MEDICINA ALTERNATIVE Situata në Australi deri frik ka qenë - TopicsExpress



          

MEDICINA ALTERNATIVE Situata në Australi deri frik ka qenë tejet e ngjashme me atë në Britani të Madhe. Tash në shtetin Viktoria është në rrjedhë miratimi i ligjit me të cilin rregullohet aplikimi i mjekësisë alternative dhe duket se të gjitha terapitë alternative, përpos osteopatisë dhe hiropraktikës, do të jenë të shpallura të jashtëligjshme, e madje edhe këto dyja patjetër do të aplikohen nën kontrollin e rreptë mjekësor. Dhe meqë pjesa tjetër e Australisë rëndom përcjell shtetin kyç çfarë është Viktoria, duket sikur shumë shpejt mjekësinë alternative në Australi do tra presin kohë të vështira. Afrika e Jugut lehtë ka mundur të shkojë së njëjtës rrugë kur në vitin 1947 ka miratuar ligjet. Afrika e Jugut është dalluar me qëndrimin tejet represiv, por argumentet bindëse nga e tërë bota e kanë luhatur, ashtu që janë miratuar dy dispozita, njëra për ata që merren me homeopati, osteopati, natyropati dhe mjekësinë bimore, kurse tjetra për hiropraktikantët. Me rregulloren e parë pothuajse pranohet gjithçka që është në kufijtë e kuptimit. Në pjesën më të madhe të Evropës vlen parimi i hershëm i ligjit të Napoleonit i cili mohon tërë atë që ligji decidivisht nuk e ka shpallë të ligjshme. Në këto vende vetëm mjekët dhe personeli mjekësor mund të merren legalisht me medicinë. Në Francë, për shembull, nuk ekzistojnë ligje të cilat lejojnë punën me mjekësinë alternative (përpos mjekëve), por megjithatë tolerohet ekzistenca e 18.000 guerisers-ëve (shëruesve), për të cilët ka kërkesë të madhe në popull. Akuzat e kohëpaskohshme të mjekëve apo të pacientëve shkaktojnë thyerjen teknike të ligjit, por më së shpeshti asgjë nuk ndërmerret. Holanda, kantoni Apenzel në Zvicër (në pjesën tjetër të Zvicrës është e lejuar vetëm hiropraktika), Suedia, Belgjika dhe Norvegjia janë tolerante ndaj personave që merren me mjekësinë alternative, të cilët si edhe në Francë, punojnë ilegalisht. Shkaku i kësaj gjendjeje në kontinentin evropian mjekët ortodoksistë merren më së tepërmi, ta zëmë, me radiestezi, thjesht vetëm shkaku se në popull ka kërkesa, kurse të tjerët e kanë të ndaluar që të merren me të. Shumë kombe të reja të Afrikës kultivojnë mjekësinë tradicionale dhe atë alternative, por, siç kemi parë, shembulli më i mirë i veprimit paralel të mjekësisë tradicionale dhe asaj ortodoksiste mund të gjendet në Kinë. Në viti 1949, shërbimi ekzistues mjekësor ka qenë aq i pazhvilluar sa nuk ka mundur të përmbushë asnjë pjesëz të nevojave kolosale të këtij vendi. Me integrimin e sistemeve të mjekësisë tradicionale dhe të asaj perëndimore si dhe me stërvitjen e punëtorëve për mbrojtjen shëndetësore themelore, të njohur në popull si “mjekët këmbëzbathur”, i tërë vendi për një kohë të shkurtër pati mbrojtje shëndetësore të jashtëzakonshme. Në mbrojtjen shëndetësore u kyç përgjithësisht i tërë populli dhe njerëzit u mësuan të kujdesen për vetveten – fjala është për lëvizjen masive me të cilën u eliminuan katër brengat e tyre më të mëdha: minjtë, pleshtat, mushkonjat dhe tartabiqet. Kur të merret parasysh prirja e SHBA-së për eksperimentim me idetë e reja si dhe shpejtësia dhe suksesshmëria amerikane në aplikimin e risive, shumë njerëz çuditen pse SHBA-të nuk prijnë në botë me aplikimin e terapive alternative mjekësore. Situata, sakaq, është shumë e komplikuar për arsye se në shtete të ndryshme ligjet ndrysh e trajtojnë secilën prej këtyre terapive. Ligji gjerësisht e pranon