Lindja e mesme ndërmjet shekullarizmit diktatorial dhe islamit - TopicsExpress



          

Lindja e mesme ndërmjet shekullarizmit diktatorial dhe islamit modernist “Asnjë regjim nuk mund ta kënaq njeriun, ajo pakënaqësi i nxit njerëzit që ta zëvendësojnë me një tjetër deri në një cikël të pafund”. - Aristoteli- Shkruan: Muhamed Jashari, Shkup Një ndër faktorët kryesorë që solli deri te kolonizimi i Lindjes së Mesme ishte edhe bashkëpunimi i popujve arab (lexo: klaneve arabe) krah për krah me evropianët kundër Perandorisë Osmane. Atëbotë kur arabëve iu premtua pavarësia në këmbim për pjesëmarrjen e tyre në luftë kundër osmanëve, ata i qëndruan besnik “sheikh Lorens”-it duke mos i ditur intrigat e Evropës Asnjë premtim për pavarësi që kishte ofruar aleanca nuk ishte plotësuar. Në vend të kësaj “kontributi” arab ishte shpërblyer me “Deklaratën e Balfurit” të vitit 1917, sipas së cilës Palestina duhej të bëhet atdhe nacional i popullit hebre, si dhe me marrëveshjen “Sykes-Picot” për ndarjen e Lindjes së Mesme në zonat franceze dhe ato britanike. Nëse nacionalizmi arab para shpërbërjes së Perandorisë Osmane shërbente kundër osmanëve, me ardhjen e kolonizatorëve si dhe pas largimit të tyre, po ky nacionalizëm që kulmoi me idetë pan-arabike të Xhemal Abdu-Naserit, qe kundër gjithçkaje që lidhet me perëndimin. Me largimin e forcave kolonizuese anglo-franceze si dhe pas pavarësimit të Lindjes së Mesme, qeveritarët arab ndërtuan një sistem të atillë që përjashtonte konsensusin dhe pjesëmarrjen e popullit në jetën politike. Pra, kultura politike e popullsisë së këtyre vendeve pati mundësi të përjetoj vetëm dy modele të lidershipit politik, dhe atë diktaturën totalitare dhe monarkitë absolute, pra sisteme të palëvizshme-statike. Lëvizjet moderniste me background islamik ishin ndër lëvizjet e rralla gjithandej në Lindjen e Mesme që kërkonin reforma, liri të shprehjes, zgjedhje të lira, barazi gjinore - pra elementet esenciale të demokracisë bashkëkohore. Kur në pjesën e dytë të shek XX intelektualët dhe masa e gjerë, u bind se modelet politike panarabe, socializmi, ba’athizmi dhe nacionalzimi arab, nuk ua ofronte mirëqenien ekonomike dhe lirinë politike, parulla që shërbente si përgjigje ndaj të gjitha krizave në shoqërinë arabe, padrejtësive shoqërore dhe regjimeve autokratike, ishte “Al-islam huwe al-hal - Islami është zgjidhja”. Në fillim të viteve të 80-ta Islami u shfaq si një forcë në atë pjesë të shoqërisë që përfaqësonte rrjedhën kryesore, duke u dhënë vitalitet partive politike, lëvizjeve qytetare dhe shoqërisë civile. Prijësit e lëvizjeve islame në botën arabe në të shumtën e rasteve ishin të diplomuar nëpër universitetet perëndimore, ish presidenti egjiptian tanimë i izoluar Muhamed Mursi ishte një doktorant i suksesshëm në Universitetin e Kalifornisë Jugore. Diktatura totalitare e sundimtarëve autokrat arab, së bashku me petro-monarkët e gjirit persik për të ruajtur pozitat e tyre, dekada me radhë i përndoqi këto lëvizje që kërkonin liri të shprehjes dhe reforma në shoqëri. Ju kujtojmë se në vitin 1994 regjimi suadian burgosi Muhamed al-Mesarin, i doktoruar në shkencat e fizikës në universitetin e Bon-it në Gjermani për vet faktin se ishte njëri ndër aktivistët e denjë për të drejtat e njeriut. Të frymëzuar nga këto rrethana socio-politike, mediat, intelektualët, por edhe opinioni i gjerë në perëndim, islamin dhe gjendjen kaotike që mbretëronte në botën arabe e nxorën në një linjë. Kjo ndoshta është edhe arsyeja kryesore se pse Islami u konsiderua kërcënim serioz për demokracinë! Një bindje e tillë pa dyshim lindi edhe për faktin se në perëndim Islami është vlerësuar si një religjion i palëvizshëm në aspektin doktrinar dhe socio-kulturor, prandaj si i tillë ai duhej të ishte anti-modern! Veprat e Fukujamës, Hountigtonit ose artikujt e Fallaçit , do të bëjnë bujë të madhe në hemisferën perëndimore pikërisht për të paraqitur islamin si