as nuk shitej as nuk dhurohej), nuk mund të ndodhte kështu, me funksionin e bajraktarit, ai mund që të refuzohej si i pa dëshirueshëm nga trofembajtësi, mund të dhurohej si thotë tradita gojore, ndersa në rastet më ekstreme me rrebelimin e krerëve, parisë e kuvendit të përgjithshëm, bajraktari edhe mund të shkarkohej, praktikë që defakto nuk është realizuar, asnjëherë në bajraqet e mëdha të Dukagjinit. Bajraktarët kanë marrë pjesë si palë në luftrat e brëndshme mes feudalëve të mëdhenj që bënin për të shtënë në dorë qeverisjen lokale. Mundja e njërës palë sillte humbjen e detyrës së bajraktarëve përkrahës. Kahrman Ulqini duke iu referuar traditës gojore thotë: “Me ardhjen në fuqi të Bushatlive bajraktari i Shalës që i përkiste vllaznisë së Mekshajve në katundin Nënmavriq u shkarkua, si përkrahës i Begollajve dhe u zëvendësua nga vllaznia e Pec Pecit në katundin Pepaj”. Edhe në Shosh sipas traditës gojore Valiu i Shkodrës ofiqin e e bajraktarit ia dha Vllaznisë së Buloshajve më të voglës së katundit Ndreaj si pasojë e një konflikti të përgjakshëm që kishte shpërthyer mes vëllaznive Nicaj dhe Celaj. Pranë autoriteteve qeveritare Bajraktari interesohej ndermjetësonte dhe hynte dorzanë për banorët të bajrakut të tij. Bajraktarët paguheshin nga atministrata shtetrore, pagesë e cila më tepër se rrogë kishte natyrën e një shpërblimi periodik në një sasi të caktuar drithi. “Për fajet atministrative e politike, bajraktarët dënoheshin me gjobë internim ose burgim”. Bajraktarët dhe krerët me rëndësi, kur shkonin në kuvende ose tek autoritetet qeveritare merrnin një djalë mbas vetit, të zgjedhur nga më të afërmit në fis, si rojë vetjake dhe për ta mësuar për punët e katundit e të bajrakut apo të kreut pas të cilit shkonte. Të gjithë këta djem së bashku thirreshin djem mbas krenësh, Autoritetet e bajrakut njiheshin me emrin të parë apo pari e ndaheshin pari e madhe (bajraktari, plaku i madh, kamba e fisit dhe pari e vogël (plaku dhe stërplaku). “Kuvendi, thuhet në kanu-Asht një bashkim i fisit me krenë, pleq, sterpleq dhe vegjli a djelmi të dheut, qi kan qëllim me rrahë ndonjë çeshtje a me lidhë ndonjë besë”. Në fis dhe në bajrakun “shtet” nuk kishte organ më të lartë legjistativ dhe zbatues veç “kushtetutës” kanu. Pjesmarrja në kuvende varej nga rëndësia e çeshtjeve që trajtoheshin. Ato në të shumtën e rasteve mund të ishin kuvendet e krerëve ose të pleqve të katundit ose të komplet fisit, për ushtrimin e autoritetit në fis, ose në përcaktimin e ligjeve të reja e zbatimin e tyre. Kishte edhe kuvende krahinore dhe nderkrahinore si për çështjen e vetmbrojtjës, daljes në luftë, për rregullat e bashkjetesës në fis etj.”Sejcili mal e sejcili fis e ka të caktuem qysh prej të parësh vendin ku do të bahej mbledhja e dheut”. Bajraktarët dhe vojvodët kuvendonin e ndanin me shoqi-shoqin gjithça ishte për t’i thënë popullit. Bajraktari dhe vojvodët me të mbaruar kuvendin nder veti, thërrisnin pleqtë e gjobatarët , duke shpreh gjithsecili mendimet e veta se kush e kush ka ra në gjobë. Atëherë thërrisnin një nga një të gjobiturit dhe i tregonin pse janë gjobitë dhe sasinë e gjobës që do të paguanin. Djelmia ishte pjesë e sistemit institucional vetëqeverisës i fisit (bajrakut), quhej këshilli i të rinjëve të armatosur të fisit. “I pari djelmisë kishte detyrë të zbatonte urdhrat e parisë.Të katër këmbët e fisit ishin