MUHARREM XHEDIKU - Kompozitori i tangos shqiptare Halil - TopicsExpress



          

MUHARREM XHEDIKU - Kompozitori i tangos shqiptare Halil Rama Sakip Cami Përse u harrua dhe u mohua për 50 vjet me radhë kompozitori Muharrem Xhediku? Muharrem Xhediku është një kompozitor që i përket gjeneratës së artistëve të viteve ‘40-‘60, por ai është pak i njohur, për shkak të vdekjes së tij të parakohshme dhe për shkak të heshtjes që u mbajt ndaj figurës së tij nga qarqet kulturore të kohës. Zall Dardha, vendi ku fëmijët lindin duke kënduar Zall Dardha quhet djepi i artistëve. Mund të duket e çuditshme, madje e pabesueshme, që ndryshe nga e gjithë bota, ku fëmijët lindin duke qarë, në Zall Dardhë të Dibrës fëmijët lindin duke “kënduar”, thotë Shaqir Çerpja, një nga publicistët e njohur nga Zall Dardha. S’ka si të shpjegohet ndryshe fakti që në këtë vend ka aq shumë artistë në raport me numrin e popullsisë. Ndodh kështu jo vetëm për efektet e trashëgimisë historike qëndrestare ndaj armiqve, por edhe për efektet e trashëgimisë kulturore folklorike. Në Zall Dardhë nuk ka shtëpi që nuk ka vegël muzikore popullore, fyell, çifteli, etj. Në këtë zonë lindën dhe u rritën njerëz që lanë gjurmë në muzikën etnike shqiptare si Muharrem Xhediku, Hazis Ndreu, Skënder Cala, Lirie Rasha, Qerim Sula, Caje Poleshi, Xhelal Çerpja, Sherif Dervishi, etj. Janë me dhjetra muzikantët, instrumentistët, valltarët, këngëtarët popullorë nga Zall Dardha që me kontributin e tyre jo vetëm kanë dhënë shfaqje në Zall Dardhë e Dibër, por edhe në mbarë Shqipërinë, madje në skenat më prestigjioze të Amerikës dhe të Europës. Pikërisht në këtë vend të mrekullueshëm, magjepsës, djep i artistëve, lindi, u rrit dhe u mëkua kompozitori Muharrem Xhediku. Nëna e tij e rriti duke i kënduar mbi krye ninulla trimërie, dashurie dhe bukurie. Edhe pse jeta i kishte rezervuar një fat të hidhur, pasi mbeti e ve shumë e re, ajo diti të gjejë forcën e të shpalosë gjithë dashurinë amësore tek bijtë e vet. Personaliteti, forca e shpirtit të saj u kthyen në burim frymëzimi për rritjen dhe konsolidimin e talentit te kompozitori i ardhshëm. Xhedikët, një fis me tradita të lashta atdhetare Sipas kujtimeve të Dr. Emin Xhedikut, (kushëri me kompozitorin Muharrem Xhediku), Xhedikët janë një fis me tradita shumë të lashta. Ata e kanë origjinën nga qyteti i Pejës së Kosovës dhe datojnë që para vitit 1430. Në vitin 1420, në Rrafshin e Dukagjinit u bë luftë e përgjakshme mes ushtrisë osmane dhe popullsisë vendase. Forcat osmane, për të nënshtruar kryengritësit, kapën rob dy udhëheqësit e kësaj kryengritjeje, dy vëllezërit Xhet dhe Dik Kreshniku. Por vëllezërit Xhet dhe Dik Kreshniku u bënë thirrje bashkëluftëtarëve të tyre që të mos e ndalnin luftën. Atëherë, osmanët vendosën që t’i interrnonin dy vëllezërit rebelë në Anadoll. Në malin e Nezhës së Lurës dhe në Qafë Tujanin e Dardhës, forcat osmane që shoqëronin vëllezërit Xhet dhe Dik Kreshniku ranë në pritë lufte nga dibranët, kryesisht dernjanë. Në këto luftime të përgjakshme, deri trup me trup, u vranë shumë njerëz, ndër ta pleq dhe fëmijë. Në këtë betejë, vëllezërit Kreshniku u shkëputën nga ushtria turke, u bashkuan me popullin e Dardhës dhe luftuan si luanë. Mbas betejës, atyre iu bë ftesë që të bëheshin banorë të Dardhës. Ata pranuan dhe ndërtuan shtëpitë në buzë të malit të Shkauranit. Edhe sot ky vend quhet ara e Xhedikut. Në Rrafshin e Dukagjinit, turqit nuk lanë asnjë gjurmë të Xhet e Dik Kreshnikut, por shuajtën çdo gjë. Në vendin mikpritës, Dardhë, ata krijuan shtëpi dhe familje. Xheta vdiq, ndërsa Dika u bë me një djalë që ia la emrin Xhedik, (bashkimi i emrave Xhet dhe Dik). Xhediku, djali i Xhetës vdiq i ri duke lënë dy djem, Kreshnikun dhe Bushin, të cilët morën për mbiemër emrin e gjyshit, Xhediku. Për punë ngatërresash me fiset e tjera shpërngulen në Sohodoll, pranë fushës së Kastriotit, ku ngritën shtëpitë dhe filluan jetën normale. Meqenëse ndiheshin të fyer nga shpërngulja e detyruar nga Nezha, 15 Xhedikë të armatosur kthehen përsëri në Nezhë dhe vendosen përfundimisht atje. Kështu fisi u nda në dy pjesë, në Nezhë dhe në Sohodoll, por janë vëllezër dhe nuk marrin e japin brenda fisit. Por edhe këtu, Xhedikët nuk e ndalën luftën kundër osmanllinjve. Kreshnik dhe Bush Xhediku me fëmijët e tyre, pasi bënë thirrje dhe gjetën përkrahje edhe nga Çajkëri, Kaca dhe Çera i ranë shtabit otoman që ndodhej në zonën e tyre. Bush Xhediku dhe Bush Çajkëri luftuan heroikisht dhe u vranë. Ata i varrosën në një varr si dy vëllezër. Kështu, Xhedikët me Çakëret, Kacet dhe Çeret u bënë vëllezër bese. Kreshnik Xhediku la Sokolin. Sokoli la katër djem, Demirin, Saliun, Sulën dhe Kurtin, të cilët e vazhduan luftën kundër turqve. Porta e lartë e Stambollit internoi në Turqi Imer Xhedikun, i cili vdiq atje. Ka edhe disa të dhëna të tjera që flasin për Xhedikët e Pejës. Xhediku i parë qe komandanti i parë i kalasë më të madhe të qytetit të Pejës. Po kështu edhe Xhediku i dytë dhe i tretë. Kjo pronësi apo e drejtë komandimi njihej me dekret nga Porta e Lartë e Stambollit. Xhedikut të Pejës, pra komandantit të qytetit të Pejës që nuk po i bindej Portës së Lartë për t’i dhënë taksa dhe ushtarë, Perandoria Osmane, me urdhër