Lorik Cana: Armenia, “prova e zjarrit” para - TopicsExpress



          

Lorik Cana: Armenia, “prova e zjarrit” para Sllovenisë… Burimi: panorama-sport/kombetarja/eksperiment-i-de-biazit-ndaj-armenise-lihen-jashte-4-sulmues/#ixzz2c1IuVRZG Nuk ka nënvlerësim ndaj Armenisë, pavarësisht emrit dhe faktit se është thjesht një miqësore. Pohimi vjen nga kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Qendërmbrojtësi dhe njëkohësisht lideri i skuadrës sonë ka vlerësuar si të rëndësishëm këtë test, sidomos për disa lojtarë të afruar rishtazi dhe ata që kanë luajtur më pak, por më shumë sesa kaq, ai i ka mëshuar faktit se duhet krijuar një frymë pozitiviste rreth Kombëtares, në prag të dy ndeshjeve decizive për vijimësinë në kualifikimet e Botërorit 2014, në shtator ndaj Sllovenisë dhe Islandës, që të dyja në transfertë. Ndërkohë, Cana nuk ka lënë pa përmendur edhe vlerësimin që një ditë më parë i bëri De Biazi një prej talenteve shqiptare, Adnan Januzajt, duke uruar që ai në të ardhmen e afërt të zgjedhë pikërisht Shqipërinë, përpara Belgjikës apo edhe Anglisë. Si e gjykoni faktin se edhe në këtë grumbullim trajneri ka marrë lojtarë të rinj? A e dëmtojnë Kombëtaren ndryshimet e shpeshta në formacion? Sigurisht që është diçka pozitive. Shqipëria ka pasur gjithnjë probleme në të shkuarën për një organikë të pasur, aq sa kur pezullohej apo dëmtohej një lojtar, për trajnerin ishte dhimbje koke. Aftësia e një stafi që drejton një përfaqësuese është që të mbledhë sa më shumë lojtarë cilësorë që duan të kontribuojnë në të mirë të kombit. Që nga ardhja e De Biazit këtë gjë e ka arritur më së miri dhe po vazhdon ende në këtë drejtim dhe, sipas meje, kjo është një gjë pozitive. Ai ka filluar një punë dhe dëshiron që t’i shkojë deri në fund. Pra, jeni pro afrimeve edhe më pas? Normal. Mendoj se kërkohet edhe një lloj mirëkuptimi kur provohen lojtarë të rinj, pasi edhe ata duhet të thirren në skuadër dhe të shkrihen me të tjerët, me qëllim që në të ardhmen e afërt të bëhen pjesë integrale e organikës së Kombëtares. Si e shikoni ndeshjen me Armeninë? Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, pavarësisht nëse është kualifikuese apo miqësore, ndaj ju siguroj se nga trajneri e deri te ne si lojtarë e kemi marrë shumë seriozisht. Absolutisht nuk e nënvlerësojmë kundërshtarin, pasi mbetet një ndeshje ndërkombëtare dhe do luajmë gjithnjë për të fituar, pasi vetëm duke marrë rezultatet pozitive krijojmë një frymë të mirë në skuadër dhe arrijmë t’i përgatisim edhe më mirë ndeshjet kualifikuese që kemi në muajin shtator. Luhet në mes gushti, kur lojtarët nuk janë totalisht në formë dhe një pjesë e njerëzve janë me pushime. A i frikësohet kapiteni një interesimi të paktë të tifozëve? Tani vapa bën të vetën në këtë stinë e nuk ke se ç’të bësh dhe nëse është problem për ne, është edhe për kundërshtarin, ndaj në fund të fundit jemi në pozita të njëjta. Së dyti, ndeshjet në muajin gusht janë në fakt disi specifike, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve ose sapo e kanë nisur aktivitetin e tyre me skuadrat ku luajnë, ose janë ende në fazë përgatitore, ndaj jo të gjithë janë në kondicionin e duhur. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që si ne dhe kundërshtari e nënvlerësojmë ndeshjen, ndaj besoj do të jetë një takim i bukur dhe uroj që të kemi sa më shumë mbështetje edhe nga tifozët, pavarësisht siç e thashë, vapës apo edhe faktit se një pjesë mund të jenë me pushime. Përtej takimit me Armeninë, trajneri De Biazi është i shqetësuar edhe për kartonët e shumtë që kanë marrë lojtarët e Kombëtares, të cilët mund të pezullohen për ndeshjen me Islandën nëse ndëshkohen ndaj Sllovenisë. Si e shikoni këtë gjë? Sa u përket kartonëve, sipas meje ky është një rregull i vendosur nga UEFA, të cilin e konsideroj si shumë të tepruar. Kjo, pasi në një fazë kualifikimesh, ku luan minimalisht tetë deri në 12 ndeshje, të pezullohesh direkt pas kartonit të dytë të verdhë, për mua është e pakuptimtë. Kjo ndikon më shumë në skuadra si kjo e jona, ku nuk e kemi luksin që të kemi shumë lojtarë që mund të zëvendësojnë ata që pezullohen, paçka se trajneri gjatë kësaj kohe ka afruar shumë lojtarë dhe gjendja të paktën në këtë aspekt është duke ndryshuar. Deri para pak muajsh ishin të shumtë lojtarët me dynënshtetësi që na refuzonin të luanin për ne, tani janë të shumtë ata që po vijnë. A mos ndoshta ka ndikuar edhe ecuria e skuadrës? Sa u përket zgjedhjeve që bën një lojtar në aspektin e ekipit përfaqësues, të luajë për kombëtaren e kombit të tij apo për atë kombëtare ku ai ka edhe një pasaportë, unë e kam thënë me kohë mendimin tim dhe nuk ia vlen ta përmend më. Por, normal që edhe Kombëtarja ka bërë hapa përpara dhe kjo i ndihmon lojtarët e rritur jashtë që ta shikojnë këtë skuadër me më shumë interes edhe për karrierat e tyre. De Biazi foli dje (pardje) me superlativa për Adnan Januzajn, cili është mendimi i kapitenit për këtë lojtar? Unë nuk e kam pasur mundësinë realisht që të shprehem për këtë djalë, por me sa kam informacion, që nga koha kur ai iku nga Anderlehti (kur ishte 15 vjeç) di që ka bërë goxha rrugë. Vjet ka qenë më i miri te shpresat e Mançesterit dhe, mesa kam informacion, pritet të jetë një nga talentet më të mirë në qarkullim. Fakti që ai luan në një nga tri klubet më të mëdhenj në botë dhe në një moshë shumë të re të mund të luajë me ekipin e parë, për mendimin tim është një arritje e madhe që shumë pak futbollistë ia kanë dalë, por asnjë shqiptar më parë. Unë personalisht uroj që më së pari të ketë shëndet, pasi për talentin nuk kemi se çfarë të shtojmë më shumë. Mendoni se do të luajë për Shqipërinë? Nuk e di ta them. Por ai luan te Mançesteri dhe aty i ka të gjitha shanset për të pasur një karrierë brilante, ndaj në këtë kontekst kombëtarja do t’i nevojitej vetëm për të ndjerë një kënaqësi shpirtërore dhe unë i them se atë ndjesi, atë krenari të paparë, nuk mund ta ndjejë me asnjë kombëtare tjetër veçse të vendit të tij. Ne e presim me shumë dëshirë, nëse do pranojë të luajë me ne. Cana-Basha, batutat për Lacio-Torino Janë shokë skuadre dhe miq të mirë, por kjo nuk i ka ndalur që t’i lëshojnë edhe ndonjë batutë njëritjetrit gjatë konferencës së djeshme. Kur “Panorama Sport” është rrekur të pyesë kapitenin për ndonjë risi te Lacio, ai ka anashkaluar me xhentilesë pyetjen duke thënë: “Për këtë pyesni Migjenin”. “Çne unë”, – tha papritur mesfushori duke qeshur. “Se ju na keni marrë katër pikë sezonin e shkuar”, – vazhdoi Cana. “Për atë punë ju kemi mundur edhe 3-0 në miqësore, apo harrove”, – ka thumbuar sërish Basha. “Jam në superformë, uroj të ketë shumë tifozë” Migjen Basha është ndër lojtarët më në formë në Kombëtare. Edhe pse ndryshoi statusin civil (u martua para disa javësh), lojtari nuk u është ndarë për asnjë çast përgatitjeve, duke pohuar se këtë do e tregojë më së miri edhe ndaj Armenisë. “Pas dasmës, duket se gjërat më kanë shkuar shumë mirë. Po përgatitem seriozisht për sezonin e ri dhe ajo çka më lehtëson më shumë është se e ndjej