zyrtarët qe drejtonin luftën.I pari i djelmisë në fis thirrej “Ministri i Luftës”. Djelmia është bashkmoshatare me fisin dhe jo siç janë shprehur disa studjues përfshi edhe Baron Nopça, apo Benardin Palaj të cilët thonin:Për me pritë korrupsionin e Turqisë që për herë e ma fort shkonte tue depërtue nëper krenë e bajarktarë, në vitin 1900 fisi i Shalës i shtoi organeve të bajrakut nji kryesi të re; Djelminë e fisit. Djelmia ka ekzistuuar shumë kohë përpara vitit 1900. Mehmet Shpendi nuk është Kryetari i parë i Djelmisë së Shalës, madje djelmi ka pasë edhe në kohën e gjyshit të tij Sadrisë e babait Shpendit. Djelmi ka pasur edhe në Shosh (Balec Ndou), Nikaj (Ali Zymeri) Mërtur (Trim Bardheci) Kirë (Familja e Zef Marashit), Plan ( familja Pjetrush Kolës)Xhan ( familja e Vat Dakës) etj. Djelmia e Shalës ka ndikuar nepërmjet shembullit të saj pozitiv edhe ndaj djelmive të bajraqeve fqinj, por ajo nuk mund t’u imponohej në asnjë rast apo veprim, aq më tepër Mehmet Shpendi nuk kishte tagër të ishte lidër i përgjithshëm i tyre. Djelmia nuk ishte siç mundohen ta paraqesin disa të tjerë sot si një qënje memece nën hijen e parisë apo bajraktarit. Eshtë e vertetë se deri nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX djelmia nuk arriti të faktorizohej si subjekt, por ajo ka ekzistuar gjithnjë. Mehmet Shendi, nuk e krijoi djelminë por e beri atë faktor politiko- ushtarak me peshë vendim- marrëse në jetën e bajrakut të Shalës. Shumica historjanëve shqiptarë kanë dhënë verdiktin e tyre se Djelmia e Shalës e kundërshtoi shfrytëzimin dhe ryshfetin në kushtet e një shoqërie të prapambetur brënda institucionit të bajrakut. Që të bëhesh faktor duhet të ngresh zerin, të përplasësh, të marrësh parasysh rriskun madje dhe të rebelohesh. Mehmet Shpendi e bëri jo pa dhimbje zëdhënësin e shtresës së papriviligjuar, duke formuar defakto siç thotë Nopça opzitën e parë në shoqërinë e atëhershme patriarkale fisnore. Ishte pikërisht ky faktorizim që Mehmet Shpendin e beri lider gjë të cilën, duhet pranur që nuk e arritën kolegët e tij në fiset e tjerë. Mehmet Shpendi, është emri më i lakuar dukagjinas nder mote në literaturën e studjuesve të huaj.(Baroni Dr.F. Nopça, E. Durham, A. Badaci, T. Ipen, H. Ebërhart, K. Kose, po të shtojmë këtu edhe Gjeçovi, Benardin Palaj, Ndoc Nikajn, Prof Z.Rexhaj, Prof Mark Krasniqin, Pal Doçin, poetet Risto Siliqi, Lasgush Poradeci etj). Mehmet Shpendi i ka bërë vend vetës në histori dhe nuk mund ta nxjerrë askush prej andej. Detyra jonë si studjues është të ndriçojmë të tjerët, që për arsye të ndryshme nuk janë fokusuar ose janë anashkaluar. Konkretisht djelmia e fisit ishte: Një organ ekzekutues i të gjitha vendimeve të marrura në mbledhjet e fisit ose të bajrakut, të kryesuar nga bajraktari, por edhe kundra bajraktarit në se ai shkelte kanunin. BAJRAKTARËT E SHOSHIT Pas lindjes së institucionit të bajrakut dhe marrjes së këtij ofiqi nga vllazina Buloshaj e Ndreajve, Shoshi pati një gjeneratë tipike bajraktarësh, produkt i një geni të veçantë të kthyer në taditë shumëvjeçare drejtimi. Sipas rrefimeve gojore familjare gjeneologjia e bajraktarëve të kësaj dere fillon Prelë Pepë Ndrekalin, pasi vrasjes së Pepës në betejen e Moraçës me 1796. ( Kjo gojdhënë mbetet e pa konfirmuar nga asnjë dokument arkivor deri më sot. Gjenerata e vjeter deri tek Marash Kola nuk figurojnë të dokumentuar