LEXONI DHE PASTAJ FLISNI! OPSIONI SEKRET PER ARMET KIMIKE - TopicsExpress



          

LEXONI DHE PASTAJ FLISNI! OPSIONI SEKRET PER ARMET KIMIKE Çfarë po ndodh me negociatat mes amerikanëve dhe shqiptarëve. Kush është rrethi i ngushtë personave të përfshirë në bisedimet intensive. Për cilin opsion është përmendur Franca dhe si interpretohet refuzimi në dukje i Norvegjisë. Përse shifra e përfolur prej 200 milionë dollarësh i duket qesharake një zyrtari shqiptar Zyrtarë të lartë shqiptarë janë përfshirë në një fazë të parë negociatash dhe komunikimesh në lidhje me opsionin e depozitimit të sasisë siriane të LHL-ve në Shqipëri. Bashkëbiseduesit janë zyrtarë të autorizuar amerikanë, që po merren posaçërisht me këtë çështje. Dijeni të detajuar deri në këtë moment mbi përmbajtjen e këtyre bisedimeve paraprake kanë vetëm nivelet më të larta politike dhe të shërbimit të inteligjencës. Të dhënat e para kanë nisur të dalin në pah, me pikatore. Deri ditën e djeshme është diskutuar “në parim” një opsion paraprak, i cili, ndryshe nga sa propagandojnë mbrojtësit e tezës: “ne i rrimë Amerikës gati-tu”, ishte opsion i dalë pas një kushti të artikuluar nga negociatorët shqiptarë. Opsioni në fjalë për armët kimike parashikon që territori shqiptar të përdoret vetëm për të kryer procesin e de-elementarizimit, (çmontimit, ose shpërbërjes) së tyre, pra ndarje e komponentëve që kur montohen së bashku e bëjnë LHL-në të gatshme për përdorim luftarak. Por Shqipëria dëshiron të shmangë groposjen e tyre, pra pas fazës së çmontimit, asgjësimi dhe groposja të bëhet në vend tjetër. Ky projekt-propozim është diskutuar dje në nivelet të larta të politikës në Tiranë dhe i është paraqitur si opsion alternativ palës amerikane. Franca në tavë, Norvegjia në bursë Është përmendur edhe Franca si opsion i mundshëm për destinacion final të asgjësimit/groposjes së kësaj lënde. Në bisedime i është dhënë përgjigje edhe pyetjes ngulmuese të negociatorëve shqiptarë mbi arsyet e refuzimit nga ana e Norvegjisë. Të dhënat flasin se në fakt Norvegjia nuk ka thënë :”JO”. Por ka thënë : “Jo për momentin”. Në tryezën e bisedimeve ka nga ata që mendojnë se Norvegjia në fakt është duke i synuar ato armë, por duke luajtur kartën e refuzimit të përgjithshëm, për të rritur pagesën. Një JO e Shqipërisë do ishte në favor të këtyre përpjekjeve norvegjeze për të marrë maksimumin nga procesi. Pazari? Çfarë pazari? E vërteta është se aktualisht palët janë në fazën: “le të bisedojmë se deri ku mund të bisedojmë”. Burime të mirinformuara dhe kompetente, bëjnë me dije se këto negociata janë shumëplanëshe, amerikanët janë duke eksploruar opsionet jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me disa shtete të tjera njëkohësisht, janë bisedime në parim, diskutohen opsione, diskutohen bashkëpunime potenciale për faza të veçanta të procesit, e më pas totali i negociatave rishqyrtohet në tërësi. Aspekti ekonomik i “lojës” nuk është dhe aq i parëndësishëm, Norvegjia duket se po loz fort, por mund të ketë dhe të tjera shtete që janë duke bërë të njëjtën lojë, por i rëndësishëm është fakti që aspektin ekonomik e kanë cilësuar fort dhe negociatorët shqiptarë. “Ju pyesni nëse bëhet fjalë për 200 milionë euro. S’mund të ofroj detaje në këtë plan, por kjo që përmendni ju me siguri që nuk është thjesht një shifër modeste, unë do e quaja qesharake. Pretendimet shqiptare do jenë për ‘Shumë më Shumë’ nëse akordi