të Sulltan Mehmetit të dytë, i mori peng djalin e madh, Ahmetin. Ahmeti u bë jeniçer dhe bëri shkollën e jeniçerëve në Turqi, ku u shqua për rezultate të larta. Në fillim u bë oficer i thjeshtë, por pastaj shkallë pas shkalle, gradë pas grade, në vitin 1472 u bë general (pasha). Si pasha të zotin, Ahmet pashë Xhedikun e dërgonin në betejat më të vështira jashtë Turqisë, atje ku kishte fortesa më të mëdha. Në vitin 1474, për merita lufte, merr titullin “Vezir” dhe në vitin 1475 merr titullin “Vezir i Madh”, kryegjeneral i ushtrisë osmane. Por Ahmet Pashë Xhediku nuk iu bind Sulltanit për pushtime në Shqipëri dhe konkretisht në Shkodër, prandaj ai organizoi vrasjen e tij më 1487 si dhe të dhëndrrit e të vjehrrit të tij. Në këto kushte, vëllai i Ahmetit, Ismaili shpëngulet nga Peja dhe vendoset në Dardhë të Dibrës, në katundin Tarte, në vendin e quajtur Shkaurra, ku edhe sot gjendet një arë me emrin “Ara e Xhedikut”. Këtu, Xhediku ndërtoi kullat dhe ringriti pasurinë. Ai u priu të gjithë fiseve për të mos iu nënshtruar pushtimit osman deri në ndërtimin në Lashkizë të Kalasë së Zhugjrit. Mësimet e para dhe varfëria e tejskajshme Muharremi shkollën fillore e mbaroi pranë strehës vorfnore në Tiranë. Përveç bukës së përditshme, aty arriti të siguronte mundësi që i hapnin rrugë për t’u njohur me botën muzikore dhe që në fillim u vu re talenti i tij. Në kryeqytetin e atyre viteve, familja e tij bëri një jetë të mundimshme dhe si pasojë Muharremi u rrit në varfëri. Kërkoi të shkonte për studime, sepse e ndjente që vetëm shkollimi mund ta zhvillonte më tej talentin e tij, të ushqyer e mirëmbajtur nga dëshira dhe pasioni, por nuk mundi të siguronte bursë studimi. Duhet theksuar se dallimi klasor i ka shoqëruar njerëzit ndër shekuj, kështu që Muharremit do t’i privohej dëshira e zjarrtë për studime pikërisht pasi ishte i varfër dhe nuk mund t’i paguante dot. Në vitin 1933, Muharremi arriti të siguronte një punë në një ndërmarrje italiane, por edhe aty pati shkurtime dhe ai u shkrua i pari në listat e atyre që duhet të linin punën. Mllefi i Muharremit për gjendjen e tij të mjerë ekonomike po rritej gjithmonë e më tepër. Pjekuria e moshës dhe ndërgjegjësimi i tij bën që ai të kalonte në kampin tjetër, ku rreshtoheshin të pakënaqurit ndaj regjimit monarkist. Ai kritikonte dhe stigmatizonte regjimin e kohës që e kish pllakosur vendin në varfëri ndaj ky ishte shkaku që regjimi e burgosi atë disa herë. Herën e fundit arriti të dalë nga burgu duke e thyer atë. Në vitin 1937, ai u shpall nga mbretëria si element i rrezikshëm dhe u burgos. Arratisja nga burgu zogist Edhe në burg ai i binte çiftelisë dhe këndonte këngët e bukura dibrane dhe të Veriut. Një gardian nga Mati i pëlqente shumë këngët e tij. Në heshtje dhe fshehtësi njëherë i afrohet dhe i thotë: “Mor djalë, ti paske zanat fort të bukur, e qitke lek nëpër dasma, prandaj sillu mirë, dil prej burgu dhe merru me muzikë.” Po kështu edhe shumë gardianë të tjerë gjatë turnit të tyre afroheshin pranë dritarës së qelisë së Muharremit dhe dëgjonin muzikë popullore. Por fati nuk kishte vendosur ta përkëdhelte akoma Muharremin, prandaj në bazë të akt akuzës ai do të dënohej me 20 vjet burg, prandaj rruga e vetme e shpëtimit ishte arratisja nga burgu dhe largimi për në Itali, për të ndjekur ëndrrën e tij të bukur, shkollimin për muzikë. Një natë para se të dilte në gjyq, një shok i dërgoi një pako me ushqime. Brenda pakos ishte futur një ibrik me kos ndërsa në fund një sharrë hekuri dhe një kastravec në mesin e të cilit fshihej lima e hekurit. Shoku e porositi: “Kujdes, se kosi është i hollë, por merr nga fundi! Edhe kastraveci është pak i vjetër, por ti haji zemrën! Po nuk e konsumove ushqimin sonte, nesër nuk do të sjellim më gjë.” Muharremi e kuptoi në çast se porosia e tij kishte ardhur. Gardianët nuk e kontrolluan ushqimin e këngëtarit të tyre të preferuar. Muharremi kërkoi të shkonte në banjë nga mesi i natës dhe atje u mbyll brenda, derisa arriti që të sharrojë hekurat e dritareve të banjës dhe të arratisej nga banja, e cila nuk vëzhgohej nga rojet. Pas pak, në burg u dha alarmi. U rrethua edhe pjesa në periferi të burgut. Muharremi ndodhej pikërisht tek Bregu i Lumit. Për t’u shpëtuar të shtënave të rojeve dhe ndjekjes së tyre hidhet në lumë dhe bën sikur mbytet. Në fakt gjen një tub llastiku të cilin arrin ta mbajë në gojë dhe ta nxjerrë mbi ujë. Kështu ai arriti të mbijetojë. Ndërsa xhandarët dhanë lajmin se Muharremi ishte mbytur dhe dërguan lajmin në shtëpi. Nënë Sudja e mjerë në barrakën e vogël shpalli vdekjen e djalit dhe njoftoi të afërmit në Dibër. Milicët kishin hapur lajmin se kafshët ia kishin copëtuar kufomën dhe nëna e vajtoi djalin për së gjalli pa kufomë. Muslimani që u konvertua në prift - Studimet në kolegjin jezuit të Shkodrës Muharremi arriti të shpëtojë dhe të mbijetojë pas rënies në lumë. Ai arriti të vishet si fshatar, por vendosi të mos kthehej më në shtëpi, por të udhëtonte drejt Shkodrës. Udhëtimi zgjati 5 ditë, rrugë e pa rrugë. Kudo që kaloi, ai hasi në bujarinë e njerëzve, të fshatarëve lezhianë dhe të shkodranëve. Pasi punoi për një farë kohe si karrocier për shpërndarjen e qymyrit nëpër shtëpitë e qytetit të Shkodrës, me