Mbrëmje, 22 Nëntor “Fuqinë e ringjalljes së - TopicsExpress



          

Mbrëmje, 22 Nëntor “Fuqinë e ringjalljes së tij.” Filipianëve 3:10 Doktrina e ringjalljes së Shpëtimtarit është tej mase e çmuar. Ringjallja është gurthemeli i gjithë ndërtesës së Krishterimit. Është gurkyçi i harkut të shpëtimit tonë. Nuk do të mjaftonte një vëllim i tërë për të përshkruar të gjitha burimet e ujit të gjallë që rrjedhin nga ky gur i shenjtë, pra, nga ringjallja e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë të dashur Jezu Krisht. Mirëpo nuk ka gjë më të çmuar sesa t’i shtosh dijes se Ai është ringjallur përbashkësinë me një Zot të tillë, pra, përbashkësinë me një Shpëtimtar të ringjallur që zotëron një jetë të re, tek e shohim të dalë nga varri ndërkohë që ne vetë dalim nga varri i përbotshmërisë. Doktrina është themeli i përvojës, por meqenëse lulja është më e bukur sesa rrënja e bimës, kështu është edhe përvoja e përbashkësisë me Shpëtimtarin e ringjallur më e bukur sesa vetë kjo doktrinë. Do të dëshiroja që ta besonit se Krishti u ngjall së vdekurish me qëllim që t’i thurnit këngë një bëme të tillë dhe të fitonit gjithë përdëllimin e mundshëm nga një e vërtetë e mbështetur në kaq shumë prova dhe dëshmitarë, por, ju përgjërohem, nuk duhet të mbeteni të kënaqur me kaq. Megjithëse nuk e shihni dot fizikisht ashtu siç patën fatin ta shihnin dishepujt e Tij, ju përgjërohem që të dëshironi ta shihni Krishtin Jezus me sytë e besimit, dhe megjithëse ashtu si Maria Magdalena nuk mund ta “prekni” dot me dorë, prapë se prapë mund të keni privilegjin të bashkëbisedoni me Të, duke ditur se Ai është ngjallur së vdekurish duke qenë të ringjallur edhe ne përmes Tij në risinë e jetës. Të diturit se Shpëtimtari i kryqëzuar i ka kryqëzuar të gjitha mëkatet e mia ky po që është një nivel i lartë dijeje, por të diturit se Shpëtimtari i ringjallur më ka shfajësuar dhe më ka bërë krijesë të re përmes risisë së jetës të Tij, kjo po që është një përvojë sublime dhe askush nuk duhet të mbetet i kënaqur pa e pasur një njohuri të tillë. Paçi mundësi që “ta njihni atë dhe fuqinë e ringjalljes së Tij”. Përse vallë duhet që frymët që Jezusi ka rilindur të veshin rrobat e zisë së përbotshmërisë dhe mosbesimit? Ngrihuni sepse Zoti juaj është ringjallur.
Posted on: Fri, 22 Nov 2013 05:49:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015