funksionon”, – cilësoi dje një burim kompetent dhe i mirëinformuar zyrtar. *** INTERVISTA/ Mbi Zarinën, mbi pyetjen “përse ne” dhe mbi përfshirjen e PD-së në protesta Inxhinieri Arben Meçaj mendon se në opinion është formuar një atmosferë ku gëlon paranoja dhe frika: “Çudia më e madhe që mund të ndodhë është që Rama të tërhiqet nga ky projekt i partnerëve tanë strategjikë dhe ta bëjë këtë tërheqje në emër të stabilitetit të vendit. Faturën do ta marrë PD…” “Në historinë e përdorimit të Zarinës janë tre raste ku Zarina në gjendje natyrore nga e lëngësh, ka sjellë pasojë vdekjen – thotë Meçaj në këtë intervistë me Ditën. “Ato mund t’i marrë dhe Rusia dhe t’i depozitojë pranë mijëra tonëve që ajo ka në bazat e saj. Ato mund t’i marrë dhe SHBA-ja dhe gjithashtu t’i depozitojë në bazat e saj. Ato mund t’i marrë edhe NATO. Por, ato duhet të asgjësohen nën mbikëqyrjen e këtyre tre faktorëve: SHBA, Rusi NATO, si kusht i transparencës së zgjidhjes së problemit. Kushti i parë që duhet të plotësojë vendi në të cilin do të kryhet ky proces është që ligjet e vendit të përcaktuar të mos bëhen pengesë e prezencës së këtyre tre faktorëve në nivel ushtarak – thotë Meçaj në përgjigje të pyetjes pse “pikërisht një vend si Shqipëria”. Foto Arben MeçajZoti Meçaj, opinioni publik është përfshirë në një debat të gjerë së fundmi dhe në protesta në lidhje me “armët kimike të Sirisë” që përflitet se do vijnë në Shqipëri. Ju si e keni lexuar këtë situatë të re? Në pamje të parë, në këtë javë intensive të trajtimit të kësaj çështje, qenia ime është pushtuar nga fabula e asaj nëne që një mëngjes të bukur pranvere ja kishte plasur vajit në derën e haurit dhe ulërinte “obobo, biri im”. U mblodh fshati dhe i thanë çfarë ka bërë vaki me djalin tënd. E nëna duke vajtuar tregonte me gisht një sëpatë që ishte varur në binarin e çatisë. “E shikoni atë sëpatë, po sikur ajo të bjerë… po sikur poshtë saj të jetë im bir… …po sikur sëpata t’i bjerë në kokë… Po sikur ajo t’i çajë kokën… e ca çuni im…”. Është një fabul që e përdor si metaforë populli i jugut, për njerëz që amplifikojnë ngjarje që në probabilitetin më të mundshëm nuk mund të ndodhin. Po thoni që na ka përfshirë paranoja? Do të desha fillimisht të analizonim diçka, mbi ngjarjen, e më tej të konkludojmë. E vërteta është që një kontingjent individësh të organizuar, sot po flasin për një rrezik të madh kombëtar. Sipas tyre ky rrezik ka të bëjë deri dhe me sigurinë kombëtare. Në këtë javë, kam ndjekur me shumë interes të gjitha tezat mbi të cilat ata ndërtojnë argumentin e tyre. Ndërkohë i jam drejtuar burimeve publike të informacionit për t’u informuar dhe në mënyrë të pavarur, mbi këtë fenomen, me keqardhje kam konstatuar se informacioni është i bollshëm, argumentues dhe i qartë, por absolutisht i deformuar deri dhe në dezinformim nga propaganduesët e rrezikshmërisë. Amplifikimi arrin deri në përmasa të tilla, sa në opinion është formuar një atmosferë ku gëlon paranoja dhe frika. Nuk duhet të kemi frikë? Flitet për armë kimike apo jo? Ka një të vërtetë të madhe se informacioni teknik mbi lëndët kimike luftarake është shumë i kufizuar për përdorim publik. Por ndërkohë që në këtë javë vështirë se mund të gjesh dhe analizë teknike dhe specialistë që të sqarojnë në mënyrë shteruese dhe të kthjellët të gjitha aspektet teknike. Në këtë pikë dua të ndalem pak. Zarina në gjendjen e saj natyrore të konservimit është lëng, pa