emrin Martin Mirashi dhe me dokumenta të rreme të një shoku, futet në kolegjin jezuit të Shkodrës. Mundësia që arriti të futej në këtë kolegj ishte se fare rastësisht ai shpëton jetën e nipit të drejtorit të kolegjit, i cili ra nga një pemë. Por emri Martin Muharremi iu fiksua si një emër i dytë, si një emër i dashur. Edhe sot, një nga nipat e Muharremit jo rastësisht mban emrin Martin, që është një nga amanetet e tij. Studimet teologjike në Itali Pas tre vjetësh, kolegjin e mbaroi shkëlqyeshëm dhe u diplomua si prift. Drejtori i këtij kolegji, që e kishte shumë për zemër Muharremin (Martinin) e ndihmoi të shkonte për studime teologjike në Itali, bursë nëpërmjet Vatikanit. Ishte ende i ri kur emigroi në Itali, ku u gjend nën përkujdesjen e një prifti i cili e bëri bir në shpirt. Edhe në kolegjin e lartë të jezuitëve të qytetit të Laningos u dallua për zell në mësime dhe zgjuarsi. Por në vitin e fundit të kolegjit, ai shpalos të vërtetën e fesë së tij dhe të bindjeve të tij që tani nuk ishin as muslimane dhe as katolike, por ateiste. Kjo dëshmi e hapur i solli mjaft pasoja të rënda pasi provoi përsëri privimin nga liria, por këtë herë duke vuajtur burgimin në Vatikan. Me ndihmën e Luçias, vajza e një pedagogu të jashtëm të tij, por që nuk jepte lëndë fetare, por shkencore, arriti të arratiset nga ky burg duke u veshur si murgeshë. Studimet në Konservatorin e Bolonjës Pas arratisjes nga burgu në Itali filloi jetën e vështirë të emigrantit ekonomik. Pa punë, pa përkrahje, i vetmuar dhe pa shpresë shkon në Siçili dhe fillon punë si kamerier. Punoi tre muaj dhe mori vlerësimin e pronarit të lokalit. Pronari i lokalit kishte një mik në Bolonja, i cili menaxhonte një lokal ku luhej muzikë dhe kërkonte një kitarist që të dinte gjuhë të huaja. Muharremi, me emrin italian Mario, shkon në Bolonja dhe konkuron për këtë vend pune. Fitoi jo vetëm punën si kamerier, por edhe si kryekamerier. Fati filloi t’i rezervonte vetëm surpriza të bukura Muharremit. Dukej sikur dimri i ftohtë, gri e plot acar po largohej nga jeta e tij dhe po vinte pranvera e bukur shumëngjyrëshe, e ngrohtë dhe gjithë blerim. Ajo që i jepte më zemër dhe e mbushte me shpresa pa fund Muharremin, ishte se pronari i lokalit administronte një konservator muzike. Muharremi (Mario) iu lut pronarit që të studionte për muzikë në këtë konservator jashtë orarit të punës dhe në fund t’iu nënshtrohej provimeve. Fati i hapi këtë herë plotësisht krahët për të. Edhe pse duhet të punonte, arriti të vazhdojë studimet në konservatorin e Bolonjës, duke shpalosur talentin. Muharremi pak nga pak filloi të zhytej në botën e mrekullueshme dhe plot emocion të muzikës, të gjigantëve të kësaj bote të magjishme që me veprat e tyre tronditën skenat mbarëbotërore dhe u bënë frymëzim për shumë ngjarje jetësore. Muharrem Xhediku e dashuronte pasionin e tij dhe pasioni ndiqte i lirshëm instinktet e talentit të ri, që po kultivohej dhe do të jepte frytet më vonë në kompozimet e mrekullueshme dhe shfaqjen si kitarist virtuoz. Nuk e pati të vështirë t’i mbaronte studimet e konservatorit me rezultate të larta. U diplomua në konservatorin e famshëm të Bolonjës dhe sigurisht që tani ndihej më krenar. Kthimi në Shqipëri Pas pushtimit italian të vendit, Muharremi vendosi të kthehej në Shqipëri. Ishte shpallur amnisti për të dënuarit e regjimit të Zogut. Ishte koha kur Shqipëria vuante nën thundrën e pushtuesit italian, ndërsa Muharremi kishte shtatë vjet që nuk e kishte parë familjen, e cila e konsideronte të zhdukur. Ai vendosi të kthehej në atdhe dhe të jepte kontributin e tij, tashmë si një intelektual profesionalisht i formuar. Gjendja ekonomike e Muharremit ishte përmirësuar dukshëm, pasi kishte grumbulluar të ardhura si kamerier, por sidomos duke ushtruar profesionin e muzikantit si kitarist në shumë lokale të Italisë. Pronarët e fundit italianë, të cilët e donin shumë, i kishin premtuar edhe një trashëgimi të vogël. Ata organizuan një mbrëmje përcjellëse për Muharremin apo Marion, ashtu sikurse e njihnin në ato mjedise. Pas darkës, pak metra larg lokalit dy persona e godasin dhe e mbërthejnë për t’i rrëmbyer paratë dhe dokumentat e trashëgimisë. E raportojnë se është shqiptar dhe se fshihet me emër të rremë. Të nesërmen, gazetat botojnë në kronikën e zezë për një shqiptar që kishte mashtruar dhe ishte fshehur nën një emër italian. Kështu, Muharremi humbi edhe paratë, edhe atë trashëgimi të vogël të premtuar me akt noterial. Ëndrra e bukur për të u ndërpre përsëri në mes dhe tani duhet të luftonte me fatin, ta fillonte përsëri çdo gjë nga e para. I dërrmuar dhe i demoralizuar për çfarë i ndodhi, mori rrugën për t’u kthyer në Shqipëri përmes portit të Barit. Futet në një vapor mallrash që kishte ngarkuar qymyr dhe u nis për në atdheun e tij aq të dashur, që i mungonte prej kohësh. Me të arritur në Durrës, i pangrënë, i veshur keq dhe i lodhur, niset në këmbë drejt Tiranës, drejt “shtëpisë”, barrakës së vjetër ku e priste nënë Sudja. Ajo e dinte të vdekur, por thellë në zemër besonte se djali ishte gjallë. Xhandarët e kishin justifikuar mosdërgimin e trupit të vdekur të Muharremit tek shtëpia me pretekstin se e kishin dëmtuar kafshët. Nëpërmjet natës dhe mjegullës udhëtoi