në shkrime Lidhur me fillimet institucionit të bajrakut në Shosh At’ Xh. Valentini thekson: ” Shoshi sipas pas traditës është njëri prej12 fiseve të zanafillës së Shqipërisë së Veriut, i dyti nga pese bajraqet e Pultit që shkojnë me Shkodrën, sigurisht bajrak që me 1883” MARASH KOLA E GJELOSH KOLA Kanë qënë një binom shembullor vellezërish të njerëzishëm të cilët drejtuan fisin e Shoshit me urtësi, autoritarizëm dhe sakrifica. Jetuan në kohë të mira e të mënxyrta të lidhur ngusht si dy degë të nje lisi me një harmoni shembullore vellazërore, që çuditërisht nuk figuron më në epokën tonë moderne. Ata jetuan në momentet e zgjimit të vonuar kombetar nga letargjia e gjatë osmane e shqiptarëve, përiudhë që përkonte me një kohë të ngarkuar me ngjarje të mëdha historike, siç ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit, doemosdoshmeria e mbrojtjes së terësisë teritoriale etnike dhe luftës për pavarësi kombetare. Marash Kola ka qënë delegat i Lidhjes shqiptare të Prizrenit, me të drejtë vote ekzekutive, së bashku me Mark Lulën dhe Gjekë Gegën e Shllakut. Burrë pleqtar, dijetar i devotshëm i kanunit, me kanarë në dorë mahallë më mahallë e bajrak më bajrak maleve të Dukagjinit. Qe prijësi i Shoshit në Luftën e Miletit në prill 1880. Me 1872, Marash Kola në moshë shumë te re pasi Pal Gjoka vra Sulejmanë Agë Hotin në shenjë hakmarrje nga qeveria turke u internua në Arabi së bashku me 20 krerë të tjerë dhe prijsa të parisë së Shoshit. Kjo ngjarje është fokusuar besnikërisht në krijimtarinë poetike të autorëve dukagjinas : Lamtumirë malsi se shkova Ia thotë vajit elegjia Na rrejti mbreti, na shiti Shkodra Deshmitare, ashtë historia Të ngujuar në kafaz Lkundet varka si gjethe vjeshte Deti i gjanë tallaz, tallaz Qofsh mallkue ti djemt na i trete Marash Kola bajraktar Me 20 krenë që pat mas vetit Tuj mallku turkun barbar Pash më pash po i bjen detit. Kush u myt qe “fatlum Të tjert diqën prej urisë Përvëlu e djegun shkrumb Në shkretirën e Arabisë. Gjelosh Kola, vëllai i vogël i Marashit, do te vazhdonte drejtimin e fisit të Shoshit po më të njejtin autoritet, me të njejtin princip dhe sukses si vëllau i madh. Nga geni trashëgoi inteligjencën natyrale, nga jeta përfitoi prakticitetin, nga situatat e veshtira mori guximin, nga davaja u pjek ne pleqnim dhe u be zëdhënës i kanunit. Qendrimi Gjelosh Kolës dhe Prelë Markut respektivisht bajraktar të Shoshit dhe të Shalës, po ashtu dhe bajraktarit të Kirit ndaj marrshimit të Turgut Pashës në Dukagjin, është kritikuar ashpërsisht si taktikë pacifiste e qëndrimit në dy karriga; nga Kamilo Libardi, famullitar i Shoshit në vitin 1910. Libardi është i vetmi autor bashkohës, që Kryengritjeve anti turke të 1910 në Dukagjin e 1911 në Malsi të Madhe, u kushton një libër të veçantë. Deli Marashi, është pa dyshim më popullori i bajraktarëve të kësaj dere. Ai ishte një orator gojembël, besnik që as orteku nuk e lëvizte nga kodi i burrnisë, nderit dhe mikpritjes. Urtësia, çiltërsia e thjeshtësia, ishin tiparet që e karakterizonin. Pushka dhe parmenda ishin profesionet që ushtroi një jetë të terë burri i konakut, Deli Marashi. Në ballë të shoshjanëve trima e atdhetarë, zuri i pari Qafën e Agrit, duke mposhtur Fatihin, e pathyshëm të Portës së Lartë, Shefqet Turgut Pashën, në muajin Korrik te vitit 1910. Në të vetmën qafë ku Turguti gjakatar theu qafën. Turgut pasha po