ngjyrë dhe pa erë. Që ruhet në enë pa presion. Por që për kushte sigurie ruhet në enë me presion. Pra uji ruhet në shishe, ndërsa gazi i lëngshëm ruhet në bombola. Zarina ruhet në bombola. Ajo bëhet aktive dhe e rrezikshme në gjendje të gaztë. Në kushte lufte, Zarina aktivizohet në dy forma: 1. Nëpërmjet shpërthimit në të cilin realizohen temperatura të larta dhe shpesh bashkim komponentësh kimik për të bërë aktive dhe rritur përmasën e ndikimit helmues. Temperatura e shpërthimit ka një synim të vetëm, të shndërrojë në kohë sa më të shpejtë zarinën në gjendje të gaztë, me qëllim që në një kohë sa më të shpejtë ajo të japë efektin mbi trupat luftarake. Përndryshe, mbas kalimit të një intervali kohor, ajo tjetërsohet kimikisht ose asimilohet(tretet në ajër). Mbas një intervali kohor efekti i Zarinës në vendin ku ka ndodhur shpërthimi, është Zero. Pra nuk shkakton kontaminim permanent të ambientit. Sepse proceset kimike në ajër shndërrojnë formulën kimike të Zarinës pas njëfarë kohe. Kjo ka një arsye: Sepse goditja me LHL e një territori armik ka synim asgjësimin e kundërshtarit dhe zënien e vendit të tij në territor. Pra dikush që shkon të zërë vendin nuk mund të kontaminojë territorin që synon. Ndaj dhe LHL-të kanë një parim, të gjitha: Janë lëndë me efekt provizor dhe sa më të shkurtër kontaminues. Ju patë se ekspertët ndërkombëtarë të OKB-së, në vendin ku shpërtheu Zarina në Siri, nuk ishin të pajisur me pajisje speciale të mbrojtjes kundër-kimike, gjatë inspektimit në terren. 2. Mënyra e dytë e përdorimit luftarak të tyre është nëpërmjet avionëve të cilët injektojnë në zonat armike gaz të pregatitur, të gatshëm, që do të thotë, Zarina është përzier me komponentët e tjerë dhe shpërndahet në hapësirë nëpërmjet avionëve. E njëjta skemë që përdoret nga avionët e spërkatjeve në bujqësi. Por kjo metodë është shumë e rrezikshme për ekuipazhin ushtarak të avionit dhe nuk para përdoret si metodë. Pra sa më sipër, kuptojmë që: 1. Zarina bëhet e rrezikshme kur ndodhet në kushte shpërthimi dhe 2. Kur bashkëngjitet me komponentë të tjerë që e kthejnë nga një insekticid jashtëzakonisht të rrezikshëm në Lëndë Helmuese Luftarake. Zarina në kushte konservimi nuk paraqet atë rrezik që propaganduesit e paranojës dhe frikës shpërndajnë në opinion. Në gjendje konservimi dhe kushte natyrore çfarë rreziku paraqet Zarina? Në historinë e përdorimit të Zarinës janë tre raste ku Zarina në gjendje natyrore nga e lëngësh, ka sjellë pasojë vdekjen. Dua të theksoj në këtë moment se Zarina është një lëng dhe gaz pa ngjyrë dhe pa erë. Ç’ka do të thotë se ajo është e paidentifikueshme si agjent në ambiente jetësore. Duke qenë e tillë, ajo është përdorur në Japoni dy herë, në metrotë e Tokios nga një sekt fetar. Pra janë dy përdorime të saj në gjendje natyrore të ndodhura në Japoni, njëherë në vitin 94 dhe njëherë në vitin 95. U përdor në metro, e theksoj. Si u përdor? Qese të mbushura me Zarinë, u capuan dhe u derdhën në dyshemetë e vagonëve dhe procesi i avullimit prodhoi gazra që sollën mbi 10 të vdekur dhe shumë të plagosur. Shkaku i vdekjeve ishte sepse fenomeni i përdorimit të LHL-së u konstatua me shumë vonesë dhe ambienti në të cilën u çliruan këto gazra ishte i mbyllur. I theksoj të dy këta elementë sepse Zarina bëhet e dëmshme në kushte natyrore vetëm kur ajo është jashtë kontrollit dhe në ambiente të mbyllura, ku përqëndrimi i gazit Zarin në ajër është i lartë. Rasti