sistem që kërcënon liberalizmin dhe qytetërimin perëndimor! Tanimë teza, se Islami është kundër demokracisë dhe gjithëçkaje që lidhet me perëndimin, vite me radhë iu vesh petku shkencor!!! Pikëpamjet e tilla u kundërshtuan fuqishëm nga modernistët mysliman. Njëri ndër mendimtarët e moderuar nga Tunizia, Rashid Ganushi - kryetar i lëvizjes moderniste islame Al-Nahda –Rilindja - në një rast pohoi: “Sikur islamistëve një herë t’iu ofrohet mundësia e të kuptuarit të vlerave bashkëkohore perëndimore, siç janë demokracia dhe të drejtat e njeriut,... atëherë ata do t’i mbjellin dhe do t’i kultivojnë në të njëjtën mënyrë ashtu si edhe perëndimorët...” Nga kjo mund të shohim se lëvizjet moderniste myslimane në Lindjen e Mesme kishin për qëllim modernizimin e shoqërisë sipas pikëpamjeve islame e jo shekullare. Pra nga kjo del se lëvizjet islame jo vetëm që nuk ishin kundër modernizmit por produkt i saj. Sipas diplomatit suedez Ingmar Karlson që të dy rrymat qoftw ajo modernsite islame apo shekullariste konsiderohen mënyrë e të kuptuarit të politikës islame. Mund të themi se në Egjipt pas vitit 1952 pra, pas grushtit të shtetit të parë, është zhvilluar një konflikt ndërmjet lëvizjeve moderniste islame në njërën anë, dhe shekullaristëve në anën tjetër. Të dy rrymat u përpoqën që të përcaktojnë identitetin e shtetit-komb egjiptian, se vallë ky shtet - me një peshë të jashtëzakonshme në botën arabe/islame - duhet të jetë me identitet shekullar apo me identitet islam? Egjipti konsiderohet ndër vendet e para të Lindjes së Mesme ku depërtoi ideja e shekullarizmit, dhe atë që në fund të shek XIX. Ndër bartësit kryesor të kësaj ideje mund ta llogarisim Sa’ad Al-Zaglul-in një mendimtarë egjiptian i cili në vitin 1919 formoi partinë “Al–wafd”. Motoja kryesore e partisë së tij ishte “Religjioni është për Zotin, kurse shteti për të gjithë ne”. Marrë në përgjithësi objektivi parësor i shekullaristëve në vendet e Lindjes së Mesme është, që të bëjnë shkëputjen e plotë me të shkuarën. Pra, sipas tyre Egjipti duhet t’i shkëpus lidhjet me të kaluarën e qytetërimit islamik dhe të shndërrohet në një shtet shekullar sikur shembulli i shteteve - kombe evropiane. Shkrimtari egjiptian Taha Husein shkoi aq larg sa që tha se Egjipti nuk ka asgjë të përbashkët me botën islame por se ai është ngushtë i lidhur me Evropën. Ferah Antuni një sirian i krishterë i cili kishte zhvilluar disa debate publike me reformatorin islam Muhamed Abduhu, në një rast kishte pohuar “Vendet europiane nëse janë më tolerante, kjo nuk është nga që ato janë të krishtera, por sepse shkenca dhe filozofia e kishin larguar fanatizmin fetar dhe ishte kryer ndarja e pushteteve.” Shekullaristët madje pohojnë se e drejta islame - apo sheriati - është i huaji për shoqërinë dhe kulturën egjiptiane dhe se i njëjti është produkt i Arabisë Saudite. Sipas tyre shekullarizmi i nevojitet skenës politike në Egjiptit pikërisht për faktin se përmes kësaj doktrine ruhet uniteti kombëtar, apo harmonia fetare mes myslimanëve dhe koptëve të krishterë. Për lëvizjet moderniste islame, Islami asnjëherë nuk është konsideruar një religjion i thjeshtë sikur të tjerët, por në të njëjtën kohë ai mund të involvohet në të gjitha sferat e jetës, përfshirë këtu edhe politikën. Sipas pikëpamjes së modernistëve, sistemi demokratik i modelit perëndimor jo vetëm që është i mundshëm në shoqëritë myslimane por madje duhet edhe t’i jepej përparësi, vetëm nëse në kuadër të këtij sistemi mund ruhen normat dhe traditat islamike në mënyrën më të mirë. Pra, forma e qeverisjes në shtet duhet të jetë demokracia ndërsa legjitimiteti i presidentit të shtetit doemos të buron nga populli. Anipse ideali i shekullaristëve gjithandej në Lindjen e Mesme por edhe në Egjipt është demokracia, në të shumtën e rasteve forcat shekullarizuese zgjedhin autoritarizëm në vend të demokracisë dhe atë vetëm e vetëm për të ruajtur pushtetin dhe privilegjet. Rrjedhimisht