"Lufta" për Plavën e Gucinë vazhdon… Në kufirin me - TopicsExpress



          

"Lufta" për Plavën e Gucinë vazhdon… Në kufirin me Kosovën, polici na pyet nëse kemi ndonjë gjë për të deklaruar. Asgjë për t’u shënuar, ndërsa makina arrin të marrë frymë për pak minuta e policët kufitarë kryejnë procedurat e tyre të verifikimit të dokumenteve. Rrugëtimi për në Plavë nis me të kapërcyer kufirin mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ngjitja deri aty ishte e mundimshme, me kthesa të forta e të përpjeta që të kujtojnë ngjitjet e vështira të Llogarasë apo Qafë-Thanës. Në kufirin me Kosovën, polici na pyet nëse kemi ndonjë gjë për të deklaruar. Asgjë për t’u shënuar, ndërsa makina arrin të marrë frymë për pak minuta e policët kufitarë kryejnë procedurat e tyre të verifikimit të dokumenteve. Ndërsa përshkojmë atë pak rrugë që ndan dy doganat, kamionët dhe mjetet e rënda të transportit të lëndëve të drurit të detyrojnë të qëndrosh pas tyre, deri sa të gjesh hapësirën dhe momentin për t’i parakaluar. Në pikën e kalimit kufitar të Malit të Zi ka pak radhë, ndryshe nga ajo e Kosovës. Polici malazez kërkon me patjetër sigurimin ndërkombëtar për të ngritur traun. Pasi blemë primin, morëm tatëpjetën përmes pishave të larta të Rrozhajës, ndërsa aroma e tyre të shpon hundët. Pas pak minutash gjendemi në Rrozhajë. Shtëpitë karakteristike dy apo trekatëshe, janë më të lartat e qytezës malore. Rrallë të zë syri ndonjë ndërtesë mbi pesë kate. Kalojmë përmes tunelesh të njëpasnjëshëm, që çajnë rrugën përmes shkëmbinjve. Berane është po ashtu një qytet i vogël, ndanë të cilit kalon lumi i Nikshiqit, ndërsa për pak minuta jemi në Andrevicë. Krahina banohet nga popullsi malazeze. Pas një rruge prej rreth 130 kilometrash, syri na zë një kryqëzim tresh, ndërsa në tabelë tregohet majtas Plava e djathtas Gucia. Liqeni i Plavës, duket sikur ndan në mënyrë të barabartë distancën mes Plavës e Gucisë. Malet e larta, ajri i pastër e gjelbërimi që rrethon zonën, duket sikur do të zbresë drejt e në rrugë. Në qendër të Plavës është qendra kulturore e “boshnjakëve”, të quajtur të tillë pas viteve ’70, si rrjedhojë e përpjekjeve për të ulur numrin e shqiptarëve në Mal të Zi. Brinjazi saj qëndron xhamia, minarja e së cilës shkon në 20 metra. Një xhami e dytë ca metra më lart të bën të mendosh se ke të bësh me shqiptarë autoktonë e nis të flasësh shqip. Në dyqan, një vajzë e re të përgjigjet në sllavisht, ndërsa ngre supet kur dëgjon të flitet shqip. Po ashtu, në qendrën kulturore, ndërsa zhvillohet akademia për nder të 100 vjetorit të masakrës së Previsë, mësyjnë fëmijë, të rritur e njerëz të tjerë, ku fare pak flasin shqip. “Jam boshnjak, – thotë një burrë, ndërsa na ofron disa fletëvolante reklamash, në të cilat të bie në sy mbiemri Hoxhiç. Edhe në një pikë të shitjes së gazetave, po ashtu flitet sllavisht përballë gazetave me shkronja cirilike. Rrëmojmë me sy për ndonjë titull shqip, por zhgënjehemi shpejt. Ramok Çelaj thotë se shqiptarët nuk kanë të drejtë të kenë gazetat e tyre, mediat e tyre, radiot e tyre, apo televizionin e tyre. I vetmi televizion që duket se flet shqip në Mal të Zi është TV Teuta në Ulqin, por është thuajse 200 e ca kilometra nga Plava e Gucia. Gjithë sa shohin banorët e kësaj zone vjen prej paketave satelitore të stacioneve shqiptare. Çelaj ankohet për represionin që vazhdon ndaj shqiptarëve, kryesisht me gjuhën. “Kjo është një e drejtë që e ka çdo qytetar i botës perëndimore, por vetëm ne shqiptarët e Malit të Zi jo,- thotë Ramoku me keqardhje, ndërsa nuk rri dot pa përmendur edhe “boshnjakët”, që pak ditë më parë kishin përkujtuar masakrën e Previsë me flamur amerikan dhe