i dytë është i një shkencëtari anglez i cili punoi me këtë lëndë në laborator por nuk ishte në djeni të pranisë së zarinës në laborator. Fakt, që gjykata pas shumë vitesh e evidentoi si pakujdesi e institucionit. Këto janë rastet e përdorimit të saj në gjendje natyrore. Supozojmë se kjo lëndë depozitohet në Shqipëri. Lënda është mijëra tonëshe. Që do të thotë se ka një rrezik normal laboratorik për rrjedhje sasish. Nëse kjo ndodh, çfarë ndodh? Aktivizimi i 1 mijë tonëve vetëm nëqoftëse do të ketë një shpërthim, sepse argumentova më sipër që Zarina nuk është lëndë plasëse por lëng pa cilësi shpërthyese. Pra dhe njëherë aktivizimi i menjëhershëm i të gjithë kësaj sasie në hamëndësimin më të çmendur ndodh nëse një i çmendur ka raketa që i lëshon ose ka arritur të depërtojë brenda dhe ka vendosur dinamit. Në asnjë rast tjetër ky shpërthim nuk është i mundshëm. Së dyti askush prej nesh nuk mund të flasë në këto momente për teknologjinë e depozitimit të këtyre sasive. Nuk e njohim. Që do të thotë se Shqipëria ka pasur mbi 100 mijë ton municione, por s’i kishte në një vend, rregullat e sigurimit teknik, jo vetëm në strukturat ushtarake, por dhe në çdo agjent civil që posedon lëndë të rrezikshme është që ato shpërndahen. Referuar rrezikshmërisë së bashkëveprimit të tyre dhe rrezikut potencial të një agresioni terrorist të mundshëm. E thënë qartë, asnjëherë 1 mijë ton nuk kanë për të qenë bashkë. Dhe asnjeherë nuk ka për të pasur tendencë për shpërthimin e tyre. Kjo që po them unë ndodh edhe në kushtet sikur menaxhimi i këtyre mbetjeve të bëhet nga punonjësit pa uniformë ushtarake të Mjekësit apo Qafmollës. Ndërkohë që është botërisht e njohur tashmë që mbrojtja e tyre do të jetë nën mbikqyrje absolute të strukturave ushtarake mirëfilli të NATO-s pse jo dhe Rusisë. Është fakt që në Siri ato po ruhen nën kontrollin dhe garancitë e forcave ruse dhe mbikqyrje të rreptë të forcave amerikane dhe të forcave amerikane apo të OKB-së. Dakord por ju pyeta në rast të një incidenti pra rrjedhje, të një sasie në laborator ose ambientin ku konservohet. Ose rrjedhje incident me një sasi për shkak të gabimit njerëzor. Çfarë ndodh? Kjo që po thoni ju, kjo ngjarje është potencialisht e mundshme dhe absolutisht do të isha në mbështetje të gjithkujt, i cili situatën kritike të lëndëve kimike në Shqipëri, e menaxhon referuar këtij skenari potencial rreziku dhe jo rrezikun për 1 mijë ton. Gabime njerëzore ndodhin. Çfarë ndodh në këtë rast? Do të ketë derdhje të Zarinës. Nëpër shtëpi ju keni parë dhe keni dëgjuar se ka alarme që njoftojnë praninë e tymit, praninë e gazit, aparatura të tilla instalohen në çdo kubaturë ku depozitohet lënda. Çka do të thotë se që në momentin e parë, personali njoftohet mbi praninë e këtij gazi. Pra sa ka filluar transformimi nga gjenjde e lëngshme në të gaztë. Natyrisht flitet për një bombol. Shkenca e neutralizimit të LHL-ve, ka një teknologji shumë të thjeshtë për neutralizim të Zarinës, në kushtet kur është e identifikuar. Dhe e dini cila është? Larje me ujë me sapun. Në ç’kuptim larje me sapun? Tretësirat bazike(ujë me sapun ose lëndë larëse) janë armike krysore të Zarinës. Problemi është që vetëm rrjedhja të jetë e identifikuar. Pra Zarina është e rrezikshme kur nuk është e identifikuar. Supozojmë që bombola që ka problemin nuk identifikohet në kohë, apo sistemi çedon, çfarë ndodh? Dhe ky rast është i parashikuar. Sepse ky rast mund