Me rastin e 15-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së - TopicsExpress



          

Me rastin e 15-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese organizoi sot në Tiranë, konferencën ndërkombëtare me temë “Kushtetuta si Instrument Qëndrueshmërie dhe Zhvillimi”. Në konferencë morën pjesë dhe e përshëndetën Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryeministri, Z.Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta si dhe ambasadori i BE në Shqipëri, Ettore Sequi. Rama Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni, kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësine e dokumentit themeltar të një shteti me dinamikë zhvillimi si Shqipëria që domosdoshmërisht do të kërkojë ndryshime të vazhdueshme. Në këtë pikë, Rama kërkoi që ndryshimet që do i bëhen dokumentit të jenë gjithëpërfshirëse dhe jo ekskluzive të politikës. “Kushtetuta është një akt themelor dhe baza ku mbështetet gjithë procesi i bashkëjetesës mes njerëzve të një vendi, por edhe gjithë funksionimi i një vendi. Besoj që sot është dita për të çmuar edhe rolin e veçantë që ka luajtur Gjykata Kushtetuese e këtij vendi në zbatimin e Kushtetutës, në këto 15 vite. E, si një instrument në zhvillim, pasi dinamika e jetës dhe e zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe politik të vendit, nuk është asnjëherë e dhënë përgjithmonë, Kushtetuta padyshim meriton gjithmonë edhe këndvështrimin nga pozicioni i nevojës për ta ndryshuar atë, por mbi të gjitha, si një instrument në zhvillim. Kushtetuta e ka të nevojshme Gjykatën Kushtetuese, vendimmarrjet e saj, si një kontribut i domosdoshëm për ta interpretuar në momente të caktuara, por njëkohësisht, edhe për ta konsoliduar në parimet dhe në konceptet e veta Kushtetutën, duke iu përgjigjur nevojës së kujtdo për interpretimin e saj”. Pyetja që “a duhet a nuk duhet rishikuar Kushtetuta” do të bëhet besoj unë gjithmonë e më insistuese. Por nga ana tjetër besoj se eksperienca e këtyre 15 viteve na ka mësuar mjaftueshmërisht si t’i qasemi kësaj pyetjeje dhe si në çdo rast, përgjigjen e kësaj pyetjeje të mos ta gjejmë tek vullneti ekskluziv i forcave politike, por ta gjejmë në radhë të parë tek gjithë përfshirja e të gjithë aktorëve dhe faktorëve shoqëror, duke nisur sigurisht nga komuniteti i konstitucionalistëve dhe më gjerë pastaj, nga vetë sistemi që garanton integritetin e Kushtetutës. Stabiliteti i Kushtetutës është padyshim një parakusht për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e rendit kushtetues të vendit. E në çdo rast, çdo ndërhyrje në Kushtetutë, pavarësish se nuk përbën asnjë lloj sakrilegji në vetvete, imponon domosdoshmërish që, në funksion të stabilitetit dhe të forcimit të rendit kushtetues, gjithëpërfshirja të jetë koncepti bazë dhe më fillestar i saj. S’mundet kurrsesi që një proces i tillë të jetë një proces partiak dhe, aq më pak, një proces politikisht i njëanshëm. Padyshim, edhe në qoftë një proces politikisht i gjithanshëm, kjo është e pamjaftueshme kur flasim për Kushtetutën e një vendi, në jetën e të cilit partitë politike përfaqësojnë shumëçka, por kurrsesi nuk përfaqësojnë gjithçka”. Nevojën për ndryshime në dokumentin themeltar të shtetit, Kreu i Qeverisë i motivoi me mospërputhjen e një sërë standardesh me ato që imponojnë kushtet e të qenit në proces integrimi. Jemi në kushtet kur vendi përpiqet çdo ditë të integrohet në BE dhe kur kjo e fundit imponon vijimësisht një tërësi standardesh dhe sjelljesh që shpesh bien ndesh me standardet dhe sjelljet që ne kemi pjesë të vazhdimësisë sonë, pyetjet nëse duhet ndryshuar apo jo Kushtetuta, do bëhen çdo ditë e më shpesh”. Kryeministri garantoi se qeveria do të garantojë respekt ndaj këtij dokumenti dhe do e zbatojë me qëllim për të forcuar kushtetueshmërinë në bashkëjetesën mes njerëzve. Pasi bëri një historik të shkurtër të dokumentit, që synonte ta bënte Shqipërinë një vend të qeverisur me rregulla që në hapat e parë të shtetit shqiptar, Rama tha se sot jemi këtu për 15-vjetorin e një kushtetute që më së fundi nuk është dhuratë e fuqive të mëdha, as imponim i një fuqie nga lartë poshtë, por një shprehje e vullnetit të përbashkët të shqiptarëve që ia bënë dhuratë vetes, me referendumin e 98-ës. Meta