na vjen Me na vra me na plaçkitë Me na ndrru kanue e fe Malet tona me i koritë Shqurku i Shoshit kish qellue Kur vetoi e u hap kushtrimi Lanë ferliqet e sofrat shtrue Deli Marashi, Shoshit i prini Deli Marashi ish sybishë Mbush e qit në krye t’ taborrit Digjej flakë, porsi pishë Dhe me vdekë çohej prej vorrit Pushkën n’ dorë qirat në gji Në ball t’ mejdanit i pri bajrakut Lusin festën për shefi Tuj dhanë plumb anadollakut Topat shprazën bubullojnë Dridhet toka pëlcet shkambi Plumbat rrjedhin fluturojnë Si shtërngatë sulmon nizami. 9 bajrakë lufta i bashkoi Ç’ka asht vdekja nuk e dinë Llogorën hapin me thonj Bien si shqipet fluturim Gjenerali po çuditet Po mjerohet pe kapë frikë Mirë e din se po koritet O me vdekë, o me ikë. Turgut Pasha hypë në thep S’pret të vramit me i varrosë Ban shyqyr që pshtova vetë Vari bishtin dhe u marros. I paligshtuar nga pleqeria do të vishte opingat e koçakut, kunder komunizmit, duke dergjur tragjedinë e vrasjes së 13 mashkujve të kullës së tij. Lulash Gjeloshi, më karizmatiku i kësaj dere bajraktarësh. Burrë me inteligjencë të lartë dhe autoritarizëm absolut mbi fisin e vet arkaik. Jetën e përfytyronte sipas frymës së kanunit. Ai besonte në fisnikërinë e atyre ligjeve toksore, prandaj jetoi deri në vdekje si rojtari i Kanunit. Qe nder përfaqësuesit më tipik të breznisë së fundme e të pafat të bajraktarve të maleve tona. Njeri praktik, i shkolluar me librin e jetës që jeta e kishte mësuar, se kyçi i suksesit në jetë ishte kombinimi i forcës me inteligjencën. Duke qënë në rolin protagonist në skenën politiko- shoqërore të Dukagjinit i një përudhe kontrastesh të mëdha (1915-1945), Lulash Gjeloshi është kompleks me dritë hijet e veta, produkt i kohës që jetoi. Ka qënë prijës i Shoshit në qëndresën ati- malazeze në Qafën e Boshit 1915. Ishte një nga frymëzuesit e Lëvizjes anti- zogiste të Dukagjinit të Nëntorit 1926 të dirigjuar nga Dom Loro Caka, Ndokë Gjeloshi, Vas Kiri e te tjere. Denohet në mungesë nga gjygji politik i marsit 1927 dhe fiton pafajësinë, me 21 shtator 1927 së bashku me 64 dukagjinas të tjerë. Si kundërshtarë i pa pajtushëm i rregjimit të Zogut dhe ithtarë i Shqipërisë Etnike së bashku me disa eksponent anti Zogist me influencë të veriut si Ndoc Pistulli, Sylçe Begu (Shkodër) Gjon Marka Gjoni(Mirditë) Kolë Ndou (Shalë),Kolë Bibë Miraka (Iballë) etj, firmosin për përzënjen e matjanit nga froni dhe zevendësimin me një princ nga dinastia e Savojës. “Në qershor te vitit 1939, gjatë vizitës së Jakomonit në Theth i dhuron atij një kopje të kanunit të Lekë Dukagjinit”. Gjatë viteve të okupacionit, pozicionohet si kundërshtar i deklaruar i FNÇ, megjithëse në parg të çlirimit, i hell ujë zjarrit, në kundërshtim me vullnetin e atyre qe kërkonin të imitonin aventurën e Qafës së Kolçit edhe në Shosh e Shalë. Në vitin 1943 rezulton të ketë qënë deputet i “Asamble kombtare” (e ashtu quajtur Kuislinge) . Nga friga e hakmarrjes së komunisteve del në mal menjëhere pas çlirimit, po me ndermjetësinë e Profesor Kolë Prelës, dorezohet dhe lihet i lirë me gjithë armë së bashku me Mark Sadikun, Sadik Markun, Kol Nduen, Nikë Gjeloshin, Gjelosh Bajraktarin, Sokol Balën, Mark Vuksanin e te tjerë. Në shkurt të viti 1945, së bashku me Kolë Nduen, Kadri Pejën dhe 22 krerë e bajraktarë të Veriut të Shqipërise, takohet me Kryetarin e Qeverisë, Enver Hoxha! Radjo Tirana atë ditë në