veten në formë të mirë. Sigurisht kjo vjen edhe nga fakti se nuk kam vuajtur nga dëmtime gjatë periudhës së mëparshme. Shpresoj që kjo formë të vazhdojë dhe të jem në 100-përqindëshin tim. Sa i përket modulit të lojës te Torino, vitin e kaluar luanim me një modul tjetër, 4-2-4, ndërsa sivjet trajneri ka ndryshuar skemën dhe e ka kthyer në 3-5-2. Kjo ka ndikuar për mirë, pasi më jep mundësi mua si mesfushor që të luaj më përpara dhe të jemi edhe si skuadër më ofensive. Ky modul mua më pëlqen më shumë dhe vërej që edhe trajneri është më i kënaqur me lojën time”, – ka pohuar fillimisht lojtari. Më pas Basha e ka risjellë ndryshimin e skemës edhe te kombëtarja, por gjithsesi duke ia lënë në dorë De Biazit. “Varet nga zgjedhjet e trajnerit dhe nga lojtarët që përbëjnë skuadrën. Ne nuk e kemi provuar asnjëherë këtë skemë në Kombëtare dhe nuk di të them nëse funksionon njëlloj apo jo. Gjithsesi, këto janë zgjedhje të trajnerit dhe nëse ai gjykon se duhet bërë një lëvizje e tillë, atëherë e provojmë dhe shikojmë sesi do na ecë. Sa i përket ndeshjes me Armeninë, besoj se rezultati nuk ka rëndësi, por duhet të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të mendojmë edhe për takimet kualifikuese që kemi në muajin shtator. Në skuadër kanë ardhur disa lojtarë të rinj dhe duhet të shikojmë nëse edhe këta mund të na ndihmojnë për ndeshjet e radhës. Ne duhet të mendojmë më së shumti për kualifikueset, duke shkuar në këto me një formë shumë të mirë fizike. E rëndësishme është të mos kemi probleme, pjesa tjetër është e kalueshme”, – ka thënë Basha. Në fund, mesfushori i Torinos nuk ka lënë pa përmendur edhe infrastrukturën e “Qemal Stafa”-s. “Nëse do kishim një stadium më të mirë, do kishte më shumë përfitime. Më së pari do kishte edhe më shumë interes dhe tifozë që të vinin në stadium edhe në ndeshje të tilla miqësore. Së dyti, nuk do mbeteshin jashtë shumë tifozë nëse do kishim një stadium më të madh si në rastin me Norvegjinë. Mendoj se ky është një handikap që duhet zgjidhur”, – përfundon Basha. De Biazi guxon, Gashi debuton si titullar Është pa dyshim një Shqipëri plot muskuj. Mjafton të vëresh me kujdes formacionin me të cilin pritet të zbresë sot në fushë Kombëtarja jonë për të bërë pak llogari. Duke nisur që nga mbrojtja e deri në sulm, kemi një 11-she fizike dhe më pak teknike. Por, nisur edhe nga kundërshtari, një ekip me lojtarë të fortë fizikisht, sidomos në mesfushë dhe sulm, duket se zgjedhja e trajnerit De Biazi është më shumë se e logjikshme. Risia absolute është fakti se nga minuta e parë do të zbresë edhe prurja më e re në Kombëtare, Shkëlzen Gashi. Mesfushori me tipare sulmuese i Grashopers ka treguar një formë të jashtëzakonshme në seancat stërvitore të zhvilluara të hënën dhe të martën, duke bindur tërësisht teknikun italian të Kombëtares për një vend si titullar. Kujtojmë që kampionati në Zvicër ka gati një muaj që ka nisur, ndaj edhe forma e këtij lojtari është më shumë se e konsoliduar. Ndërkohë, nga minuta e parë do debutojë edhe Amir Abrashi. Edhe për këtë konsiderohet si debutim absolut, por me një ndryshim në krahasim më Gashin, pasi Abrashi ka qenë pjesë e Kombëtares edhe për takimin e 7 qershorit ndaj Norvegjisë. Në atë përballje mesfushori i Grashopersit nuk u aktivizua, kjo jo vetëm për shkak të skemave taktike që bëri De Biazi, por edhe për faktin se në skuadër ishte edhe Ervin Bulku, pozicion në të cilin do të luajë pikërisht sonte Abrashi. Sakaq, një tjetër risi është aktivizimi i Kapllanit si sulmues i