meta Kryeparlamentari Ilir Meta theksoi në fjalën e tij se në këtë 15 vjetor ka një arsye më shumë që politika të kritikojë veten sesi jemi sjellë ne me të. Meta kujtoi ndryshimet në vitin 2008. “15 vjet më pas kemi shume arsye për ta duartrokitur këtë Kushtetutë dhe shumë arsye për të kritikuar veten sesi jemi sjellë me te. Kushtetuta e re e diktonte bashkëpunimin e forcave politike me gjithë peisazhin zemërak të tyre. Ndryshimet në vitin 2008, edhe nëse u iniciua me synim të mirë, cënoi raportet mes pushteteve dhe dha mesazh të gabuar, në Kushtetutë mund të ndërhyej brenda inateve dhe brenda një nate të vetme”- tha Meta gjate fjalës së tij. Në konferencën Kushtetuta si Instrument Qëndrueshmërie dhe Zhvillimi të organizuar nga Gjykata Kushtetuese, në bashkëpunim me Komisionin e Venecias, me rastin e 15-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kreu i Kuvendit tha se ” unë besoj sinqerisht se ne tashmë e kemi gjithë maturinë dhe pjekurinë e nevojshme për të patur qasjen e duhur ndaj kushtetutës, për një bashkëjetesë reciproke me njëra-tjetrën me një debat politik profesional dhe ekspertizë të posaçme, që do të konsideronte ndërhyrjet nëse ato do të gjykoheshin të domosdoshme në të mirë të vendit dhe të ardhmes europiane të tij. Dinamikat e vazhdueshme në qeverisje, vijoi Meta, moria e problematikave të mprehta të shtruara për zgjidhje, janë një fushë më tepër për respektimin e institucioneve, për garantimin e pavarësisë së tyre për kontrollin dhe ekuilibrin mes tyre. Kryetari i Kuvendit vlerësoi kontributin e çmuar të dy bashkëkryetarëve të komisionit për hartimin e projekt kushtetutës, të paharuarrin Sabri Godo dhe Arben Imami, komisionin e Venecias dhe votën e çdo shqiptari që atë nëntor ushtroi të drejtën e tij sovrane për të zgjedhur modelin e qeverisjes së tij për të ardhmen. Kushtetuta e re, duke pasur parasysh karakteristikat specifike të vendit, gati-gati e diktonte domosdoshmërinë e bashkimit të forcave politke me gjithë peizazhin zemërak të tyre, ashtu siç diktonte një qasje tërësisht europiane dhe moderne ndaj të drejtave universale të njeriut, tha Meta. Bujar Nishani Nishani “Guri i themelit të shtetit”, e quajti Presidenti Nishani këtë akt themelor, në fjalën e tij përshëndetëse. “Superioriteti i Kushtetutës në hierarkinë e piramidës së burimeve të së drejtës, është shumë i rëndësishëm për krijimin dhe ruajtjen e strukturës shtetërore. Besoj se kjo epërsi e mban Kushtetutën jashtë zhvillimeve të politikës së zakonshme, por jo larg vëmendjes se saj, duke bërë që strukturat themelore të shtetit të qëndrojnë mbi politikat elektorale dhe të sigurojnë paprekshmërinë e sistemit shtetëror pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve si dhe çka është më e rëndësishme, pavarësisht nga forcat politike që do të fitojnë zgjedhjet, – tha Presidenti në fjalën e tij. Presidenti Nishani siguroi se si garant i Kushtetutës do të vazhdoj të jap maksimumin dhe të përdor çdo instument kushtetues dhe ligjor për të garantuar të drejtat e cilitdo shtetas dhe çdo elementi përbërës të shoqërisë tonë në formën e saj SHTET. “Nuk kam se si ti shikoj apo konceptoj të shkëputura nga njeri-tjetri, respektimin e të drejtave themelore të shtetasve dhe respektimin e pavarësisë institucionale. Çdo institucion kushtetues nuk duhet vetëm të kërkoje, por edhe të përkushtohet në garantimin maksimal si të të drejtave të shtetasve ashtu edhe të mirëfunksionimit e tij dhe cilitdo prej institucioneve”. Duke vlerësuar Kushtetutën e vitit 1998 si një nga elementet institucionale më të rëndësishme që qëndrojnë në bazën e demokratizimit të shtetit shqiptar, Ai theksoi se rishikimi duhet të jetë i rrethuar nga maturia e kujdesi për të nënvizuar aspektin themelor të paktit kushtetues. “Unë besoj se po punojmë që edhe ne vendin tonë, Kushtetuta mbi të gjitha ka sensin e një pakti social, i një kontrate mes atyre që qeverisin dhe të qeverisurve, mes të cilëve vendosen parimet dhe instrumentet e një regjimi politik.” Presidenti i Republikës, renditi Pikat të cilat mund të parashtroheshin për rishikim në Kushtetutën e Shqipërisë, si ka ndodhur tashmë me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian: Ato do të konsistonin në: - një kufizim i sovranitetit