Muharremi drejt shtëpisë. Nënë Sudja kishte shtatë vjet që qëndronte krejt sy e veshë se një ditë apo natë do ta dëgjonte zërin e djalit të saj. Dhe mrekullia ndodhi. Ishte Muharremi që thërriste: “Nënë, hape derën, jam Muharremi.” Nënë Suden nuk e linte qeni të dëgjonte, por zërin e djalit të saj arriti ta dallonte. E pabesueshme, por e vërtetë!!! Mblodhi veten. Kishte shtatë vjet që e priste këtë çast. Kishte shtatë vjet që nuk besonte se djali kishte vdekur. Iu hodh në qafë. Pa fjalë, pa lotë, e hutuar, por e mrekulluar... - Aman, bir, mos u largo më nga nëna! Të kam dritë syri, mor bir. (foto.......) Kjo foto është pikërisht e vitit 1939, e momentit kur Muharremi u kthye nga Italia, pas shtatë vjetësh. Nga Porto Palermo në Dibër të Madhe Shpresat e djaloshit për të gjetur ndonjë punë, për të mbajtur veten dhe të ëmën ishin të pakta. Vëllai i tij Zeneli, në gjendje të sëmurë mezi mbante fëmijët e tij. Muharremi ishte në kulmin e moshës, 22 vjeç, për punë dhe për të realizuar ëndrrën e tij të kahershme, ushtrimin e profesionit të muzikantit. Kërkoi punë dhe gjeti në një ndërmarrje botuese si përkthyes, por vetëm për 6 muaj. Hapi vetë një zyrë përkthimi, por nuk e lejuan të punonte as 6 muaj. Gjendja e vështirë ekonomike, papunësia shoqërohej edhe me një hasmëri apo përndjekje nga kleri katolik për dokumentat e rreme që kishte paraqitur dhe për largimin nga shërbimi i fesë katolike. Në këto kushte largohet nga Tirana për në Dibër të Madhe, ku hap një zyrë përkthimi dhe një dyqan të vogël si cigareshitës. Pas 6 muajsh e merr vesh Halil Alia se Muharremi ishte në Dibër të Madhe dhe shkon ta takojë. Muharremi ishte nipi i Nel Alisë, por Neli me Halilin nuk shkonin mirë. Halili i propozon që të linin hasmëritë mënjanë dhe të bashkëpunonin. Ai i premtoi edhe për grada dhe ofiqe të larta, por Muharremi nuk pranoi. Ai vinte nga Italia dhe e njihte në thelb fashizmin italian. Vendimi i Muharremit ishte i prerë: “Unë i shërbej vetëm atdheut tim. Kam edhe një dëshirë timen personale që të merrem me muzikë...”. Dhe Halili me kapadaillëk i kishte thënë:” E pra, ti, nuk qenke Xhedik, por ahengxhi!”. Në Dibër të Madhe, Muharremi lidhet me shokët që kishte patur në internim, në Porto Palermo. Ata e këshilluan që të shfrytëzonte aftësitë e tij për gjuhë të huaja dhe të futej në një zyrë shtetërore, por Muharremi nuk kishte njeri që të futej garant për të. Në varr për së gjalli Një natë, kur po futej në shtëpinë ku banonte, dy njerëz të armatosur e kapin dhe arrestojnë. Të nesërmen merret në pyetje në kuesturën fashiste. E pyesin se kë njeh në Dibër nga personalitetet ushtarake dhe civile vendore. Muharremi përgjigjet se njeh Halil Alinë. Por Halil Alia, kur njoftohet nga kuestura fashiste e mohon Muharremin duke thënë se nuk e njeh, se nuk ka të bëjë me të, se ky person nuk është dibran, por është nga Tirana dhe se autoritetet duhet të mos e lëshojnë pa e verifikuar mirë. Qëndroi tridhjetë e pesë ditë në arrest, me tortura dhe i mbytur në ankth, kurse ditën e tridhjetë e gjashtë e fusin në një makinë të mbyllur, të lidhur këmbë e duar dhe e ndalojnë diku andej buzë Korabit. Ishte buzë përroi, greminë. I zgjidhën sytë dhe i thanë: “Tani bëje varrin vetë!” Kështu na kanë urdhëruar. Ti do të varrosesh i gjallë!”. Muharremi punoi me një kazëm dhe një lopatë për shtatë ditë me radhë me dy ushtarakët e armatosur mbi kokë, që herë flisnin shqip dhe herë anglisht. Në ditën e shtatë arriti të hapte një gropë të madhe 2 metra të gjatë dhe po aq të thellë. I jepnin ushqim sa për të mbajtur shpirtin gjallë dhe për të punuar, për të mos vdekur nga mosushqyerja dhe puna. Në ditën e tetë i kërkuan përsëri kompromis për bashkëpunim. I dhanë 48 orë kohë për t’u menduar. Sigurisht, kjo kohë ishte vetëm për t’u menduar, pa ushqim, pa cigare. Pas kufirit kohor, dy ushtarakët u kthyen dhe e pyetën nëse kishte reflektuar. Muharremi u tha se nuk kishte parë e dëgjuar të torturohej njeriu pa faj dhe pa shkak. Ai firmosi në letër të bardhë se nuk kishte asgjë për të thënë dhe për të bashkëpunuar. - Paç veten në qafë, e kërcënuan dy ushtarakët e armatosur. Dy ushtarakë të tjerë e hypën të lidhur në një makinë të mbyllur dhe u nisën. Një nga ushtarakët rrinte përpara me shoferin dhe njëri rrinte prapa në karroceri dhe ruante Muharremin. Rruga ishte shumë e keqe, gropa-gropa. Makina tundej shumë dhe ushtaraku që ishte lart në karroceri nuk duroi më, por e ndaloi makinën dhe kërkoi që edhe ai të rrinte përpara. Mbeti vetëm. Në një kthesë Muharremi pa se dera ishte e hapur. Nuk mund të jepte dot shpjegim nëse u hap vetë nga tronditjet e makinës në rrugë apo e harroi oficeri fashist, por Muharremi menjëherë filloi të përpunonte me shpejtësi mundësinë e hedhjes nga makina. Shtyu derën e makinës me këmbë dhe në një kthesë të padukshme u hodh. Ra poshtë pothuajse i vdekur, por me vështrimin dhe frikën në se e panë apo jo nga pasqyra, nëse do të ndalej makina apo jo. Makina nuk ndaloi, por eci nëpër atë rrugë të keqe kalldrëmi. Duke u rrokullisur, Muharremi i afrohet një zgavre shkëmbore. Më mirë të vdes këtu se të më pushkatojnë fashistët, mendoi Muharremi i rraskapitur dhe i lodhur deri në vdekje. E kishte kapur gjumi menjëherë dhe vetëm