Mbi 4 mijë kosovarë në kampet e Hungarisë, së shpejti kthehen - TopicsExpress



          

Mbi 4 mijë kosovarë në kampet e Hungarisë, së shpejti kthehen Publikuar: 10.07.2013 Prishtinë, 10 korrik - Azilkërkuesit kosovar të cilët tash e 6 muaj në masë të madhe kanë marrë rrugët e Evropës ka gjasë të jenë pre e grupeve kriminale dhe e profiterëve. Tashmë kanë filluar hetimet për t’i rënë në fije këtij rrjeti kriminal, ndërsa janë mbi 4 mijë kosovarë të cilët janë në kampet e Hungarisë e të cilët së shpejti do të kthehen në Kosovë. Me iniciativën e ministres Vlora Çitaku, sot u mbajt takimi bashkrendues me institucionet përgjegjëse për luftimin e kontrabandimit me qenie njerëzore. Në takim morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dhe udhëheqësi i Divizionit Ekzekutiv i EULRX-it. Në takim u diskutua shqetësimi i përbashkët rreth rritjes së numrit të azilkërkuesve nga Kosova të cilët janë duke e shfrytëzuar territorin e Serbisë për të kaluar në mënyrë të parregullt kufirin hungarez. Ministrja e integrimit Vlora Çitaku i ka shuar të gjitha shpresat e atyre të cilët i kanë mësyrë rrugët e Evropës apo që ende po bëjnë plane të ikin nga vendi. Ajo tha se azili nuk është më opsion dhe se qytetarëve të Kosovës nuk u jepet më azil në vendet e BE-së, ndërsa tha se azili është armiku numër një i liberalizimit të vizave për Kosovën. Ajo u ka bërë thirrje të gjithëve që të mos bien pre e grupeve kriminale duke rrezikuar jetën e tyre. Kurse sipas ministrit të brendshëm, Bajram Rexhepi ajo që po u lehtëson punën migrantëve kosovar është se tash mund të lëvizin vetëm me letërnjoftime nëpër serbi, dhe kostoja e këtij udhëtimi dhe shkuarja deri në Hungari është shumë e lirë. Ndërkohë qysh të enjten nga Austria pritet të vijë autobusi i parë me të kthyer nga ky shtet. Për t’i pritë ata do të dalë ministrja Çitaku bashkë më ambasadorin austriak. Kohavisioni kishte raportuar disa herë për këtë trend në rritje të azilkërkuesve kosovar dhe i pati sjellë fotot ekskluzive të kosovarëve të cilët qëndrojnë në kampet e Hungarisë. Në takim, sipas komunikatës, u konstatua se personat që bien pre e mashtrimeve, rrezikojnë sigurinë e tyre personale, shpenzojnë mjete të panevojshme dhe përfundojnë në qendra për azilkërkues të cilët në një afat shumë të shpejtë do të riatdhesohen në Kosovë dhe do t’ju ndalohet hyrja në zonën Shengen për 3-5 vitet e ardhshme. Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni njoftoi të pranishmit që tashmë kanë nisur disa hetime të cilat do të rezultojnë të suksesshme, të cilat kanë për qëllim hetimin dhe arrestimin e atyre që ofrojnë shërbime të kontrabandimit por edhe të atyre që e nxisin këtë proces. Nga EULEX-i u kërkua që të ketë nja bashkëpunim të ngushte me Institucionet e BE-së si Europol dhe të sigurohet bashkëpunim i afërt me institucionet e Kosovës, Serbisë por edhe shteteve anëtare të BE-së për ta luftuar së bashku këtë dukuri e cila është pjesë e krimit të organizuar. Në fund të takimit u organizua një konferencë për shtyp me ç’rast ministrat Çitaku dhe Rexhepi i informuan gazetarët dhe e potencuan edhe njëherë që e ardhmja e kosovarëve është në Kosovë. U tha se ata në Kosovë duhet ta gjejnë dhe ta krijojnë të ardhmen e tyre, përderisa azil kërkimi apo migrimi ilegal është një e kaluar e hidhur e cila nuk do të duhej të përsëritët në të ardhmen. (gp) Burimi: koha.net/?page=1,13,151860
Posted on: Wed, 10 Jul 2013 23:07:14 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015