vetëm. Ky i fundit, i rikthyer pas një periudhe të gjatë në Kombëtare (grumbullimi i parë që nga momenti kur skuadrën e mori në dorë Xhani de Biazi), duket në topformë, ndaj me shumë gjasë do mbajë edhe peshën kryesore në sulmin kuqezi. Durrsaku ka qenë preferenca e parë e teknikut italian të Kombëtares në stërvitjen e zhvilluar dje në “Qemal Stafa” paradite dhe në “Selman Stërmasi” pasdite. Sakaq, luajtja me një “pykë” nuk do të thotë që De Biazi po programon një formacion disi më mbrojtës ndaj armenëve, kjo edhe për faktin se pas Kapllanit do të luajnë Valdet Rama dhe Shkëlzen Gashi, që të dy futbollistë me tipare të theksuara sulmuese. Në mesfushë do të luajë nga minuta e parë edhe Andi Lila. Ky i fundit është preferuar përpara Odise Roshit, kjo edhe për faktin se futbollisti i Janinës është më i kompletuar edhe sa i përket fazës mbrojtëse. Në repartin defensiv ka pak ndryshime, pasi në portë është “i blinduar” Etrit Berisha, ndërsa nga krahët e mbrojtjes do luajnë Ansi Agolli në të majtë dhe Armend Dallku në të djathtë. Në qendër, veç kapitenit Cana, do të luajë edhe Admir Teli. Shkodrani është preferuar si titullar para Mërgim Mavrajt, edhe për faktin se ky i fundit i është bashkangjitur vetëm dje skuadrës sonë në stërvitje, pasi të hënën në darkë luajti me Grojter Fyrthin e tij në kampionat. De Biazi: Dua në kombëtare Januzajn e Mançester UTD… Trajneri i Kombëtares, Xhani de Biazi, ka pohuar për herë të parë faktin se stafi i tij dhe i federatës po punojnë për të afruar yllin e ri të Mançester Junajtid, Adnand Januzajn. Në konferencën e djeshme për shtyp, tekniku kuqezi e konsideroi 18-vjeçarin kosovar me pasaportë edhe belge si një nga supertalentet e futbollit, por sipas tij nuk është ende momenti që t’i afrohen këtij lojtari, përderisa Shqipëria nuk është në kushtet që t’i ofrojë diçka konkrete me qëllim që ta joshë dhe ai të vishet kuqezi. Sakaq, De Biazi foli edhe për dy debutuesit: Gashi dhe Lenjani, si dhe për 36-vjeçarin Erjon Bogdani. Çfarë pret De Biazi nga miqësorja me një skuadër si Armenia? Duke hequr mënjanë rezultatin, i cili në të tilla takime nuk është shumë i rëndësishëm, mua si trajner më nevojitet për të kuptuar gjendjen fizike të lojtarëve. Plus kësaj, vetëm në miqësore të tilla mundet që të bësh ndonjë eksperiment në modulin e lojës, duke provuar edhe disa lojtarë të grumbulluar rishtazi. Kësisoj, Armenia bëhet një test i rëndësishëm, pasi është një nga ato skuadra që luan një futboll të bukur. Shkoi e fitoi 4- 0 në Danimarkë dhe më pas humbi në shtëpi ndaj Maltës dhe, në gjykimin tim, është një nga ato skuadra që nëse nuk i merr seriozisht, mund edhe të pësosh ndonjë turpërim. Përtej kësaj, ka një grup shumë të mirë lojtarësh, sidomos në mesfushë dhe sulm. Ku konsistojnë më qartë eksperimentet që mund të bëni? Ku keni dyshime? Nuk është se kam dyshime, por thjesht dua të shikoj sesi sillen disa lojtarë të thirrur tani ose që kanë luajtur pak, për të pasur një ide më konkrete për të ardhmen e afërt. Dua të shikoj edhe sesi arrijnë të ambientohen me grupin këta lojtarë. Duke qenë se keni grumbulluar lojtarë të rinj, ose më mirë që nuk kanë qenë më parë si Kapllani apo Januzi, do të thotë se do përqendroheni te këta të fundit? Jo vetëm. Nëse vëreni me kujdes, në listë janë disa lojtarë që ose kanë kohë që luajnë në skuadrat e tyre në kampionat, ose kanë disa javë, pra janë në aktivitet. Pikërisht për këtë arsye janë grumbulluar, pasi dua të shikoj se çfarë mund t’i japin skuadrës. Nga ana tjetër, kam kursyer