të nesërmen në drekë u zgjua nga një e lehur qeni. Një bari me një tufë dhish kishte kaluar aty dhe qeni kishte diktuar erën e njeriut gjysmë të vdekur. Bariu me pushkë në dorë afrohet me ndrojtje drejt zgavrës. Muharremit i kishte rënë të fikët nga lodhja, mosushqyerja dhe tmerret që kishte përjetuar. Bariu i kishte hedhur një grusht me ujë të ftohtë dhe ai ishte përmendur. Pasi kishte ardhur në vete, njeriu që po i jepte ndihmën për të shpëtuar i ofroi pak bukë misri nga torba e tij, speca, gjizë dhe turshi. Muharremi, vetëm pasi e kishte vënë në besë bariun, i kishte treguar për ngjarjen që kishte kaluar dhe për varrin e hapur. - Dëgjo, i tha bariu. Ti nuk duhet të lëvizësh prej këtu, sepse jo më larg se tek ajo gorica në majë të kodrës është një skuadër që ruan me armë në dorë dhe është vënë në kërkimin tënd. Makina është larguar, por ata nuk largohen, derisa të të gjejnë. Kanë vënë edhe lajmërim në fshat për ty. Bariu i solli përsëri ushqim nga shtëpia dhe e shoqëroi drejt kufirit të Qafë-Thanës. Për Muharremin filloi një rrugëtim tjetër i gjatë e i vështirë, por këtë herë drejt Kosovës. Në Kosovë Pas 25 ditë dhe netë udhëtimi, rrugë e pa rrugë nëpër male, arriti në Prishtinë tek Ivan Tomasheviqi, për të cilin kishte patur një rekomandim nga Alush Zari, me të cilin kishte patur lidhje që në Tiranë. Ivani e pranoi në shtëpi, i ofroi strehim dhe e ndihmoi të punonte si përkthyes në Dhomën e Tregtisë. Më vonë, Muharremi arrin të futet si nëpunës, protokollist-arkivist në zyrat e pushtetit fashist në Prishtinë. Ai njihte disa gjuhë të huaja dhe kjo e ndihmonte në punën e tij. Megjithatë, ai ishte kurdoherë në vëzhgim. Në vitin 1943, një spiun kishte dorëzuar një listë për burgosjen e 92 shokëve kosovarë në Federalin e Ferizajt. Muharremi njoftoi shokët dhe ata arritën që të shpëtonin. Ai ndiqej në çdo hap që hidhte dhe nga shkonte. Këtë e ndjente edhe vetë, prandaj, pasi e gjurmoi, vendosi që spiunin Alush Agai ta qëllonte për ta vrarë, por nuk arriti ta vrasë. Pas këtij atentati, shtatë karabinierë e rrethuan, e kapën dhe në tetor 1943 e burgosën në kampin e Prishtinës. Në kampin e internimit në Prishtinë Kampi i internimit në Prishtinë nuk ishte kamp, por burg dhe kaluar burgut. Ai ishte i rrethuar me tela me gjemba. Qëndroi në këtë kamp internimi deri në qershor të vitit 1944, kohë kur arriti të arratisej nëpërmjet kanalit të ujërave të zeza të kampit, që kishte dalje në qytet. Udhëtoi një muaj rresht nëpër malet dhe fshatrat e Kosovës, deri sa mbërriti në fshatrat e Dibrës. Dashuria me Jelicën Jelica. Një emër, një dashuri, një ëndërr, një këngë, një shpresë, një gëzim, një hidhërim, një vuajtje... Një femër jo si të gjitha femrat, një vajzë e veçantë që ia ngriti peshë zemrën që në momentin që e pa për herë të parë. Pikërisht, atëherë kur shpresat ishin ndërprerë, u shfaq ajo, Jelica, vajza malazeze. Ajo ishte e bija e kryegardianit të burgut. Ajo hynte e dilte në kamp për të takuar të atin. Ishte vetëm 16 vjeçe dhe babai e kishte dritë të syrit. Një ditë u takuan rastësisht në oborrin e kampit Jelica, malazezja 16- vjeçare, e bija e komandantit të kampit dhe Muharremi, i burgosuri shqiptar, që nuk pajtohej me asnjë regjim e padrejtësi. Muharremi, ky muzikant i lindur që prodhonte dashuri me sy, zemër, buzë, me këngë dhe me kitarën që s’e ndante asnjëherë, e tërhoqi si një magnet vajzën që dukej sikur kishte dalë nga bota e personazheve të një përralle të bukur. (Foto me Jelicën) Mjafton të shohësh këtë fotografi, ku Muharremi ka dalë si partizan bashkë me Jelicën dhe të bindesh se si fati përsëri i ishte treguar zemërgjerë, duke i dhuruar si shpirt binjak këtë bukuroshe që të linte pa fjalë me bukurinë e saj plot rrezatim. Vajza malazeze kishte zgjedhur për shok jete djaloshin shqiptar, muzikantin e shkolluar në konservatorin italian. Ajo ishte një bukuri mesdhetare, ku Zoti, skulptori i vetëm i natyrës dhe i gjithësisë e kishte gdhendur plot dashuri. Përsosmëria e saj dukej tek balli i gjerë, sytë e shkruar, trupi plot forma të rrumbullakta, me një simetri të habitshme. Por jo më larg saj qëndronte Muharremi, që mbi të gjitha të bënte për vete me fjalët e ngrohta, që i dilnin nga goja si një simfoni e ëmbël. Kështu ndodhi edhe me Jelicën. Sapo e pa Muharremin, i rrahu fort zemra, kraharori sa nuk i doli nga vendi, truri iu turbullua nga dashuria. Çdo ditë nuk mund të kalonte pa u takuar, pa u parë. Muharremi, për këtë vajzë të bukur që më vonë do të bëhej gruaja e tij, kompozoi këngën e famshme “Jelica”. Arratisja nga kampi nazist Për bashkimin e tyre mendoi vajza e bukur malazeze. Ajo përgatiti një plan të shkëlqyer arratisjeje që do ta kishte zili edhe një oficer i përgatitur i shërbimeve sekrete. Dy të rinjtë arritën të arratisen nga kampi me ndihmën e Alush Zeqirit, që u tregoi dhe i ndihmoi të kalonin nëpërmjet kanalit të ujërave të zeza të kampit, i cili kishte dalje në qytet. Një kalvar i papërshkruar vuajtjesh edhe rruga përgjatë këtij kanali të ngushtë e të qelbur, por nuk kishte gjë që i ndalte dy të rinjtë e dashuruar. Vetëm një ditë për t’u çmallur në shtëpinë ku kishte lindur, në Nezhë Sapo iu afruan Dibrës, e tërhoqi si magnet vendlindja. Një mall i papërshkruar i