Mbrëmje, 21 Qershor “Themeli i fortë i Perëndisë qëndron i - TopicsExpress



          

Mbrëmje, 21 Qershor “Themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur.” 2 Timoteut 2:19 Themeli mbi të cilin ngrihet besimi ynë është ky këtu: “Sepse Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre”. Fakti madhështor mbi të cilin ngrihet besimi i mirëfilltë është se “Fjala u bë mish dhe banoi në mes nesh”, “sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia”, se “Ai vetë i mbarti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit”, dhe se “ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar”. Me një fjalë, piedestali madhështor mbi të cilin qëndron shpresa e të Krishterit është zëvendësimi (flijimi zëvendësues). Flijimi zëvendësues i Krishtit për fajtorët, Krishti që bëhet mëkat për ne me qëllim që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të, Krishti që ofron një flijim zëvendësues dhe një shlyerje të vërtetë e të pranueshme për mëkatet tona në vend, më këmbë dhe për dobi të të gjithë atyre që i ka dhënë Ati, të cilët Perëndia i njeh me emër dhe njihen për besimin që kanë në zemrat e tyre në Jezusin, pra, është pikërisht kjo e vërteta bazë e ungjillit. Nëse do të hiqej ky themel, çfarë do të na mbetej të bënim? Mirëpo, fatmirësisht qëndron i patundur si froni i Perëndisë. E njohim, qëndrojmë, gëzohemi në të, ndërsa kënaqësia jonë më e madhe është ta mbrojmë, të meditojmë mbi të dhe ta shpallim, ndërsa dëshira jonë është të vihemi në lëvizje dhe në veprim nga mirënjohja për të në çdo pjesë të jetës dhe të folurit tonë. Kohët e fundit, të gjithë janë hedhur në sulm kundër doktrinës së shlyerjes së mëkateve. Njerëzit nuk e durojnë dot zëvendësimin. Mjafton mendimi i Qengjit të Perëndisë që mbart mëkatin e njeriut që ata të kërcëllojnë dhëmbët. Mirëpo, ne që e njohim nga përvoja jonë se sa e vyer është kjo e vërtetë, do ta shpallim atë me gjithë kundërshtimin e njerëzve, plot me besim dhe pareshtur. As nuk do ta zbusim, as nuk do ta ndryshojmë, dhe as nuk do ta përçudnojmë në ndonjë mënyrë a trajtë. E vërteta do të mbetet përherë e njëjtë: Krishti, zëvendësuesi i vërtetë, që mbarti fajet e njeriut dhe që vuajti në vend të tij. Nuk mundemi, çfarë po them, nuk guxojmë të heqim dorë prej kësaj të vërtete sepse është vetë jeta jonë dhe pavarësisht nga polemikat e herëpashershme, ne e ndjejmë se “themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur”.
Posted on: Fri, 21 Jun 2013 05:48:47 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015