edhe udhëtime të stërgjata për një ndeshje miqësore, si për shembull, për Salihin, sepse do të ishte tejet e lodhshme për atë që të udhëtonte për orë të tëra për një përballje të tillë. Sakaq, ne vërtet jemi përpara një miqësoreje, por mendja ime punon më së shumti për dy takimet e shtatorit në Slloveni dhe Islandë. Keni grumbulluar për herë të parë Shkëlzen Gashin dhe Ermir Lenjanin. Së pari çfarë informacionesh keni për këta lojtarë dhe së dyti a mund të luajnë ata menjëherë me ekipin tonë përfaqësues? Gashi është një lojtar, të cilin po e vëzhgonim prej 13- 14 muajsh, madje edhe e patëm takuar, por në fillim ai ishte disi skeptik për projektin tonë dhe në një farë mënyre refuzoi. Më vonë, teksa pa rezultatet e skuadrës dhe punën që po bënim, ndryshoi mendim dhe telefonoi duke kërkuar që të vihej në dispozicion të Kombëtares. E njëjta gjë pak a shumë edhe për Lenjanin, një lojtar të cilin po e ndjekim prej kohësh dhe tani ishte koha që ta grumbullonim në skuadër. Mund të luajnë për Shqipërinë, duke qenë se kanë luajtur edhe për Zvicrën U-21? Po, po mund të luajnë, kjo edhe për faktin se bëhet fjalë për një ndeshje miqësore. Si qëndron çështja me Loret Sadikun? Sadiku është një nga ata lojtarë që nuk di se nga cili krah të marrë drejtimin. Pra, nuk ka vendosur ende se me cilën kombëtare dëshiron të luajë (më Shqipërinë apo me Suedinë), ndaj për momentin e lëmë që të zgjidhë dyshimet me vetveten. Po Vangjeli, a nuk mund të ishte edhe ai pjesë e kësaj miqësoreje? Po mundej, por siç ju thashë, unë jam mundur që të grumbulloj më së shumti lojtarë që i shikoj si interesantë në projektin tim për të ardhmen e afërt. Vangjeli është një nga ata lojtarë që unë e njoh mirë dhe për atë vlen i njëjti arsyetim sikundër edhe për një pjesë të mirë të lojtarëve që nuk janë grumbulluar për këtë ndeshje. Është folur shumë gjatë kësaj kohe për rinovimin e kontratës suaj. Kur do të takoheni me z.Duka për të diskutuar për këtë gjë? Mendoj se kemi kaq pak kohë për ndeshjen me Armeninë sa nuk duhet të humbemi në të tilla diskutime, të paktën jo para takimit. Ndoshta pas kësaj ndeshjeje mund të ulemi, por unë e kam thënë edhe më parë se për mua rinovimi nuk përbën asnjë problem. Unë jam këtu dhe jam i gatshëm të vazhdoj këtë projekt të nisur me këtë skuadër. Më mirë të rinovoni tani apo pas dy ndeshjeve në shtator? Nuk e di. Për mua nuk ka rëndësi kjo gjë. Unë e kam shprehur mendimin tim se jam gati të vazhdoj punën e nisur dhe e rëndësishme është që ne të rritemi ditaditës, por kur arrin në një nivel të caktuar më pas thjesht duhet të përmirësohesh, pasi e vështirë që të rritesh në lojë. Bekim Bala po luan shumë mirë. A nuk do të ishte mirë që ta kishim në këtë takim? Bekim Balën po e ndjek ashtu sikundër po bëj edhe me Plakun. Shansin e ka pasur, pasi e thirra nëntorin e shkuar, më pas u humb disi dhe tani po shpërthen. Më vjen mirë dhe nëse do vazhdojë kështu do jetë në orbitën tonë. Unë e kam thënë që në sulm ne jemi të mbuluar më së miri me lojtarë, por kuptohet se kur një sulmues shpërthen me lojën e tij atëherë është e vështirë që të mos ta grumbullosh. Unë pres që të vihem në të tilla kushte. Po Bogdani, nëse nuk gjen skuadër, rrezikon të mos grumbullohet më në Kombëtare? Për Bogdanin vlen i njëjti diskutim që kam bërë edhe për Salihin. Erjon është një nga ata lojtarë që i njoh mirë dhe uroj që ai të stërvitet mirë dhe të mund të gjejë edhe një skuadër. Pas tri javësh do grumbullohemi sërish dhe do jetë edhe lista tjetër… të shohim sesi do