pushtoi kraharorin. Kur po i afrohej portës së shtëpisë së vjetër, ku kishte lindur, i turret qeni i shtëpisë. Nënë Ahmedija (gjyshja e Muharremit) vrapon të ndalojë qenin. Ajo së bashku me Sylbijen po kositnin jonxhën. - Oj nanë Ahmedija, mos e nga qenin se ai nuk më han mua, se nuk e han njeriun e shtëpisë. Dhe me të vërtetë, qeni iu lëshua për t’iu përkëdhelur tek këmbët e jo për ta ngrënë. Muharremi u përqafua me nënë Ahmedijen. Kishin kohë pa u parë. Ishin përmalluar, aq më tepër që ishte kohë lufte dhe meraku ishte tepër i madh. Muharremi ndjente mall për çdo qoshe të shtëpisë. I shijoi aq shumë dhalla e freskët e gjyshes së tij, ndërsa e shikonte me mall atë grua të fortë si lisi. Sylbija po përgatiste shpejt e shpejt një petë të ngrohtë me miell misri, kur ai së bashku me nënë Ahmedijen dolën në qafeleze për të parë me sy dhe me dylbi. Sa i bukur dukej Korabi! Ç’panoramë mahnitëse të shfaqte Drini dhe lugina e tij! Këtë vend të bekuar do ta bëjmë edhe më të begatë, i thoshte Muharremi nënë Ahmedijes tek shikonte pemët e mbjella nga dora e të atit, Hajredinit. Mblodhi një tufë me lule mali, u afrua pranë varreve familjare dhe respektoi të parin varrin e xhaxhait të tij, Shaqirit. Të nesërmen, Muharremi shkoi në Sllatinë ku do të formohej Brigada e 18-të Sulmuese. Partizan në Brigadën e 18-të Sulmuese Muharremi së bashku me Jelicën (tashmë bashkëshorten e tij) inkuadrohen në Brigadën e 18-të, ku shërbeu në sektorin e propagandës dhe dha një ndihmesë të jashtëzakonshme në korin partizan. Muharrem Xhediku njehsohet me ata kompozitorë partizanë që krijuan këngë, himne dhe balada për Luftën Nacionalçlirimtare siç ishin Dhora Leka, Paparisto, Jakova, Avrazi, etj. Ndërsa bashkëshortja e tij, Jelica, dha një kontribut të madh si infermiere për mjekimin e të plagosurve të Brigadës. Muharremi mban Medaljen e Çlirimit për pjesëmarrje me armë në dorë në rreshtat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Miço Kallamata, kuadër i Brigadës së 18-të Sulmuese, shkrimtar, në kujtimet e tij shkruan: “Muharrem Xhediku ishte një partizan dhe kuadër shembullor i Brigadës. Ai kryente me përpikmëri të gjitha detyrat e ngarkuara, duke luftuar me pushkë, penë dhe kitarë.” Sëmundja e rëndë, pasojë e vuajtjeve të luftës, e shkëputi nga gjiri i artistëve të Shqipërisë në kulmin e jetës dhe të krijimtarisë së tij artistike, që po njihte veç progres. Sëmundja e rëndë Në dhjetor të vitit 1944 e deri në janar të vitit 1945 sëmuret rëndë nga tuberkulozi dhe ftohja e rëndë që kishte marrë maleve, burgjeve e internimeve dhe kurohet në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Pas daljes nga spitali, aktivizohet me Ansamblin e Ushtrisë ku qëndroi deri në maj të vitit 1946. Nga viti 1946 rimobilizohet dhe shkon me shërbim në Korçë. Përsëri sëmuret dhe detyrohet përfundimisht të largohet nga ushtria për arsye shëndetësore. Për rreth dy vjet kurohet në spitalin e Tiranës dhe pas daljes nga spitali fillon si kitarist në Orkestrën e Teatrit Popullor, që më vonë kthehet në Filarmoninë e Tiranës. I besohet detyra e përgjegjësit të orkestrës së Estradës së Tiranës. Por Muharremi tani kishte një armik edhe më të egër se ai i luftës, këtë herë brenda trupit të vet, sëmundjen e rëndë të tuberkulozit. Edhe pse ndihej i ligësht prej sëmundjes, ai gjente forcën e madhe për të mos u dorëzuar tek muzika, ilaçi dhe ushqimi shpirtëror Ndarja me Jelicën Me kalimin e viteve, jeta e vështirë që kishte kaluar që në fëmijëri dhe rini, të ftohtët që kishte marrë në internim, maleve duke luftuar, burgjeve duke mbijetuar bënë që të shfaqej sëmundja e tuberkulozit, që do ta mundonte pjesën tjetër të mbetur të jetës. Ndoshta ishte ky shkaku që martesa e tij me Jelicën, që mbeti dashuria e tij e vetme e vërtetë, të merrte fund. Ndarjen me Jelicën e përjetoi në mënyrë dramatike. Por shkaku i vërtetë i ndarjes me Jelicën nuk ishte sëmundja e Muharremit. Jelica ishte një grua e rrallë, e dashuruar marrëzisht me Muharremin, i shërbente si një fëmie; e puthte, e lante, e ndërronte, i rrinte mbi kokë, e shihte në dritë të syrit. Por cili ishte shkaku i vërtetë i ndarjes me Jelicën, me këtë dashuri që i ngjasonte rrezes së diellit pas shtrëngatës?! Shkaku i vërtetë, në bazë të hulumtimeve tona dhe sipas dëshmive të personave që e kanë njohur nga afër çiftin që ngjallte zili, ishin thashethemet. Opinioni i keq i kohës për gratë me kombësi të huaj, presioni që bëhej nga partia-shtet e asaj kohe dhe ish-Sigurimi famëkeq i Shtetit, që i shikonin femrat e huaja si agjente, si kundërshtare të regjimit komunist nuk e kurseu as Jelicën bukuroshe. Në sanatoriumin e shtetit në Tiranë ku shërbente Jelica dhe ku kurohej të shumtën e kohës Muharremi, punonte edhe Dr. Kalvari, një mjek serb, të cilin e akuzuan për marrëdhënie me Jelicën, gjë që nuk ishte kurrë e vërtetë, pasi Jelica dashuronte marrëzisht Muharremin. Edhe familjarët e rrethi i ngushtë i miqve të Muharremit e mbrojtën me forcë e vërtetësi figurën e nuses së huaj, por opinioni dhe mjedisi i mykur patriarkal ishte tepër mbytës. Fjalët e liga e bënë punën e tyre. Ato ranë si bomba mbi trurin dhe zemrën e Muharremit të sëmurë, i cili thellë në ndërgjegje ishte i bindur për pafajësinë e gruas