osteopatinë, e cila kërkon përgatitje më të gjatë sesa mjekësia ortodoksiste; secili shtet ka akte ligjore të cilat i shkojnë në favor hiropraktikës; natyropatia është e lejuar në trembëdhjetë shtete. Profesioni mjekësor në Amerikë gjithnjë deri vonë ka qenë armiqësisht i disponuar ndaj terapive alternative (apo mjekësisë holistike, siç ajo quhet në SHBA, shkaku se merret përgjithësisht me personin), por, ballafaquar me interesimin e opinionit si dhe me presionin e rëndësishëm legal të terapeutëve alternativë, tani ky disponim po dobësohet. Vështirë të kalojë qoftë dhe një javë, e të mos lajmërohet ndonjë program televiziv apo ndonjë artikull në revista a gazeta, ku shprehet dëshpërim me mjekësinë ortodoksiste (e cila dominon në SHBA) dhe dëshira për qasje më humane. Me rritjen e interesimit për çështje të mjedisit dhe të ekologjisë, opinioni amerikan i është kthyer mjedisit të vet të brendshëm dhe më tepër se kurrë më parë është vetëdijesuar për rëndësinë e mënyrës së shëndoshë të jetës. Meqë në SHBA terapitë alternative kanë qenë aq gjatë në pamëshirësi, sot në ajër ndjehet shqetësimi i vërtetë dhe shpresa se në një të ardhme të afërt ligjet esencialisht kanë për të ndryshuar. Ka mjaft arsye për supozimin se kjo së frikti do të ndodhë, meqë shumë nga zyrtarët më të mëdhenj të Seksionit për Shëndetësi, Arsimim dhe Mbrojtje miratojnë mjekësinë holistike, gjë që ka mundur të vërehet edhe në konferencën kryesore për këtë problem, mbajtur në Vashington, të cilën e hapi njëri nga ta. E bija e ish-kryetarit Karter është mjeke dhe për të thuhet se ka dashamirësi ndaj mjekësisë holistike. Shoqata Amerikane e Mjekëve nuk ka marrë qëndrim zyrtar ndaj këtyre çështjeve, por përmendet se një përfaqësues i Shoqatës i pyetur për mendimin personal, ka thënë se Shoqata Amerikane e Mjekëve “miraton medicinën holistike sa edhe amësinë”. Ky qëndrim mjaft i ftohtë fillon ngadalë të zbutet, meqë numër gjithnjë e më i madh mjekësh të praktikës së përgjithshme tregon interesim për terapitë natyrore. Gjatë dhjetë vjetëve situata do të jetë shumë më e mirë. Industria farmaceuike gjithsesi do të paraqesë lob të fuqishëm kundër përhapjes së terapive alternative. Kjo pjesë e madhe (dhe, duke i marrë të gjitha para sysh, edhe me përgjegjësi të lartë e industrisë) prodhon të holla duke furnizuar popullin me ato që, sipas mendimit të tyre, ka nevojë – përafërsisht ashtu siç General Motors-i e furnizon me automobila. Fakti se disa njerëz vdesin në automobila nuk e pengon General Motorsi-in që t’i prodhojë, e as që do të duhej ta pengonte, ashtu siç tragjedia e shkaktuar me talidomid e as ndikimet e shumta sporadike të barit nuk do të duhej t’i ndalnin e as që i ndalin kompanitë farmaceutike të prodhojnë barna të reja edhe më të mira. Është shumë lehtë për ta kuptuar sesi do të ndjehej kompania për prodhimin e barnave po qe se do të lajmërohej një valë e re interesimi për terapitë natyrore, të cilat nuk shërbehen me barna. Megjithatë, kompanitë me kuptim etik dhe me shpirt novator do të gjenin mënyrë për të kompensuar të ardhurat e humbura nga tregu dhe në kuptimin financiar shpejt do të rehabilitoheshin. Industrisë farmaceutike gabimisht i ndahet roli i mashtrimtarit në mjekësinë ortodoksiste. Kjo s’është e drejtë. Njerëzit kanë mundësinë e zgjedhjes dhe shoqëria jonë perëndimore varet nga ajo sesa ata do të shërbehen me atë mundësi. Fatkeqësia është në faktin se njerëzit munden lirisht të zgjedhin sesi prej vetes të krijojnë njeri të sëmurë, por jo që nga