Meditim per librin dhe letërsinë “Chapters” është një - TopicsExpress



          

Meditim per librin dhe letërsinë “Chapters” është një librari e madhe, ku shkoj shpesh me vajzën dhe nipin. Po e përshkruaj pak, meqë kohët e fundit - në një rreth të caktuar - ka shumë diskutime për librin dhe për letërsinë. Libraria ka një numër të madh ndarjesh, sipas gjinive, llojeve, moshës së lexuesve. Ka shumë botime të natyrës së përkohësisë, letërsi rozë, kujtime e thashetheme (politikanë e vip-a) aventura, krim, gjëra me frikë. Natyrisht, unë e kaloj shumicën e kohës duke parë vitrinat e letërsisë klasike. (Do ta them më poshtë ç’kuptoj me këtë.) Në kënde të caktuara, ka tavolina ku mund të ulesh e të lexosh, kompjutera, ka madje një hapësirë të gjerë vetëm për fëmijë. Atje, ata luajnë ose zhgarravisin. Ka prindër e të tjerë të rritur që iu lexojnë edhe libra. Pavioni më i pakët këtu, është ai i poezisë. Në krah, gjendet pastaj një kafene e stilit evropian. Dhe prapë nuk i kam vizatuar të gjitha dhe as që e kisha ndërmend... Në Chapters ka gjithnjë njerëz. Lexojnë. Blejnë. Shohin. Ja tek erdha në temë. Të rrethuar nga të katër anët me vranësira elektronike, gjithnjë, ca më tepër prej kësaj, ne do të ndjejmë dhe do të çmojmë librin ashtu si jemi mësuar ta kemi atë pranë vetes orë e çast, që në fëmini. (Nuk e harroj kurrë, ime ëmë, ndjesë pastë, sa herë vinte në shkollë dhe i thoshin për mua fjalë të mira apo i binte në dorë ndonjë fletë-lavdërimi, më çonte në dy dyqane të rëndësishme në bulevardin qendror të Korçës, pas kinemasë “Morava”: Te libraria, ku më blinte një libër dhe pastaj te pasticeria përballë, ku më takonte një pastë. Këto dy gjëra, as që mund të krahasohen. Por jo prej një fëmije në klasë e pestë.) Ndërkaq, mund të kujtoj, duke iu marrë lejë kolegëve, se si të gjithë kemi gëzuar sa nuk thuhet kur kemi botuar librin e parë. Po ashtu, mund të them, askush nuk është ngazëllyer kushediçë kur ka parë tregimin apo vjershat e tij në portalin më të parë...E megjithatë, ato do të bashkëjetojnë. Kështu unë mendoj. Elektronika çështë e vërteta, i ka kaluar caqet e fantazisë. Një pjesë e madhe e krijuesve, sa edhe e njerëzve që nuk i qasen krijimit (merren me punët e tyre) komunikojnë përmes interentit. Shumë njerëz sot lexojnë vetëm në ajped. Të gjithë kalojmë orë të tëra përpara kompjuterit. Dhe prapë, kur shfletojmë një libër, kemi të tjera përjetime. Nuk mund të mos vësh re gjëra të përbashkëta, por edhe dallime. Kur je duke lexuar librin, ti dhe ai në duart e tua, fundja ti dhe autori, nuk të bezdis tingëllimi i postimit më të fundit në fb, ndërkohë që kompjuteri ofron çfarë nuk ofron; po ashtu, nuk të shtypin asfare reklamat, nuk të shqetëson dot spoti i kompanisë që shet të mbathura...Duke lexuar librin, ti je më i prirur për të bërë fantazi, për t’i përfytyruar personazhet, për t’i parë ndodhitë e vizionet si në një film, madje në këtë film je edhe ti protagonist, merr e jep, hyn e del me mendimet e tua, me pëlqimet apo mospëlqimet e tua; ti e ndjen këtë në çdo shfletim. Të qëndruarit me librin, i jep njeriut më shumë personalitet, por edhe privatësi. Koha i përzien shijet, zhvillimi performon thurrje nga më të çuditshmet. Po fundja, siç thoshte Samuel Beckett, çfarë dallimi bën nëse bërtima është e fortë apo e paktë? E rëndësishme është të jetë e mirë letërsia. Libri. Shpesh shohim ose kemi nëpër duar fjalë të lidhura rëndom. Gëte thoshte: “Të shprehesh me përpikmëri, kjo është nisja dhe mbarimi i çdo arti.” Kurse Oskar Uajld: “Librat janë të shkruara mirë ose keq. Kjo është e gjitha.” Nganjëherë, të duket sikur eksperimentet e natyrshme të njeriut me librin - duke lexuar me syze tredimensionale apo duke e bërë atë çokollatë, e cila në fund plotëson ndonjë vakt të tij, etj. - janë pothuaj po aq të (pa)rëndësishme dhe të përkohshme sa edhe rymat dhe shkollat letrare. Që nga lashtësia deri në ditët tona, e gjithë prurja dhe përvoja letrare - se quhej dhe quhet Rilindje, se i thonë klasiçizëm, romantizëm, realizëm, sentimentalizëm (ka pasur edhe një rymë këso), brezi i humbur, përroi i ndërgjegjes, antiroman, realizëm magjik, etj. - të gjitha këto qasen në atë që e quajmë letërsi klasike. Kjo ndodh kur letërsia është e mirë dhe njerëzimi ndjen se ajo do të mbijetojë. Kaq është. Të tjerat, me lotë e me psherëtima (se m’u kujtua një libër me titullin “Ura e psherëtimave”, sa këso janë shkruar e kanë humbur) janë thjesht statistikë ose hollësi e diskutime pa fund që lakohen në shkolla e pëlqime. I gjithë problemi është që letërsia, po kthehemi te termi libër, ai pra, të jetë i mirë. Dhe të lexohet pa mundim. Horge Luis Borges tha në një nga ligjëratat e tij: “…edhe letërsia është një formë gëzimi. Nëse lexojmë diçka me vështirësi, autori s’ka qëlluar në shenjë.” E di që kjo është një temë më vete, sepse sakaq do të më hidhen kundër për të më kujtuar klasin, apo që letërsia i drejtohet elitës, e të tjera si këto, teza me të cilat janë dingas sot rrethet letrare, deri diku për të justifikuar largësinë nga lexuesi. Në fakt, ky i fundit zinte radhë për të blerë Harri Potterin. Por një kritik i njohur, Blumi, e quajti atë të mjerë...të përkohshëm...Por nuk është e thënë të jetë i tillë libri që të shitet. Para disa kohësh, pata në duar një libër me titull “Djalli dhe zonjusha Prym”, të P. Koelhos, që nuk më trazoi fort. Por tani kam lexuar që romani i tij “Alkimisti” njeh një tirazh prej 65 milionë kopjesh dhe është përkthyer tashmë në 71 gjuhë. (A thua e lexon vetëm elita?) Sipas një sondazhi të para disa kohëve të BBC, ky libër qëndron në krye të një liste me 100 veprat më të lexuara të kohërave; (në anglisht). Pas tij, renditeshin “Liza në botën e çudirave” i L. Cerroll, “Ferma e kafshëve” e Xh. Oruell dhe “Ana Karenina” e L. Tolstoit. Libri do të bashkëjetojë me të gjitha llojet e shpikjeve dhe risive teknologjike, sepse është shumë i afërt me njeriun, si ta them, është një përqasje shpirtërore që nuk zëvendësohet me asgjë. Së paku, kështu është prej një kohe shumë të gjatë...
Posted on: Tue, 13 Aug 2013 20:18:28 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015