emisjonin e saj të lajmeve njoftonte: “Kryetari qeverisë, priti krerët e malësisë së veriut me të cilët zhvilloi një bisedë të përzemërt e shumë miqësore, ndersa keta shprehën mirënjohjen e mbarë popullit të maleve të Shkodrës ndaj Gjeneral Kolonel Enver Hoxhës”. Me 24 gusht 1946, Shefi i Seksionit të sigurimit të rrethit te Dukagjinit, Xhemal Selimi së bashku me një patrullë ushtarësh, marrin për t’i shoqeruar për ne seksionin e hetimit, në gjendje te lirë, Lulash Gjeloshin dhe Lekë Vojvodën. Duke dyshuar se do të arrestoheshin më pas, Lekë Vojvoda i ikën nën hundë Xhemal Selimit, ndersa Bek Delia vret tre ushtarët që shoqëronin Lulash Gjeloshin. Pas këtij konfrontimi arratiset së bashku me gjithë meshkujt e rritur të shtëpisë se tij. Konflikti qe me pasoja terësisht tragjike për të dy palët nderluftuese … Me 29 nëntor 1946 shpallet një amnisti ku u falej jeta të gjithë atyre që nuk kishin larë duart me gjak. Lulash Gjeloshi, Deli Marashi, Gjin Marku, Gjon Marku, Çun Delia, Marash Delia dhe Dedë Lulashi dorzohën në qendrën e rrethit Koder-Shëngjergj. I vetmi që nuk përfitoi nga amnistia ka qënë Bekë Delia. Lulash Gjeloshi u dënua disa vjet dhe më pas vdiq në burg. SHTËPIA LEKË PRELË ALISË, VOJVODA I PARË I SHOSHIT Shtepia e Vojvodës (Vuksan Lekë Prelë Ali Markurt), ka qënë një autoritet i shkallës së lartë në fisin e Shoshit. ”Vojvoda ishte kryetari i një vllaznie të madhe dhe si i tillë përfaqësonte një këmbë fisi”. Funksioni i Vojvodës ka kaluar stafetë nga Ali Marku- Prelë Alia - Lekë Prela – Vuksan Leka- Lekë Vuksan(Vojvoda). Kjo shejzë (dinasti) e degjuar brez pas brezit nuk ka marrë, asnjë lloj shperblimi (rroge siç merrnin të gjithë bajraktarët) nga qeveria turke, përkundrazi janë përballë me këtë pushtues sa herë zeri i atdhuet të plagosur u ka thirrë ndihmë, siç ka qënë ruajtja e terësisë tokësore gjatë viteve të Lidhjes shqiptare të Prizrenit dhe kryengritjet e vitit 1910-1911. Lekë Prelë Alia jetoi në kapërcyllin mes shekujve (XIX -XX), i gdhendur si një curr i ashpër i fisit tonë të moçëm, rritur në një botë heroike, vizatuar dhe stolisur me mitologjinë e legjendave më të kulluara arbnore, në antipot të plotë me burrat kryekobure krenarë e ngatrrestarë të pandreqshëm, të cilët mbi gjithçka e çdo gjë vlersonin koburën, lojën më të rrezikshme të “fëmijve” të armatosur të Evropës. Mori pjesë në luftën e Miletit të zhvilluar në prill 1880 ( luftë qëiju kundervu vendimeve të Kongresit të Berlinit për dhenjën e tokave shqiptare Malit të Zi ). Forcat e Shoshit të prime nga Marash Kola, ato të Shalës të prime nga Mark Lula, Avdi Kola etj “gjithsejt mbi 200 vullnetarë qenë vendosur në vijën sulmuese në Nen Helem”. - “Në kryengritjen e vitit 1910 në Qafën Agrit në atë sfidë të përmasave epike Lekë Prelë Alia ishte eksponenti i dytë i Shoshit pas Deli Marashit”. Vuksan Leka ka qënë një burrë i gjatë me trup të hollë. Gjithmonë acarë, në tirq, xhamadan e qyrkun safjani të stolisur me aksesoret, më tipik të petkave tona kombëtare. Bashkohësit që e kanë njohur e përshkruajnë si një njeri të thjeshtë në sjellje, i kursyer në fjalë, i vendosur në besimin që ushqente. Vuksan Leka qëndroi larg propotencës, mandjemadhësjsë estravagante dhe instiktit të dhunës që karakterizonte jo pak bashkohës të tij që gezonin famën e “burrit të fortë” vetëm se vrisnin njerëz për konflikte përsonale dhe fitonin