Lëmoshat e dhëna nga qytetarët nuk e shpëtuan nga ferri - TopicsExpress



          

Lëmoshat e dhëna nga qytetarët nuk e shpëtuan nga ferri 87-vjeçaren Sofie Qëndro, e cila së bashku me nipin e saj 67-vjeçar prej 6 javësh kaluan ditët dhe netët ashtu kruspull në një stol para Bashkisë së Durrësit. I ftohti i ditëve të fundit çoi drejt vdekjes të moshuarën, e cila dje mbërriti në gjendje kome në urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit. As lokalët dhe as biznesmenët e këtij qyteti nuk e vunë dorën në zemër për të gjetur një strehë për pleqtë e pafat që u përzunë pas 70 vitesh nga shtëpia e ish-pronarëve ku ata banonin. Edhe apeli i bërë afro tre javë më parë nga “Gazeta Shqiptare” për dramën e dy të pastrehëve ra në vesh të shurdhët. Përkundrazi, drejtuesit lokalë thjesht u “turpëruan” nga pamja mizerabël e atij stoli ku deri dje dergjej Sofia dhe vijon të dergjet nipi, i saj, Llazi. Ky i fundit pohon se kërkesës së tij për t’ju gjetur një barake ku të fusin kokën, kreu i bashkisë i është përgjigjur: “Largohuni prej andej se na keni nxirë faqen, është turp të qëndroni aty!”. Indiferenca totale ndaj dy jetëve njerëzore, bëri që 87-vjeçarja të arrinte deri aty sa të niste të jepte shpirt në stolin e rrethuar me kartona. Mesditën e djeshme, një autoambulancë dhe një furgon policie dërguan me barrelë të moshuarën për në spital. Mjekë të këtij spitali pohuan se Sofie Qëndro vuante nga një sërë sëmundjesh kronike të pakuruara, ndërsa pësoi dehidratim të trupit nga i ftohti dhe kequshqyerja. “I gjithë stafi është përkujdesur për Sofinë. Ajo ka reaguar, është përmendur, pasi erdhi në gjendje kome. Problemi është se nuk dimë ku ta çojmë më pas. Gjendja e saj shëndetësore është shumë e rëndë. Në urgjencë nuk e mbajmë dot, në lulishte nuk mund ta kthejmë, sepse ajo do përkujdesje dhe ngrohje”, thanë bluzat e bardha. Vetëm në orët e vona të mbrëmjes problemi “Sofia” u mbyll njëherë e mirë. Ajo ndërroi jetë pa mundur që të “ngushëllonte” nipin e saj. Ndërkohë, Llazi Qëndro, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” bën sërish apel për ndihmë. Ai tregon ferrin e ditë-netëve mbi stolin para bashkisë. Llazi sa kohë u bënë që u përkeqësua tezja juaj? Katër netët e fundit, sa nisi i ftohti, tezja ime nuk lëvizte më as ditën as natën. U ftoh shumë. Nuk i hapte më sytë, as hante dhe as ushqehej. Unë gjeta ca kartonë të mëdhenj dhe i vura në anë të stolit që të mbanin erën e ftohtë. Netët kanë qenë shumë të ftohta këto ditë, ndërsa ne qëndronim këtu. Ju e lajmëruat urgjencën që t’a merrte? Jo, tezja ishte duke dhënë shpirt dhe ishin disa kalimtarë që e morën urgjencën në telefon. Erdhën infermierët e hodhën në barrela. E kthyen nga vdekja. Ajo kishte ditë që nuk hante e nuk pinte më, ishte nisur për në atë botë. Ja kështu na lanë për faqe të zezë në mes të katër rrugëve. Tezen e pret në botën tjetër nëna ime që më la jetim që kërthinjë. Ajo ikën e shpëton nga kjo botë, por unë nuk di se çfarë do të bëj. Me siguri që dhe unë do të kem fatin e saj. Ju ka dhënë bashkia ndonjë alternativë për strehim? Këta të bashkisë nuk na kanë dhënë asnjë shpresë. E kam takuar disa herë kryetarin e bashkisë, i cili më tha: “Na keni nxirë faqen duke qëndruar në lulishte. Ikni prej andej, se është turp të qëndroni aty”. Ndërsa unë i thashë që të na gjente një barake ku të strehoheshim. Po tani çfarë do të bëni? Nuk e di, siç po ikën tezja në botën tjetër, ashtu do iki edhe unë nga i ftohti. Nuk kam si të shkoj as deri në spital, të marr vesh si u bë, pasi më vjedhin plaçkat që kam në lulishte. Unë kam edhe frikë të gdhihem natën këtu i vetëm. Sa ishte tezja qëndronim të dy, tani kërkoj të vdes edhe unë sa më shpejt. Cili është apeli juaj? Kërkoj një barake ku të fus kokën, pasi 100 mijë lekë të vjetra pension që marr unë, nuk të jep askush shtëpi me qira. Edhe kur të vdes, komunales i mbetet të më varrosë, sepse nuk kam asnjë të ardhur tjetër.
Posted on: Sun, 06 Oct 2013 06:58:11 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015