boshnjak. Në ceremoni kishte vetëm një flamur të vogël shqiptar, sa për shenjë. Këtë fakt e përmend edhe Esad Gjonbalaj në një shkrim të tij për Zërin e Amerikës, ndërsa pas ndërhyrjes së komunitetit shqiptar, flamuri ishte vendosur me përmasa të barabarta me atë të boshnjakëve. Përpjekjet e malazezëve për të marrë Plavën e Gucinë nuk kanë shkuar dëm. Ata i kanë ditur mirë vlerat e natyrore të zonës, e cila tashmë është një nga vendet turistike malore më të vizituara në Mal të Zi. Krojet e Ali Pashës, ku tashmë është vendosur edhe një restorant me gatime tradicionale shqiptare si maza, mishi i pjekur, trofta, apo ushqime të tjera presin vazhdimisht vizitorët e huaj, por edhe ata nga Shqipëria. “Sy të Kaltër” në Vuthaj apo Gërla, që vërshojnë deri tek Liqeni i Gështenjave, pranë kufirit me Shqipërinë janë vende të lakmueshme për çdo vizitor të huaj. Për shqiptarët, është vendi ku kanë jetuar të parët e tyre. Ndërsa zbret në jug drejt liqenit të Gështenjave, në të majtë duken majat e maleve dhe alpeve Shqiptare, pas të cilave rrjedh uji i Valbonës. Pak më poshtë është Thethi, ndërsa në kufirin shqiptaro- malazez, është Vermoshi, pika më e largët veriore e shtetit shqiptar. “Shqiptarët e kësaj krahine nuk duhet të kujtohen vetëm për periudhën e verës për të bërë pushimet këtu, por duhet të mos e braktisin vendin e tyre dhe ta popullojnë atë”,- thonë njëzëri banorët e përhershëm të Plavës e Gucisë. Masakra e Previsë në vitin 1913, ku u vranë 700 burra shqiptarë nga forcat malazeze, një vit pas rënies në duart e tyre të Plavës dhe Gucisë mund të radhitet si një nga masakrat më të mëdha të kryera nga serbo- malazezët ndaj popullsisë etnike shqiptare në atë kohë. Një këngë kushtuar kësaj dite iu shërben banorëve të zonës, për të mos harruar kurrë atë që ndodhi në korrikun e vitit 1913. Ndër vargjet e saj, vihet në dukje tentativa e serbo-sllave për të asimiluar e për t’iu ndërruar fenë banorëve autoktonë të krahinës, nga myslimanë shqiptarë në ortodoksë sllavë. Kur banorët refuzuan të ndërronin fenë e kombësinë, xhandarët malazezë, mblodhën 12 mijë njerëz të këtyre krahinave, e i futën me forcë në kishë, ku sërish rezistenca vijoi më tej. Kur edhe kjo nuk u arrit, xhandarët serbo- malazezë, zgjodhën 700 burra, gra e fëmijë të zonës, e i detyruan të hapnin vetë varret e tyre. Për shqiptarët, nuk është e panjohur historia e dorëzimit të Plavës e Gucisë nga forcat turke tek ato Malazeze, ashtu si edhe Ulqini e Tivari, apo edhe malësia e Tuzit. Mbrëmjen e 29 korrikut, në një darkë të sponsorizuar nga familja Çelaj, shqiptarë të krahinave të Plavës e të Gucisë kujtuan një nga ekzekutimet më masive të ndodhura ndonjëherë ndaj popullsisë shqiptare. Më herët, në mesditë qendra kulturore e Plavës u kujtua kjo masakër, krime të tjera, ngjarje historike e kulturore. Sipas sekretarit të fondacionit Plavë- Guci, masakra e Previsë ishte një nga shumë masakrat dhe genocidin e kryer nga malazezët në këtë kohë ndaj popullsisë shqiptare. Sipas tij, kjo ndodhi, në vjeshtë e vitit 1912, kur nisi Lufta e Parë Ballkanike. Në këtë kohë, malazezët morën Plavën dhe Gucinë, duke pasur qëllim pushtimin e sanxhakut të Prizrenit. Më parë, ata kishin futur në pushtimin e tyre komunën e Mojkovacit atë të Bjellopoljes, Beranën, Pazarin e Ri, ndërsa forcat turke thuajse nuk bënë rezistencë duke i dorëzuar thuajse vullnetarisht trojet shqiptare. Në këto luftime, sipas Gjonbalës, mbeti i plagosur Bajram Curri, që nuk mundi të shkonte në Kuvendin e Vlorës. Sadik Çelaj ka 86 vite mbi supe, por ende i mban mend mirë rrëfimet e babait të tij, për djegien kullës së tyre në Vuthaj të Gucisë. “Tri herë serbo- malazezët e