vetja të krijojnë edhe njeri të shëndoshë. Në këtë libër flitet mbi atë se çfarë zgjedhjesh ekzistojnë. Asnjëra nga terapitë për të cilat flasim nuk mund të gjendet gjithkund, por ekziston tendenca që këto sot në Perëndim të përhapen. Nëse lidhjet tuaja personale nuk jua mundësojnë që të gjeni terapinë të cilën do të dëshironit ta provoni, kërkoni ndihmë prej mjekut apo ndonjë qendre shëndetësore. Disa organizata udhëheqëse kanë organet e tyre zyrtare dhe, për shembull, në Britani të Madhe, në Institutin për Mjekësi Komplementare, ekziston regjistri i terapeutëve të organizatave udhëheqëse, ashtu që opinioni dhe njerëzit e profesionit mjekësor munden lehtë të orientohen se ku gjendet terapeuti më i afërt. Personi i cili provon të zgjedhë terapeutin bën mirë në qoftë se i drejtohet ndonjërit prej këtyre organeve udhëheqëse. Revistat mbushullohen me artikuj mbi shëndetin dhe mënyrën e shëndetshme të jetës, e ndonjëherë edhe shpalljet mund t’ju udhëheqin deri tek terapeuti që ju nevojitet. Shpresojmë se nuk është larg dita kur do të mundeni haptas dhe pa frikë nga përqeshja të shkoni tek terapeuti sipas zgjedhjes suaj. Ka shenja që tregojnë se kjo pikërisht po ndodh, dhe atë gjithnjë e më tepër pas botimit të parë të këtij libri. Hulumtimet tregojnë se mjekët janë të kënaqur në qoftë se mund ta orientojnë pacientin tek terapeuti natyror që merret me ndonjërën nga pesë a gjashtë terapitë kryesore, dhe se edhe vetë kërkojnë ndihmën e tyre kur janë të sëmurë. Megjithatë, edhe pranë gjithë këtyre që thamë, ende është turp të shkosh tek terapeuti alternativ dhe shumë njerëz fshehin vizitat e tyre nga mjeku me frikë se këta mund t’ua shohin për të madhe. Mendoj se është dëm që është kështu. Së pari, mjekët do të duhej të ishin të vetëdijshëm për pasuksesshmërinë e veprimit shërues që aplikojnë dhe së dyti, në qoftë se përpjekjet e terapeutit natyror japin fryte dhe gjendja e të sëmurit përmirësohet, mjekët do të mund të konkludonin krejtësisht gabim se atë përmirësim e ka sjellë terapia e tyre. Duke luajtur rolin e mbrojtësit në mes të asaj çfarë mjekët dëshirojnë si dhe të asaj çka në të vërtetë bëjnë, njeriu i zakonshëm zgjat ndarjen në dy sisteme të mjekësisë. Pothuajse secili mjek ka listën e tregimeve tmerruese mbi atë se çka u ka ndodhur pacientëve në duart e “pseudomjekëve” të tmerrshëm, por numër i vogël i tyre ka listë suksesesh të “alternativës”, aty ku mjekët kanë dështuar. Natyrisht, është çështje juaja ta bindni veten se s’keni punë me pseudomjekët. Në botën e mjekësisë alternative ka shumë sharlatanë, mu ashtu siç ka dhe në botën e mjekësisë. Në secilën fushë të caktuar të mjekësisë alternative ka shumë pikëpamje të ndryshme. Pikërisht si në mjekësinë ortodoksiste, çdo gjë në masë të madhe varet prej asaj se kujt i drejtoheni. Kurdo që të jetë e mundur, udhëhiquni nga rekomandimi personal dhe në qoftë se mund të gjeni mjek specialist për mjekësinë alternative që ju duhet – madje edhe në qoftë se krejt rastësisht interesoheni për të – mendoj se është e dobishme ta vizitoni. Para së gjithash, ka gjasa më të mëdha që ai, duke iu falënderuar njohjes më të thellë të fushës së gjerë të fakteve medicinale, do të mundet më mirë ta vlerësojë problemin tuaj. Por personi me kualifikime medicinale nuk do të zbatojë në vepër domosdoshmërisht dhe më së miri vetë procedurën e shërimit. Mjekët padyshim nuk kanë monopol mbi fuqitë shëruese. Në të vërtetë, talenti shërues është shumë i përhapur - shumë më tepër sesa rëndom paramendohet – dhe