jetë gjendja e tij. A është bërë ndonjë përçapje për të afruar në skuadër Adnand Januzajn e Mançester Junajtid? Mendoj se nuk është momenti për t’iu afruar atij lojtari. Sipas meje, ai është një supertalent. Fjala talent këtu në Shqipëri përdoret ndoshta edhe vend e pavend, por ju siguroj se ai (Januzaj) është një talent në kuptimin e fjalës. Një nga ata futbollistë që, nëse nuk humbet për shkak të ndonjë lajthitje, pra nuk arrin të menaxhojë mirë famën dhe cilësitë që ka, do bëhet një nga më të mirët në qarkullim. Ndaj them se duhet të kemi kujdes me të tillë lojtarë. Duhet të kesh diçka për t’i ofruar, para se të shkosh dhe ta takosh për ta bindur që të luajë për ne. Të shikojmë se ç’mund të bëjmë më vonë. Etrit Berisha është kthyer në një intrigë merkatoje, teksa Kaçe është jashtë formacionit të PAOK-ut, ju shqetëson kjo? Për Berishën mendoj se nuk është problem kjo gjë. E sigurt është që ai do largohet nga Kalmari te një skuadër më e mirë dhe kudo që të shkojë, për një 24-vjeçar kjo është një gjë realisht pozitive. Sa i përket Kaçes janë disa vendime teknike të marra nga trajneri i sapoardhur, por unë mendoj se një lojtar që deri vitin e shkuar ishte ndër më të mirët në kampionatin grek, nuk besoj se tani është kthyer në një që nuk vlen. Pse është grumbulluar Shehi dhe jo ndonjë tjetër më i ri? Sepse ne kemi dy portierë shumë të mirë, Berishën dhe Ujkanin dhe në skuadër nevojitet edhe një ekuilibrues që ndihmon me eksperiencën që ka. Në një skuadër nuk merren vetëm lojtarë cilësorë dhe të rinj, por edhe me eksperiencë që i bëjnë punë ekipit, pikërisht për përvojën që ata kanë mbi supe. Bushi: Loret Sadiku po luan me dy porta Loret Sadiku është kthyer temë e ditës në Kombëtare, për faktin se mbrojtësi i Halsingborgut në Suedi refuzoi një tjetër ftesë të trajnerit kuqezi. Sakaq, i pyetur për këtë gjë, menaxheri i Kombëtares Alban Bushi ka pohuar se FSHF-ja ka bërë detyrën dhe tani gjithçka i mbetet në dorë lojtarit. “Sadiku për mendimin tim po luan me dy porta. Ai pret që të marrë një thirrje nga Suedia, e cila me anë të trajnerit të vet gjatë kësaj kohe ka folur me superlativa. Ne si federatë e kemi bërë punën tonë. E grumbulluam për ndeshjen me Armeninë, ndërkohë që ai gjeti një justifikim duke thënë se ishte i dëmtuar. Ne e presim, por duhet ai që ta ndajë mendjen nëse do të luajë për ne apo për Suedinë”, – tha Bushi. Ndërsa, De Biazi shkoi më tej teksa pohoi se një lojtar si Sadiku, që nuk e ndjen të luajë për Shqipërinë, më mirë të mos vijë fare. “Ne ia dalim edhe pa Sadikun. Gjithsesi, me lojtarin ke rastin ta takosh dhe të shikosh nëse dëshiron apo jo të luajë për ne. Mua personalisht nuk do të më pëlqente që të kisha në skuadër një lojtar që, pasi nuk është grumbulluar nga kombëtarja që ai ka dashur, vjen te Shqipëria dhe ndoshta rri edhe me kokën mënjanë. Ti e kupton menjëherë këtë gjë, ndaj preferoj që të kem në skuadër lojtarë të motivuar. Shikoni, gjatë kësaj kohe unë kam bërë shumë kërkime dhe po ju them se janë me qindra lojtarë të talentuar shqiptarë që luajnë në Europë. Sigurisht, duhet edhe të gjesh mënyrën dhe kohën e duhur për t’i takuar dhe të flasësh me atë. Ndoshta merr edhe ndonjë refuzim, por gjithsesi ti bën pjesën tënde”, – theksoi De Biazi. Ujkani i dëmtuar, Mavraj vjen sot në Kombëtare Samir Ujkani nuk do të jetë pjesë e skuadrës sonë kombëtare për ndeshjen miqësore ndaj Armensië. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë trajneri Xhani De Biazi para konferencës së djeshme për shtyp. “Ujkani është i dëmtuar dhe nuk do jetë për këtë ndeshje”, – sqaroi italiani. Portieri ishte në dispozicion të trajnerit të Palermos, Xhenaro Gatuzo, mbrëmjen e së dielës në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Kremonezes, por nuk luajti asnjë minutë. Ndërkohë, dje në stërvitje mungonte edhe qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj. Ky i fundit e ka pasur të pamundur që t’i bashkohej që dje skuadrës, duke qenë se mbrëmë ishte në fushë me ekipin e tij, Grojter Fyrth në kampionatin gjerman. Mësohet se lojtari do udhëtojë sot drejt Tiranës për të qenë i gatshëm ndaj Armenisë. Eksperimenti i De Biazit ndaj Armenisë, jashtë 4 sulmues Ermir Lenjani dhe Shkëlzen Gashi janë dy emrat e rinj që ka grumbulluar Xhani De Biazi për miqësoren e kësaj të mërkure ndaj Armenisë. I pari, 24 vjeç, luan te St.Gallen në Zvicër dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë një titullar i padiskutueshëm. Ai luan si mbrojtës dhe mesfushor i majtë, pozicione të cilat De Biazi ia ka “faturuar” më së shumti Ansi Agollit. Ndërsa Shkëlzen Gashi (luan te Grasshopers) është një mesfushor energjik, i cili ishte edhe në orbitën e Zvicrës, por në fund vetë lojtari vendosi të luante për Shqipërinë. Gashi shihet si një prurje cilësore në krahun e djathtë, aty ku Kombëtarja ka pasur probleme, sidomos në takimin e fundit të 7 qershorit ndaj Norvegjisë, teksa si Andi Lila dhe Odise Roshi ishin të pezulluar për shkak kartonësh. Ndërkohë ajo që bie në sy është fakti se trajneri i Kombëtares ka lënë jashtë emra si Elis Bakaj, Hamdi Salihi, Azdren Llullaku, Alban Meha, Edgar Çani, Erjon Bogdani e deri Armando Sadiku. Një pjesë e mirë e këtyre lojtarëve nuk janë grumbulluar për faktin se vuajnë nga dëmtime, sikundër Bakaj, apo Meha, teksa pjesa tjetër janë lënë jashtë për arsye teknike. De Biazi ka kërkuar që t’u japë një shans lojtarëve që nuk janë aktivizuar shumë ose fare gjatë periudhës që ai drejton Kombëtaren, ku ndër ta është edhe Edmond Kapllani. Sulmuesi i FSV Frankfurtit grumbullohet në skuadër për herë të parë nga trajneri italian, kjo falë formës së mirë që ai po kalon në Bundesligën e dytë gjermane. Në repartin e sulmit, përveç Armando Vajushit, Valdet Ramës dhe Kapllanit, De Biazi i ka dërguar ftesë edhe sulmuesit të Vorskla Polltavës, Ahmed Januzi. Ky i fundit nuk ka luajtur për kuqezinjtë që nga koha e Josip Kuzhesë, kjo edhe për faktin se ka kaluar dëmtime të njëpasnjëshme. Në mesfushë janë thirrur sërish Lilaj, vëllezërit Basha, Abrashi dhe Ergys Kaçe, teksa është lënë jashtë Emiljano Vila. Në mbrojtje nuk mungon kapiteni Lorik Cana, por është lënë jashtë Debatik Curri, Ilir Berisha (i dëmtuar) dhe Tefik Osmani. Nga kampionati shqiptar janë vetëm tre lojtarë të Skënderbeut, ku veç Lilajt, ftesa i ka shkuar edhe mëngjarashit Renato Arapi dhe portierit veteran Orges Shehi. Ndërkohë, De Biazi nuk heq dorë nga dyshja e katërkëndorit Ujkani-Berisha. LISTA 1. Etrit Berisha 2. Samir Ujkani 3. Orges Shehi 4. Andi Lila 5. Renato Arapi 6. Armend Dallku 7. Lorik Cana 8. Admir Teli 9. Ansi Agolli 10. Mërgim Mavraj 11. Ermir Lenjani 12. Sabien Lilaj 13. Jurgen Gjasula 14. Odise Roshi 15. Migjen Basha 16. Shkëlzen Gashi 17. Amir Abrashi 18. Vullnet Basha 19. Armando Vajushi 20. Valdet Rama 21. Ergys Kace 22. Edmond Kapllani 23. Ahmed Januzi Ahmed Januzi: Nuk do ta zhgënjej trajnerin Sulmuesi kosovar Ahmed Januzi pret ta shfrytëzojë rastin e ri të ofruar nga trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Xhani de Biazi. Tekniku