kanë djeg këtë kullë, – tregon Sadiku. Një herë e dogjën në vitin 1913, një herë në vitin 1917 dhe një herë në vitin 1920″. Ali Çelaj, është një nga pasardhësit e Isuf Kamber Çelajt, që deri para 10 vitesh ai banonte në Tropojë e tashmë është rikthyer në fshatin e tij Vuthaj, ku edhe ka lindur, thotë se sot shumë shqiptarë dhe pasardhësit e këtyre burrave të moçëm, kanë ngatërruar fenë me kombësinë, si dhe kanë ndërruar veten nga shqiptarë në boshnjakë, duke harruar traditën dhe zakonet e të parëve. Edhe sot kulla qëndron në këmbë, ashtu si para 100 vitesh, nën një shpat mali të mbuluar me ahishte e dushqe, karakteristikë e zonës. Në Plavë mbërritëm fiks në orën 16:30, pak momente para se të niste Akademia përkujtimore për Isuf Kamber Çelajn, një nga heronjtë e vrarë mbase në përballjen e fundit të shqiptarëve dhe malazezëve në Morinë në vitin 1944. Ceremonia përkujtimore mbahej njëkohësisht edhe në kujtim të 100-vjetorit të masakrës së Previsë, në të cilën në vitin 1913, forcat malazeze ekzekutuan 700 burra shqiptarë. Edhe mbrëmjen e të hënës, së 31 korrikut, në përkujtim të masakrës së Previsë, në një darkë të shtruar nga pasardhësit e familjes Çelaj, këngë me çifteli e kënduar nga vëllezërit Hasan e Xhemajl Qetaj të sillte para syve, masakrën e malazezëve ndaj popullsisë shqiptare vetëm pak muaj pasi perandoria osmane kishte dorëzuar territoret shqiptare tek malazezët. Këngët janë një nga mënyrat e shqiptarëve, kudo ku kanë jetuar, për të shkruar historinë e tyre, por edhe për t’ua trashëguar atë pasardhësve. Mesditën e të hënës, me 29 korrik, djali i Isuf Çelajt zbuloi bustin e të atit, vepër e skulptorit nga Tirana, Sadik Spahia. Memoriali qëndron në një ambient mes maleve e gjelbërimit, ideuar e dizenjuar nga artistët Ilir e Veli Blakçori nga Prishtina. Isuf Kamber Çelaj, ishte pasardhës i familjes Çelaj, një nga katër familjet e para të krahinës, bashkë me atë të Gjonbalajve, Ahmetajve, Ulajveve. Sipas gojëdhënës, të gjitha familjet rrjedhin nga Gjonbalajt, e ardhur nga zona e Malësisë së Shkodrës. Historia thotë se pas pushtimit italian, trojet shqiptare të Malit të Zi, si Plava e Gucia iu ribashkuan shtetit shqiptar, pas një kërkese të popullsisë shqiptare të zonës nëpërmjet një përfaqësie prej pesë anëtarësh në vitin 1941. Pjesë e këtij delegacioni që takoi kryeministrin shqiptar të kohës, Shefqet Vërlacin, ishte edhe Isuf Kamber Çelaj. Në vitin 1944, gjatë përpjekjeve të armatosur për të çuar kufirin shqiptar në Morinë, aty ku kishte qenë përpara vitit 1913, Isuf Kamber Çelaj mbeti i vrarë. Djali i tij, Elez Çelaj, thotë se e mban mend kur i ati kishte dalë në luftë i kishte thënë nënës: “Ma jep sahatin, dhe e vendosi në zemër. Këtu ka me më marrë plumbi!”. Ashtu siç e do tradita, emri trashëgohet brez pas brezi. Sot emrin e Isuf Kamber Çelajt, e trashëgon Isuf Zenel Çelaj, kushëri i dëshmorit të vrarë në mbrojtje të trojeve shqiptare në Plavë e Guci. Busti i Isuf Çelës është vendosur në rrugën kryesore të fshatit Vuthaj, me pamje nga kulla ku kishte jetuar ai vetë dhe të parët e tij brez pas brezi. Është pikërisht kulla, të cilën serbo- malazezët e kanë djegur tri herë nga viti 1912 deri në vitin 1920, e një herë në vitin 1940. Sadik Çelaj thotë se mban mend nga rrëfimet e babait e të parëve të tij se kulla, duhet të jetë rreth 250-vjeçare e sot e kësaj dite ajo qëndron e fortë në këmbë, ashtu siç ka qenë ditën e parë që është ndërtuar. Është gjurmë e historisë së shqiptarëve që banojnë në këto zona, që ashtu sikurse etërit, nuk e kanë mbyllur “luftën” për Plavën dhe Gucinë.
Posted on: Sun, 04 Aug 2013 22:15:36 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015