së tij. Tashmë fuqitë, të prangosura prej avancimit të sëmundjes, po e linin dhe ai nuk mund ta përballonte dot presionin dashakeqës, kështu që pranoi të ndahej nga dashuria e vetme dhe e vërtetë e jetës së tij. Martesa me Cajen, vajzën nga Shijaku Megjithë dhimbjen që i shkaktoi ndarja me Jelicën dhe sëmundjen e rëndë, ai gjeti forca ta vazhdonte jetën. Në vitin 1947, ndonëse i sëmurë me tuberkuloz, martohet me një vajzë të thjeshtë nga Sukthi (Shijaku), Hafsa Mustafa Dervishin (Cajen). Me Cajen e njohu vajza e vëllait, Xhibja, që e kishte komshie. Caja ishte dhe mbeti një grua besnike që i qëndroi pranë deri në çastet e fundit të jetës. Së bashku me gruan e tij të re, ai ndërmori një turne që do të zgjaste në viset veriore të Shqipërisë, veçanërisht në Dibër dhe në vendlindjen e tij Zall Dardhë. Ai mblodhi dhe përpunoi dhjetra këngë e valle popullore, të cilat i vuri me sukses në skenë, (deri në skenat e Europës dhe të botës, në vendet e Europës Lindore dhe në Lindjen e largët, Kinë). Por fatin e keq, përveç disa çasteve të lumtura, duket se e kishte bashkudhëtar. Ai nuk pati kurrë fëmijë. Ai nuk dëgjoi fjalën e ëmbël baba dhe kurrë nuk iu realizua dëshira që i kishte munguar që kërthi, të provonte të jepte e të merrte ngrohtësi e dashuri atërore. Muharremin e gëzonin e ia mbushnin shpirtin dy djemtë e vëllait, Zenelit, Hajredini që trashëgoi emrin e babait të kompozitorit dhe Besniku. Tre dashuritë e mëdha të Muharrem Xhedikut Kompozitori i talentuar Muharrem Xhediku pati në jetë tre dashuri të mëdha: muzikën, Jelicën dhe fëmijët e të vëllait, duke i lënë një vend të rëndësishëm edhe Cajës, shoqes së tij që e ndoqi hap pas hapi pa e braktisur asnjëherë. Ai vdiq më 21 Nëntor 1959. Vdekja ia rrëmbeu jetën në kulmin e krijimtarisë së tij, megjithatë ai ka lënë pas një trashëgimi shumë të madhe artistike, e cila ngjan me një aisberg që vetëm majën i ke parë. (foto nga varri i tij....) Vlerat muzikore që na la trashëgim kompozitori Xhediku Megjithëse vdiq në moshë të re, Muharrem Xhediku do të mbetet një nga baballarët e kultivimit të muzikës së lehtë shqiptare. Pas çlirimit, atij iu besua krijimi i filarmonisë shqiptare. Punoi si drejtues në korin e ushtrisë dhe është drejtori i parë i filarmonisë shqiptare, megjithëse është e papranueshme mospërmendja e këtij fakti. Ai ka shërbyer edhe si pedagog në shkollën e parë të muzikës në Tiranë. Në të njëjtën kohë iu kushtua kompozimeve të këngëve të muzikës së lehtë dhe përpunimit të këngëve burimore, duke u bërë një ndër kompozitorët më të adhuruar të kohës. Ka marrë pjesë në koncertet dhe festivalet e kohës me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore brenda dhe jashtë vendit. E veçanta e kompozimit të tij ishte se ai i shkruante vetë tekstet dhe i kompozonte mbi bazën e tabanit tonë kombëtar. Këngët si "Falmi sytë e shkru", "Engjëllushes", "Matura", "Jelica", etj. kanë mbetur edhe sot në kujtesën e asaj gjenerate si këngët me motivet më të bukura plot pasion të dashurisë. Është me të vërtetë kënaqësi kur dëgjon sot nga goja e këngëtarit të mirënjohur Aleksandër Gjoka këngën e riorkestruar nga Edmond Zhulali “Falmi sytë e shkru”. Teksa dëgjon këtë këngë hit në ato vite, që u ka rezistuar kohëve për vetë forcën e poezisë dhe ëmbëlsisë së muzikalitetit, bindesh për talentin e Muharrem Xhedikut, pinjollit nga treva e artistëve, sikurse është quajtur me të drejtë Zall Dardha e Dibrës. Krahas muzikës së lehtë, ai kompozoi edhe këngë popullore si: “Cuca e Radomirës”, “Hajde shpirt se erdh pranvera”, “Te kroni”, etj. Mrekullohesh kur dëgjon nga Eranda Libohova këngën “Cuca e Radomirës”. Xhediku është kompozitori i parë që solli me profesionalizëm ritmet e muzikës së lehtë, sidomos të tangos në Shqipëri. Ai shkroi dhe kompozoi në të gjitha gjinitë e muzikës, jo vetëm këngë, por edhe romanca, pjesë për koncerte, suita orkestrale, opereta, muzikë vallëzimi, etj. Tangot e tij këndohen dhe kërcehen edhe sot. Kemi dëgjuar në origjinal këngët e herëshme të Muharrem Xhedikut dhe jemi impresionuar. Kur dëgjon “Artistin e Popullit” Ramiz Kovaçi të këndojë “Bareshë e malit”, shoqëruar në piano nga Margarita Kristidhi, të duket sikur je pranë burimeve të malit dhe mes cicërimave të zogjve. Një mrekulli muzikore që të jep natyrë dhe dashuri hyjnore. Karakteristika të veçanta ka edhe kënga “Kur më zbret bregut”, kënduar nga Pranvera Baçe, këngëtare e grupit artistik të Korçës. Sjell humor por shoqërohet nga ndjenja “Kënga e pleshtit”, interpretuar nga artisti Hysen Pelingu. Kënga “Matura” ose “Unë për ty nuk do të shkruaj”, në ato vite himn i tangos shqiptare, interpretohet nga një zë dinjitoz i muzikës shqiptare, Anita Take. Mjaft interesant është gjithashtu interpretimi i Gaqo dhe Luiza Çakos në këngën “E dua jetën”, nën dirigjimin e Nesti Uçit. Dueti Anita Take dhe Xhavit Xhepa është një kombinim i mahnitshëm zërash tek kënga “Te burimi”. Muzika si në këngë, ashtu edhe orkestrale, p.sh. tek kënga “Në parkun e qytetit”, kënduar nga Anita Take, është shumë ngacmuese, ngazëlluese, duke provokuar lëvizje të pashmangshme. Zëri i Pjetër Gjergjit tek kënga “Lisi plak” (Shkruamë të vërtetën) tingëllon si kënga e një bilbili mali. Dhe më tej, dueti Pjetër