kombëtar me anë të njohjes së institucioneve të Bashkimit Evropian për të adoptuar akte normative për shtetet anëtare. Pra Parlamenti shqiptar nuk do të jetë i vetmi institucion ligjbërës. - parashikimi që duhet bërë në Kushtetutë për te drejtën për pjesëmarrje të shtetasve të Bashkimit Evropian në zgjedhjet lokale të Shqipërisë si dhe e drejta e pronësisë mbi terrene apo pasuri të paluajtshme për shtetasit e huaj. - parashikimi i të drejtës së shtetasve shqiptare për të marrë pjesë si zgjedhës apo të zgjedhur në zgjedhjet e Parlamentit Evropian “Pra rishikimi i Kushtetutës duhet parë si një përsosje të saj kur është një domosdoshmëri shoqërore, por pa prekur bërthamën e parimeve, vlerave kushtetuese që do ta konsideronim superkushtetutë. Ne bindjen time dhe aktivitetin tim, Kushtetuta duhet të japë garanci për një jetë të gjatë dhe qëndrueshmëri”, – theksoi ai. Ettore Sequi Ambasadori Ettore Sequi Ambasadori Ettore Sequi gjatë fjalës së tij në Konferencën e realizuar me rastine 15 vjetorit të Kushtetutës së Shqipërisë deklaroi se Bashkimi Europian dhe në Progres Raport i jepet një rëndësi e veçante Kushtetutës dhe implikimit të saj nga një vend që synon të integrohet në BE. “BE dhe Progres Raporti i japin shumë vëmendje Kushtetutës dhe implikimeve të Kushtetutës për integrimit në BE. Emërimi i një kryetari të Gjykatës Kushtetuese është shumë i rëndësishëm. Ka shumë sfida para. Gjykatat Kushtetuese dhe kërkesat e popullit shqiptar kanë ndryshuar këto vite. Kërkohet vendosja e një balance mes të drejtave dhe qytetarëve. Duhen arritur qëllimet dhe qëllimi është për të rritur efikasitetin e Gjykatës Kushtetuese sipas standardeve evropiane. Legjislacioni për Gjykaten Kushtetuese duhet realizuar. BE ka ofruar mbështetje teknike. Kjo reformë është pjesë e debatit aktual që është i rëndësishëm”,- deklaroi Sequi. Sipas Ambasadorit, Kushtetuta është dokumenti më i rëndësishëm për të mbrojtur të drejtën. “Kushtetuta vendoset mirë në shoqëri. Shteti ofron besueshmëri duke ditur që toka do të jete e fortë dhe nuk do të rrëshqasë. Gjykata Kushtetuese ka detyrën e vështirë për të mbajtur në mbikëqyrje jo vetëm pemët, por gjithë pyllin. Vendimet janë të rëndësishme. Ndonjëherë aktivitetet në terren janë të tilla që themelet duhet të forcohen që kulla të qëndroje në mënyrë perfekte. Ndarja e pushtetit në Shqipëri është një kërkesë e rëndësishme për Progres Raportin. Këshillat e përfaqësuesve të BE-së janë instrument i rëndësishëm për të mbështetur Kushtetutën. Qëllimi specifik i kësaj reforme është që ti bëjmë emërimet më përfshirëse një ndërhyrje që e ndihmojnë kullën për ta forcuar dhe për ta bërë më të qëndrueshme. Ne jemi të bindur që për çdo vend, Kushtetuta është dokumenti më i rëndësishëm për të mbrojtur të drejtën”,- deklaroi ndër të tjera Sequi. Ambasadori Helmut Hoffman Ambasadori Gjerman në Shqipëri Helmut Hoffman gjatë fjalës së tij në konferencë u shpreh se Kushtetuta është në zemër të çdo shteti ligjor. Ai deklaroi se ata që kanë shkruar Kushtetutën e Shqipërisë janë mbështetur te ajo e Gjermanisë. “Kushtetuta është në zemër të çdo shteti ligjor. Për të reflektuar mbi origjinën e kushtetutës dhe për ti hedhur një sy Kushtetutës shqiptare, Shqipëria e ka parë me kujdes Kushtetutën gjermane dhe më pëlqeu fakti se ata që shkruan disa prej neneve të Kushtetutës u frymëzuan nga ligjet gjermane, siç është Parlamenti dhe kapitulli për të drejtat e njeriut që kanë si shembull Kushtetutën gjermane. Sipas ambasadorit Hoffman kur shkruhet një Kushtetutë duhet patur parasysh edhe realiteti.“Kam mësuar të kem parasysh realitetin e kushtetutës. Mendoj se duhet thënë se është e rëndësishme që diplomatët ta kuptojnë këtë”. Ambasadori theksoi se Shqipëria ka bërë progres këto 20 vite dhe se Kushtetuta i ka shërbyer mirë për zhvillimin e saj. “Shqipëria ka ecur në sfida transformuese gjatë këtyre 20 viteve. Duhet të tregohem i kujdesshëm me gjykimin tim pasi kam pak javë që kam ardhur. Kushtetuta i ka shërbyer mirë Shqipërisë për zhvillimin, shoqëror dhe institucional. Shqipëria është në rrugën drejt integrimit në BE dhe Gjermania e mbështet”,- deklaroi Ambasadori Gjerman
Posted on: Fri, 22 Nov 2013 15:40:50 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015