të prodhojë efekte helmuese që ndodhen brenda territorit por duke qenë se ky personel është absolutisht i pregatitur për të përballuar efektin helmues që transmetohet me simptoma mbi personelin, situata mbi të do të degradojë thjesht në një helmim paraprak pa pasoja serioze për personelin. Ju po thoni se edhe nëse këto armë vinë dhe nëse ndodh një rrjedhje, apo problem edhe personeli i bazës ia hedh paq? Padiskutim. Unë po them dhe po insistoj, Zarina është e rrezikshme kur është e paidentifikuar dhe kur shpërndahet në një kohë të gjatë në ambiente ku mungon ekspertiza e trajtimit të saj. Ju kini të drejtë tashmë kur flisni për daljen jashtë kontrollit të rrjedhjes në një bombol. Një bombol sipas standardeve ushtarake, mban diku tek 40-50 kg Zarinë. Nëse do të mendojmë që kjo sasi do të derdhet e pastër në një ambient të hapur atëherë ndikimi i saj potencialisht do të kalojë në popull. Sa është perimetri i veprimit në këtë rast? Në kushte shpërthimi ku kemi një transformim të menjëhershëm të gazit të Zarinës, kur orientimi i erërave është në një drejtim, kur lartësia e fluksit të erës është e ulët, e kur ka shumë faktorë të tjerë rëndues si thyerja e relievit, kur kushtet fizike të ushtarit duhet të jenë absolutisht normale, pra asnjë simptomë ngacmimi helmues(sepse simptomat e helmimit me përqindje të vogla janë edhe ngacmime emocionale) standardet e NATO-s parashikojnë maksimumi 15 kilometra. Këto kushte nënkuptojnë që i gjithë gazi i prodhuar nga shpërthimi të kalojë direkt në një korridor me një shpejtësi që nuk lejon shpërbërjen e gazit drejt trupave. Pra jam duke ju folur për një situatë absolutisht hipotetike, për të kuptuar se në rrethanën më favorizuese të mundshme për Zarinën deri ku shkon rrezja e përhapjes. Parashikuar kjo nga NATO. Ndërkohë që kushtet e helmimit nga rrjedhja janë absolutisht të ndryshme, që nënkuptojnë, transformim të ngadaltë të lëngut në gaz, pra përhapjen e këtij gazi në ajër në mënyrë uniforme në të gjitha drejtimet. Në kushtet kur fryn erë, sasia e gazit Zarin të transportuar në njësi të kohës është shumë herë më e vogël se sa në kushtet e shpërthimit. Sa më e vogël? Skenari i llogaritjes po vendoset në kushte kur gjithë sasia e Zarinës së një bombole 50 kg është kthyer në gaz. Pra jemi në kushtet që pas rrjedhjes 50 kg zarin është shpërndarë në ajër. Kjo shpërndarje është parashikuar të ndodhë në dy mënyra. E para: Gazi shpërndahet në të gjitha drejtimet. Në këtë skenar rezulton se në distancë 1 mijë e 500 metër nga vendi i rrjedhjes, pra vendi ku ndodhet bombola, sasia e Zarinës në 1 metër kub ajër do të jetë 0.0849 miligram. Rasti i dytë është kur gazi ikën në një drejtim të imponuar nga forca e erës, në këtë rast sasia e gazit për 1 metër kub ajër në distancën 1.5 kilometër është vetëm 0.28 miligram. Këto sasi janë gjendje gazi në 1 metër kub. E thënë shkoqur në rastin më të keq, nëse ti ndodhesh në distancë 1.5 kilometër larg bombolës, 1 metër kub e ajrit në të cilin ndodhesh ti mund të ketë maksimalisht 0.28 miligram gaz. I mjaftueshëm për të vrarë një brumbull. Pra një insekticid shumë i mirë. Ndërkohë ky skenar parashikonte që kjo lëndë të kryente një rrugë 1.5 kilometër pa pësuar procese tjetërsimi kimik, të cilat siç kam thënë dhe më sipër e bëjnë Zarinën të humbasë valencën helmuese në rrugë e sipër. Dakord. Dalim pak nga skema teknike. Po përflitet Shqipëria si vend potencial i pritjes së kësaj