italian e ka ftuar Januzin për ndeshjen miqësore kundër përfaqësueses së Armenisë që zhvillohet më datë 14 gusht në stadiumin “Qemal Stafa” të Tiranës. Januzi, i cili aktivizohet tek ukrainasit e Vorskla Polltavas, të premten e ka konfirmuar ftesën e marrë nga De Biazi për miqësoren me Armeninë. “Para disa ditësh më ka ardhur ftesa në klub dhe jam shumë i gatshëm t’i tregoj De Biazit se kam një vend në ekipin kombëtar. Besoj se do ta kem rastin të luaj ndaj Armenisë, pasi jam ftuar dhe dua ta shfrytëzoj këtë”, – u shpreh Januzi për “Kohën Ditore”. 25-vjeçari deri më tani ka regjistruar pesë ndeshje për Kombëtaren shqiptare. Ndeshja e tij e fundit ishte miqësorja kundër Maqedonisë (0-0), e zhvilluar në nëntor të vitit 2011. Januzi qe ftuar edhe disa herë pas këtij dueli, por nuk qe aktivizuar. Me fanellën e ekipit të parë të Shqipërisë, Januzi pati debutuar në nëntor të vitit 2010. Ai më herët ka luajtur për Shpresat (U- 21). “Po ndihem mirë këtë edicion, ndonëse po punoj maksimalisht për të arritur në formën time më të mirë. Jam shumë i lumtur për ftesën e De Biazit dhe tani do të shohim në ndeshjen kundër Armenisë. Do mundohem që me paraqitje të mirë të siguroj vend të përhershëm”, – tha Januzi. “Shpresoj që De Biazi të jetë i kënaqur me mua”. Sulmuesi kosovar në vitin 2007 qe transferuar te skuadra e elitës së Ukrainës, Vorskla Polltava. Ai edicionin e shkuar pati qenë për kohë të gjatë i lënduar. Ndërsa, këtë edicion ka regjistruar katër paraqitje kampionati dhe ka shënuar një gol. “Me rëndësi është se jam rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe ndihem mirë. Shpresoj që të mos dëmtohem dhe ta ndihmoj Vorsklën me gola në këtë edicion”, – tha Januzi. Krahas Januzit, pjesë e Vorskla Polltavas është edhe mbrojtësi Armend Dallku, i cili është edhe kapiten i skuadrës. Berisha: Kievo s’bën për mua, nuk shkoj atje Telenovela e portierit të Shqipërisë, Etrit Berisha, vazhdon të jetë në modë. Mbrojtësi ekstrem i kuqezinjve kishte firmosur një kontratë me Kievon, e cila më pas u shpall jo e vlefshme nga menaxheri i tij. Marrëveshja me klubin e Kalmarit skadon në janar, por lojtari është ende në pritje të skuadrës së tij të ardhshme. “Klubi i Kievos ishte në kontakte, por jo me mua. Tani nuk dua të shkoj atje. Nuk ishte një mundësi e mirë për mua, ndaj edhe nuk do kryhet transferimi. Seria A? Kam disa kontakte me disa klube dhe mua më pëlqen, sepse më duket interesant si kampionat. Kam disa mundësi zgjedhjeje, por ende s’e kam vendosur. Vendimin do ta marr pas ndeshjeve me Kombëtaren. Mendoj se do ishte e drejtë që Kalmari të përfitojë diçka nga shitja ime, sepse më ka ndihmuar mjaft. E di që nuk kemi shumë kohë në dispozicion, por mendoj se është më mirë të tregohemi të duruar”, – ka deklaruar portieri i Kombëtares për “lazio24”. De Biazi-Duka, nesër takim për rinovimin Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pritet të takohen ditën e nesërme për të vulosur rinovimin e teknikut në krye të ekipit tonë përfaqësues. Kontrata e italianit përfundon në fund të këtij viti, ndaj sipas asaj që ka deklaruar De Biazi, por edhe Duka, parashikohet që marrëdhënia mes palëve të vazhdojë edhe për të paktën kualifikimet e Europianit të 2016. Në një intervistë gjatë muajit korrik, Duka theksoi se ka ndërmend që t’i ofrojë De Biazit një kontratë 2- vjeçare me opsion rinovimi edhe për dy vjet, por me thuajse të njëjtat kushte financiare.
Posted on: Wed, 14 Aug 2013 10:22:04 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015