lavdinë e “heroit” të mburosur në këngë. Si sherbetor i bindur i Kanunit, pasaportës së kodit moral e shoqëror të shqiptarëve, pleqnoi fis më fis e bajrak më bajrak me konarin e paanësisë sipas parimeve të tij thellësisht dialektike: Larg duart nga ai që predikon moral, e që për vetë jeton jashtë çdo morali! Mori pjesë në levizjet e Dukagjinit të vitit 1924- 1926. Pas truimfit të Legalitetit qëndroi për disa muaj i arratisur në malet e Mollës dhe të Pepsumajve së bashku me Mark Milanin dhe Prekë (Shor) Sokolin. U dorëzua me ndermjetësinë dhe dorzaninë e Hasan Beg Bushatit ish-Komandat i Operacionit gjakatar në zonën e Shoshit i cili deklaroi paturpsisht përpara gjyqit se i kishte kapur me forcë në shpellat e Dukagjinit. “Pas gjyqit politik të marsit 1927, Vuksan Leka e Prekë (Shor ) Sokoli u denuan me nga 101 vjet burg”. Përzënja e mbretit nga italjanët u riktheu përseri lirinë e munguar. Vdiq në moshë 65- vjeçare në mënyrë aksidentale në pranverën e viti 1939. Vuksan Leka u fliju në çergën e uritisë duke pleqnuar sipas kanunit të Lekë Dukagjinit! Në kullën e Bajraktarit të Shoshit po zhvillohej një pleqni e madhe me 24 pleq: Pasi ligjëroi urtisht siç e kishte zakon gjithmonë tha: “Burra, unë kaq kisha dhe për ato që fola jam gati të marr gurin”mbi mish e shpirtin tem”. Davçari i spikatur nga këmbëkryq që ishte i dha vetës të ngrihej në këmbë, por pa u ngrit plotësisht në këmbë e mallkuara allti, pabesishit për herë të parë iu “vodh” e i rrëshqiti nga shoka dhe ra në rrasën e vatrës. Dhjetshja turke e vjetër (me turra mbretit), e kishte direkt çepin (mekanizmin goditës) mbi gackeqe, pa kurrfarë sigurese (kjo ishte pika më e dobët e këtyre alltiave shumë të preferuara). Për fatin e keq të Vuksan Lekës nga përplasja e çepit të armës për rrasë të votrës së oxhakut të Lulash Gjeloshit alltia mori zjarr në mënyrë të pavullnetshme duke goditur të zotin me një plumb vdekjeprurës në mes të kuvendit të burrave më të zgjedhur të Shoshit. BINAK PJETRA- PRIJËSI I DJELMNISË SË SHOSHIT Binak Pjetra ka qënë një meso burrë, shpatullgjërë e muskuloz, nga konstrukti, faqekuq si vena në gastare, shembëlltyrë e një burri të sinqertë, vetullpërpjetë, flokët e zez, ballin e drejtë, musteqet shtëllugë, prototip i një mashkulli impulsiv, i vendosur, i regjur në vaj e në ufull. Rrudhat e ballit dhe të fytyrës, ishin hiroglifi i një jete intensive të një burri malesh sy gacë, zemër çelik, argat i djersitur i fisit, të papërlymë të Shoshit. Lindi, me 1888, vazhdues i denjë i një gjenerate burrash të fisëm e atdhetare si Balec Ndou i pari i djelmisë Shoshit (Shih librin Balec Ndou i pari Djelmisë së Shoshit sipas rrëfimeve gojore familjare. P. M, Shkodër 2008), Deli Ndou i martirizuar në mënyrën më epike në perballje me asqerin turk, Pjetër Bala( babai i Binakut nënvizimi im P.M) trimi punëtor e tervestar, Mëhill Pjetra (vëllai i Binakut), mendimtar i shquar i kanunit, i parrebe gaztor, patriot me ndjenja të dlira atdhetare që u flijua duke luftuar me ushtritë malazeze në përfundim të luftës së Parë Botërore. Binaku qe njeri i pashkollë, por i arsimuar me shkollën e jetës. Në korrik të vitit 1910 një ushtri truke e drejtuar nga vetë Shefqet Turgut Pasha mësyn Dukagjinin. Binak Pjetra si prijës i Djelmisë së Shoshit në ketë luftë ka qënë një nga eksponentët e rëndësishëm udhëheqës të kësaj përballje masive popullore. Në