sasie LHL-je. Përse ne? Tashmë më ke dalë në thelbin e problemit. Aty për të cilën ndoshta flas më i sigurt. Se me thënë të drejtën në problemin teknik mendoj se isha më argumentues se të gjithë ata që deri më tash kanë shpërndarë gazin e paranojës, ndonëse nuk pretendoj të jem ekspert i fushës. Lëndët kimike, për të cilat përflitet se do të vijnë, më tepër se sa të tilla janë vlera monetare dhe materiale strategjike. Ato mund t’i marrë dhe Rusia dhe t’i depozitojë pranë mijëra tonëve që ajo ka në bazat e saj. Ato mund t’i marrë dhe SHBA-ja dhe gjithashtu t’i depozitojë në bazat e saj. Ato mund t’i marrë edhe NATO. Por, ato duhet të asgjësohen, në zbatim të rezolutave dhe konventave të padebatueshme ndërkombëtare. Çka do të thotë, që asgjësimi i tyre duhet të kryhet pa kushte nën mbikëqyrjen e këtyre tre faktorëve: SHBA, Rusi NATO, si kusht i transparencës së zgjidhjes së problemit. Kushti i parë që duhet të plotësojë vendi në të cilin do të kryhet ky proces është që ligjet e vendit të përcaktuar të mos bëhen pengesë e prezencës së këtyre tre faktorëve në nivel ushtarak. Në këto kushte vendi duhet të zgjidhet i tillë që të garantojë praninë e të treve. Natyrisht ky vend nuk mund të jetë SHBA, Rusia, por dhe vendet perëndimore. Këtë kusht në mënyrë absolute e plotëson vetëm Shqipëria. Ndërkohë që po kaq i rëndësishëm është dhe procesi teknik i transportimit. Në këtë plan nënkuptoj jo thjesht lëvizjen me anije por shtrirjen e gjerë të operacionit mbështetës. Ndërkohë kur për Shqipërinë ky operacion përqëndrohet në një cep të Mesdheut, në të gjitha variantet e debatueshme deri tani ai do të jetë në të gjithë mesdheun dhe në Oqean. Jam duke folur për masat parandaluese të sigurisë globale. I tillë është dhe ky operacion. Nëse do të shikoni me vëmendje preventivin e kërkesave të bëra nga Asadi për lëvizjen e këtij armatimi drejt porteve do të konstatoni se flitet për teknikë që garanton sigurinë fizike të LHL-së. Pra për mjete të blinduara dhe jo për kamionë të thjeshtë. Terrorizmi ndërkombëtar është problemi kryesor i këtij operacioni dhe jo siguria teknike. Po Italia, apo Greqia për shembull, pse nuk e pranoka? Stabiliteti politik i Greqisë është absolutisht i brishtë në kushtet kur problematikës së njohur greke për populizëm i shtohet dhe kjo çështje. Kjo vlen dhe për Italinë. Shqipëria ka kaluar një fushatë elektorale që i ka dhënë një stabilitet të qëndrueshëm problematikës së destabilitetit politik, një maxhorancë me 84 vota jep një stabilitet të padebatueshëm politik. Nuk është e lehtë në çdo skenar të destabilizosh politikisht shtetin shqiptar. Protestat po i mbështet hapur tashmë dhe politikisht Partia Demokratike. Pse sipas jush? Tashmë po bëhet e dukshme prania e elementit lidership të PD-së në organizime dhe pjesëmarrje të protestave. Në gjykimin tim këto protesta të dirigjuara politikisht dhe të amplifikuara si të tilla janë investimi më i mirë për Ramën. Vetëm një mediokër në politikë mund të bëjë gjëra të tilla. Cilat janë këto investime që PD po ja bëka peshqesh Ramës? Sepse çudia më e madhe që mund të ndodhë është që Rama të tërhiqet nga ky projekt i partnerëve tanë strategjikë dhe ta bëjë këtë tërheqje në emër të stabilitetit të vendit. Faturën do ta marrë PD. Rama ndërkohë do të fuqizojë kreditet e veta të besimit tek këta partnerë.
Posted on: Wed, 13 Nov 2013 15:47:37 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015