shumë priftërinj, e madje edhe njerëz të zakonshëm kanë fuqi shëruese. Mjekët e mirë nuk do të duhej që vetëm të manipulonin shkathtësisht me njohuritë medicinale, por edhe të jenë shërues të mirë. Po qe se u jepet rasti, edhe shëruesit pa kualifikime mjekësore mund të jenë njësoj të suksesshëm. Dhe me të vërtetë, miliona njerëz anembanë botës kalojnë shumë mirë në duart e atyre shëruesve jo-medicinalë. Jam përpjekur që të jem sa më i sinqertë dhe sa më i hapur ndaj çdo terapie për të cilën bëhet fjalë në këtë libër. Të gjitha metodat mund të ofrojnë diçka, kurse shumë prej tyre, po qe se u jepet mundësia, mund të ofrojnë shumëçka. Kur, gjykuar sipas asaj që mund të kuptojmë, janë të padobishme, për këtë kam tërhequr vëmendjen. Megjithatë, konstatimet e këtij lloji nuk do të thotë domosdo që të jenë të sakta. Për shembull, kam provuar që përmes dijes sonë nga fiziologjia dhe nga kimia nukleare të shpjegoj sesi vepron akupunktura, gjegjësisht homeopatija. Mund të ndodhë që ajo të veprojë në sistem krejtësisht tjetër, por unë mund të shpjegoj vetëm në kuadër të kufijve të asaj që sot në botë është e njohur dhe e pranueshme. Lexuesi duhet ta ketë në mendje faktin se mjekët në të vërtetë nuk dinë sesi veprojnë një numër mjaft i madh veprimesh shërimi të mjekësisë ortodoksiste, e megjithatë me vite i aplikojnë kënaqshëm në miliona njerëz. Për shembull, gjithnjë deri para pesëmbëdhjetë vjetësh nuk është ditur sesi vepron aspirina, por kjo nuk ka penguar që për më tepër se shtatëdhjetë vjet të jetë bari më i shfrytëzuar në botë. Njerëzit duhet t’i ndryshojnë qëndrimet e tyre ndaj trajtave joortodoksiste të mjekësisë. Për çdo vit gjithnjë e më mirë e kuptojmë shpirtin dhe trupin e njeriut, dhe në këtë mënyrë më mirë e kuptojmë edhe kur vuan nga veprimet medicinale “të huaja” të shërimit. Ndërkohë, do të ishte shkatërrimtare kur së bashku me ujin e larjes do ta hidhnim edhe fëmijën dhe me mburrje tipike perëndimore të hidhnim diçka shkaku se “s’është e argumentuar” apo se “vështirë shpjegohet”. Deri tek kthesa vjen vetëm atëherë kur për terapitë mjekësore alternative fillojmë të mendojmë si për veprimet shëruese të klasës së parë dhe jo, siç sot është rasti në Perëndim, si për strehimoren e fundit “të mbeturinave” të cilat profesioni mjekësor nuk ka mundur t’i shërojë. Meqë vendet në zhvillim kanë pranuar mjekësinë perëndimore, numri më i madh i banorëve të rruzullit tokësor shfrytëzon anët më të mira - qoftë të mjekësisë tradicionale, qoftë të sistemit medicinal perëndimor. Vallë, pse edhe ne në Perëndim nuk do ta kishim këtë privilegj? VËREJTJE Ky nuk është libër për vetëndihmesë. Terapitë e paraqitura janë të sigurta vetëm në duart e terapeutit me përvojë dhe lexuesi asnjërën prej tyre nuk duhet vetë ta aplikojë. Kur kam pohuar se hulumtimet kanë dëshmuar se terapia e caktuar është e dobishme në gjendjet specifike medicinale apo në grup gjendjesh, nuk do të thotë se i kam premtuar lexuesit se ajo edhe tek ai do të shkaktojë efektet e dëshiruara. Një premtim i tillë do të ishte plotësisht i pakuptimtë, madje edhe sikur fjala të ishte për mjekësin perëndimore. Nëse keni ndonjë problem mjekësor së pari këshillohuni me mjekun tuaj dhe në qoftë se ai dhe kolegët e tij nuk mund t’ju ndihmojnë, atëherë shkoni tek personi i cili merret me terapitë alternative, por sipas mundësisë tek ai i cili ka po ashtu edhe shkollimin e mjekësisë ortodoksiste.
Posted on: Thu, 04 Jul 2013 23:35:19 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015