vitin 1915 Binaku prap do të jepte kontributin e vet në Qafën e Boshit në atë përballje të përgjakshme me ushtrinë malazeze, ku Dukagjini u la me gjak në mbrojtje të trojeve të tij dhe idealeve të lirisë Në Lëvizjën anti- Zogiste të Dukagjinit të nëntorit 1926 Binaku ka qënë një fitil i ndezur dinamiti i kësaj qendrese të kontestuar. Në Gurin e kuq në prill të 1941 serisht ka qenë një nga luftarët më aktiv të kësaj sfide. Natën e 5 dhjetorit 1943 bajraktari i Shoshit Lulash Gjeloshi me shumicën e krerëve të fisit, kishte lëshuar një ultimatum për largimin e partizanëve të Bataljonit Perlat Rexhepi që kishin ardhur për tu strehuar për disa kohë në fshatin Pepsumaj. Atë natë, sipas kujtimeve të Bal Markut, askujt nuk i bënte përshtypje, as gjamët as vetetimat, as shiu që binte si rrëke. Shoshi ishte në prag të një konflikti fatal me pasoja të paimagjinueshme. Urdhëri i Profesor Kolë Prelës dhe i drejtuesve ushtarak të bataljonit ishte: Asnjë pushkë kundër vëllezërve tanë. Po na sulmuan do dimë të mbrohemi me të gjitha mjetet, duke mos harxhuar asnjë fishek kot. Pozicjonet ishin zënë nga maja e Sukës së Kodrës Martinit gjithkund për kodër të Pepsumajve deri në Majën e Krelit që e kufizon me shkëmb këtë fshat në drejtim të JP. Nga pertej Stupes si rezultat i punës që kishte bërë Mëhill Lulashi i Ndregjinajve më grupin e tij, erdhi një sinjal, se sidoqë të bëhej puna nga Palajt Pepsumajt nuk do të sulmoheshin. Kjo gjë kishte shumë me rëndësi për sigurinë e shpinës së forcave tona. Ndersa në anën tjetër fisi ishte mbledhur për luftë, hutat ishin mbushur plot dhe vetëm një fjalë goje duhej të shpërthente zjarri përvëlues. “Tensioni kishte arritur deri në atë shkallë sa Shoshi ishte ndarë në dy blloqe, ballë për ballë në dy llogore luftimi. I vetmi njeri që erdhi atë natë nga fisi i Gjolajve në fisin “plagprishës” të Pepsumajve qe Binak Pjetra”. Erdhi nëpër terr e nepër stuhi me pushkën nën krah ,alltinë në shokë, qemerin ngjeshë: Në vendin e quajtur Qafa e Pashisës ngjitun me kodrën e Pepsumajve ishte një pritë mbrojtëse në të cilën bënin syrin katër Lulash Sokoli, Ndue Sokoli dhe Bardhok Biba etj. Aty nuk mund të kalonte askush në drejtim të Pepsumajve pa gjetur vdekjën nëqoftëse nuk prezantohej. ”-Ishte terr i verbët, gjamë e vetetimë si don Zoti vetë. Vetëm gjarpërimet e vetetimave na bënin dritë- thoshte në kujtimet e tij Lulash Sokoli i Pepsumajve. Në distancë rreth 200m larg pritës degjuam hapat e thekshëm të një njeriu që vinte në drejtimin tonë. As fytyrën, as trupin nuk ia dallonim, pasi ishte aq errësinë sa me të shti gishtin në sy nuk dalloje asgja. I kam thirrë me gjithë fuqinë e zanit që pata.- Ndal, mos leviz. Kush je ti? M’u ka përgjigjë me të njëtën monedhë me zë të hollë piskmë, i njoftur dhe i dashur për mua: – Jam Binak Pjetra dhe si për mirë si për keq sonte jam me ju”. Karakteri i tij i vendosur, barazpesha mes llogjikës së ftohtë, forcës dhe guximit për t’i thirrur së drejtës në emër, zemra e bardhë për t’i prerë udhë pasioneve të papërmbajtura të forcës ishin shkaku që Binak Pjetra të shpallte hapur oponencën e tij ndaj mazhorancës së fistit. Ai ishte kunder mendimit që Pepsumajt të sulmoheshin me luftë. “Partizanët nuk do t’i sulmojmë se ata aty kanë ardhë me fjalën e burrave të Pepsumajve dhe ata i kanë në shpiat e tyre. Po vepruam kështu ne i presim mikun Shoshit. Duhet të