dhe Florinda Gjergji tek kënga popullore e Xhedikut “N’at” livadh” duket sikur me të vërtetë vallëzon nëpër livadhet dhe lëndinat e bukura dhe të pafundme shqiptare. Të befason zëri i ëmbël i Xhavit Xhepës tek kënga “Ja bilbili ligjëron” (Çelin lulet), një zë melodioz, i pjekur, i padëgjuar në ditët e sotme, një zë që ta mbush shpirtin plot kënaqësi dhe të mrekullon. Duetet Pjetër Gjergji dhe Anita Take vazhdojnë me këngët “Ndarja nuk na ndan” dhe “Të pres”, këngë karakteristike të tangos shqiptare, vepra të papërsëritura të Xhedikut. Hysen Pelingu shpërthen fuqishëm me lirizmin e tij karakteristik tek kënga “Cuca e Radomirës”, një mrekulli e këngës popullore dibrane. Ndërsa Viktori Xhomo tek kënga “Do ta gris çarçafin” paraqitet si një artiste e kompletuar e kohës. Dhe në majë të këngëve të tangos shqiptare, vepra të Xhedikut, qëndrojnë këngët “Vashës sime” (Vajzë engjëllore) dhe “Falmi sytë e shkru”, të kënduara nga Pjetër Gjergji. “Artisti i Popullit” Avni Mula, në kujtimet e tij për Xhedikun midis të tjerash shkruan: “Sa herë dëgjoj tingujt muzikorë të kitarës, sa herë shoh kitarë, më del përpara sysh figura e ndritur e kolegut dhe shokut tim të nderuar, kompozitorit të talentuar Muharrem Xhediku”. Kënga “Falmi sytë e shkruar” e M. Xhedikut ndërmjet 100 këngëve të shekullit Në edicionin e parë “Këngët e shekullit” organizuar nga Televizioni kombëtar “Klan”, nën drejtimin e kompozitorit Adrian Hila, regjisorit Bledar Laço dhe drejtuesit Pandi, midis dhjetra kompozitorëve të talentuar, midis dhjetra këngëve të mrekullueshme, me riorkestrimin e kompozitorit të mirënjohur Edmond Zhulali dhe nën interpretimin e Aleksandër Gjokës u paraqit edhe kënga “Falmi sytë e shkruar”, e cila befasoi për muzikalitetin e saj dhe tekstin e saj të ndjerë për dashurinë. Edhe sot e gjithë ditën kënga pëlqehet e këndohet nga të rinjtë dhe nga publiku muzikëdashës, gjë që flet për muzikalitetin e krijimeve të Xhedikut dhe të aftësisë së tij krijuese. Aleksandër Gjoka (Këngëtar) : Kam ndjerë kënaqësi të veçantë kur kam interpretuar këngën “Falmi sytë e shkruar” të M.Xhedikut Unë jam një këngëtar që i përkas një plejade të re artistësh dhe nuk e kam njohur Muharrem Xhedikun, por me këngën e tij më njohu dhe më bëri të ndjej kënaqësi kompozitori Edmond Zhulali që riorkestroi këtë këngë dhe e paraqiti në konkurrimin e 100 këngëve të shekullit. Që në fillim e ndjeja muzikalitetin e saj të veçantë, tekstin e lirshëm poetik të dashurisë dhe u dashurova me këtë këngë. Jam i gëzuar që e kam kënduar këtë këngë të këtij kompozitori të talentuar, që i ka qënduar shekullit. E ndjej se suksesi i kësaj kënge vazhdon. Kënga është futur në internet, në shumë radio e televizione. Në një farë kuptimi ka marrë dhenë, është bërë e dashur për të gjithë. Unë jam ndjerë mirë me këtë këngë, si të thuash në shtratim tim të këngëve, në zhanrin tim muzikal. Edhe pa e njohur them se Xhediku ka qenë dhe mbetet një muzikant i madh. Anita Take (Prodani): Muharrem Xhediku ka qenë një kompozitor i talentuar, por fatkeqësisht vdiq shpejt Kam punuar me Muharrem Xhedikun që në fillimet e para të Radio Tiranës, të filarmonisë shqiptare dhe të Estradës. Ai ishte një muzikant i talentuar si instrumentist, si kompozitor edhe si drejtues. Ai ishte i sëmurë me tuberkuloz dhe pjesën më të madhe të kohës e kaloi në spital. Erdhi nga lufta me këtë sëmundje të rëndë, të cilën nuk e përballoi dot. Unë kam kënduar disa këngë të M.Xhedikut si “Te burimi”, “Vajzë ëngjëllore”, etj. Pavlina Nikaj ka kënduar gjithashtu shumë këngë të Xhedikut. Këngën “Falmi sytë e shkruar” e ka kënduar për herë të parë Pjetër Gjergji. Edhe sot dëgjoj këngët e Xhedikut dhe më vjen keq ndonjëherë kur nuk thuhet se është këngë e tij, por humbet autorësia. Disa riorkestrime të fundit të këngëve të tij janë të bukura. Muharrem Xhediku ishte një muzikant i mrekullueshëm. Më vjen mirë që po shkruani për të këtë monografi. Ardian Trebicka, Këngëtar i muzikës së lehtë (tenor): Frymëzimi im për albumin “Tango” ka qenë kolosi i muzikës së lehtë dhe i tangos shqiptare Muharrem Xhediku Në kulmin e punës për të përfunduar monografinë kushtuar kompozitorit të viteve ‘60, Muharrem Xhediku, ndoqëm një intervistë me këngëtarin Ardian Trebicka. Meqenëse ky këngëtar është një nga këngëtarët tanë të të preferuar, e ndoqëm me kujdes intervistën e tij. Pyetjes së gazetares Genta Popa (Prodani) për albumin e tij të titulluar “Tango”, ai iu përgjigj se frymëzimin për këtë album e ka marrë nga muzika e viteve ‘60-’70, nga të mëdhenjtë e muzikës së lehtë shqiptare, Xhediku dhe Prodani. Caje Poleshi, këngëtare e muzikës popullore Zall Dardhë: Xhedikun e kemi patur udhërrëfyesin tonë në rrugën artistike Kur u bëra këngëtare, në grupin artistik të zonës dhe në Estradën Profesioniste të Peshkopisë mësova më shumë për jetën dhe veprën e kompozitorit Muharrem Xhediku. Ne krenoheshim me këtë njeri, me këtë kompozitor që kishte kompozuar këngë të bukura dibrane dhe këngë të muzikës së lehtë. E kishin krenarinë tonë dhe udhërrëfyesin tonë në rrugën artistike. Pjesët e tij muzikore dhe këngët e tij i kishim në repertorin tonë.
Posted on: Fri, 23 Aug 2013 11:04:57 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015