shekullarizmi iu detyrua me dhunë popullit. Vlen të përmendet se kur partia islame në Algjeri “Fronti Islamik për Shpëtim” fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare, ushtria përmbysi presidentin kurse zgjedhjet e lira u anuluan. Pas revolucionit të “25 Janarit”, apo pas përmbysjes së regjimit diktatorial të Mubarakut linja ndarëse mes shekullaristëve dhe lëvizjeve moderniste islame u thellua edhe më shumë. Për së pari herë në këtë vend u organizuan zgjedhje të lira dhe demokratike, përmes së cilës çdo forcë politike pati mundësinë e shpalosjes së platformës para elektoratit egjiptian. Ashtu edhe siç pritej në Egjipt, koalicioni “Aleanca demokratike” doli fituese e zgjedhjeve parlamentare. Muhamed Mursi i ardhur nga radhët e “Partisë për Liri dhe Drejtësi”- partia islame- u bë president i parë në Egjipt i cili fitoi zgjedhjet presidenciale në mënyrë të drejtë dhe demokratike. Nëse marrim rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Egjipt të cilët u mbajtën dy vite më parë, shohim se afër 69% e votave i takonin partive islamike. Vetëm koalicioni “Aleanca Demokratike” aleancë kjo e cila dominohej nga “Partia për Liri dhe Drejtësi” arriti t’i merr 37% të votave, kurse nga gjithsej 498 ulëse në parlament kjo parti arriti të fiton 217 vende. Zgjedhjet e lira qoftë parlamentare apo presidenciale në Egjipt dëshmuan se platforma shekullariste nuk ka popullaritet, dhe se ideologjia e pastër shekullare nuk është e pranueshme tek popullata e këtij vendi. Puçi ushtarak i 3 korrikut jo vetëm që e ngadalësoi por e tërhoqi mbrapa procesin demokratik në Egjipt, pasiqë në mënyrë të padrejtë ushtarakët përmbysën presidentin e zgjedhur dhe qeverinë demokratike. “Ky akt rrënoi procesin demokratik jo vetëm në Egjipt por në gjithë botën arabe, ata shkatërruan ëndrrën tonë – demokracinë dhe lirinë - jo vetëm jetën tonë”, deklaroi para disa ditëve Essam el-Erian nënkryetari i “Partisë për Liri dhe Drejtësi”. Pra, Egjipti përjetoi po atë skenar që para disa viteve e përjetoi Algjeria. Si rezultat i kësaj në krye të vendit erdhën figurat të cilët jo vetëm që nuk gëzojnë mbështetje tek populli, por dikur ishin bashkëpunëtor të ish presidentit Mubarak. Me ardhjen në pushtet të puçistëve disa media u mbyllën, intelektualë të shumtë u burgosën, qindra demonstrues vriten çdo ditë kurse mijëra u plagosën, kjo bën të kuptohet se diktatura ushtarake/shekullariste është rikthyer përsëri në skenën politike egjiptiane. Në një situatë të tillë bashkësia ndërkombëtarë nuk duhet të heshtë por të marrë veprime konkrete. OKB-ja do të duhej të reagon po në atë mënyrë siç reagoi në Haiti në vitin 1994. Sikurse në Egjipt, puçistët ushtarak në Haiti në krye me Raul Cedras përmbysën presidentin e vendit Xhon Aristide i zgjedhur në mënyrë demokratike. Pas shumë përpjekjeve dhe sanksioneve në vitin 1994 me anë të rezolutës 940 Këshilli i Sigurimit autorizoi një forcë shumëkombëshe për të rivendosur demokracinë në vend, si pasojë e këtij veprimi nga ana e OKB-së, presidenti i zgjedhur nga populli më në fund rimori pushtetin. Për këtë krim që po ndodh në Egjipt, vendet demokratike nuk duhet të heshtin por të ngrenë zërin e arsyes, sepse në mënyrë të qartë u shkel demokracia, fjala e lirë, dhe të drejtat e njeriut. Mosreagimi ndaj kësaj tragjedie, mund t’i hapë rrugë shumë vendeve tjera të botës për të ndërmarrë një veprim të tillë, e kështu demokracia të humb kuptimin. Andaj perëndimi nuk duhet të monopolizon demokracinë, protagonistët e fundit të historisë dhe triumfit të liberal-demokracisë, këtu nuk duhet të heshtin.
Posted on: Thu, 15 Aug 2013 17:02:39 +0000

Trending Topics



n in
Zodiac readings for 13th, December, 2014… (I want all of you
REASONS TO BE THANKFUL FOR: I dont know about you, but my life
Mai più mi chinai e nemmeno su un fiore, più non arrossii nel
The Federal Government has been accused of running a Stalinist and

Recently Viewed Topics




© 2015