Mbrëmje, 25 Tetor “Kështu Ruthi shkoi dhe nisi të mbledhë - TopicsExpress



          

Mbrëmje, 25 Tetor “Kështu Ruthi shkoi dhe nisi të mbledhë kallinjtë prapa korrësve; dhe i rastisi të ndodhej në pjesën e arës që ishte pronë e Boazit, i cili i përkiste familjes së Elimelekut.” Ruthi 2:3 I rastisi. Po, duket në pamje të parë si një rastësi, por në të vërtetë gjithçka drejtohej nga dora hyjnore! Ruthi kishte dalë arave me bekimin e të vjehrrës, nën kujdesin e Perëndisë së të vjehrrës, për t’u marrë me një punë të mundimshme e përulëse por edhe nderuese, dhe çdo hap i saj udhëhiqej nga providenca hyjnore. Tek doli arave zor se mund ta dinte se mes duajve të grurit do të gjente shokun e jetës së saj, se ai do ta bënte bashkëpronaren e dhjetëra hektarëve tokë dhe se ajo, refugjatja e vobektë, do të bëhej një nga paraardhëset e Mesisë hyjnor. Perëndia është shumë i mirë me ata që besojnë tek Ai dhe shpesh i zë ata në befasi me bekimet e Tij. Nuk dimë asgjë për atë që do të na ndodhë nesër, por ky fakt i bukur mund të na e ngrohë zemrën se nuk do të privohemi nga asnjë e mirë. Besimi i të Krishterëve nuk lë vend për rastësinë, sepse e shohin dorën e Perëndisë në gjithçka. Ngjarjet banale të së sotmes ose të së nesërmes mund të sjellin pasoja të rëndësishme nesër. O Zot na trajto neve shërbëtorëve të Tu me të njëjtin hir që i shfaqe Ruthit! Ç’bekim i madh do të ishte sikur duke u endur sonte nëpër fushat e përsiatjes të na rastiste të mbërrinim në vendin ku do të na zbulohet i Afërmi ynë! O Frymë e Perëndisë na drejto për tek Ai. Do të pranonim më mirë të mblidhnim kallinj në fushën e Tij sesa të korrnim të korra të bollshme në ndonjë arë tjetër. O sa mirë është kur ndjekim gjurmët e tufës së Tij, të cilat na drejtojnë tek kullotat plot bar ku banon Ai! Kjo botë bëhet shumë e mërzitshme kur mungon Jezui, sepse do të pranonim më mirë të nxihej diell e hënë sesa të na linin pa Të, por sa hyjnisht e bukur bëhet gjithçka nën dritën e lavdisë së pranisë së Tij! Frymët tona i njohin të mirat që fshihen në Jezuin dhe nuk gjejnë kënaqësi askund tjetër përveçse tek Ai. Do të presim në lutje sonte derisa të na rastisë që të mbërrijmë në atë pjesë të fushës ku me siguri do të takohemi me Të.
Posted on: Thu, 24 Oct 2013 22:05:23 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015