mos ngutemi, por të bisedojmë të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët larg çdo konflikti”. Binak Pjetra ka qënë negociatori i parë mes palëve, që i priu takimit mes Bal Markut e Gjon Marashit me Lulash Gjeloshin në kullën e tij. Në atë takim u arrit një marrveshje e cila mbeti historike pasi parandaloi aventurën e kobshme vëllavrasëse të Shoshit. SHTËPIJA E NDUE MËHILLIT Në radhën e epërme te dyerve te mëdha të Shoshit me tradita të fisme,(Katër dyert e mëdha,ose Këmbet e Fisit) me autoritet dhe ndikim në vendimarrjet kapitale te fisit të Shoshit ka qenë, shtëpia e Gjon Ndout të Preçajve treta derë në hierarkinë e lartë aristokratike të fisit të Shoshit dhe dyta në Gjininë e Gjol Sumës. Kjo shtepi pati taka të lakueshme në kushtet e atëhershme të malësisë, me bashtina( kashnjete) shembullore, me livadhe për kullose e hamalla për tagji pa dyshim jo vetëm më të mirat e Buxhndrejave por ndoshta edhe të mbarë Shoshit. Preçajt si vllazni kanë zotëruar pasuritë e pa tundshme më të mira të gjinisë së Gjolajve. Ajo qe me të vërtetë shtëpi bujarë, mikpritse, e cila ka mbetur në kujtesën e brezava, si derë kanuje brez pas brezi pasi përfaqësonte së bashku me shtëpinë e Nikë Vuksanit, Lekë Prelë Alisë dhe Prekë Lulashit autoritetin më i lartë të pushtetit gjyqësor i fisit(Gjykata e latë e fisit apo bajrakut) Ndue Mëhilli lindi dhe u rritë në ato kohra të mënxyrta ku Shqipëria lëngonte në robërinë e zezë otomane (Lindi vitet tridhjetë të Shekullit XIX),ndersa Dukagjini vazhdonte te vetëqeverisej sipas ligjeve të Konusë së tij me një autonomi, mosbindje fiskale dhe liri natyrore që i kushtoj shumë shtrenjët në rrugën e emancipimit dhe progresit kontemporean. Ndue Mëhilli ishte një nga burrat më të njohur të krahinës, trim, punëtorë dhe njohës i mirë i se drejtës Zakonore. Në vitit 1872 si njëri nga krerët e më të lartë të Fisit u internua në Kerr Torobullus, pas hakmarrjes kolektive të Valiut të Shkodrës ndaj 12 krerve të Shoshit, si shpagim ndaj vrasjes që i Pal Gjoka bëri mëkëmbësit të tij, Sulejman Agë Hotit. Për shumë vite provoj mbi kurriz vuajtje te renda, vapën përveluse afrikane, turturar mizore, mungesën e ushqimit, punën e rëndë angari dhe humbjen e pjesës më të madhe te shokve dhe bashkluftarëve të tij të cilët mbeten në dhe të huaj pa varre dhe humbën pa shenjë e pa nishan. Pasi u kthye sa me shpirt nga internimi i gjatë, stafetën e drejtimit të familjes dhe të pleqërimit në fis ia dorzoj djalit tashmë të burrëruar Gjonit. Gjon Ndou vlen të kujtohet si burrë i plistit ( mendimtarë i së drejtës zakonore), i thjeshtë në sjellje i matur në fjalë, i drejtë në gjykim,i ngulitur në besim, që buronte nga vlera e përvojës së tij stregjyshore Kolë Vata: Një kerç që numërohej me gisht si monster e veçantë në ashtën e burrave vjetër të burrave të Shoshit, i stolisur me petkat më të shterja të traditës malësore. Njohës dhe interpret i shquar i kanusë, pjesëmarrës në sa e sa kuvende si eksponent i së drejtës tradicionale, burrë që është dalluar në veprat luftarake të fisit si me 1915 dhe 1924 e 1926-të. Kolë Vata ishte burrë origjinal, që çmonte dhe anonte nga e drejta ( jo dallkauk e ryshfetëxhi) i pranushëm në çdo ambient dhe i pa fat në trashëgimi (nuk la trashëgimtarë). Pergatiti: LEON MOLLA
Posted on: Sat, 28 Sep 2013 10:22:47 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015